Albspirit

Media/News/Publishing

Shija e një pushteti që është i vështirë të ndahet

Sot ka nisur procesi i votimit, në referendumin për ndryshimet kushtetuese, për rreth 3 milionë turq që jetojnë në vendet evropiane. Të përqendruar kryesisht në Gjermani, por edhe në Austri, Francë, Belgjikë, Danimarkë dhe Zvicër, procesi pritet të mbyllet më 9 prill. Më pas, më 16 prill zhvillohet edhe referendumi në Turqi. Një votë, që pritet ta pozicionojë Turqinë mes një autoritarizmi në rritje ose një stabiliteti të përkohshëm. Fushata do të rriste tonet e përplasjes me disa vende evropiane, të cilat nuk lejuan që propaganda e një Turqie, që redukton liritë dhe të drejtat themelore të shtrihej edhe në tokën e tyre. Për më tepër, në një moment kur këto vende gjendeshin në mes të fushatave të tyre elektorale. Nëse referendumi merr mbështetje, kërcënimi për një largim nga procesi i anëtarësimit në BE, tashmë është bërë publik.

Reforma kushtetuese, ka hasur në një kundërshtim të fortë jo vetëm nga forcat opozitare, por një sërë ekspertësh evropianë të së drejtës kushtetuese, tashmë kanë paralajmëruar mbi rrezikun e shndërrimit të sistemit aktual, në një regjim të fortë presidencial. Edhe pse në përgjithësi, ekziston një njohje e konsiderueshme e faktit se, si sistemet autoritare përpiqen të fuqizojnë vetveten, duke rritur pushtetin dhe kompetencat e tyre, interes ngjall mënyra konkrete se, si ata e realizojnë këtë.

Reforma synon fshirjen e postit të kryeministrit, duke ia atribuuar këtë rol Presidentit. Pra, krijon një President-Kryeministër, i cili ka fuqinë të emërojë dhe të shkarkojë ministrat dhe zëvendëspresidentët, duke i hequr parlamentit rolin kushtetues në këtë drejtim. Por, pushteti i tij nuk kufizohet vetëm tek roli i Presidentit-Kryeministër, pasi ai ka të drejtë edhe të jetë Kryetari i Partisë. Kjo e fundit, në emër “të përfaqësimit të unitetit të kombit”.

Pasi ka siguruar të jetë njëkohësisht President-Kryeministër dhe Kryetar Partie, atëherë mekanizmi përqendrohet tek kryerja e zgjedhjeve presidenciale dhe atyre legjislative, në të njëjtën ditë. Në këtë mënyrë, shanset vlerësohet të jenë tepër të larta, që një parti e vetme të dominojë si ekzekutivin, po ashtu edhe legjislativin.

Sipas reformës, Presidenti nuk mund të zgjidhet më shumë se dy mandate. Ai gëzon të drejtën për të shpërbërë Parlamentin me vullnetin e tij dhe të kërkojë kryerjen e zgjedhjeve të përgjithshme. Këtë të drejtë, e gëzon edhe vetë Parlamenti, pra gëzon një kompetencë “vetë-shpërbërje”, ku me një votim prej 3/5 të deputetëve ai mund të kërkojë kryerjen e zgjedhjeve të parakohshme legjislative dhe presidenciale. Por, në rast se Presidenti është në prag të fundit të mandatit të tij të dytë, në momentin kur parlamenti vetë-shpërbëhet, atëherë Presidenti mund të rikandidojë sërish. Këtu fshihet edhe kleçka. Nëse fiton, atëherë ai do të jetë në funksion edhe në një mandat të tretë. Një parlament i dominuar nga partia e presidentit, mund të përdorë këtë dispozitë, për të zgjeruar më tej mandatin e tij.

Presidenti gëzon dhe të drejtën për t’i vënë veton ligjeve. Por, aty ku Kushtetuta aktuale i lejon parlamentit t’i “rezistojë” duke miratuar për herë të dytë të njëjtin tekst me shumicë të thjeshtë, reforma rrit pragun duke e çuar këtë shumicë, në “shumicë absolute” të numrit të deputetëve, për miratimin e teksteve ligjore. Në këtë mënyrë, bllokohet dhe pushteti i opozitës që buron nga parlamenti, që humb gjithashtu fuqinë, për të bllokuar apo rrëzuar një ministër, apo edhe qeverinë nëpërmjet një mocioni mosbesimi.

Pushteti i presidentit shtrihet edhe më tej me reformën kushtetuese, pasi ai mund të emërojë dhe të shkarkojë i vetëm funksionarët e lartë. Edhe pse reforma nuk saktëson, listën e pozicioneve zyrtare në fjalë, ajo shprehet se presidenti “përcakton politikat e sigurisë kombëtare dhe merr masat e nevojshme.” Ai ka pushtetin të propozojë ligjin për buxhetin, nxjerrjen e dekreteve, me përjashtim të subjekteve që i përkasin fushës së ligjit. Në rast të një konflikti mes një dekreti dhe një ligji, ky i fundit ka përparësi dominuese. Dekretet presidenciale, nuk mund t’përkasin fushës së të drejtave themelore dhe politike, përveçse në raste të gjendjes së jashtëzakonshme, ku Presidenti mund të dekretojë i vetëm, në një fushë më të gjerë situatash nga ç’përcakton Kushtetuta aktuale (vlen të theksohet se që prej 21 korrikut 2016 Turqia vazhdon të jetë në gjendje të jashtëzakonshme)

Presidenti mban përgjegjësi penale, por procedura është komplekse, pasi propozimi ndryshe nga ç’parashikon kushtetuta aktuale se kryhet me 1/3 dhe në fazën e dytë me 3/4, tashmë me reformën e re duhet të vijë nga shumica absolute e deputetëve dhe më pas 3/5  e deputetëve duhet të autorizojnë hapjen e një hetimi përmes një komisioni dhe më pas 2/3 e deputetëve duhet të autorizojnë dërgimin e presidentit përpara Gjykatës Kushtetuese. Reforma parashikon edhe përforcim të kontrollit të ekzekutivit mbi gjyqësorin. Këshilli i gjykatësve dhe i prokurorëve, që emëron gjyqtarët, kalon nga 22 në 13 anëtarë.

Përtej situatës shqetësuese, dhe rolit të kufizuar të opozitës brenda kornizave të një autoriteti në rritje qeveritar, që mban ende të aktivizuar situatën e gjendjes së jashtëzakonshme, që pas grushtit të shtetit të korrikut të vitit të kaluar, apeli shkon edhe ndaj Evropës. Vetëm disa ditë më parë, partia pro-kurde, teksa pyetej nga shtypi francez, se çfarë lloj mbështetje kërkohej nga Evropa, do t’i bënte thirrje Brukselit dhe kryeqyteteve evropiane që të vazhdojnë të mbajnë në mënyrë të domosdoshme marrëdhënie dhe kanale të hapura komunikimi, për të mundësuar dialogun me Turqinë. Një komunikim dhe dialog, që sipas tyre, nuk duhet të kufizohet tek interesi i Evropës për të frenuar flukset e migrimit, apo për të konsoliduar pushtetin e Erdoganit në Turqi, por për të ritheksuar në mënyrë të domosdoshme rëndësinë e lirive, sidomos asaj të shtypit dhe të ndarjes së pushteteve. Siç kancelarja gjermane Merkel do të bënte gjatë vizitës së saj të fundit në muajin shkurt, ku ndër të tjera do të takohej edhe me forcat opozitare, duke përfshirë edhe partinë pro-kurde.

Please follow and like us: