Firmosi patentat e Tahirit, Domi: Leja e lundrimit para vitit 2011

Hamdi Domi, në cilësinë e Përgjegjësit të sektorit të mjeteve lundruese e detare, që ka firmosur lejet e ish-ministrit, ka shpjeguar se si është pajisur me dy patentat Saimir Tahiri. “Sa i përket procedurave që ne kryejmë për leje, dua të theksoj se ndiqen dy praktika: E para, nëse personi është pajisur me leje lundrimi para vitit 2011, kryhet vetëm rinovimi i saj. Ndërsa praktika e dytë, që bëhet për lejet e dhëna pas vitit 2011, kemi një rregullore të re, e cila konsiston në kryerjen e një kursi nga çdo person që kërkon të pajiset me leje lundrimi. Tahiri është pajisur me leje lundrimi para vitit 2011 dhe këtë verë ai ka bërë rinovimin e saj. Kjo bëhet në mënyrë automatike dhe pa burokracira për të gjithë të interesuarit. Saimir Tahiri ka ardhur vetë në zyrën time dhe ka kërkuar rinovimin e lejes së lundrimit”, u shpreh  Hamdi Domi. Sipas shpjegimit të dhënë prej tij, lejet për lundrim që ka marrë Tahiri në kapiterinë e Durrësit, kanë qenë njëra për mjete detare deri në 7 metra të gjatë dhe tjetra për mjete deri në 15 metra. Rinovimi për njërën patentë (atë me përmasa më të vogla të mjetit lundrues) është bërë më 26.07.2017 si drejtues mjeti “Skipper”. Ndërsa sipas tij, rinovimi për lejen tjetër të lundrimit po për “Skipper”, është bërë në vitin 2015. “Nuk është gjë e vështirë të pajisesh me leje lundrimi, mjafton të kryesh kursin e përcaktuar dhe e merr këtë leje. Ne kemi të regjistruar mbi tetë mijë persona, të cilët i kemi pajisur me leje lundrimi”, u shpreh më tej Hamdi Domi.