Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Anton Berishaj, Retorika dhe letrarësia – Teksti i Bogadnit – Buzuku, Prishtinë 2004

Korpusi letrar i fillimeve të letërsisë shqipe, i përkufizuar si letërsi e vjetër shqipe, në komunitetin e kritikës letrare shqipe, asnjëherë nuk ka zënë vendin e merituar. Mbase kjo letërsi, duke pasur për tematikë dimensionin religjioz në njërën anë, dhe në anën tjetër duke u formësuar në shtratin e poetikës së letërsisë perëndimore, në kritikën shqipe ka marr cilësime të gjithfarshme, por më së paku vlerësime estetike-letrare.  

Në njëfarë mënyre, ky korpus letrar (Buzuku, Budi, Bogdani, Variboba, dhe ndonjë tjetër) u bë për kritikën shqipe “Thembra e Akilit”, me të cilën në mënyrë të veçantë u shërbye soc-realizimi në art dhe letërsi, për ta zhvlerësuar këtë korpus letrar, i cili paraqet shtresimin bazik për gjithë letërsinë e mëvonshme shqipe me autorët e mëdhenj (Mjeda, Kuteli, Koliqi, Fishta, Poradeci, Camaj, Pashku etj).  Së këndejmi kualifikimet e ndryshme për këtë korpus letrar-estetik nuk përkojnë me funksionin e letërsisë. Madje duke harruar se vepra fundamentale të artit botëror janë ndërtuar mbi hipotekstin biblik (Shën Augustini, Miltoni, Dante, Xhojsi, etj), sepse Bibla për letërsinë Perëndimore, ku bën pjesë edhe letërsia shqiptare mbetet teksti qendror (Northrep Frajit).

Ndikimet e Biblës në Letërsi, dijetari i madh i letërsisë Fraji i sheh te vlerat universale të biblës, dhe të dimensioni i saj letrar. Asnjë vepër nuk mund të ketë ndikim në letërsi pa pasur vlera letrare, mbron mendimin dijetari Fraji.   Kjo cilësi e Biblës, ka bërë që ndikimi i saj në letërsinë perëndimore të jetë predominantë. Një fakt të këtillë e kemi tashmë edhe në letërsinë shqiptare, ngase ndikimi i Biblës përgjatë pesë shekujve të gjallimit të letërsisë shqipe, ka qenë superior, dhe me efekte të rëndësishme, për poetikën letrare. Mbase modeli i ligjërimit biblik, në letërsinë shqip është bërë shkollë letrare specifike dhe me ndikime edhe në nivel të kodeve tematike, edhe të diskursit.   Pretendimet e ndryshme, për ta parë këtë letërsi me ekuivokë, të dalura në  forma të ndryshme, se ky korpus “është art, dhe nuk është art”, se këta libra “janë tekste me rëndësi gjuhësore, por jo letrare”, pastaj se këto tekste “janë tekste religjioze të krishtera”, kanë sjellur një konfuzion letrar për dy shekuj të letërsisë shqipe. Për të hequr këtë vello, me studimet e tyre kanë kontribuar Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti, Engjëll Sedaj, Stefan Capaliku, dhe shumë të tjerë.  

Ndërsa në kulturën letrare shqipe, respektivisht kritikën shqipe, Anton Berishaj, profesor i letërsisë së vjetër shqipe pranë Fakultetit Filologjik, ka bërë përpjekjen më serioze, dhe njëherit më integruese në studimin e këtij korpusi letrar, por sidomos për ta interpretuar letrarësinë e tekstit “Çeta e Profetëve” të Pjetër Bodanit, si teksti fundamental i letërsisë shqipe të shekujve XVI-deri në shek XIX. Njëherit, studiuesi Berisha j jep modelin specifik të interpretimit, edhe për gjithë letërsinë shqiptare.   Studiuesi dhe teoricieni i letërsisë Anton Berishaj në studimin ”Retorika dhe letrarësia – Teksti i Bogdanit”, realizon një punë sistematike hulumtuese. Qysh në titull të librit, Anton Berishaj, na sugjeron natyrën e qasjes së studimit të tij: teksti i Bogdanit, shtrohet në raport të letrarësisë (koncept i Roman Jakobsonit), i cili shkruan: ”objekt i shkencës letrare nuk është letërsia, por letrarësia, domethënë ajo çka e bën një vepër të dhënë vepër letrare”; dhe, në anën tjetër me retorikën, e cila kundrohet si poetikë, nga fakti, se qysh prej antikitet, retorika, përveç se kishte funksion fundamental në formësimet poetike (artistike), në perspektivën e zhvillimeve letrare, siç thotë Barit, është bërë një kod i madh letra, ku artet poetike janë arte retorike, ku retorët e mëdhenj janë poetët.  

Nga kjo qasje, niset hulumtimi i Berishajt, për të hetuar shkallën e letrarsisë (nivelin estetik të “Çetës së Profetëve” të Pjetër Bogdanit) në kontekstin e retorikës, përmes një relacion dijesh, të cilat funksionojnë në rrjet. Studimi i Berishajt asimilon teori të shumta për artin letrar. Rrjedhimisht, për të qenë sa më argumentues, autori problemet teorike-kritike i zhvendos në prizëm të kohës së shkrimit të tekstit të Bogadnit, dhe në planin tjetër në prizëm të perspektivës së hapjes së studimeve letrare. Siç shprehet autori i studimit, intencë themelore e kësaj qasje është të hetohet strategjia bazike retorik/semiotik e tekstit, funksionimit të  tij si tersi në tekstin e Bogdanit.   

Nëse do t’i referoheshim teoricienit dhe mendimtarit të letërsisë Zherar Zhenet, se: ”shkrimtari hulumton universin, kritiku hulumton letërsinë, do të thotë universin e shenjave”, dhe këtë mendim ta aplikojmë tek qasja e Antonit, shohim qartë se autori nëpërmjet teorive të specializuar heton universin e shenjave letrare tek letërsia e Bogadnit, te teksti ”Çeta e Profetëve”, te mënyra e funksionimit të tekstit të tij, shenja këto, që i sheh në rrjet; relacion me kode letrare, të cilat formësojnë dhe konstituojnë poetikën e Bogadnit, shumësinë e domethënieve që prodhojnë kodet letrare, shenjat, diskurset dhe simbolet, si elemente bazike të konstruktimit të këtij teksti letrar.  Libri i tij, ”Retorika dhe Letërarësia- Teksti i Bogdanit”, është sintezë e kërkimeve teorike-kritike karshi tekstit të autorit predominues të letërsisë shqiptare të shekujve XVI-XVII, Pjetër Bogdanit, realizuar përmes një qasje, e cila ”thithë” shumë dije letrare, referencat që pasurojnë studimin në fjalë. Studimi niset nga premisa e përgjithshme, për të rezultuar tek konkluzionet e veçanta. Antoni merre në shqyrtim probleme specifike të letërsisë në planin universal, për t’i ridimensionuar pastaj teoritë, kërkimet në atë kontekstual (kulturën shqiptare dhe realitetin e studimeve), dhe në fund për t’i funksioalizuar tek teksti i Bogadnit, ”Çeta e Profetëve”, tekst themelor i formimit të asaj që autori e koncepton si kulturë tekstuale shqiptare, analizuar në kontekstin e poetikës mesjetare.  

Studimi i Antonit i formuluar përmes një aparature të perfeksionuar teorike-kritike, me referenca relevante, pak ose aspak të njohura në komunitetin e teoricienëve dhe studiueseve në kontekstin tonë letrare, thellon diskutimet  me ide, e qasje tejet interesante edhe për korpusin e letërsisë së vjetër shqipe, veçanërisht për letërsinë e Bogdanit, duke bërë një analizë kooperative, me poetikën e shkrimit letrar mesjetar (qasje kjo që ka munguar), dhe në një kontekst tjetër, në kontekst të kulturës nacionale, për të shqyrtuar letrarësinë e këtij korpusi letrar, si, dhe në të njëjtën kohë, për të sfiduar mendimet sterotipe për këtë korpus letrar, të cilin kritika letrar edhe pse e pranon si letërsi, nuk ja jep asnjëherë këtë status.  Së këndejmi Antoni, përmes qasjes së interpretimeve retorike, duke analizuar korpusin letrar të letërsisë së vjetër, shtron nevojën e theksuar për të parë literaritetin, pastaj shqyrton autoret dhe korpusin letrar në tërësi, të përkufizuar përmes formulimit të qëlluar, Kulturë tekstuale shqiptare, e cila në studimet iu referohet autorëve (Buzuku, Budi dhe Bogadni).  

Intenca e qasjes së studimit të Antonit, është si shkruan ai të: ”ofrojë një model shpjegues dhe interpretues të logjikës së funksionimit të tekstit të tij”. Gjithnjë duke e vënë në kontekst të poetikës së kohës.  Libri ndahet në katër kapituj, të cilët ndihën në nënkapituj: 1. Semiotika dhe fictio Rethorica, 2. Kultura retorike dhe letërsia e vjetër shqiptare, 3. Teksti i Bogadnit dhe ’Makina retorike’, 4. Retorika dhe letrarësia. Në kapitullin e parë, studiuesi Anton Berishaj, jep një përkufizim të studimit, përmes tre termave bazik: Kodit, tekstit, dhe retorikës, të cilat i ven në relacion me letrarësinë e Boagdanit. Në këtë kapitull, autori interpreton shkathtë kuptimet e termave esencial, sikur këta termat e përmendur, të cilët mbulojnë domethënie polisemantike në teoritë letrare.  Për të shpallur synimin e shqyrtimit të tekstit të Bogadnit në prizëm të kodit retorik, që në një kontekst tjetër, njeh koncepcionin i interpretimit të zhanrit dhe kuptimit të figurave retorike, apo kodit metaforik, si thotë studiuesi, gjithnjë në raport të fuqishëm të kërkimeve poetike/retorike mesjetare dhe dijës semiotike, e cila interpreton shenjat e teksti letrar. Në kapitullin e dytë, Anton Berishaj merr në shqyrtim kontekstin kulturor dhe letërsinë e vjetër shqipe. Këtë korpus letrar, autori e përkufizon brenda teksteve të autorëve prej Buzukut deri tek Bogadni. Më tej, përmes një delli polemizues, autori kërkon që këtij korpusi letrar të mos i mohohet letrariteti, edhe atëherë kur i pohohet. Së këndejmi edhe përkufizimet e shumta për këtë korpus letrar i sheh të pa argumentuara, dhe me parashenja vlerësuese negative.  

Sidomos kur kjo materie letrare përkufizohet me një ”rëndësi gjuhësore”, pastaj ”libra fetar”, ”libra religjioz”.këto vlerësime sipas autorit të sutidimit janë bërë me parashenja vlerësuese negative, jo letrare dhe në kundërshtim me poetikën e kohës. Të gjitha këto, kanë penguar kuptimin e mirëfilltë të këtij korpusi letrar, ngase ”nuk është bërë përpjekje serioze për ta hulumtuar në mënyrë sistematike sistemin zhanror të letërsisë biblike shqiptare, realitetin ekzistues shqiptar”, ngase i gjithë korpusi letrar, elementet bazike i ka në raporte interletrar e interdiskursive me  kodet biblike, si dhe tekstet biblike përgjithësisht. Së këndejmi, autori thekson se edhe konteksti i përgjithshëm kulturor dominohej nga  modeli i ”retorikës religjioze”, e cila formëson tërë jetën shqiptare të kohës. Dhe rrjedhimisht edhe kulturën e artin.  Andaj autori e sheh të domosdoshme që brenda komunitetit të studimeve shqiptare të shtrohet për diskutim qasja e hulumtimit të poetikave mesjetare, në kontekstin e këtij korpusi letrar, me qëndrime të argumentuara.  

Ndërsa në kapitullin ”Teksti i Bogadnit dhe ’Makina retorike’”, me nëntitullin ’Retorika e zhanrit’, studiuesi merr në shqyrtim sistemin zhanror të retorikës mesjetare, të ndarë në tri pjesë: 1. gramatika e perceptimit (normative) ose retorika e shkrimit të vargjeve, 2. arti i shkrimit të letrave, 3. arti i predikimit.  Në këtë kontekst, autori predikimin/ligjëratën e definon si zhanër historik dhe zhanër teorik. Gjitha këto diskurse japin parashenjën bazike të ndërtimit dhe funksionimit semantik të tekstit të Bogadnit: teksti i tij ka referencë në gjitha nivelet e strukturimit, kodin biblik.  

Më tej, autori jep një shpjegim mjaft të vlefshëm, domethënëse për zhanrin e predikimit, si praktikë e shkrimit letrar, me rol funksional në tekstin e Bogadnit. Me qëllim që të zhvilloj strategjinë e hulumtimit të mënyrës së funksionimit të Bogadnit, autori shtron për diskutim  topikën, duke shkruar se: ”teksti i Bogandit strukturohet si rrjet taposësh, temash, mjetesh stilistike ’petrifikuara’ motivesh të tipizuara, figurash, klishesh, karakteristike për letërsinë biblike dhe atë mesjetare”. Më tej autori definon një specifikë të topikës bogadnaiane, të konceptuar si modestia e afektuar. Për të theksuar si topikën më interesante atë që e koncepton si bota e mbrapsht, parimin themelor të së cilës është renditja e gjërave të pamundshme.  

Me qëllim që të shterojë intencën e kërkimeve letrare në tekstin e Bogadnit, në përkufizimin ”simbolizimi universal: semioza e pakufizuar- bota si libër: libri si botë”, studiuesi Berishaj konstaton se toposi kryesor në tekstin e Bogadnit është bota si libër.  Ndërkaq përmes një analize thelbësore, Antoni shqyrton ”doktrinën mbi katër kuptimet dhe konsekuencën e saj”, e përkufizohet dhe shtrohet në kontekst me poetikën mesjetare, veçanërisht doktrinën e cila ndërlidhet me shkrimin e shenjtë dhe vërtetësinë e saj. Këtë konsekuencë e ruan fuqishëm teksti i Bogadnit. Më tej, qasja e studimit të Anton Berishajt, thellohet në ”kompozicioni e bazuar te numrat”, i cili dimensionon rolin funksional që shtreson “Çeta e Profetëve” që nga ndarja e veprës në dy pjesë.   

Pastaj numri katër, si dhe numrit gjashtë, të cilët konstituojnë kodin simbolik të tekstit të Bogadnait. Ndërsa në vijim të librit, studiuesi interpreton ”rrjetin intertekstual”, e cila qasje analizon tekstin në tekst, gjitha këto në këndvështrim të kuptimit të konceptit të interestekstit. Në këtë këndvështrim, teksti i Bogadnit i referohet diskurseve që rezultojnë nga kultura religjioze, biblike dhe filozofike. Në këtë kontekst, autori thotë se ”Çeta e Profetëve” është hipertekst letrar. 

Rrjedhimisht, përcaktohet karakteri polismenatik i tekstit të Bogadnit. Për të konkluduar se teksti i Bogadnit në procesin e gjenerimit të kuptimeve merr funksionin semiotik, të modeluar përmes mitesh, kodesh e diskursesh letrar, të gjitha këto në një instancë tjetër nëpërmjet kodit simbolik, i cili fuqizon statusin e tekstit të letrar të Bogadnit. Në këtë krizë të leximit të letërsisë shqipe, me një parashenjë më paragjykuese për korpusin letrar të letërsisë së vjetër shqipe, në leximin dhe interpretimin real të korpusit letrar, libri i Anton Berishajt paraqet një model me rëndësi për gjithë kulturën letrare shqiptare, dhe kritikën shqiptare, për t’ia dhënë asaj një dimension më profesional, më të racionalizuar, dhe në interaksion me zhvillimet teorike/kritike në kritikën perëndimore, të cilën studiuesi Berishaj e njeh në shkallë të lartë.  

Përmes këtij studimi, Anton Berishaj na ka argumentuar në mënyrë shumë të analizuar, atë që Zheneti e thekson atëherë kur vënë në raport shkrimtarin me kritikun: ”Ajo që është shenjë të shkrimtari, (vepra) bëhet kuptim te kritiku (meqë është objekt i ligjëratës kritike) dhe, në anën tjetër c’është kuptim te shkrimtari (vizioni i tij për botën) bëhet shenjë te kritiku, si temë dhe simbol i njëfarë natyre letrare”.   Anton Berishaj më mirë se çdo kush në komunitetin e studiuesve shqiptar ka analizuar tekstin e Bogadnit në raport me retorikën dhe poetikën mesjetare, për të nxjerrë konkluzione të qëndrueshme dhe shumë të vlefshme edhe për gjithë korpusin e letërsisë shqiptare. Një qëllim dhe një punë e arrirë.

10 janar 2006

Please follow and like us: