Albspirit

Media/News/Publishing

Anita Kadriu: Seksizëm me ‘Heroinat’

Seksizëm me

Memoriali i “Heroinave” nuk po mbush rrjetet sociale.Rëndom jemi mësuar të shohim qytetarë teksa fotografohen para memorialëve të heronjve gjatë luftës së fundit dhe t’i publikojnë ato në rrjetet e tyre sociale, si: “Facebook”, “Twitter”, “Instagram”, apo në profilet e tyre të kenë vendosur ndonjë nga heronjtë e luftës së fundit.

Ndërsa, ka më shumë se një vit që në Prishtinë u përurua memoriali “Heroinat”, monument artistik për nderimin e sakrificës së femrave që luftuan me armë në dorë dhe ranë dëshmore, por veçanërisht për sakrificën e grave të dhunuara.

Ky memorial që ndodhet përkarshi obeliskut “NewBorn” nuk po tërheq vëmendjen e qytetarëve sikurse obelisku.

Çdo ditë shoh njerëz teksa fotografohen pranë obeliskut “NewBorn”, simboli i pavarësisë së Kosovës. E, natyrisht se është një monumentet që na rikujton ditën më të gëzuar e të paharruar për gjithë shqiptarët.

Por ne, a thua ndiejmë turp të shpërndajmë në profile foton e memorialit, të fotografohemi para këtij memoriali?!

Ato që bartën turpin i cili nuk ishte i tyre e nuk është u vetëvranë, disa u çmendën, u panë si turp i familjes, u braktisën nga bashkëshortët…, u braktisën nga krejt shoqëria kosovare.

E zërat që për hesapet politike përdorin edhe retorikën e drejtësisë për gratë e dhunuara në luftë kurrë nuk bënë foto para këtij memoriali, nuk shpërndanë në rrjetet sociale këtë profil, siç bënë me figura tjera. As moralisht nuk po i përmbushim detyrimet tona ndaj femrave në Kosovë të dhunuara gjatë luftës nga forcat serbe.

Sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë, gjatë periudhës 1998-1999 janë dhunuar rreth 20 mijë gra kosovare. Pra, nuk kemi vetëm heronj. Kemi rreth 20 mijë heroina. Asnjëherë deri më tani Qeveria nuk ka kërkuar llogari nga Serbia për dhunimin si armë lufte. Që nga paslufta nuk ka asnjë person të dënuar për dhunimin sistematik të grave në Kosovë nga gjykatat vendore dhe ato ndërkombëtare.

Edhe një herë të gjithë bashkë po shkelim mbi dhimbjen dhe vuajtjen e rreth 20 mijë femrave.

Procesi i verifikimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës nuk ka filluar ende. Komisioni qeveritar për verifikimin e këtyre viktimave nuk është formuar. Ndonëse ky komision ishte paralajmëruar të formohet vitin e kaluar, vetëm në këtë shtator të 2016-s u mbyll afati për aplikimin e konkurrentëve për anëtarë të këtij komisioni. Zvarritja e formimit të komisionit për verifikim të viktimave e ka “humbur” edhe buxhetin për kompensimin e viktimave që mund të verifikohen për sivjet.

Pa asnjë dilemë kjo zvarritje po bëhet edhe për ta kursyer buxhetin për veteranët. Sërish femrat e dhunuara viktima.

Pa mohuar sakrificën e disa ish-luftëtarëve, disa prej të cilëve humbën edhe gjymtyrët gjatë luftës, femrat e dhunuara po harrohen në raport me ta.

Veteranët ndihen krenarë, madje kokëlart dalin dhe protestojnë para Qeverisë duke kërkuar kompensimin sipas Ligjit për Vlerat e Luftës.

Ndërsa femrat e dhunuara as nuk po deklarohen që të marrin kompensimin si viktima të luftës. Disa aktiviste që kanë punuar me to këto ditë po mundohen t’i bindnin që të deklarohen, por përgjigjja rëndom që jepet nga to është: “Nuk mund të deklarohemi cilat jemi, do ta marrin vesh të tjerët”, si dhe “Nuk mund t’i marrim këto të holla, sa herë që do t’i marrim do të na kujtohet tragjedia jonë”.

Duke shfrytëzuar “mbytjen” e tyre në heshtje, në ankth e në dhimbje dhe të turpëruara të mos kërkojnë mbështetje morale e financiare, të mos deklarohen cilat janë Qeveria ka gjetur hapësirën për t’i paguar veteranët që po i bëjnë presion dhe për t’i lënë anash viktimat e dhunës seksuale.

Anash kanë mbetur edhe dëshmoret e luftës së UÇK-së. Edhe për to është dedikuar ky memorial. Por, edhe këto heroina mbetën nën hijen e burrave.

Madje memoriali “Heroinat” është ndërtuar në një kënd më të fshehur sesa memorialët tjera, pas stacionit të autobusëve urban, ku shumë pak vërehet se është. Aty nuk ka as park të ndërtuar që do ta tërhiqte vëmendjen e qytetarëve për të pushuar. As mirëmbajtja nuk është në nivelin që duhet të jetë ndonëse secila komunë e ka këtë për detyrë mirëmbajtjen e monumenteve.

Please follow and like us: