Albspirit

Media/News/Publishing

Kur Abdyl Frashëri i kërkonte ndihmë Italisë

 

Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni në kërkim të mëvetësisë së Shqipërisë

Nga Nuri Dragoj

Kërkesat për bërjen e Shqipërisë më vete nuk reshtën. Më 25 shtator 1888 Mehmet Ali Vrioni dhe Abdyl Frashëri i shkruanin një letër kryeministrit të Italisë, Francesko Krispi. Ata kërkonin ndihmën e tij për shpalljen e mëvetësisë së Shqipërisë. Për ta njohur më mirë lexuesin me kërkesën e dy përfaqësuesve të kombit shqiptar, po e botojmë letrën e tyre me pak shkurtime, duke përmirësuar shqipërimin e fjalëve, por njëkohësisht pa e cënuar kuptimin e tyre.

“Duke patur nderin që jemi paraqitur te Shkëlqesia Juaj më 1879, në Romë, si delegatë të kombit shqiptar, për të protestuar kundër bashkimit të një pjese të Epirit, d.m.th. të Shqipnisë së Poshtme me Greqinë, dhe për t’i kërkuar Europës së qytetëruar tërësinë e Shqipërisë dhe përmirësimin e gjendjes së saj, marrim lirinë t’i drejtohemi Shkëlqesisë Juaj, për t’ju parashtruar dëshirën dhe ndjesitë e shqiptarëve.

Ne nuk dyshojmë që Shkëlqesia Juaj ka aq shumë dashuri për mëmën-atdhe të stërgjyshërve të vet, njëlloj si për Italinë; edhe gjendja dhe interesat e Shqipërisë, sikurse dëshirat e ndjesitë e kombit shqiptar, nuk do t’ju jenë të panjohura. Ligjëratat e mbajtura nga Shkëlqesia Juaj dhe politika e tashme e qeverisë Italiane, na kanë dhënë të kuptojmë më së miri se Shkëlqesia e Juaj, ndër zhvillimet politike të sotshme nuk ka harruar të vërë në rend të ditës, pas interesave të shtetit të madh që Ju drejtoni, edhe interesat e kombit të varfër që lumnohet të dijë, se gjaku i tij rrjedh ndër deje të më të madhit Diplomat, e më të madhit Atdhetar të botës, interesa gjallërije e vdekjeje, pse veprohet për ringjalljen e Shqipërisë…”.

“Ne i dimë përpjekjet e bëra kundër nesh prej fqinjve, të cilët, për të rrëmbyer një copë tokë të vendit tonë, nuk shmangen para asnjë intrige. Ata duan të mohojnë deri qënësinë e Shqipërisë e të Kombit Shqiptar.

Por ky komb është i vetmi që, për një kohë të gjatë, i ka bërë qëndresë energjike pushtuesve osmanë. Kjo qëndresë kreshnike është mbajtur deri në ditët tona; e në qoftë se Shqiptarët për karakter të tyre kryelartë e luftarak, nuk i janë nënshtruar aq poshtërsisht zgjedhës osmane, sa fqinjët e tyre, janë po ata që e kanë ndierë më tepër barrën e zgjedhës. Janë ata që kanë vuajtur më fort mbas kryengritjeve të pandara që kanë qënë të shtrënguar të bëjnë për të patur mëvetësinë, në atë kohë që grekët, bullgarët e kombet e tjera të Ballkanit, nuk kishin as ndërgjegjen e qënësisë së tyre.

Prandaj Shqipëria meriton mëvetësinë, më fort se çdo komb i Ballkanit. Ne shpresojmë se ajo do të tregohet më e denja për përkrahje t’Europës, e më e zonja për të qeverisur vetveten…”.
“Shqiptarët nuk kanë pra, ku të shfaqin pakënaqësinë e tyre kundrejt Qeverisë Otomane dhe dëshirën e tyre për mëvetësi. Edhe sot në Kosovë, në Mirditë e ndër Malësitë e Shkodrës, Myslimanë e të Krishtenë, janë ngritur të gjithë.

Ne jemi të lumtur të shohim çështjen e Orjentit gati për t’u zgjidhur, në një kohë që Shkëlqesia e Juaj, është një ndër më të parët Diplomat që drejtojnë politikën e përgjithshme. Ne nuk dyshojmë, dhe besojmë mbi ardhmërinë e Shqipnisë, e cila mund të arrihet nëpërmjet kujdesit tuaj. Të jeni të sigurtë Shkëlqesë, se Shqipëria nuk do t’ju harrojë kurrë, dhe se Juve do t’ua ketë për detyrim qënësinë dhe mëvetësinë e vet”.

Abdyl Frashëri me shokë e kërkonin ndihmën e Kripsit, jo vetëm për shkak të influencës së tij në politikën europiane, por dhe si një politikan që kishte origjinë shqiptare. Ata besonin në një ndihmë të sinqertë nga ana e tij. Këtë e favorizonte dhe mungesa e dëshirës së politikës greke për një bashkëpunim të frytshëm dhe të ndershëm midis palëve. Fqinji jugor e kishte manifestuar qartë tendencën për të përfshirë brenda kufijve të vetë, sa më shumë territore shqiptare.

Mirëpo Krispi nuk ishte për formimin e një shteti shqiptar. Ai mendonte se trojet e banuara prej racës nga e kishte origjinën dhe ai vet, duhej të bashkoheshin me Greqinë ose me Italinë. Për këtë arsye nuk dha asnjë ndihmesë për formimin e kombit shqiptar.

Në fillim të shekullit 20-të, politika greke bëri përpjekje për të tërhequr në krahun e vet sa më shumë shqiptarë me influencë në trevat jugore. Ata nxisnin persona që ishin të pakënaqur nga politika osmane dhe u afronin mbështetjen e tyre. Qëllimi ishte të përkrahnin ata njerëz që nuk e shihnin me vend politikën e ndjekur nga disa rrethe nacionaliste, pjesë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Veçanërisht bëhej fjalë për nacionalistët që kishin shfaqur papajtueshmëri me politikën greke. Të tillë ishin Papa Kristo Negovani, Fehim Zavalani, Mithat Frashëri, Bajo e Çerçiz Topulli etj. Politika greke mundi të krijonte lidhje të afërta edhe me Maliq Bej Vilën nga Frashëri, i cili qe drejtues i një çete lokale të vogël, krahasuar me çetat e tjera që vepronin në atë trevë. Në fillim të muajit janar të vitit 1901, Maliq Beu u ftua për një vizitë në Korfuz, ku u takua me guvernatorin e qytetit dhe më vonë mori pjesë në takime të tjera në Athinë. Gjatë kësaj vizite, beu i Frashërit shoqërohej nga Shahin Kolonja.

Nëpunës të ministrisë së jashtme greke, po atë vit, hynë në lidhje edhe me Dr. Adamidin, i cili ishte nga Përmeti dhe njihej si ndër njerëzit më të pasur. Adamidi parashikonte se rreziku më i madh për kombin shqiptar por dhe atë grek, ishte pansllavizmi. Prandaj i besonte krijimit të lidhjeve të vërteta miqësore midis shqiptarëve dhe grekëve, duke i parë si popuj me origjinë të përbashkët pellazgjike. Për ta afruar më shumë Adamidin, zyrtarët grekë i premtuan mësimin e shqipes si gjuhë të dytë, si dhe hapjen e një shkolle shqipe në Korfuz. Ata besonin në ndikimin e tij mbi popullsinë shqiptare, pasi njihej si burrë autoritar. Të njëjtin mendim kishte dhe diplomacia austro-hungareze, e cila e shihte si “patriot të talentuar dhe me influencë”.

Një tjetër personalitet që vinte duke u rritur ishte Mithat Frashëri, i cili, me anë të takimeve dhe shkrimeve në organe të ndryshme të shtypit, ishte kthyer në faktor bashkimi. Sipas kolonisë shqiptare të Bullgarisë, Mithat Frashëri me penën e tij kishte dhënë ndihmesë të çmuar, jo vetëm për koloninë e shqiptarëve të Bullgarisë, por edhe më gjerë. Kristo P. Luarasi në fund të shekullit të 19 shkruante: “Penda juaj është shpatë/ E shëndosh’ e fort’ e mprehtë/ Gjithë armiqve u dha datë…. Penda jote i shkurton, / Porsi kosa që korr bar”.

Please follow and like us: