Albspirit

Media/News/Publishing

Afrim Krasniqi: Protesta e 13 majit nuk zgjidhi asgjë

Politologu Afrim Krasniqi i ftuar ditën e sotme në Ora News në një analizë të detajuar tha se protesta e sotme e 13 majit nuk ka zgjidhur në fakt asgjë.

Krasniqi ndër të tjera ka bërë një krahasim mes protestës së 18 shkurtit dhe kësaj të 13 majit, duke sqaruar se nëse në të parën ka pasur një retorikë, një reagim, sot në fakt nuk ka ndodhur asgjë.

Protesta e sotme, ishte e kundërt nga ajo çfarë pati retorikë këto ditë.

Pritej të kishte diçka madhështore dhe do kishte kapërcim në një fazë tjetër, por u shty ky lloj vendimi.

Edhe në retorikën e kreut të PD-së u përcaktua se do të ketë një lëvizje të tretë, por pa e përcaktuar se kush është e treta e vërteta.

Ka dallime të mëdha nga protesta e 18 shkurtit dhe kanë ndryshuar rrethanat politike nga protesta e shkurtit.

Protesta të tilla Shqipëria ka pasur pa fund në këto 27 vite dhe nuk është ndër më të mirat e opozitës vitet e fundit, por nuk ka rëndësi numri, por mesazhi që ti merr nga njerëzit.

Nëse në protestën e shkurtit pati një numër më të madh qytetarësh që iu bashkuan protestës, sot ishte tërësisht protestë partiake.

Nëse në protestën e shkurtit pati një lloj retorike, kundërvënie ndaj sistemit, akuzave që opozita deklaronte, dhe shpresë që gjërat të ndryshojnë, sot jemi në limitet e fushatës elektorale dhe dilema e madhe është çfarë do të ndodhë.

Ndërkohë ka një paqartësi në vendimmjarrjen përkatëse politike. Nëse në shkurt, pati një komunitet ndërkombëtar deri diku, në dakordësi me shqetësimet e opozitës, sot PD, në aspektin ndërkombëtar, është krejt e kundërt, madje pati dy tre fjalime nga ata që e morën fjalën, që i adresonin europianëve kritika të ashpra dhe kjo nuk duhej të ishte ajo çfarë do duhej opozita sot, dhe njerëzit që kishin ardhur të donin të merrnin.

Por a është dështim?

Jo nuk është dështim. Është një protestë normale. Lajmi i mirë është që protesta nisi dhe u mbyll paqësisht dhe po krijohet një lloj risie pozitive në Shqipëri në mënyrë që të mos i përjetojmë protestat si ngjarje negative për vendin.

Askush nuk kishte interes për të pasur incidente dhe asnjë palë nuk ka interes për ta kaluar lëvizjen politike në një lloj përshkallëzimi dhe përballje.

Debati i madh është çfarë do të ndodhë? Kjo protestë nuk zgjidhi asgjë. I la gjërat siç janë. Nuk i dha përgjigje nësa pranohet paketa Mc Allister. Nuk i dha përgjigje nëse opozita ka një variant B lidhur me zgjedhjet.

Duhej të kishte diçka konkrete. Ligjërimi për Republikën e re është pozitiv.

Teorikisht Republikën e re do të thotë ndryshim sistemi jo njerëzve.

Ajo çfarë u dëgjua pati vetëm një propozim konkret: Propozimi ishte që deputetët të zgjidhen nga qytetarët. Nuk pati asnjë propozim tjetër konkret. PD ka pasur 80 ditë kohë në dispozicion për të provuar me një dokument të shkruar se kush janë piketat e Republikës së re, por u kalua në premtime që më shumë bëhen në fushatë elektorale sesa në një miting ku diskutohet krijimi i një republike të re. Nga ana tjetër nëse thua Republikë të re duhet të ketë sjellje dhe një ligjërim të ri.

Gjithashtu republika e re nuk mund të bëhet vetëm, por me të gjithë shqiptarët, përfshi dhe kundërshtarët dhe kritikët politik. Ky lloj modeli i mungon ende opozitës. Siç duket sot, nuk kanë qenë të përgatitur për këtë lloj situate dhe nuk kanë pasur një ofertë konkrete.

Protesta bëhet për të mbajtur të mobilizuar strukturat, sepse çadra nuk mund të japë efekte, sidomos periudhën e fundit çadra ka dalë tërësisht jashtë funksionit, prandaj në mënyrë automatike kërkohej një lëvizje tjetër, dhe ajo u provua në Kavajë po provohet dhe në Tiranë dhe erdhi si një lloj ushqimi për militantët e strukturat si dhe një lloj testi politik. Kjo është normale të ndodhë.

Të mos harrojmë Shqipëria zyrtarisht është në fushatë elektorale dhe në fushatë elektorale, ose do të shkosh në Selenicë siç bëri kryeministri, ose do vish në Tiranë, të mbash fjalime e ligjërim politik.

Në një lloj këndvështrimi edhe kjo ishte pjesë e fushatës elektorale, pavarësisht se nuk pati një vendim të prerë. S’u përmend 18 qershori. S’u tha do hyjmë apo jo në zgjedhje, pranojmë ose jo kompromisin e ofruar nga partnerët ndërkombëtarë.

Personalisht e them me një fjali: Shqipëria e orës 10:00 para se të niste protesta dhe Shqipëria e orës 14:00 kur mbaroi protesta është e njëjtë. Nuk ka ndodhur asgjë. Kështu që nuk është as fillimi e as fundi i taktikave elektorale.

Do të duhet që opozita ta shikojë protestën në një këndvështrim për një reflektim brenda saj, për të kuptuar nëse vërtet qytetarët e përkrahin, nëse numri i qytetarëve është më i madh sesa numri i anëtarëve politikë.

Një parti që ka marrë 500 mijë vota e kam të vështirë të besoj se 500 mijë qytetarë i shkojnë pas një strategjie e cila nuk ka një pikë mbërritje e nuk ka një qëllim të përcaktuar.

Do të jetë vija e kuqe përcaktuese, nëse vërtet do i qëndrohet politikës refuzuese ndaj partnerëve ndërkombëtarë dhe do të shkohet deri në bojkotimin tërësor të sistemit politik apo do të ketë një lloj reflektimi për të ofruar një paketë, ca pika dhe për të kërkuar ca pika.

Nga ana tjetër maxhoranca do duhet të heqë dorë nga ajo që siç duket e ka të pamundur, arroganca. Nuk pritet nga kryeministri i Shqipërisë që të shpërndajë qoftë në mënyrë simbolike postera të qytetarëve të huaj të një vendi tjetër për të sulmuar opozitën, kur opozita ndodhet pranë zyrës së tij. Duhet të jetë më reflektar. Do të doja që kryeministri tia ripërsëriste ofertën Mc Allister dhe të caktonte një datë tjetër, të tretën e vërtetë të takimit mes dy liderëve politikë në zyrën e Presidentit të Republikës.

Është situatë absurde pasi dy liderët politikë nuk i adresohen njëri tjetrit, strukturave të partive, por ndërkombëtarëve. Nuk është çështja se ata nuk duan të komunikojnë, ata po komunikojnë përmes kanaleve diplomatike, me partnerët ndërkombëtarë.

Asnjëherë nuk ka ndodhur, as në ngjarjet më dramatike që të ketë kaq shumë deklarime ndërkombëtarësh brenda 48 orësh siç ka pasur ditët e fundit. Ato mesazhe duhen lexuar e kuptuar. Nuk mund tu flasësh diplomatëve perëndimorë me gjuhën e militantëve e të njerëzve që nuk kuptojnë politikën e çfarë është vlera e demokracisë

PD i ngjason një orkestre ku çdo njeri ka shkuar për ti rënë një vegle për të cilën nuk është profesionist.

Nuk ka një qëndrim zyrtar, një mbledhje strukturash apo votim të strukturave.
Nuk e dimë kush e përfaqëson sepse ne shohim deklarata të ndryshme në publik dhe duhet të presim kur kryetari i PD-së flet për ta marrë si qëndrim zyrtar. Por, në fakt dhe deklaratat e kryetarit kanë ndryshuar në varësi të situatës politike. Është problem i humbjes së busullës orientuese.
Siç duket nuk është PD që po udhëheq situatën por situata PD-në , dhe ky është një zhvillim jo serioz për një forcë politike e cila do të jetë përfaqësuese e shumicës së shqiptarëve.

PD ka potenciale dhe duhet ti shfrytëzojë pozitivisht dhe jo për të sulmuar çdo kritikë që vjen nga maxhoranca.  Ne nuk kemi dëgjuar një moment të vetëm që kreu i PD-së të pranojë një kritikë nga zërat e arsyeshëm të këtij vendi. Ata refuzojnë çdo kritikë, edhe të partnerëve ndërkombëtarë. Dikush që refuzon gjithçka do të thotë se ka humbur lidhjen me realitetin dhe ka nevojë të dalë nga guacka e çadrës e selisë, dhe të takojë qytetarët jashtë Tiranës, partnerët për të kuptuar se bota nuk mbyllet brenda asaj situatës 4 km katror sa u tha dhe sot. Tentativa për ta paraqitur si modeli i një lëvizje në botë është gati, gati jo serioze.

Mesazhi i Fleckenstein dhe Hahn kam përshtypshjen se ka qenë shkurajues për protestën dhe më shumë i është adresuar asaj më shumë sesa zgjedhjeve. Gjithashtu ka qenë një gotë uji e mbushur plot që ka mjaftuar një pikë ujë për ta derdhur. Ka një lodhje të faktorit ndërkombëtar për Shqipërinë, ecejaket e vazhdueshme. Në letrën e Hahn pati një detaj:  ishte vendimarrje e përcaktuar. Pra të gjitha negociatat kanë qenë fiktive dhe palët kanë aktruar më shumë sesa kanë negociuar, por nuk besoj se ky është qëndrimi i fundit i BE.
Besoj se mekanizmat e tjerë të komunikimit janë ende në lojë dhe në kohë për të negociuar e gjetur një vijë të mesme të artë.

Nga të gjitha ofertat, ajo e ndërkombëtarëve është më e mira dhe e vetmja në qarkullim.
Unë besoj që të dy liderët politikë janë 70 – 80 % dakord me atë paketë. Çështja është si trajtohet dhe sa përfitojnë dhe sa arrijnë ta shesin në mënyrë publike.

Dita kur zoti Rama në mënyrë apriori do të vendosë të hyjë në zgjedhje pa opozitën është dita kur praktikisht vendos humbjen e mandatit të tij. Ai mund të qeverisë 1 vit, dy vjet etj por nuk do të lërë gjurmë historike si kryeministër që ka qeverisur Shqipërinë por si kryeministri i vetëm i këtij vendi dhe në Europë që qeveris pa opozitën dhe ky nuk është një çmim që do të donte ta kishte një kryeministër.

Dita kur opozita do të vendosë në mënyrë apriori që nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, është dita e parë kur një kryetar politik në historinë e Europës vendos të përjashtojë opozitën nga sistemi. Është një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe që asnjë lider në Europë nuk e ka marrë edhe në situatë shumë më të vështira sesa këto, dhe do të jetë një ditë pa kthim.

Në mënyrë automatike askush nuk besoj të arrijë të humbë sensin e kohës, logjikën politike, dhe vizionin për të shkuar tek këto ditë, që janë ditët finale në vendimmarrjen e tyre. Prandaj gjithmonë duhet të ketë një derë të hapur për dialog.

Për mua nuk ka rëndësi data 18 qershor, por ka rëndësi të marrë fund kjo lloj krize pa sens, pa logjikë për shtetin e shoqërinë.

Teorikisht ekzistojnë të gjitha mekanizmat edhe që opozita të hyjë në zgjedhje dhe të shikohet kuadri ligjor përkatës, edhe për shtyrjen e zgjedhjeve në korrik, siç ka qenë në bisedimet e ndërkombëtarëve.

Ky nuk është thelbi i problemit, por thelbi është që Shqipëria po hyn në një krizë të thellë ku palët po ecin me vrap drejt një tuneli të errët dhe është detyrë e përgjegjësi e tyre që të tërhiqen nga kjo situatë dhe të ndezin dritën në fund të tunelit për qytetarët e Shqipërinë sepse për veten e tyre, ata janë shumë të pasur, kanë imunitet, lidhje ndërkombëtare, pasuri në shtetet e tjera të botës dhe janë njerëz që nuk i lidh asgjë me Shqipërinë.  I lidh një kontratë politike dhe ditën kur Shqipëri nis një krizë janë të parët që largohen nga ky vend. Këtë ka treguar tranzicioni dhe kështu do të ndodhë dhe kësaj here. Uroj të mos shkojmë në atë pikë, dhe të mos ndodhë kjo, këta njerëzve u duhet bërë presion pozitiv që të gjejnë zgjidhje. Sepse zgjidhje ka.

 

Please follow and like us: