Albspirit

Media/News/Publishing

Drita që vjen nga letërsia e burgut

 

Nga Çerçiz Loloçi

Ka pak kohë që në libraritë e vendit ka dalë pjesa e parë e librit të Bujar Leskajt “Muzat e qëndresës” më të cilin përfshihen 25 autorë, mes të cilëve Vilson Blloshmi, Astrit Delvina, Pjetër Arbnori, Bedri Çoku, Vizar Zhiti, Koço Kosta, Petraq Kolevica, Amik Kasoruho, Henrik Gjoka, Makensen Bungo, Halil Laze, Gëzim Hajdari, Musine Kokalari, Havzi Nela, Ejëll Çoba, Uran Kalakula, Fatos Lubonja, Drita Çomo, Leka Toto, Beqir Ajazi, Lekë Tasi, Luan Myftiu, Bardha Mulleti, Ahmet Bushati dhe Gëzim Çela.

Pjesa e dytë e librit që pritet të dalë së shpejti do të ketë të tjerë autorë dhe konkretisht Isuf Luzaj, Eqerem Vlora, Kudret Kokoshi, Petro Marko, Fatos Rrapaj, Ago Agaj, Petri Velaj, Agim Hamiti, Astrit Xhaferri, Reshat Kripa, Kujtim Murati, Vangjel Pici, Enver Lepenica, Ibrahim Vasjari, Teki Gjonzeneli, Abdurrahman Meçaj, Vilheme Vranari, Fahri Shaska, Besnik Baxho dhe Bilal Xhaferri. Në pjesë e tretë të këtij triptiku autori paralajmëron edhe një botim tjetër kushtuar autorëve Adem Demaci, Teki Dervishi, Jusuf Gërvalla, Ekrem Kryeziu, Bajram Kosumi, etj.

Përzgjedhja e kësaj tirade emrash në pjesën e parë të librit “Muzat e qëndresës” nuk është bërë pa qëllim: të gjithë së bashku kanë qenë ose janë cilësuar si kundërshtarë të regjimit totalitar dhe për këtë shkak jeta e secilit prej tyre ka kaluar në seanca të pafundme hetuesie, në pushkatime, në vite të gjatë burgu, internimi apo degdisje në një skutë të humbur.

Ka syresh që kanë patur jetë edhe më tragjike si Vilson Blloshmi, pushkatuar më 1977 së bashku me poetin Genc Leka, apo poeti Havzi Nela që u var lemerishëm në 10 gusht 1988 në qendër të qyteti të Kukësit. Kjo listë është gjithsesi më e gjatë, por duket se autori është fokusuar te disa prej tyre duke dhënë një profil konçiz për jetën e mundimshme, krijimtarinë e botuar apo të pabotuar, privacionet që kanë pasur nga strukturat të ndryshme të emërtesës komuniste.

Libri i parë është konceptuar në disa nënkapituj: shënime nga veprat letrare, ditarë dhe kujtime historike si dhe vështrim analitik. Autori bën kujdes që në secilin nënkapitull të japë si veprat më përfaqësuese, shënimet memuaristike më domethënëse ashtu edhe të gjejë të veçantat te secili krijues.

Autorët dhe letërsia e mësipërme që Leskaj e konsideron “letërsi burgu” ka parë dritën e botimit pas viteve nëntëdhjetë; ka syresh që kanë tashmë libra të plotë dhe studime për krijimtarinë e tyre, por e veçanta e këtij botimi është vështrimi analitik që duhet thënë se sjell ndihmesë në kritikën historiko –letrare.

Libri “Muzat e qëndresës” sa është një homazh për 25 shkrimtarët e sipërcituar, aq edhe u bën nder autorëve të tjerë të përndjekur nga diktatura si E. Koliqi (1903-1975), M. Kruja, Karl Gurakuqi (1895-1971), Namik Resuli (1908-1985), si Lef Nosi (1873-1945), Vinçenc Prenushi (1865-1949 ), Ndre Zadeja (1891-1945), Dom Lazër Shantoja (1892-1945), Bernardin Palaj (1884-1947), Anton Harapi (1888-1846), Gjon Shllaku (1907-1946), Mikel Koliqin (1911-1997), Visarion Xhuvani, Irene Banushi, Kristofor Kisi, Baba Ali Tomorri (1893-1948), Kristo Floqi (1873-1951), Donat Kurti (1903-1969), Dom Ndoc Nikaj (1864-1951), Lazër Radi (1916-1998), Nebil Çika, Ibrahim Dalliu (1878-1952), Ethem Haxhiademi (1902-1965), Manush Peshkëpia (1910-1951), Jusuf Vrioni (1916-2002), Mustafa Greblleshi (1922-1986), Arshi Pipa (1920-1997), Mitrush Kuteli (1907-1968), etj.

Nderimi i librit “Muzat e qëndresës” shkon gjithashtu edhe për shkrimtarët që përjetuan jetë dhe fate tragjike si Sejfulla Malëshova (1900-1971) dhe Mark Ndoja, Viktor Stratobërdha dhe Petro Marko (1913-1991), Kin Dushi (1922-1994) dhe Mehmet Myftiu, Ibrahim Uruçi, Fadil Paçramin dhe Todi Lubonjën (1923-2004), Stavri Rafaeli dhe Lukë Kaçaj (1924-2001), Edi dhe Mihallaq Luarasi, Ali Oseku (1944) dhe Maks Velo (1935), Edor Gjergo dhe Enriko Veizi, Gaspër Çurçia (1934-1985) dhe Frederik Reshpja (1941-2005), Bashkim Shehu (1955) dhe Viktor Qurku (1941-1983).

Please follow and like us: