Albspirit

Media/News/Publishing

LIBRI I RËRËS

jorge-luis-borges1

JORGE LUIS BORGES

 

… thy rope of sands…

George Herbert (1593 – 1623)

Vija përbëhet prej një numri të pafund pikash; plani, prej një numri të pafund vijash; vëllimi, prej një numri të pafund planesh; hipervëllimi, prej një numri të pafund vëllimesh… Jo, përfundimisht nuk është kjo, more geometrico[1], mënyra më e mirë për të nisur rrëfimin tim. Pohimi se është e vërtetë, sot për sot, është një stil i çdo tregimi fantastik; imi, gjithsesi, është i vërtetë. Jetoj vetëm, në katin e katërt të një ndërtese në rrugën Belgrano. Para ca muajsh, në të ngrysur, dëgjova një trokitje në derë. E hapa dhe hyri një i panjohur. Ishte një burrë i gjatë, me tipare të vagëlluara. A ndoshta kështu e pa miopia ime. Gjithë pamja e tij ishte prej një varfërie të ndershme. Ishte veshur me gri dhe mbante në dorë një valixhe gri. Në çast e ndjeva se qe i huaj. Në fillim mendova se ishte plak; pastaj vura re se më kishin gënjyer flokët e rralluar të tij, ngjyrë të verdhëlleme, pothuaj të bardhë, të llojit skandinav. Gjatë bisedës sonë, që nuk do të zgjaste më shumë se një orë, mora vesh se vinte nga ishujt Orknei. I tregova një karrige. Burri vonoi një copë herë para se të fliste. Dihaste melankoli, ashtu si dhe unë tani.

– Shes bibla, – më tha.

Jo pa pedanteri iu përgjigja:

– Në këtë shtëpi ka disa bibla angleze, përfshi edhe të parën, atë të Xhon Uaiklifit. Kam po ashtu atë të Cipriano de Valerës, atë të Luteros, e cila me gjithë mend është më e keqja, dhe një ekzemplar latin të Vulgatës. Kështu që, siç e shihni, biblat nuk mungojnë në këtë shtëpi.

Pas një copë heshtjeje, m’u përgjigj.

– Nuk shes vetëm bibla. Mund t’ju tregoj një libër të shenjtë që ndoshta do t´ju interesojë. E kam blerë në kufijtë e largët të Bikanirit.

Hapi valixhen dhe e la sipër tryezës. Ishte një vëllim në format tetësh, i veshur me pëlhurë. Padyshim, kishte kaluar ndër shumë duar. E shqyrtova; pesha e tij e pazakontë më habiti. Në kapak shkruhej Holy Writ dhe poshtë Bombay.

– Duhet të jetë i shekullit të nëntëmbëdhjetë, – thashë.

– Nuk e di. Nuk e kam ditur ndonjëherë, – qe përgjigjja.

E hapa sipas rastësisë. Shkronjat qenë të panjohura për mua. Faqet, që m’u dukën të konsumuara dhe me një tipografi të varfër, ishin shtypur në dy kolona, sipas mënyrës së biblës. Teksti ishte i ngjeshur dhe i organizuar në paragrafë. Në këndin e sipërm të faqeve kishte shifra arabe. Ma tërhoqi vëmendjen fakti që faqja çift kishte (le të themi) numrin 40.514 dhe ajo tek, që vinte më pas, 999. E ktheva; në anën tjetër kishte një numër me tetë shifra. Kishte një ilustrim të vogël, siç është e zakonshme tek fjalorët: një spirancë e vizatuar me pendë, si prej dorës së pakujdesshme të një fëmije. Në atë moment i panjohuri më tha:

– Shikojeni mirë. Sepse nuk keni për ta parë dot më.Kishte një kërcënim tek ai pohim, por jo tek zëri. E pashë me vëmendje faqen dhe e mbylla librin. Menjëherë pastaj, e hapa. Më kot e kërkova figurën e spirancës, fletë pas flete. Për të fshehur çoroditjen time, i thashë:

– Behet fjalë për një version të Dhiatës në ndonjë gjuhë industanase, apo jo?

– Jo! – m’u përgjigj.

Pastaj e uli zërin sikur të më besonte ndonjë të fshehtë:

– E shkëmbeva në një fshat të rrafshnaltës, për ca rupi dhe një Bibël. I zoti i saj nuk dinte të lexonte. Mendoj se Librin e Librave e mbante si hajmali. Ishte prej shtresës më të ulët; njerëzit s’mund ta shkelnin hijen e tij pa u ndotur. Më tha se libri i tij quhej Libri i Rërës, sepse as libri e as rëra nuk kanë as fillim e as fund.

Më kërkoi që të gjeja faqen e parë.

Mbështeta dorën e majtë mbi kapak dhe e hapa me gishtin e madh, pothuaj ngjitur me treguesin. Qe e kotë: gjithmonë ndërvendoseshin disa fletë mes kapakut dhe dorës. Ishte sikur të çelnin prej librit.

– Tani kërkoni fundin.

Sërish dështova; mezi arrita të belbëzoja me një zë që s’ishte imi:

– Kjo është e pamundur.

Gjithmonë me zë të ulët, shitësi i biblave më tha:

– Është e pamundur, por ama është. Numri i faqeve të këtij libri është saktësisht i pafund. Asnjëra s’është e para; asnjëra, e fundit. Nuk e di pse janë të numëruara në atë mënyrë arbitrare. Ndofta që të lërë të kuptohet se ndarjet e një serie të pafund pranojnë çdo numër.

Pastaj, sikur të qe duke menduar me zë të lartë:

– Nëse hapësira është e pafund, ndodhemi në çdo pikë të hapësirës. Nëse koha është e pafund, ndodhemi në çdo pikë të kohës.

Arsyetimet e tij më acaruan. E pyeta:

– Padyshim, ju jeni fetar?

– Po, jam presbiteran. Ndërgjegjja ime është e pastër. Jam i sigurt se nuk e kam mashtruar vendasin kur i dhashë Fjalën e Zotit në shkëmbim të librit të tij të mallkuar.

E sigurova se nuk kishte asgjë për ta qortuar veten dhe e pyeta nëse po i vizitonte kalimthi këto vise. M’u përgjigj se brenda ca ditësh mendonte të kthehej në vendin e tij. Këtu e mora vesh që ishte skocez, nga ishujt Orknei. I thashë se unë e doja Skocinë pikërisht nga dashuria që kisha për Stivensonin dhe Humen.

– Dhe për Robi Bërns, – më korrigjoi.

Ndërsa flisnim, unë vazhdoja të eksploroja librin e pafund. Me një mospërfillje të shtirë, e pyeta:

– Ju keni ndërmend t’ia dorëzoni këtë ekzemplar të rrallë Muzeut Britanik?

– Jo. Po jua ofroj juve, – m’u përgjigj, dhe vendosi si çmim një shumë të lartë parash.

Iu përgjigja, me gjithë sinqeritet, se ajo shumë ishte e pamundur për mua dhe qëndrova i menduar. Pas disa minutash e kisha thurur planin tim.

– Ju propozoj një shkëmbim, – i thashë. – Ju e morët këtë libër për disa rupi dhe një Dhiatë të Shenjtë; unë ju ofroj shumën e pensionit tim, që sapo e kam marrë, dhe Biblën e Uaiklifit me shkronja gotike. E kam trashëguar prej prindërve.

– A black letter Wiclif! – pëshpëriti.

Shkova në dhomën time të gjumit dhe i solla paratë dhe librin. Shfletoi faqet dhe e shqyrtoi kopertinën me ethe bibliofili.

– Ujdi e kryer, – më tha.

Më habiti që nuk bëri pazar. Vetëm më vonë do ta kuptoja se ai kishte hyrë në shtëpinë time me vendimin që të ma shiste mua librin. Pa i numëruar, i shtiu në xhep paratë.

Folëm për Indinë, për ishujt Orknei dhe për jarls-ët norvegjezë që i qeverisën. Kishte rënë nata kur burri iku. Nuk e kam parë më kurrë qysh atëherë dhe as emrin s’ia di.

Mendova ta vendosja Librin e Rërës në vendin bosh që kishte lënë Uaiklifi, por më në fund vendosa ta fshihja pas disa vëllimeve të paplota të Njëmijë e Një Netëve.

U shtriva, por nuk fjeta. Në tre a katër të mëngjesit, ndeza dritën. Kërkova librin e pamundur dhe shfletova faqet. Në njërën prej tyre pashë të stampuar një maskë. Këndi kishte një shifër, tani s’më kujtohet më, ngritur në fuqi të nëntë.

Askujt nuk ia tregova thesarin tim. Lumturisë që e zotëroja iu shtua frika që mund të ma vidhnin dhe më vonë mosbesimi që të mos qe vërtet i pafund. Këto dy shqetësime e përkeqësuan edhe më mizantropinë time të hershme. Më kishin ngelur disa miq; nuk i takova më. Rob i Librit, pothuajse as nuk i afrohesha rrugës. Shqyrtova me lupë kopertinën e vjetër dhe kapakët dhe e përjashtova mundësinë se mos ishte ndonjë lloj aparati. Vërtetova se ilustrimet e vogla ndaheshin prej njëra-tjetrës me nga dymijë faqe. I mbaja shënim në një bllok alfabetik, që shumë shpejt u mbush. Ilustrimet, nuk u përsëritën kurrë. Netëve, gjatë intervaleve të shkurtra që më falte pagjumësia, ëndërroja për librin. Vera po përfundonte dhe e kuptova se libri ishte i përbindshëm. Nuk më vlejti hiç arsyetimi se edhe unë nuk isha më pak i përbindshëm, që e përthithja me vështrim dhe e prekja me dhjetë gishta me thonj. Ndjeva se isha objekti i një makthi, diçka e krupshme që e përçudnonte dhe e qelbte realitetin. Më shkoi mendja tek zjarri, por pata frikë se djegia e një libri të pafund do të qe njëlloj e pafund dhe do ta mbyste botën me tym. M’u kujtua se kisha lexuar që vendi më i mirë për të fshehur një gjethe është një pyll. Para se të dilja në pension punoja në Bibliotekën Kombëtare (në rrugën Meksika), e cila ruan nëntëqind mijë libra; di se në krahun e djathtë të sallës hyrëse është një shkallinë e harkuar që zhytet në bodrum, ku janë gazetat dhe hartat. Përfitova nga shkujdesi i punonjësve për ta humbur Librin e Rërës në një nga raftet e lagështa. U përpoqa të mos e vija re sa lart apo sa larg nga dera. Ndiej një farë çlirimi, por as që dua t’i afrohem rrugës Meksika.

Përktheu nga origjinali spanjisht Erion Karabolli

[1]more geometrico (rendi gjeometrik) – më nyrë arsyetimi e përdorur nga filozofët racionalistë, me në krye Spinozën dhe Dekartin.

Please follow and like us: