Albspirit

Media/News/Publishing

TRI MOTRAT LEPENICA: RRËFIMI I RRALLË I BURGIMIT

lepenicaTri motrat Lepenica, të burgosura e të internuara nga fashizmi dhe komunizmi. Historia dhe fati i tri motrave nga familja e njohur Lepenica. Kalvari i vuajtjeve, që nis me internimet në kohën e luftës dhe vijon me persekutimin nga komunistët
Nga Enver MemishajTri motrat Lepenica: Tefta, Afërdita dhe Elisabeta, u aktivizuan si luftëtare për përparimin e femrës shqiptare dhe si luftëtare për liri, kundër pushtuesit fashist. Për këtë aktivitet ato u burgosën, internuan dhe patën një fund tragjik.motrat lepenica 
TEFTA LEPENICATefta ka lindur në Vlorë, më 28 prill 1917 dhe kreu Institutin Femëror “Nana Mbretneshë”. Në bibliotekën e motrave Lepenica kam gjetur një kartolinë, pas së cilës ishte shkruar: “Dhurue Tefta Lepenicës, Instituti Femëror ‘Nana Mbretneshë’, për nota të mira”.

Krahas diplomës, Tefta përvetësoi shumë mirë gjuhën italiane, ndërsa në familje ajo kishte marrë njohuritë fillestare për gjuhën turke, frënge dhe greke.

***

Pas pushtimit të Shqipërisë nga fashizmi italian, të tria motrat, falë traditës familjare dhe shembullit të prindërve, që në ditët e para u gjendën në vijën e parë të rezistencës dhe luftës për liri. Shtëpia e tyre në lagjen “Lirim”, së bashku me atë të Aleksandra Premtit, fqinja e tyre, u kthyen në baza të luftës për liri.

Në korrik të vitit 1939, Tefta, së bashku me Viktori Gjikondin, veterane e Lëvizjes Antifashiste, u caktuan të shoqëronin fëmijët shqiptarë që shkonin në kampet italiane. Të dyja shoqet vazhdonin të bënin propagandë të pareshtur kundër pushtimit fashist. Agjentët fashistë arritën të zbulonin aktivitetin antifashist të këtyre vajzave. Federata e Luftimeve në Brindisi më 7 korrik 1939 i shkruan fashistit Giovani Giro, Inspektor në Tiranë: “Referuar komunikimit telegrafik të shokut Bianki, dje janë paraqitur dy mësuese përkthyese të kampit znj. Tefta Lepenica dhe znj. Viktori Gjikondi. Sipas udhëzimeve të shoqes Poli, të cilës i kam telefonuar, parashtroj riatdhesimin e tyre të menjëhershëm për motivet e mëposhtme: Kanë treguar entuziazëm të pakët për ardhjen e tyre në Brindsi, duke folur me një nga bashkëpunëtorët e mi, ato janë shprehur si më poshtë:

  • Ne ishim të kënaqura me Mbretin Zog (Mbret maskara e i poshtër), sepse ishte shprehja e një shteti të lirë dhe të pavarur.
  • Ne nuk kuptojmë se si Italia u ka hequr lirinë një milion shqiptarëve, të cilët duan të jetojnë të lirë.
  • Kur Republika e Venecias kishte raporte të mira tregtare me Shqipërinë, nuk ishte kjo Italia e sotme që pushton shtetet e vogla.
  • Ju italianët e njihni historinë tuaj siç ua kanë mësuar në librat tuaj. Historinë tonë, do t’ua mësojmë ne, historinë e vërtetë që njihet ndërkombëtarisht.
  • Ne kemi nostalgji për Shqipërinë, që për ne, mbetet atdheu ynë i bukur.
  • Ne kemi ardhur në Itali, për një shpërblim prej 400 liretash dhe që të kemi mundësi të blejmë ndonjë fustan apo sende të tjera.
  • Të gjitha mësueset e tjera i kanë nisur me detyrim.
  • Duam të jemi të lira, sidomos mbrëmjeve për t’u argëtuar.

E quaj të domosdoshme të shënoj që njëra prej të dyjave ka pohuar se është vajza e kryetarit të komunës së Vlorës.

Ju lutem të merrni masa urgjente për t’i kthyer në vendin e tyre dy mësueset që ndodhen në Brindisi. Po kështu dy mësueset e tjera njëra është bullgare dhe nuk di asnjë fjalë italisht, ndërsa tjetra di pak italisht. Sekretari Federal Franko Fedele Bozi “ (AQSH, F. 161, V. 1939, D. 975, f. 1).

Nuk ishte e vështirë që agjentet të gjenin se bëhej fjalë për kryetarin e komunës Numan Lepenica, babai i Teftës, ndaj të cilit edhe do të hakmerreshin.

Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, më 13 korrik 1939, iu përgjigjet shqetësimeve fashiste: “Me keqardhje kam marrë njoftim mbi shkresën tuaj të datës 8 korrik 1939. Shoqërueset Tefta Lepenica dhe Viktoria Gjokondi nuk janë mësuese, por vetëm ish-nxënëse në Institutin Femëror “Nana e Skënderbeut” të Tiranës, ku kanë krye liceun në vjetin shkollor 1938-1939. Kam marrë shënim që ndonjë kërkesë eventuale e tyne për punë ose bursë të mos merret në konsideracion.

Të përmëndurat janë kenë dërgue me shpejti prej Vlonës, për me zavëndësue dy shoqëruese të tjera që janë kenë sëmurë. Ministri Ernest Koliqi” (AQSH, F. 261, V. 1939, D. 975, f. 5).

*     *    *

Numan Lepenicën, babanë e Teftës, që ishte kryetar komune, më 10 tetor 1939, e pushuan nga puna pasi ishte aktivizuar me Lëvizjen Antifashiste, Teftën e riatdhesuan nga Italia duke mbajtur shënim që të mos punësohej në administratën shtetërore dhe të mos lejohej të ndiqte studimet në Itali.

Ajo mundi të regjistrohej për konkurrim në Universitetin e Zagrebit, për farmaci, konkurs të cilin e fitoi, ndoqi studimet dhe u diplomua farmaciste. Për kohën e studimeve që kaloi në Zagreb na mungojnë të dhënat. Ajo duhet të jetë diplomuar në vitin1944 dhe pasi u kthye në Shqipëri, hapi një farmaci në Durrës. Komunistët që kishin ardhur në fuqi e shihnin me dyshim vajzën e një nëpunësi të lartë të regjimit “antipopullor” të Zogut. Kështu që ajo punonte në kushte të vështira dhe aty nga viti 1947 (?), u gjend e helmuar, në moshën 30-vjeçare, pa krijuar familje dhe pa gëzuar jetën,  në rrethana që mbetën të pasqaruara.

 

AFËRDITA LEPENICA

Pas daljes nga burgu, Afërdita mbeti e persekutuar deri në fund të jetës. Ajo punoi mami në qytezën e sharrëxhinjve, në Hotolisht të Librazhdit, deri sa doli në pension. Çdo vit, ajo së bashku me Donatën, vajzën e saj, i kalonte pushimet verore në Vlorë, në shtëpinë e autorit të këtij shkrimi. Nëna ime, me gjithë hallet e saj, e priste dhe e përcillte me dashuri dhe respekt e nuk u lodh asnjëherë duke i shërbyer. Po kështu edhe Gatua, motra ime në Tiranë, me dashuri prej motre, i hapi Afërditës dhe Donatës derën e shtëpisë dhe të zemrës. Afërdita i tregonte autorit të këtij shkrimi jetën e saj plot peripeci dhe vuajtje të pafundme. Pas vitit 1992, kur m’u dhanë mundësit të shfrytëzoj arkivat, harmonizova tregimet e Afërditës me dokumentet e kohës. Është me interes të njihet jeta e kësaj luftëtareje për përparim dhe luftës për liri.

***

“Unë kam lindur në Vlorë, më 8 korrik 1925 dhe ndoqa së bashku me motrën binjake Elisabetën, Shkollën Tregtare të Vlorës. Në vitin 1940, kur unë vazhdoja Shkollën Tregtare, Ministria e Shëndetësisë me anë të një lajmërimi në gazetë, kërkoi 35 vajza  për t’i çuar në Itali për studime. Babai pasi mori pëlqimin tim, me anë të miqve të tij, më siguroi një bursë. Më 2 qershor 1940, u nisa në Itali. Gjashtë muaj qëndruam në Bari për studime për mami, por duke qenë se Bari ishte zonë lufte dhe bombardohej nga anglezët, na transferuan në Kamerino.

Në pushimet e verës të vitit 1942 erdha në Vlorë dhe shkova në fshatin e origjinës, në Lepenicë. Në shtëpinë e xhaxhallarëve që ishte shndërruar në bazë të luftës, vinin partizanë ilegal, midis tyre edhe djali i shtëpisë sonë Sadik Premtja. Nga ai mora njoftimet e para për Lëvizjen Antifashiste, mësova këngët e para revolucionare dhe në përfundim të pushimeve u ktheva në Itali me ndjenjën e urrejtjes në kulm për fashizmin.

Me shoqet e mia: Xhemile Gjinishi, Hasime Janina, Milla Paço, Meropi Shyqyriu, Bebina Shala, Athina Marku etj., bisedonim shpesh herë për luftën që bëhej në Shqipëri. Këtë frymë vendosëm ta përhapim në të gjitha shoqet e konviktit. Mirpo aktivitetin tonë e raportoi në karabineri shoqja jonë Maria Bobe nga Shkodra, e cila më pas u martua me kapitenin e karabinerisë së Kamerinos.

  1. E burgosur dhe internuar prej fashistëve italianë

Më 27 shkurt 1943, u arrestova nga Kuestura e atjeshme si antifashiste, meqenëse në konvikt flisnim për Lëvizjen Antifashiste që bëhej në Shqipëri dhe këndonim këngë revolucionare, që i kishim mësuar kur ishim me pushime në Shqipëri. Shpesh herë këndonim një trakt që më kishte dhënë mua Sadik Premtaj – Xhepi, në muajin tetor të vitit 1942..Në këtë trakt, Partia Komuniste i bënte thirrje popullit që të hidheshin në luftë kundër fashizmit…

Kapiteni i Karabinerisë më kërkoi që të ngrinim në konvikt Organizatën e Fashios dhe të merrnim triskat e Fashios. Unë e kundërshtova duke i thënë se ne nuk kemi ardhur këtu për të bërë politikë, por për studime. Atëherë ai më tha se ju keni lidhje me partizanët shqiptarë dhe këtu keni ardhur jo vetëm për të mësuar, por edhe për të bërë propagandë kundër fashizmit dhe se kishte urdhër të më internonin.

Pra, sentimentet e mia ishin zbuluar dhe prandaj të nesërmen në katër të mëngjesit më morën dhe më internuan në kampin Polence tre orë larg me tren nga Kamerino. Në atë kamp vuanin 2000 gra të huaja dhe italiane. Dy ditë më parë kishin internuar edhe shoqen time Milla Paço. Fashistët na trajtonin shumë keq: Na jepnin vetëm 150 gr. bukë në ditë, por mua më ndihmonte edhe familja.

Në Polence qëndrova pak kohë pasi u sëmura dhe më transferuan në katundin Fiuminda, që fashistët e quanin “Kampo libero”. Edhe këtu vuanim shumë, pasi na jepnin vetëm 150 lireta në muaj…

Këtu qëndrova deri më 15 nëntor 1943, prej kësaj date na çuan në një kamp tjetër në Apiniano, ku qëndrova deri në shkurt të vitit 1944.

Aty më ka ardhur kuestori i komandës dhe pasi më bëri komplimente, donte të dinte se cilat ishin komunistet që ndodheshin akoma në konviktin tonë. Unë i thash se ne asnjëra nuk jemi komuniste, por jemi vetëm studente që kemi ardhur këtu të kryejmë studimet. Ai nuk më besoi dhe më tha se deri sa të mbarojë lufta ti do të qëndrosh e internuar. Më 15 shtator 1943, më transferuan në Ampinjero. Dy shoqet e mia Milla Paço dhe Hasije Janina u liruan, kurse mua nuk më liruan, pasi më thanë se nuk kemi asnjë urdhër as nga Ministria e Jashtme dhe as nga Ministria e Luftës.

Kështu që unë mbeta e internuar dhe u transferova në Apijano…

  1. E burgosur dhe internuar prej nazistëve gjermanë

Sapo e okupuan këtë fshat gjermanët, mua më burgosën me akuzën se kam në lidhje me partizanët, gjë që unë e mohova me këmbëngulje. Në burg kam qëndruar nga data 7 shkurti 1944, deri nga fundi i muajit qershor 1944 dhe kam vuajtur nga trajtimi i keq dhe ushqimi i keq: lakra dhe 150 gram bukë në ditë. Oficerët gjermanë, të shoqëruar nga ata italianë, kërkonin nga unë të tregoja bazat e partizanëve. Unë u thosha se nuk di gjë, për këtë dy herë më kanë vënë në torturat e fronit me korrent dhe duke qenë se unë nuk fola, u bindën …

  1. Liria nga forcat amerikane dhe idetë antikomuniste.

Më nxorën nga burgu dhe më çuan në fshatin Karidone, deri sa erdhën forcat amerikane dhe na dhanë lirinë. Mbas dy muajve shkova në Bari në Misionin Ushtarak Shqiptar, që kryesohej nga nënkolonel Kadri Hoxha, i cili më caktoi infermiere në kamp…

Në kontaktin e parë që pata me partizanët e plagosur që kishin ardhur në Itali, mora vesh për dezertimin e Sadik Premtes – Xhepit, njeri që unë e doja dhe e admiroja pa masë, si edhe ai mua. Simpatia e madhe që kisha për të, më bënë që edhe unë të ndërroj opinion dhe rrugën, pasi arsyetoja se derisa ai jetoi dhe luftoi për Lëvizjen Antifashiste dhe u kthye mbrapa, si duket kjo Lëvizje nuk është e drejtë dhe e mirë…

Mosha ime e re, 18-vjeçare, dhe rrethi shoqëror që kisha frekuentuar para se të bija në kontakt me partizanët shqiptar, kishin influencuar në ndërrimin e mendimeve të mia dhe lajmi për Sadik Premten – Xhepin, ndikuan kryesisht në ndjenjat e mia, kështu që unë besova anglo-amerikanët.

  1. Kthimi në atdhe dhe aktiviteti antikomunist.

Më 21 dhjetor 1944, u ktheva në Shqipëri. Aty mësova se një xhaxha, Xhelal Hoxha, ishte vrarë nga forcat partizane, gjithashtu edhe Hysni Lepenica, dy njerëz për të cilët kisha për ta një dashuri të madhe. Pastaj më thanë se partizanët kishin djegur shtëpinë tonë në Lepenicë dhe kishin grabitur të gjithë pasurinë. Këto ngjarje e rënduan më tepër shpirtin tim. Që në ditët e para të kthimit tim në Vlorë, fillova miqësinë me disa shoqe që kisha pasur më parë… Ishin shoqe antikomuniste, sidomos me familjet e çifutëve që kishin një urrejtje të madhe për komunistët. Te këta gjeta tamam ata që kërkoja…

Vendi ku mblidheshim ishte shtëpia e Xhon Matathia-s. Atje vinin Rafo Jakoeli, Moisi Levi, Nino Ganiu, Xhakovino Matathia, , po ashtu vinte djali i doktor Çupishtit, Skënderi, me të motrën Shukranen, dhe shoqet e mia çifute Mini Jakoeli dhe Tuçi Matathia.

Ne mblidheshim çdo të shtunë dhe bisedonim mbi reformat, shtetëzimet, regjimin që ne s’na pëlqente. Unë u shpjegoja për ushtrinë anglo-amerikane dhe regjimin demokratik që ishte në Itali, që i dedikohej udhëheqjes së De Gasperit etj. U flisja për ushtrinë anglo-amerikane, e cila e trajtonte mirë popullin italian, përgënjeshtroja lajmet e gazetës sonë…

Në vitin 1946 zura miqësi me vajzat e Risiliotëve: Diana Risilia, Rubie e Nergjize Risilia, të cilat kishin marrë pjesë aktive në radhët e Ballit Kombëtar.

Në këtë shoqëri nuk mungonte asnjëherë Shukrie Çupishti, e cila gjatë viteve 1940-1943, kishte qenë në gjimnaz në Itali, një vajzë tepër e zgjuar. Doktor Çupishti i ati i Shukranes u transferua në Peshkopi dhe më 28 nëntor 1948, familjarisht u arratisën në Shkup. Shukrania më kishte propozuar edhe mua të arratisesha bashkë me ta, por në atë kohë unë u arrestova në Burrel për agjitacion dhe propagandë.

  1. Në shërbim të femrës shqiptare dhe vullnetare në hekurudhë.

Në janar –shkurt 1945, u emërova mami në Himarë, nga Himara u transferova në Mesaplik e Drashovic.

Në muajin mars 1948 jam transferuar në Burrel, ku edhe krijova një rreth antikomunist, për këtë aktivitet, më 27 tetor 1948 më arrestuan për agjitacion dhe propagandë, por pas tre muaj e gjysmë më liruan për mungesë faktesh…

Më 26 gusht 1949, me kërkesën time shkova në rrethin e Gramshit sepse atje ndodhej i fejuari im Hysen Dervishi. Aty u njoha me nëpunës dhe fshatarë antikomunistë, të cilët m’i prezantoi i fejuari im. Edhe këtu dhe në çdo vend tjetër nuk mungova të vazhdoj aktivitetin tim antikomunist…

  1. Mendimet dhe idetë e mia.

Kam menduar gjithnjë se edhe ne duhet të luftonim kundër komunizmit dhe kam biseduar kudo, se një ditë do të vinin anglo-amerikanët dhe do rrëzonin komunistët nga pushteti. Unë propagandoja se komunistët vepruan si fashistet: Fashistët i vunë flamurit tonë shpatat e Duçes, ndërsa komunistët i vunë yllin e Rusisë. Ne duhet të kemi një Shqipëri të lirë nacionaliste.

Për këto mendime më frymëzonin prindërit, xhaxhai im Refat Lepenica, djali i xhaxhait Qemal Lepenica, kushëriri im Perlat Selami dhe shoqja ime vlonjate Athina Marku.

Unë mendoja se Shqipëria duhet të jetë e lirë dhe të zhvillohet në rrugën demokratike. Nuk pajtohesha dot me diktaturën komuniste, më pëlqente demokracia e tipit të perëndimit. Simpatia për tipin e demokracisë së perëndimit më ka lindur që kur erdhën aleatët në Itali duke lexuar revista, gazeta amerikane dhe angleze të shkruara italisht dhe duke biseduar me ushtarakët e misionit anglo-amerikan dhe ndihma që ata i jepnin popullit, tek ne la përshtypje të mira për demokracinë e perëndimit. Ne kemi folur gjithmonë për ide nacionaliste për një Shqipëri të lirë, për flamur pa yll.

  1. E burgosur dhe internuar prej komunistëve shqiptarë.

Bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit: Xhemal Laçka, Sul Galla, “Sifoni” dhe rezidenti “Medicina”, që punonte bashkë me mua, më raportuan dhe më 17 prill 1950, më arrestuan. Pas 4 muajve në tortura, pa ushqime dhe barna, pa ndihma nga familja, u sëmura rëndë nga mushkëritë. Në gjendjen e rëndë shëndetësore, Hetuesia e Elbasanit, me shkresën nr. 61/1 datë 3.8.1950, i shkruan Tiranës: “Rezervoni një birucë të përshtatshme si e sëmurë për Afërdita Lepenicën….”.

Pas 6 muajve në tortura dhe vuajtje të pafundme, Prokurori shpirtzi, kapiten Xhavit Struga, në pretencën e tij më akuzoi për agjitacion dhe propagandë dhe si agjente anglo-amerikane dhe kërkoi dënimin tim me vdekje. Në atë kohë unë isha vetëm 24 vjeçe. Gjykata u tregua e “mëshirshme” dhe më 1 tetor 1950 më dha vetëm 10 vjet burg!?

Më 12 mars 1956, i kërkova Gjykatës lirimin me kusht. Drejtoria e Sigurimit të Shtetit me shkresën nr. 990 datë 13.1.1957, i shkruan Gjykatës së Lartë: “Gjatë kohës që vuan dënimin në burg, nuk mban qëndrim të mirë, nuk tregohet e penduar për fajin e kryer dhe se lirimi i saj para kohe me kusht paraqet rrezikshmëri shoqërore. Gjithashtu, edhe qëndrimi i familjes nuk është i mirë. Kjo Ministri jep opinionin të mos lirohet nga burgu. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, gjeneral Major Mihallaq Ziçishti”.

Jam liruar nga burgu me kusht më 15 dhjetor të vitit 1957. Në shtëpinë time, në të cilën kisha qenë më tepër mysafire, gjeta vetëm nënën pa pension dhe motrën Elisabeta, të sëmurë nga mushkëritë, e cila vdiq pas dy vjetëve, në vitin 1959.

Më emëruan mami në Hotolisht të Librazhdit. Atje mora me vete edhe nënën time plakë, e cila vdiq në vitin 1963.  (Arkivi MPB, F. 1, D. 5575 dhe Dosja operative 5706.)

  1. Lindja e vajzës.

Në Hotolisht të Librazhdit u martova me Eqerem Hysenbegasi dhe pas lindjes së vajzës, më 22 korrik 1961, u ndamë. Vajzën e quajta Donata, që në italisht do të thotë dhuratë nga Zoti.

Shkrimtarja Zyba Hysen Hysa e përshkruan Afërdita Lepenicën dhe Donatën me këto fjalë: “Nuk mund të harroj Afërdita Lepenicën, e cila ka jetuar vite e vite në Hotolisht, në vendlindjen time. O Zot, sa tronditesha, kur edhe më të mbeturit i hidhnin vështrime përbuzëse. Po vajza e saj? Donata! Një perëndeshë! Ajo vishej thjesht, por reflektonte një fisnikëri të fisme në fytyrë, saqë kurrë nuk kam ndeshur deri më sot një bukuri të tillë njerëzore. Hante si të tjerët, vishej si të tjerët, por shkëlqente, se kishte sjellje të fisme që buronte nga origjina e saj. Bekuar qofshin nënat dhe gratë fisnike shqiptare! Vetëm ato nëna lindin dhe rritin bij e bija për të marrë në dorë frerët e drejtimit të kombit tonë të përvuajtur nga jo fisnikët”. (Zyba Hysen Hysa “Sharrajt në jetën e kombit”, Maluka, Tiranë 2012, f. 171).   

* **

Saktësinë e kujtimeve të Afërdita Lepenicës dhe të aktivitetit të saj, e gjeta të  pasqyruar edhe në dokumentet e kohës. (AQSH, F. 295, V. 1942, D.113, f. 239 etj.).

ELISABETA LEPENICA

Elisabeta ka lindur në Vlorë, më 8 korrik 1925. Të dyja motrat ndoqën Shkollën e Tregtare të Vlorës.

Ndërsa Tefta dhe Afërdita gjatë viteve të pushtimit 1939 – 1944, ndiqnin studimet jashtë shtetit në Itali dhe Zagreb, motra e tretë Elisabeta jetonte në Vlorë. Ajo ishte në vijën e parë të propagandës antifashiste. Shtëpia e saj në qytet dhe në fshatin e origjinës, në Lepenicë, u kthye në bazë të luftës për liri. Xhaxhai i saj Xhelal Hoxhaj ishte një figurë e njohur e Lëvizjes Antifashiste, në Lumin e Vlorës.

Elisabeta njihej në qytet si aktiviste dhe flamurtare e të rejave të qytetit, për përparim,  për t’i nxitur dhe bindur që të rezistonin dhe luftonin kundër fashizmit, me të gjitha format e mundshme.

Pas çlirimit, ajo ndoqi një kurs 9-mujor dhe u diplomua si mësuese për shkollën fillore, detyrë që e ushtroi në fshatrat e largëta të Vlorës.

Më 1950, kur motra e saj Afërdita u arrestua dhe u dënua si armike e Partisë dhe popullit, atë e larguan nga arsimi, së bashku me të ëmën, edhe kjo mësuese e vjetër. Ajo punoi punëtore bujqësie. Nga vuajtjet fizike dhe shpirtërore, u sëmur nga mushkëritë dhe në vitin 1959, ajo do të dorëzonte shpirtin e saj të bukur, në një moshë ende e re, pa krijuar familje dhe pa gëzuar jetën.

Please follow and like us: