Albspirit

Media/News/Publishing

Populizmi si sfidë ndaj Demokracisë

 

Holanda votoi pro demokracisë dhe kundër populizmit. Pro tolerancës dhe kundër përjashtimit. Pro gjithë përfshirjes dhe kundër diskriminimit. Pro hapjes ndaj botës dhe kundër mbylljes ndaj vetes. Pro projektit të Bashkimit Evropian dhe kundër planeve të shpërbërjes dhe të përçarjes. Holanda fitoi një sfidë të radhës! Atë, që pritet të zhvillohet në Francë dhe më pas në Gjermani. Sfidën, që është zhvendosur prej kohësh nga konkurrenca mes partive tradicionale të majta e të djathta, në konkurrencën mes populizmit dhe demokracisë. Por, si mund të shpjegohet ky kapërcim nga aksi i konkurrencës tradicionale ?

Që prej vitit 2008, me përcjelljen e krizës financiare të përtej Atlantikut në Evropë, kriza ekonomike dhe sociale filloi të prekte dhe të godiste shtresat më delikate të shoqërisë, duke theksuar papunësinë, pabarazinë dhe rritjen e varfërisë. Mënyra se, si klasa politike tradicionale, vendosi të ndërhyjë në një sërë vendesh evropiane, jo vetëm që nuk solli rezultatet e pritura, por thelloi hendekun me shtresat sociale më të prekura. Shtresa, që u gjenden të braktisura nga përfaqësimi i tyre politik tradicional i djathtë, por mbi të gjitha i majtë. Pasi në një sërë vendesh evropiane, politikat dhe masat e shtrëngimeve ekonomike, janë votuar gjerësisht edhe nga të majtët. Dhe bëhet fjalë për masa, që nuk prekin aspak elitat dhe shtresat më të pasura të shoqërisë, por ato që sistematikisht janë më të ekspozuara ndaj krizave ekonomike.

Prej afro një shekulli, e majta tradicionale, si nëpërmjet partive komuniste dhe socialiste, konsiderohet si mbrojtësja legjitime për një pjesë të madhe të masave popullore në Evropë. Me rënien e bllokut komunist, në Evropën Lindore dhe atë Qendrore, ajo që u vëzhgua ishte një dobësim i lidhjes së të majtës tradicionale, me shtresat popullore, duke shkuar drejt një boshllëku përfaqësimi. Në pamundësi për të rinovuar këtë ideologji, për t’i dhënë formë dhe përmbajtje të re, sipas kontekstit përkatës ekonomik dhe social, si edhe nën pretendimin se tashmë, ata po angazhoheshin në reforma të orientuara drejt progresit social, filluan të humbasin terren me shpejtësi, duke u larguar nga elektorati i tyre. Dhe pak nga pak, filluan të braktisin masat popullore, duke u transformuar në parti të një stili krejtësisht të ndryshëm dhe të huaj për elektoratin e tyre. U shndërruan në parti elitare ! Në ato lloj partish, që filluan të cilësohen rëndom si “partitë e havjarit dhe të luksit elitar”. Dhe bëhet fjalë për një fenomen, që kishte filluar që në vitet ’80, të prekte mbarë shoqërinë evropiane. Një e majtë, që filloi të merrte rrugën e programeve liberale, që tashmë njihen rëndom si liberalizmi i majtë. Jo rastësisht, Franca me të majtën e saj të cilësuar që në kohën e Miteranit si “Partia e havjarit”, njeh një mbështetje të lartë ndaj populizmit të Frontit Nacional. E njëjta situatë, me një populizëm në rritje vërehet thuajse në të gjithë ish-bllokun komunist, si Poloni, Hungari, Sllovaki dhe Çeki, ku kemi një braktisje të plotë të ideologjive në mbrojtje të masave popullore. Edhe programi i populistit Uilders në Holandë përmbante pika që i përkasin tradicionalisht të majtës, si afrimi i moshës për daljen në pension, apo edhe bllokim të reformës në fushën e sigurimit social, në rast se dëmtohen avantazhet aktuale.

Por, në rritjen e këtij populizmi evropian ka rolin e saj edhe e djathta tradicionale. Një sërë politologësh ndajnë të njëjtin mendim, se teksa partitë e djathta do të udhëhiqeshin që pas Luftës së dytë Botërore, nga parimi se zbatimi i liberalizmit ekonomik, globalizimi dhe respektimi i lirive individuale do të zgjidhte gjithçka, ato nuk e vlerësuan të nevojshme atë çka shoqëria e gjykon si thelbësore, debatet mbi të. Pra, duke i konsideruar qeniet njerëzore si konsumues të thjeshtë, ato e zvogëluan rëndësinë e rolit të tyre social, dhe rolit të tyre thelbësor si qytetar. Në këtë mënyrë, ajo që u vëzhgua ishte një çpolitizim i ngadaltë, por progresiv i shoqërisë, që duke u kombinuar me refuzimin në rritje qytetar ndaj liberalizmit, krijuan terrenin ideal për daljen e forcave populiste, deri edhe tek partitë e ekstremit të djathtë.

Në këtë hapësirë dhe terren të krijuar, forcat populiste filluan të zgjerojnë elektoratin e tyre, duke u bërë zëri përfaqësues politik i shtresave në nevojë. Me një filozofi shumë të thjeshtë, duke ngritur problemet që ky elektorat kishte grumbulluar dhe duke i theksuar ato publikisht. Si edhe duke ofruar zgjidhje të “pëlqyeshme” në formë, por anti-demokratike në thelb. Dhe pikërisht, në këtë moment, fillon dhe problematika tjetër me partitë tradicionale. Pasi, në vend që të ngriheshin si barrierë, duke mos toleruar ngritje problematikash dhe oferta anti-demokratike, si edhe duke mos reflektuar njëkohësisht mbi zgjidhjen e vërtetë të problemeve të ngritura (kriza ekonomike, migrimi, etj), ata filluan të gabojnë. Ky gabim në rastin më të mirë, shfaqej duke pohuar ekzistencën e problemeve që ngrenë populistët, (p.sh. migrimi) por duke refuzuar zgjidhjet, që ata ofrojnë (mbyllja e kufijve apo përzënia e tyre). Dhe në  në rastin më të keq, duke pohuar problemet ekzistuese, si edhe zgjidhjet që ata japin, por me të vetmin ndryshim, duke sugjeruar se “ata vetë do të ishin më të aftë për t’i vënë në jetë këto zgjidhje” (rasti i kryeministres britanike ndaj punëtorëve të huaj). Një sjellje e rrezikshme që legjitimon jo vetëm forcat populiste, por dhe zgjidhjet anti-demokratike që ato ofrojnë për zhdukjen e problemeve, në dhunim të parimeve kushtetuese dhe të drejtës evropiane dhe ndërkombëtare.

Në periudhë krize, pasiguria, frika dhe ankthi për të ardhmen i shtyjnë individët të zhvillojnë reflekse mbrojtje, në dëm dhe në shkatërrim të solidaritetit. Dhe është roli i partive tradicionale demokratike, të theksojnë dhe t’i japin rëndësinë e duhur vlerave thelbësore të një shoqërie, dhe mbi të gjitha vlerave të solidaritetit, që kundërshton çdo formë tkurrje dhe mbyllje në vetvete, ndaj individualizmit të skajshëm. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për çështje morali, apo vlerash parimore, por për çështje që prekin një interes të përgjithshëm mbarë kombëtar, përtej interesit individual. Sepse në rast se kemi favorizim të interesave të caktuar, në drejtim të kategorive të privilegjuara në shoqëri, në raport me kategoritë e tjera, është e gjithë shoqëria, që vuan dhe dëmtohet. Dhe kjo është situata që po përshkon jo vetëm kombet në të gjithë krizat e fundit, por edhe vetë Bashkimin Evropian. Interesi i përbashkët, nuk shfaqet si alternativë ndaj interesit individual, por se ndihmon dhe kontribuon në zhvillimin e këtij të fundit. Pa interesin e përbashkët dhe interesi individual vihet në vështirësi, penalizohet dhe asgjësohet. Është ky interes individual, ky egoizëm klasik i natyrës mbrojtëse-agresive, që filozofi anglez Hobsi, do ta përshkruante tek Leviathani i tij, si sundues të mendimit politik Perëndimor që prej shekullit të XVII, i asaj që njihet rëndom nën perifrazimin se “Njeriu është ujk për njeriun!” Kafshëria dhe egërsia në raportet njerëzore, shembulli klasik i të cilit, ofrohet me mbytjen e Titanikut, ku në fund të detit, nuk përfunduan vetëm qytetarët e klasit të dytë dhe të tretë, pro edhe shtresat e klasit të parë.

Sfida e partive tradicionale demokratike, ndaj populizmit shfaqet së pari, në denoncimin publik që ato duhet të kryejnë. Së dyti, ato nuk duhet të kopjojnë retorikën dhe programet e tyre, pasi në këtë mënyrë i legjitimojnë veprimet dhe zgjidhjet anti-demokratike, që ato ofrojnë. Së treti, ato duhet t’i pengojnë realisht këto parti që të avancojnë më tej dhe kjo arrihet vetëm nëpërmjet një reflektimi mbi sjelljen e tyre, me synim rimarrjen e elektoratit të braktisur që falë mungesës së punës së tyre, është hedhur në krahët e populizmit. Dhe mbi të gjitha, duke pasur kurajon për të trajtuar problemet e njerëzve, nëpërmjet ofrimit të zgjidhjeve konkrete për çdo tematikë dhe jo duke ushtruar pa reshtur demagogji të sofistikuar, të përshkallëzuar dhe impresionuese. Duhet reflektim, ndërgjegjësim, veprim, por edhe edukim dhe komunikim i vazhdueshëm, në mënyrë që popujt të mos lihen të vetmuar përballë populizmit, por t’iu ofrohen shpjegime që të mund t’i kuptojnë gjërat komplekse, që i rrethojnë dhe mbi të gjitha mesazhin politik të së ardhmes, që mbrojnë formacionet demokratike.

Dhe në këtë reflektim të imponuar që duhet të kenë partitë tradicionale të sistemit demokratik, i rëndësishëm është edhe roli i qytetarit, si një aktor aktiv në një shoqëri demokratike. Ku duhet të lëvizë nga kolltuku i rehatisë dhe i pasivitetit, ku spektri tradicional preferon ta vendosë dhe të aktivizohet pasi kjo nuk është vetëm një e Drejtë e tij, por mbi të gjitha është një Detyrë që të marrë pjesë plotësisht dhe në mënyrë të përgjegjshme në jetën e qytetit, për ta bërë demokracinë më pjesëmarrëse, dhe më humane. Që Evropa e shekullit të XXI, të mos marrë nuancat e rikthimit të shekullit të kaluar, kur shoqëritë luhateshin mes hapjes dhe mbylljes, mes demokracive dhe totalitarizmit të të gjithë ngjyrave.

Holanda, sapo dëshmoi rëndësinë e këtij aktivizimi qytetar, me një pjesëmarrje rreth 81%, të krahasueshme me atë të vitit 1977 (88%). Para pak kohësh, Austria konfirmoi zgjuarsinë e qytetarëve në preferencat dhe zgjedhjen demokratike. Reflektimi qytetar pas Breksit, ishte gjithashtu mbresëlënës.

Tashmë sfida e radhës shtrihet ndaj Francës, dhe Gjermanisë. Pas së cilës, edhe Evropa mund të vijojë e qetë realizimin e projekteve të saj, për thellimin e domosdoshëm të integrimit evropian.

Please follow and like us: