Albspirit

Media/News/Publishing

TRAKTI I PANJOHUR I ALI KËLCYRËS KUNDËR ENVERIT

Mustafa KrujaNë serinë “Kuvend letrash me miqtë” në librin e  tretë krijohet një mozaik problematikash, ide, dhe argumente që nipi i Mustafa Krujës, Eugjen Merlika e ka cilësuar si “saga shqiptare e mërgimit”.Përmes letërkëmbimit të Krujës me personazhe të njohura të politikës krijohet historia tjetër e panjohur e mërgatës shqiptare mbas luftës së dytë botërore, të cilët kundërshtuan në mënyra të ndryshme sistemin stalinist të instaluar në Shqipëri.

“Të mërguarit, që arritën të shpëtojnë nga kthetrat e diktaturës, u përballuan në kohët e para me një qëndrim mosbesues të fituesve të luftës, për pasojë me kushte të vështira jetese… para asaj klase politike, që kishte mundur të shpëtonte lëkurën e ishte shpërndarë në të katër anët e globit, në luftë për mbijetesën ekonomike, këndvështrimet e interpretimit të ngjarjeve dhe objektivat e synimet, në raport me kërkesat kombëtare, duhej të ndryshonin katërcipërisht. Goditja e marrë ishte marramendëse dhe detyra që vihej para saj ishte e një përmase aq të madhe sa që bëhej  praktikisht e pamundur. Duhej riorganizuar mërgata, duke arkivuar të gjitha paragjykimet e parapëlqimet që kishin përcaktuar qëndrime që, nëse ishin të justifikuara deri diku në kuadrin e Shqipërisë së pushtuar në luftën e dytë botërore, tashmë ishin të pavend, madje të dëmshme në një botë të ndryshuar krejtësisht e për një gjëndje që detyronte objektiva të tjera”, shkruan Merlika në parathënien e këtij botimi, ku përfshihen letërkëmbimi të viteve ’48-’50 me familjen Mbretërore, Ekrem Bej Vlorës, Tahir Kolgjinit, Baba Rexhepit dhe Abaz Kupin.

Në këtë vëllim paraqiten edhe letrat që M. Kruja kishte marrë nga Teqeja Bektashiane e Detroitit, nga Baba Rexhepi.  Figura e këtij mistiku të madh është një nga më të njohurat në historinë e klerit shqiptar, sidomos atij mysliman.

Me Abaz Kupin nuk kemi në dorë një letërkëmbim të gjatë, shpjegon Merlika por në vëllim janë dy materiale: një letër e M. Krujës në të cilën, veç argumentave të tjera, ai kërkon ndihmë për dokumente vetjake nëpërmjet Oborrit Mbretëror dhe në tjetrën janë “porositë” që ish-kryeministri, në sajë të përvojës dhe disa viteve më shumë si moshë, i lejon vetes t’i përcjellë mikut  në lidhje me veprimtarinë  e tij në Lëvizjen e Legalitetit e në Komitetin “Shqipëria e lirë”.

Një ndër letërkëmbimet më të gjata të vëllimit është ai me Tahir Kolgjinin, me të cilin e lidhte një bashkëpunim gjatë kohës së luftës.

***

Istanbul, Babiali Cad. 20

12 – 6 – 1950

I dashtuni Mustafë,

U – vonova pak me iu pergjegjë t’ândes me datë 24 të m.k., por me nji anë u-ftofa me 1.6.1950, sa që ndêjta 7-8 dit. Desh më pushuën stomaku dhe zorrët. Tash jam çue, por ndodhem si bollë e vrame. Jam drejt përmirsimit. Të pata mendue shpesh atá që pate kalue Ti dhe u-tremba pak, me të thânë të drejtën. Edhe letra m’u-dorzue pak me vonesë, se pse, e kishte marrë shprëndasi i Ankara Cad. 99, me gjith drejtimin e ri, që ajo permbante. Mirë që s’hupi.

Mbasi e ndigjuëke edhe Ti Stamollin, të pjek shpesh përanë aparatit edhe un, kuër ká klasike, rumba e samba. Edhe disa copë të vendit nuk janë të keqija; mandej nji gazel që e këndon zojusha Hamiyet Yuceses, në qoftë se të ká ra me e ndigjue, me të vertetë âsht shungulluës.

Për mundimet (kështu e cillson Ti) s’ká gjâ; un jam i dëshpruëm pse s’munda me të çue dëshirin në vênd. A âsht nevojë me të thanë se, jam gjithmonë në dispozicjon?

Jam idhnue pak nga letra e jote, pse nuk ma shuëjti etjen. Po, më shkruëjshe për Devën, Kelcyrën, Ballin Shkombtár, por, mâ në fund, ia kishe lidhë grykën me kët frazë: “Kurrgjâ të konkretizuëme me na dhanë ndaj farë shprese s’ka.” Mos harro se une kam nevojë edhe për abstrakte. Mâ, Ti nuk ké kohë me hupë me abstraktet… Ajo ndërron. Edhe ké të drejtë. Pse po idhnohem un, kush mâ ká fajin? T’utë qenkan në Tepelenë. Zoti i ndihmoftë ata edhe né. Klimën nuk e kan të keqe. Jam d’akord rreth rrotës së fatit, se nuk âsht në vullnetin t’onë me e kethye. Po t’ishte, jo vetëm rrotën e fatit por edhe kupën e qiellës. Personalisht jam në gjendjen e mâ parëshme plus me pak dobësi trupi. Prá nuk kam shka shtoj. Në përgjithësi jam mirë.

Fletorët shkruëjnë mbi bisedime në Romë, për afrimin e Enverit kah prendimi, mandej vijnë përgënjeshtrime. Ju atje keni shpeshtue kontaktet. Aty këtu n’Itali mblidhen argat për të prashitë. Pra nuk âsht krejt pá tá.  L’Albanie Libre, besoj se, tash, do t’a keshë marrë. Besa nuk e dijë pse kaq tepër na ká lëshue ara doret. Për zgjedhjet, janë nji revolucjon pá gjak. Vetëm për Millet-in mendim të gabuëm ké formue. Pjestarët e kesajë partije janë njerz të drejtë, guximtarë, me nji program të qartë e modern. Nuk i përziëjnë millë e krunde. Nuk duën as shtet në fé as fé në shtet. Kundra spekulimevet dhe sistemit shefnuër. Un i due dhe indirekt iau kam ndihmue nji votë. Kaq munda. Jo pse un jam “haca taklidi” po pse ata janë të denjë. Në periudhën e ardhëshme do të jenë ma të gjallë. Mbasi Balli shkaktoi përçamjen e shqiptarvet, edhe un e pres me krahë-hapët, që të shtohet, tue u-përhapë në shumë degë, pardon, tue u – përçá në shum ashka, prapë më ndiëj; tue u – çá, deshta me thanë. (ashkë – pjesa e çame e njijë trupi. Ma të voglat: tishkë-a; ato të hollëëërraaat quhen: spirrë-a). E kush ia përrânin këtij trungu? (përrâ: damari nga i cilli merr të çamë nji trup. Përrâ = vështik-u – lumnjanisht: vështajk-i – sinonime. Kaq or lok prej fjalorit të drunarit. Po të paktën i ké të sigurta.

A nuk po të vjen rândë me më shtijë për me lëshue kalin ndepër vorre? Mirë se më shtive n’administratë, e në politikë, që nuk iau pata kerdhokllën, po tash, a edhe linguistikë? Më paç në qafë. Me gjithë atê, po lëshoj mullimin njiherë, e mandej të shofim se ç’ka me dalë. Imdi:

Babiali Caddesi 20

Istanbul 4.7.1950

I dashtuni Mustafë,

Atje në Koré krisi dhe po shkon tue u – nxé. Nuk e dijë a do t’i véjë vetëm për korje a po do t’i rraset për tulí. Kjo po më huton pak, se trembem, mos të kuqt nuk janë të përgaditun dhe i bâjnë lak ndeshjes. Ká nji javë se jam lidhë ngusht me fletore e me radjo tue ndigjue çdo stacjon, që kam mundësi: Kompleksi i shenjavet tregon se do të shtríhet konflikti. Tashti të vijmë ku dhêmbë dhambi: Në rasë konflikti shtrihet, s’ká nevojë me e përshkrue se ç’kishte me ndodhë këtu. Të kuqt për me dalë në detë të Bardhë me qellim që të luftojnë forcat e tyne detare me nëndetse dhe të bardhët me qellim që t’a mnjanojnë kët kërcnim dhe n’anë tjetër për me pasë bazat që t’i shkatrrojnë anës së kundërt shkatrrimin e “tedelevet” vojgurore, kan për t’a këthye kët copë vend në nji inferno të vërtetë, e mâ në fund, tue e pasë ngadhnimin, përkohsisht, të kuqt.

Në këto kondita – un nuk kam se si me qendrue këtu, në kohën e valës. Por,  nuk po dijë edhe se shka mund të bâj. Arsyëja, që nuk po kam se shka me bâ, âsht fakti se e kam xhepin e zbraztë për me ndërrmârrë largimin, simbas rasës. Tjetër gjâ nuk më pengon. Nji brez të ngushtë, që, dikuër, ma pat lâ motra në Romë, tashmâ nuk e kam, pse m’u – desht me e shëngjeshë për arsye jetese qe dy vjet e mâ tepër, tue dashtë me fillue njifarë mbështetje të rrënesës.

2.Un këtu shkoj mirë me të gjithë emigrantat, se pse, përdorij sistemin e malsorit, që i ndjek kuvendet me gjak të ftoftë. Veç kësajë, edhe çuçkavet u – rrijë fort larg. Mirë po, n’emigracjonin e këtushëm, nji gjâ më ká hjekë mjaft vrejtjen: disá ndihmohen prej I.R.O-s e disa jo. Për shembull: Avni Deralla, Kurt Shtjuti, familja e Abdurrahman Matit dhe Allaman Çupi me disá, ndihmohen, kuërse Hasan Kaloshi, Haxhi Xhilaga me disá të tjerë, nuk ndihmohen. Kuër erdhëm na, deshtëm me iu drejtue I.R.O-s për ndihma; dhe disá iu drejtuën, por na u-tha se, për Jû e për kategorinë t’Uëj nuk jepen ndihma, pse i keni pré marrëdhanjet me I.R.O-n. Po çudija mâ e madhe âsht se, z. Sabri Koka nga Leskoviku, që âsht pikrisht në konditat t’ona, vazhdon me u-ndihmue. Veç kësajë ndihmohen prej I.R.O-s edhe ata, që, dikuër i kishin pré marrëdhanjet me të e kishin shkue në Síri.

Asht këtu njifarë Gazi Han, çerkes nga Kaukasi, që paská qenë oficer në Shqipni, para 1933tës. Ky âsht monarkist dhe përpiqet për Mbretin. Sod për sod, ndodhet Kryetar’i Komitetit t’emigrantavet romen, ungarezë, polakë etj., dhe, në Komitet, përfaqson edhe shqiptarët. Un nuk i jam afrue me i bâ ndonji kërkim, se nuk pata ushqye shpresa. Por, sikuër të kishte pasë mundësi që Gazi Hanit, t’i kishte pasë ardhë ndonji letër nga Egjypti mbi personin t’em, tue thanë që “duhet të merret në konsideracjon si nji element pozitiv në pikëpamjen e avenirit, e, prandej duhet të mos mbetet larg favorevet, që bâhen prej organizatave internacjonale të ndihmavet aty.”, do të më hapte shtek, që të mundem me u-lehtësue me ndonji përkrahje. Mue më ká shkue mendja, se aj, ndoshta, s’ká asgjâ në dorë. Përveç kësajë, un kët rekomandim kisha me e dashtë n’atë mënyrë, që të mos më sjellë paksim në vleftën t’eme e në personalitetin t’ând, sá hanë miza në fletë”, si për sá i përket atjehit ashtu dhe për sá i përket këtuhit. Për ndryshe, rri të rrijmë.

3.Me politikë nuk po të mërzis, se tek e mbramja thash e thânat t’ona mbi politikë, nuk janë gjâ tjetër veç se fjalë informative për gjâna të dorës së dytë. Me gjithë këté, korrespondenca mbi politikë, vazhdon, pá dá me të tjerët. Edhe me Kapidanin kam letër-këmbim të shpeshtë.

Para njijë jave më çoi nji mik nga Bagnoli tri trakte, në mes të së cilave ishte edhe aj i Ali Kelcyrës, i përbâmë prej 10 faqesh. Natyrisht e ké lexue. Me këté aj e çau ballin. Po vështikun (prranin) a thue kush ia sugjeroi. Tash qenka aty. Aj iu kishte dhanë mjaft dekorata ekstremistavet të Ballit, si: ambiciozë, egoista, monopolista, sektarë, të verbët, diktatora t’ardhëshëm, përgaditës “banjo” gjaku në Shqipni etj e tjera. Un me njiherë e përhapa ndepër shqiptarë dhe bâni nji përshtypje mjaft të mirë. Shkova edhe te Mehdi Bej Frashri. Traktin e kënduën të birët e aj e ndigjoi me vemendje dhe mâ në fund e aprovuën traktin gadi me duër-trokitje dhe – Ali Beu me gjithë të mêtat, që ká…. ká vepruar me vend. – Jo, thom, Ali Beu asnji të mêtë nuk ká. Mbi këtë, u  vendos që Ali Beut t’i shkruhet nji letër-kolektive inkurajuëse, tue u – zotue të birët që t’a nënshkruëjshin. U  përgadit, po në fund, Vehbiu na deklaroi “babaj s’e nënshkruën dot, se âsht mbi parti; un edhe nuk mund t’a nënshkruaj se jam i bir’i babajtë, e, dhe Ragipi s’mund t’a nënshkruaj se ia ká dhanë fjalën Bazit. Vetë, deklaroi se, kíshte qenë në Ballë. Nakatumena.

Asht interesante, se Mehdi Beu me të birët âsht kundër partinavet, se vetëm kështu mund të bahet kryetar komiteti. E bile Amerikanët këtu, e paskan propozue si të tillë, mbas vdekjes së Midhatit, por Vashingtoni e paska rrefuzue.

Sido qoftë opinjoni e ká pritë mirë gjestin e Ali Kelcyrës dhe mendohet me iu bâ nji letër përgezimi, po natyrisht, secilli tue ruëjtë vendin në partinë ku ndodhet. Kjo letër inkurajon Aliun me shokë dhe diskurajon kundërshtarët e tijë.

4.Fjalën “me hulmtue” nji fjaluër që kam italisht – shqip e kishte përdorë në përkëthimin e fjalës “esplorare”, por i kishte dhanë trajtën “me hulmutue”. Hasan Kaloshi, me gjithë që nuk u  përdorka në Dibër, kët fjalë e kishte marrë equivalentin e fjalës “indagare e esplorare”. Fjala me zhbirue nuk âsht equivalenti i “me hulmtue”, por âsht nji element ndihmës për me ia mbërrijtë hulmtimit. Trajta “me hulmutue” âsht krejt gabim. Sido qoftë, rreth periudhës s’emigracjonit, shqiptarët kan të drejtë me pritë nji vepër prej teje.

5.Ziyad Ebüzziya kishte kethye nga Zvicra dhe ishte bâ deputet. Në qoftë se ekziston, atë artikullin, pa tjetër, do t’a kopjoj.

  1. Letër nga shpija e nga kushrini në Kosovë s’kam marrë. S’e dijë se ç’u – mbarue atje. Kapidâni më njofton se, në Veri, ká vazhdue shtet-rrethimi.

7.Mârr vesht nga Italia, se Deva e Kryezijtë qenkan pajtue, me ndërmjetsimin e Ali Kelcyrës. Ndoshta familja e Kryezezvet riaftësohet, se deritash, në sy të kosovarvet nuk ká pasë nji namë të mirë.

8.Xhafer Taga âsht këtu. Të bân shum të fala. Shifem shpesh me të dhe bisedojmë pá dá, se të dy jemi të Blokut. Ma mbaron qejfin, se me gjithë që âsht analfabet, âsht shum i zgjuët dhe i regjun. Aspak nuk ká dijeni për familjen e tijë. Më kallzoi njiherë, se si e kishe pasë nxjerrë Denin prej burgu me rrevolver në dorë.

9.Due me të vû në dijeni, se këtu në Turqi, si me ata që kan ardhë mbrenda këtyne të dy vjetvet, si me shqiptarët, që kan ardhë parakëndej, jam njoftë dhe kam gëzue simpathinë e njijë rreth të gjânë. Në rasë se dikuër, ká me ardhë koha e sakrificës, e shof se kam me qenë i dobishëm për kët qellim.

* * *

Un e kam zakon, që t’i mbushij (kështu përdoret në Lumë) 6 faqe, se pesha e ajrores këtu âsht e premtuëshme; dhe më vjen keq me mbetë letra e bardhë. Dasht Zoti e të mos me kesh këthye përgjegjen e së parës e të kesh parasyshë dhe përmbajtjen e kësajë, që t’mi përgjegjesh të dyjavet në njâsh. Un të kam pasë shkarkue nga përgjegja të gjata, se Ti ké punë, por të shkurta i due.

Bashkimi a hŷni në punë? Motra a po punon mirë? Iu ep shum të fala nga ana e eme dhe urime që të munden meqenë të dobishëm për vedi dhe për Tý.

Me Agon e Nexhon asht pré korrespondenca. Ia kemi fillue me u-lodhë. Në qoftë se i shef, Z. Z. Salih Myftiut e Omer Beshirit nderime.

Të përqafoj me mallë. Letra e eme nuk due që të të shkaktojë asnji fije mërzie, se mjaft ké Tuat; dhe un bâj iftihar, që po vuëj, e ende jam i fortë. Fajin e ká shekulli. Do t’i bindemi Kaderit, i cilli mbas këndéj ká me u-çfaqë mâ buzëqeshës.

Hamidin nuk e kam pá mâ. Do t’a shof.

Tahiri

Istanbul, me 6.11.1950

I dashtuni Mustafë,

1.Të falem nderës për letrën e derguëme dhe për urimet që më bân. Bashkë me shokni të paraqesim të falat, urimet dhe nderimet t’ona mâ të perzêmerta, për Tý dhe të gjithë t’Utë. Jemi mirë me shendet, por un jam pá punë, e, më këto dit, jam sjellë si bishti i kalit për me gjetë ndonji dyqan, që mund të përdoret për qoftexhillëk ose ndonji gjâ tjetër kësodore. Kám shpresë se, do t’a gjejë, por âsht mjaft pun e rândë, sá që nuk do të jes për hajër. “Puna e trimave e mishi i krimave” thonë në Lumë.

2.Librin e kërkuëm, mbassi e lexova njâ dy net dhe e lidha në volum, t’a kam nis tye aty pra njijë jave rekomandé me rrugë të zakonëshme, mbassi rruga ajrore qe me shpenzime pak të randa për muë. Jam mjaft merak në se ká me të rá në dorë; prá Të lutem që të më njoftojsh, për t’a kërkue, në rasë se nuk e merr. Mâ në fund për me të çue nji tjetër.

Letra turqisht, shkrue me qellim që të mundshem me T’a dergue mbrenda në libër, nuk m’u – pranue. Ajo  ásht në fuqi tansisht e sidomos për sá i përket përkethimit të librit italisht. Un mendoj se ajo vepër, përkethye n’italisht ká me u – lexue si prej shum nacjonalístavet ashtu dhe prej komunistavet italianë dhe kështu ká me pasë nji konsumacjon. Të rezervon nji pozitë shoqnore dhe të ndihmon në pikë-pamje materjale. Merru vesht me ndonji institut ditunie aty n’Egjypt, a mos të ndihmojnë financjarisht, mbassi Hirësija Mustafa Sabriu ká nji mirë-pritje në qarqet kulturore islame t’atyhit. Pa hâ bre burrë, pale mos del kjo rrugë! Preki pak telat e tyne, në mënyrë që atyne iu vjen për shtati. Përgjegjet e katër pyetjevet të Kishës Anglikane – me anën e drejtorit të bibliothekës – pse të mos përkethen prej Teje?

3.Me G. Hanin ende nuk jam takue. Shpresën e kam shum të vogël. Të falem nderës shum. M’u bâftë gjâ pozitive, kam me Të njoftue.

4.Omeri âsht i smutë dhe mendon se âsht në gjendje me ngarkue, sá nuk i mbërrijnë takati. Nejse… Si më tha Deva, Mustafa, me të vertetë, ká anmiq shum, por ata të pakë miq që i ká, i ká të vlefshëm e të sakët. Prá edhe Ti do të ngushullohesh ne këta, që ké. Kush e di? Ndoshta Omeri të ká thânë se, ká qenë aj që të ká hapë rrugën e Egjyptit; T’ka ká përshkue. Fundi âsht i ndershëm.

5.Beqir Malokut i shkrova, që të mos i shkruëje T. Efendiut. Ndoshta Të ká folë keq ndokush për B. Malokun, po aj âsht: anti-komunist, anti-ballist, anti-kryezi, mustekim, trim, njeri i gjerarkisë, aplikuës i mirë i urdhnave, fétar i pastër, në rasë nevoje dinak dhe nji element, që ká punue në nji organizatë të msheftë kosovare kundra Jugosllavisë. E kam mik.

6.Kah shpija, kam marrë vesht se, janë mirë. Edhe nja tre kushrij më kán dalë në Jugosllaví. Shum po aratisen.

7.Prej Kapidanit marr letra. Gjithashtu korrispondenca më vazhdon pá prâ miq deri në Venezuella.

8.Për politikë, nuk po të shkruejë. Presim që të ftillkohen fijet e ngatrruëme përkuëshëm me komitetin. Edhe Ti nuk kishe pasë gjâ me më shkrue. Të paktën të mos hupim kohë.

Të përqafoj me mallë. Agos e Nexhos të fala me gjithë shpirtë. Le të më falin, se kaq po mûj. Salih Efendiut nderime.

I yti Tahiri

Istanbul, më 22.XII.1950

I dashtuni Mustafë,

Kësaj here, pak mâ shkurt, shkaku i vjetit të rí. Prá të përcjellë urimet e mija si Tý ashtu dhe motrës për vjetin 1951 bashkë me të falat e mija. Mot, ndoshta këmbejmë urime në ndonji vend tjetër, mbassi kahmos po dekllarohet gjendja e jasht-zakonëshme.

Për sá i përket sherrit të postës, që ka prishë mbuleën e librit, faji âsht te un, pse u-duhte me e çue me postën ajrore, kam pasë ndigjue se nji lumnjânë fat-keq, që kishte pasë shkue me dimnue dhênt në Selanik, fat-keqsinë e vet e kishte pasë përshkrue, tue iu drejtue së motrës:

Tânë, mori Tânë!

Dhent m’i kan marrë.

Karamanin m’a kan vrá;

Gjishtin e vôl ma kan ça.

Prap, qe besa keq e jo fort keq, mbassi nuk hupi krejt. (…..)

Për Aleksandrin e Madh pyëta nji kompetent, më tha se, s’ká ndonji vepër të vecantë, veç se mund të studjohet ndepërmjet të historisë së përgjithëshme. Për koincidencë, Hurshidi, që shkon në shkollë, më njoftoi se, mësuesi i tyne në shpjegimet e veta, iu kishte shtue se, Leka ishte nga raca Turke. E pyeta e mâ tregoi me datën dhe me vendin e lindjes. Un mandej kërkova shpjegime prej tijë mbi kalimin e Turqvet n’Europë… mâ në fund, djali e kuptoi mirë të vërtetën. Po e marr vesht, se ç’po deshke me bâ, prandej do të vazhdoj me e kërkue Lekën me qiri. A mos të duhet nji vepër e quëjtun “Osmanli Tarihinde Arnavutluk”? âsht mandej nji tjetër: “Arnavutluk Hakkunda”. Të parën e ká shkrue njifarë Sulejman Külçe nga Luma, ish oficer. Të dytën njifarë Ahmet Hamdi.

Të réja nuk kam. Nga Luma lajme s’kam marrë mâ. Të shofim. Nga gruëja të fala dhe urime. E vogla që po asiston, tue blegrue, në shkruëmjen e letrës, të puthë dorën. Të përqafoj. Zoti të dhashtë kivet.

I yti, Tahiri

Please follow and like us: