Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama dhe poetët e shtegtimeve

luan-rama1

Më 11 mars, në kuadrin e Pranverës së Poetëve që organizohet çdo vit në Paris, dhe ky është edicioni i 20-të që zhvillohet, u mbajt dhe takimi “Poetes migratoires”, (“Poetë të shtegtimeve”) në “Sallën e Festave” të Bashkisë së Parisit XVIII, ku midis poetëve të shumtë ishte i ftuar edhe publicisti dhe poeti Luan Rama, i cili flet pikërisht për këtë edicion

Ju keni marrë pjesë në këtë takim poetësh, që padyshim do ketë qenë interesant nga fakti se në të merrnin pjesë poetë jo vetëm francezë, por kryesisht poetë të ardhur nga vende e popuj të ndryshëm. Një potpuri zërash, një shkëmbim eksperiencash poetike. Çfarë ishte në fakt ky takim?

“Pranvera e Poetëve” (Printemps des poetes”) është një traditë e bukur e francezëve që zhvillohet çdo muaj të marsit në sheshin para kishës madhështore të Saint-Sulpice, në Saint-Germain, një kishë ku u pagëzua poeti i madh francez, fëmija i quajtur, Sharl Bodler, (Charles Baudelaire) dhe ku la afresket e tij në mure, piktori gjenial, Delacroix. Pikërisht atje mblidhen poetët dhe botuesit e tyre dhe është një ditë mjaft festive. Por takimi para dy netëve ishte një takim specifik, me një temë të caktuar, e cila u organizua nga poeti i njohur francez, Marc Deleuze, një nga miqtë e afërt të Ali Podrimes, i cili i ka kushtuar disa poezi poetit të madh të Kosovës. Madje, ai ka ftuar shumë poetë shqiptarë në festivalin poetik mesdhetar që zhvillohet në Francë. Pra, në këtë veprimtari ishin ftuar një sërë artistësh mes të cilëve Nancy Huston, nga Kanadaja, Antoine Cassar nga Malta David Giannoni (Belgjikë-Itali) Martin Bakero, Kili, Seyhmus Dagtekin një emigrant kurd, Rita Baddura, nga Libani etj.

Në këtë takim isha ftuar dhe unë meqë vite më parë kam botuar një libër të titulluar “Mbulomëni me një copëz qiell” (Couvrez-moi avec un morceau de ciel”, në vështrimin e një emigranti shqiptar në vitet ‘90. Por ky takim ishte interesant për faktin se gërshetohej me pjesë muzikore, flaut, muzikë xhaz, spektakël, pjesë muzike ciganësh apo të hebrenjve të Magrebit ose të Europës Lindore.

Çfarë ishte interesante nga ky takim?

Gjithçka ishte interesante, së pari poezitë, recitimet e teksteve. Ishte emocionues fakti kur një poet i ri, i ikur nga Siria, Omar Yussef Souleimane dhe që kohë më parë kishte gjetur azil në Francë, na recitoi disa poezi dhe na tregoi se një ditë më parë kishte marrë vesh se një poet të njohur në Siri, fondamentalistët që e mbanin të burgosur, e kishin vrarë bashkë me djalin e tij. Interesante ishte gjithashtu dhe tema apo refleksioni poetik rreth një shprehjeje të mjeshtrit të njohur të teatrit francez, Antoine Vitez “Trupi im është krijuar nga zhurma e të tjerëve”; një tekst që ka në themel një të vërtetë të madhe: atë që poetët, dhe jo vetëm ata, por artistët në përgjithësi, formohen në këtë pleksje të poezive të të tjerëve. Nëse unë kam mësuar diçka të thjeshtë nga arti poetik, këtë e kam mësuar nga poezia e poetëve shqiptarë, por dhe të huaj. Jean-Baptiste Para, drejtori i revistës së njohur poetike francez “Europe” (Europa) drejtoi një refleksion rreth poezisë së shtegtimit, ekzilit, mërgimit. Dhe ai theksoi se këtë ide e gjen që në vargjet e para në Bukoliket e Virgjilit. Dhe kështu, ai përmendi dhe ardhjen e Andromakës nga Troja në brigjet e Epirit, të Shqipërisë. Po, tragjedianët, poetët, artisti në përgjithësi, shtegtojnë, vetë apo përmes artit të tyre. Unë u tregova të pranishmëve se nëse u lidha me qytetërimin francez ishte poezia e Eluard, Apollinaire, Aragon apo Prevert që fillimthi e lexova në shqip dhe që pastaj, kureshtja më shtyu të shkoj drejt origjinalit përmes mësimit audidakt të gjuhës. Pra siç thoshte Antoine Vitez, ne formohemi nga zërat e të tjerëve, e poetëve, artistëve të tjerë, të bardëve të kësaj bote. Bota është një përzierje më vete poetike dhe ja pse poezia i jep jetës së përditshme një lloj entuziazmi, lirizmi, patosi. Dhe ndoshta është kjo që në Shqipëri, pas kaosit të madh, lindi një dëshirë e madhe poetike, por që mjerisht nuk ka një mbështetje, siç e kanë “miss”-et, spektaklet e mëdha muzikore etj.

… Dhe çfarë prezantuat ju vetë në këtë takim poetik?

Për të pranishmit, së pari lexova në poezi të shkruar para dy javësh për mikun tim poet, Arben Shehi që vdiq, me titull “Poetët vdesin si zogjtë”…

Poetët vdesin të parët

pasi ata kanë rrëmbyer zjarret dhe zërat qiellorë

prandaj dhe qielli i dënon ata

poetët vdesin të parët nga sfilitja e madhe

se gjithë jetën ata mbjellin dashuri…

Pastaj lexova poezi të tjera, si “Kënga e fundit e Robert Desnos” apo poezinë “Ish të dashurat përcjellin Hygonë në Pantheon”, “Në çdo rrugë të Parisit” etj. Në këtë të fundit shkruaj:

“Në çdo rrugë të Parisit ka një varg poeti, një rresht të nxehtë, të ngjizur, në buzët e një kënge që s’ka reshtur, copëza jete, klithma dashurie, në sheshet e mëdha një afresk kohërash, lindjesh, vdekjesh e kambanash, janë përshëndetjet e letrarëve të mëdhenj që i dhanë frymë e gjak historisë! François Villon do ishte varur nën një trekëndësh të Concorde-s, por atë e falën që të shkruante “Vallja e të varurve”, në cep të “La Rotonde”, i mjeri Baudelaire po kthen gotën e fundit bashkë me terrin e natës, Rimbaud ka shkuar me nxitim në fshat, te nëna e tij, të shkruajë “Një stinë në ferr”, Victor Hugo, tribunë i lirisë, po fle prej kohësh në Pantheon, pak metra më tutje Dumas vazhdon të tregojë historitë e Konti Monte Kristos Proust ende nuk e ka fikur abazhurin e tij në katin e parë të dhomës në Boulevard Haussman, gjithnjë në kërkim të kohës së humbur, buzë Seine-s bukinistës shesin “Madame Bovary” duke joshur myshterinjtë me kopertinën e saj të bukur “Vdekja dhe dashuritë e Emma Bovary”, në shtëpinë e Balzakut kafeja e ftohtë është lënë përgjysmë pranë konteshës Walevska të mbytur në lot, dora e tij e vdekur veç dy fjalë ka lënë mbi një fletore të zverdhët, kaloj nga “Café Select” dhe përshëndes në fund të sallës Verlaine-in që ende ka gotën me absint në buzë, tutje, në një hotel të vogël të Montmarte-s, Sand dhe Chopin po kalojnë natën e tyre të fundit të dashurisë dhe të stuhisë mes tyre, eci në Rue neuve des Capucines dhe shoh si në mjegull trupin e Stendhal që shembet papritur i pajetë mbi trotuar, vështroj Senën që rrjedh nën urën Mirabo dhe recitoj nën zë Apollinaire, që nuk e jetoi plotësisht jetën e tij, Eluard nxjerr nga xhepi foton nudo të Galës. “Shiko sa e bukur është”, më thotë, edhe pse ajo iku me shokun e tij, Dali, Camus është fshehur e mbyllur diku me Cesares ndërkohë që gruaja e tij tenton të hidhet nga ura mbi Seine, Kambanat e katedraleve po bien për trishtimin e saj dhe gjithë shpirtrat e trazuar të poetëve dhe të dashurave të tyre, Sartre sapo ka vdekur në një spital të Parisit dhe Simone de Beauvoir me shokët e tij nga një uiski pinë pranë kufomës, të kujtojnë mikun dhe të harrojnë dhimbjen, ndërkohë që Duras nxiton si e çmendur drejt Trouville për t’u dehur atje me letrat dhe të dashurin e saj të tjerët, të shumtit, nga lodhja e madhe, kanë shkuar të prehen në Père Lachaise. Në çdo rrugë të Parisit shoh një zemër, një ngjizmë, ndjej një britmë, gjakun dhe frymën e dashurisë, që hapin na e bëjnë të lehtë në këtë ditë të dielltë…

 

14 mars 2016

Please follow and like us: