Albspirit

Media/News/Publishing

A lejohet Bashkim Fino të kandidojë pa lënë mandatin për kreun e FSHF-së? UEFA kthen përgjigje zyrtare…

Kandidimi i Bashkim Finos për postin e kreut të FSHF-së pa hequr dorë nga mandati i deputetit ka shkaktuar shumë debate në botën e sportit dhe politikës në Shqipëri. Disa analistë sportiv dhe të politikës e konsiderojnë këtë vendim në shkelje të rregullave të UEFA-s dhe FIFA-s, si dhe kanë kërkuar nga socialisti të heq dorë nga mandati i deputetit pasi FSHF mund të përballet në të ardhmen me penalitete nga dy institucionet drejtuese të futbollit.

Për të mësuar nëse vendimi i Finos për të mbajtur postin e deputetit gjatë fushatës është në shkelje me rregullat e përcaktuara nga UEFA, ‘Politiko.al’ iu drejtua me anë të një email-i këtij institucioni.

Në përgjigjen e kthyer për ‘Politiko.al’, UEFA nuk komenton specifikisht kandidimin e Finos si deputet, por për këtë çështje i referohet dy pikave në statusin e saj.

Në Artikullin 7bis(2), ku flitet për detyrimet e federatave anëtare, të cilit i referohet UEFA, thuhet: “Anëtarët duhet të menaxhojnë punët e tyre të pavarur dhe jo nën influencën e palëve të treta. Anëtarët duhet të sigurojnë në statutet e tyre një procedurë demokratike që garanton se organet e tyre ekzekutive janë të zgjedhura në mënyrë të lirë dhe se organet e tjera janë zgjedhur apo emëruar në mënyrë plotësisht të pavarur. Çdo organ apo vendim nga palë që nuk është zgjedhur apo emëruar në përputhje me këtë procedurë, edhe në baza të përkohshme, nuk do të njihet nga UEFA.”

Një tjetër pikë që UEFA i referohet është Artikulli 9, ku përcaktohen shkeljet që çojnë në pezullimin e federatës nga ky institucion. Në këtë artikull, në pikën “1bis”, thuhet:

Anëtari mund të pezullohet nëse autoritetet shtetërore ndërhyjnë në punët e tij në mënyrë kaq domethënëse saqë:

a) (federata)nuk konsiderohet më si plotësisht përgjegjëse për organizimin e çështjeve të lidhura me futbollin në territorin e saj.

b) në është më në gjendje të kryej detyrat e saj statutore në mënyrën e duhur.

c) kompeticionet e organizuara prej saj nuk janë më të garantuara; ose

d) zgjedhjet e lira të organit ekzekutiv ose zgjedhjet plotësisht të pavarura apo emërimi i organeve të tjera, nuk është më i garantuar.

Bazuar në këto pika që UEFA i referohet për zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Futbollit, kandidimi i Bashkim Finos duke mbajtur postin e deputetit nuk përbën shkelje të statutit të saj, të paktën derisa nuk provohet se partia e tij apo institucionet shtetërore të kanë ndërhyrë apo do të ndërhyjnë në procesin zgjedhor.

Vetë Fino deklaroi ditën kur zyrtarizoi kandidaturën se për këtë çështje ishte konsultuar me UEFA-n dhe ishte i bindur se nuk ishte në shkelje të rregullave.

Please follow and like us: