Albspirit

Media/News/Publishing

Rama-Meta, drejt zgjedhjeve secili më vete?!

Skënder Minxhozi

Refuzimi stoik i opozitës përtë hyrë në zgjedhjet e 18 qershorit, po e bën të panatyrshëm të gjithë spektrin politik shqiptar. Përfshirë të majtën qeverisëse. A duhet të ketë zgjedhje pa opozitën? A duhen shtyrë ato? Nëse jo, si duhet hyrë në votime? Të gjithë bashkë, sikur të mos kishte ndodhur gjë, apo veç e veç? Po me presidentin çfarë ndodh në këto kushte?

Këto janë disa nga pyetjet më të zakonshme, por edhe më të vështira të këtyre orëve. Janë dilema që i kanë brenda tyre shtabet politike të partive të maxhorancës, por edhe opozita në çadër, e cila mundohet ta bëjë sa më të komplikuar prognozën politike dhe elektorale të vendit. Propozimi i sotëm i Lulzim Bashës për zgjedhjen e presidentit nga populli, duket pikërisht i kalibruar për të hedhur tym dhe paqartësi mbi të gjithë panoramën politike të momentit.

Gjithsesi këto orë po merr shtat një hipotezë e cila nëse rezulton e vërtetë, do të ribëjë të gjitha kalkulimet që kanë mbajtur mbërthyer këto javë politikën dhe mediat. Fjala është për një tërheqje definitive dhe të pakthyeshme të PD nga zgjedhjet, edhe pas ndërhyrjeve të fundit të ndërmjetësve ndërkombëtarë gjatë javës që vjen. E cila do të krijonte një situatë të pazakontë edhe brenda të majtës së sotme qeveritare.

Po duke gjithnjë e më qartë se Basha ka vendosur një herë e mirë ta mbajë partinë e tij, plus disa aleatë me të vegjël, brenda Çadrës dhe jashtë zgjedhjeve të 18 qershorit. Tashmë opozita duket e vonuar, po aq sa edhe e vendosur për të mos hyrë në zgjedhje. Pakica përgatitet t’i thotë “jo”-në e fundit Brukselit, çka mund të pasohet nga një deklarim i ndërkombëtarëve për mbajtjen e zgjedhjeve në datën e dekretuar nga Nishani. Duke e përmbysur një herë e mirë normalitetin politik dhe elektoral, disa javë para 18 qershorit.

Në një rast të tillë, Rama dhe Meta do të kishin përballë tyre dy mundësi: e para, të shkonin të gjithë se bashku në zgjedhje, duke i dhënë parlamentit të ardhshëm pamjen e një salle ku të gjithë rreshtohen në një formacion dhe i përkasin një shumice. Dhe së dyti, që të ndahen, për të shkuar të vetëm në zgjedhje, duke testuar fuqinë e tyre elektorale përballë votuesve shqiptarë. Natyrisht, pa prezencën e opozitës, por gjithsesi jo në një aleancë politike të formalizuar parazgjedhore, si katër vjet më parë.

Supozohet që raportet e ndarjes së votave, pa opozitën në mes, do t’i jepnin një numër të madh mandatesh Partisë Socialiste, duke rritur edhe numrin e deputetëve të LSI e PDIU. Çka bën të mendosh për frikën e javëve të fundit të Ilir Metës, i cili mungesën e opozitës në zgjedhje e sheh si një shans për Ramën për ta krijuar i vetëm qeverinë, për shkak të numrit të madh të mandateve që do të marrë. Në rastin e një daljeje më vete, LSI do të kishte mundësi të joshte një pjesë të elektoratit opozitar, i cili nuk do të ketë alternativë për të votuar në zgjedhjet e 18 qershorit. Dhe këto vota merren jo duke qëndruar në një tryezë me socialistët.

Nëse rasti i dytë do të rezultonte i vërtetë, do të kishim një situatë mjaft fluide dhe të paparashikueshme mes aktorëve kryesorë të maxhorancës së sotme. Do të jenë së bashku në qeverisje, apo socialistët do drejtojnë të vetëm, perballë një liste të ngushtë partish që mund të improvizojnë opozitën e rastit?! Siç do të mbetej e paqarte edhe situata për kreun e shtetit. Gjithsesi është realiste të thuhet se ky parlament pa opozitën e djathtë do t’i kishte ditët të kufizuara. Edhe ndarja e Aleancës së Për Shqipërinë Europiane në prag të zgjedhjeve të 18 qershorit, nuk do të mjaftonte për ta plotësuar peisazhin parlamentar me dy krahët klasikë të tij: pozitën dhe opozitën. Po shkojmë drejt zgjedhjesh krejtësisht atipike dhe të pazakonta.

Please follow and like us: