Albspirit

Media/News/Publishing

CIA: Si u krijua Partia Komuniste, themelues ishin Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç, mbi 6 mijë anëtarë u spastruan më 1948

Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç kanë qenë themeluesit e vërtetë të Partisë Komuniste në Shqipëri. Kështu të paktën pretendon CIA. Në një dokument të deklasifikuar për vitin 1971 bëhet një përmbledhje e të gjithë zhvillimeve politike në Shqipëri, që nga themelimi i PKSH e deri të spastrimet në të. Aty thuhet se ishin jugosllavët që e krijuan partinë, ndërsa më pas tregohet dhe jeta e Enver Hoxhës.

Gusht 1971

Shqipëria Studim

Historia e komunizmit shqiptar

Izolimi i gjatë i Shqipërisë së dominuar nga turqit nga rrymat evropiane dhe dalja e vonshme si shtet e pavarur, u reflektuan dhe në njohjen e përqafimin e vonshëm të socializmit Marksist. Celulat e para të frymëzuara nga Revolucioni Komunist Rus i Tetorit në 1917, në Shqipëri u shfaqën vetëm në fund të 1920 dhe për një kohë të gjatë ishin të kufizuara në qytete si Tirana dhe Korça. Pasojat e zhvillimeve në Bashkimin Sovjetik u përforcuan nga fakti se Bolshevikët i kishin prezantuar botës përmbajtjen e traktatit sekret të Londrës të prillit 1915 për ndarjen e Shqipërisë mes fuqive të mëdha evropiane dhe rajonale. Pas ngritjes së Hitlerit në Gjermani dhe formimit të organizatës së Komintern për linjën antifashiste, shumë grupe të vogla marksiste nisën të fitonin influencë në Shqipëri. Prandaj dhe lideri i saj i ardhshëm Enver Hoxha dhe të tjerë u ndikuan prej tyre, para dhe pas kthimit në Shqipëri. Pushtimi italian i vitit 1939 u dha mundësinë këtyre grupeve të identifikonin bindjet e tyre antifashiste dhe gjithashtu të zgjeronin mbështetjen për çlirimin e vendit. Pas sulmit sovjetik kundër Gjermanisë naziste, të gjithë shqiptarët marksistë u bashkuan me grupet e tjera nacionaliste duke koordinuar në një farë mase rezistencën ndaj pushtuesve. Konsolidimi i bindjeve komuniste të rezistencës shqiptare u bë kryesisht me anë të asistencës së Jugosllavisë, ku partizanët komunistë ishin shumë më të organizuar.

Formimi i PKSH

Partia Komuniste e Shqipërisë u formua më 8 nëntor 1941 nga dy emisarë jugosllavë Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç, të cilët e drejtuan këtë parti deri në fund të luftës. Dhe në fakt Partia Komuniste Shqiptare ishte vetëm një degë e partisë komuniste jugosllave, deri në vitin 1948 kur Beogradi u nda nga vendet e Kominform. Partia Komuniste Shqiptare u bë e pavarur pas ndryshimit të saj në Partia e Punës së Shqipërisë. Në 29 nëntor 1944 Enver Hoxha shpalli Republikën Demokratike të Shqipërisë, pasi ishte konfirmuar tashmë si lider i padiskutueshëm dhe organizator i rezistencës. Hoxha ishte arsimuar në liceun francez në Korçë dhe më vonë studioi në universitetin e Montpelier në Francë, ku u prek nga influenca e komunistëve radikalë francezë. Kur u kthye në Shqipëri në 1936 ai dha mësim në liceun francez deri në pushtimin e Shqipërisë në 1939, kur dhe u bashkua me rezistencën. Më tej ai qe kryeministër deri në 1954 dhe drejtues i regjimit prej atëherë.

Spastrimet në PKSH

Nga liderët kryesorë të Partisë Komunistë në formimin e saj në 1941, tanimë vetëm Hoxha është gjallë. Megjithëse spastrime të figurave ishin kryer edhe më parë, ajo e fund-vitit 1948 pas prishjes me Jugosllavinë ishte më masive dhe përfshiu rreth 6000 anëtarë partie që u përjashtuan për aktivitete pro-jugosllave. Ministri i Brendshëm Koçi Xoxe që ishte bërë një nga figurat më të fuqishme prej mbështetjes jugosllave, u përjashtua nga partia dhe u ekzekutua në 1949. Vetëm në korrik 1954 Hoxha me hezitim pranoi parimin e udhëheqjes kolektive, duke i lënë postin e kryeministrit Mehmet Shehut. Periudha e ardhshme e fraksionizmit dhe e spastrimeve erdhi në 1955, kur Hoxha u trondit nga qasjet e afrimit të BRSS me Jugosllavinë. Dy anëtarë të Byrosë Politike, Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu u përjashtuan dhe burgosën për promovimin e politikave liberale. Në 1956 Liri Gega, lidere e vjetër e partisë që prej kohës së luftës, u denoncua dhe u pushkatua për “lidhje me organizata të huaja spiunazhi”(supozohet nga Jugosllavia). Spastrimet më të fundit me liderët e partisë ndodhën në 1960, kur Liri Belishova dhe Koço Tashko u shkarkuan nga postet e larta në parti për anësi pro-sovjetike, në kohën kur regjimi po afrohej me Kinën, gjatë konfrontimit në rritje mes saj dhe Bashkimit Sovjetik. Prej atëherë udhëheqja ka qenë e stabilizuar dhe është konfirmuar solidariteti shqiptaro-kinez, duke theksuar karakterin e pavarur të lëvizjes.

Organizmi

Byroja politike është organi qendror i udhëheqjes. Në fillim të 1971 ajo kishte 10 anëtarë dhe 5 kandidatë. Ajo vendos për postet kryesore dhe ato organizative, si dhe harton politikat ekonomike, shoqërore, të sigurisë e të mbrojtjes. Me përjashtim të largimit të Liri Belishovës dhe refuzimit të rizgjedhjes së Rrapo Dervishit, Byroja ka ruajtur stabilitetin që prej spastrimeve të fundit të viteve 1950-të. Zakonisht rizgjedhja e anëtarëve të Byrosë konsiderohet e padiskutueshme, ashtu si dhe mbështetja e saj ndaj partisë. E gjithë hierarkia e partisë ka lidhje gjaku ose martesore. Shqipëria nuk duket se ka një rregull të caktuar për lidershipin në rast të ngjarjeve të paparashikuara, siç mund të jetë vdekja e Hoxhës, çka mund të shkaktojë trazira të konsiderueshme mes elitës. Hysni Kapo duket se është përgjegjës për çështjet organizative të Komitetit Qendror, ndërsa Xhafer Spahiu drejton politikat e industrisë e ekonomisë, kurse Ramiz Alia është ideologu i saj. Mes agjencive më të rëndësishme është ajo e Agjitacion-Propagandës e cila udhëzon jo vetëm degët rajonale të partisë por dhe ushtrinë, mediat dhe organizatat e masave. Zgjedhjet në Shqipëri janë një mundësi për regjimin që me anë të fushatës agresive të përforcojë politikat e brendshme prej shifrave të ekzagjëraura të mbështetjes dhe pjesëmarrjes. Procedurat janë hartuar në mënyrë të tillë që votuesit të mos kenë mundësi zgjedhjeje dhe abstenim ndaj votës është thuajse i ndaluar nga regjimi me anë të presioneve dhe inimidimit.

Përgatitjet për zgjedhjet nisin disa muaj paraprakisht, teksa grupet e agjitacion/propagandës përpiqen të bindin votuesit se “zgjedhjet janë të lira dhe demokratike, ku çdo votues është i lirë të shprehë mendimin e tij”. Propaganda e medias ngre lart arritjet e regjimit dhe bën premtime të rreme për të ardhmen. Prej vitit 1956 qytetarët votojnë duke hedhur në një kuti letrën e votës vetëm me emrin e kandidatit. Për të votuar kundër kandidatit, votuesi duhet të fshijë emrin e tij dhe të shkruajë një tjetër, por për ta bërë këtë ai duhet të shkojë në dhomëzën e votimit, gjë që menjëherë ngre dyshime se personi që e bën këtë është kundër regjimit. Dita e votimeve është zakonisht e diel dhe ditë feste, ndërsa zyrtarët bëjnë shumë përpjekje që të gjithë të votojnë. Rezultatet e zgjedhjeve janë zakonisht mbi 99% në favor të regjimit, dhe mediat e trumpetojnë ato si mbështetje ndaj punës së qeverisë dhe programeve të saj

Politikat kombëtare

Tre influenca kryesore që dominojnë politikat e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë janë masa e saj e vogël, ekonomia e pazhvilluar dhe izolimi i madh nga bota e jashtme. Këto fajtorë ndikojnë në qëndrimin e saj difensiv, të reflektuar në diktaturat totalitare të udhëheqësve dhe aleancën mbrojtëse me Kinën komuniste. Deri kohët e fundit, politika e jashtme e regjimit komunist është kufizuar në lidhjet e ngushta me Kinën padrone ashtu si më parë me BRSS he me Jugosllavinë. Por prej vitit 196 Shqipëria ka nisur të krijojë më shumë lidhje me fqinjët e saj të afërt dhe me vende të tjera të basenit të Mesdheut. Në politikën e saj të brendshme ajo thekson zhvillimin ekonomik në kontekstin revolucionar, luftën e klasave si dhe shkëputjen nga mendësia tribale e krahinore. Politika e saj e brendshme e vete-mjaftueshmërisë bën të domosdoshme mbajtjen e një force të gjerë sigurie e policie, dhe reflektohet në slogane te tipit marksist si “në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën”. Çdo vendi i rëndësishëm politik lidhet ideologjikisht me nevojën e luftës ndaj kërcënimeve “revizioniste” të brendshme e të jashtme, apo me rëndësinë e ruajtjes së diktaturës së partisë komuniste. Shprehjet e ideologjisë marksiste shpeshherë përzihen me nevojat e mëdha të ekonomisë dhe krahut të punës, siç janë puna vullnetare apo “puna prodhuese” për studentët dhe intelektualët, si dhe rritja e pjesëmarrjes së grave në forcën punëtore. Kjo u ndje gjatë “revolucionit kulturor” të Shqipërisë kur të rinjtë nën 20-vjeçarë u mobilizuan në grupe veprimi social-ekonomike, të ngjashme me strukturat e Gardës së Kuqe gjatë revolucionit kulturor të Kinës. Prej mesit të viteve 1960-të përpjekjet janë zhvendosur nga konsolidimi i pushtetit në modernizimin e shoqërisë së prapambetur. Kjo sepse në dukje elita e ka konsoliduar të paktën në dukje pushtetin e saj me anë të spastrimeve dhe lidhjeve miqësore e martesore. Periudhat e spastrimeve kanë përkuar me ndryshimet në sponsorët e huaj të Shqipërisë. Duke u përpjekur të thyejë lidhet e vjetra fisnore të shoqërisë regjimi ka treguar kujdes për organizmin dhe kontrollin ndaj çdo aspekti të shoqërisë dhe të jetës së individëve, duke bërë që një atmosferë policore të mbizotërojë në jetën shoqërore. Numri i madh i informatorëve të paguar dhe të papaguar ka bërë që njerëzit të besojnë se një në çdo gjashtë njerëz është spiun. Shqiptarëve u ndalohen kontaktet e pakontrolluara me të huajt, ndërsa censura e postës, megjithëse më e zbutur se vitet e mëparshme, është ende praktikë e zakonshme.

Në fund të vitit 1970 liderët e partisë ndjeheshin me aq besim në pushtetin e tyre, sa të nisnin një seri ndryshimesh social-ekonomike e politike me qëllim transformimin në një vend modern. Me ndihmën e regjimit kinez Shqipëria i mbijetoi ndarjes me sovjetikët dhe izolimit nga fqinjët armiqësorë. Vendi gjithashtu përfitoi sa mundi dhe nga kapja e fortë psikologjike të krijuar gjatë periudhave të shtypjes, për të nisur një periudhë zgjimi kombëtar.

Kontrolli i regjimit

Regjimi ende vazhdon ruajtjen e monopolit total të kontrollit ndaj shoqërisë, por në kontrast me periudha më të hershme, ai tani kërkon pranimin dhe pjesëmarrjen e popullsisë në qëllimet e tij. Kjo bëhet e anë të përfshirjes së të rinjve, të edukuar gjatë periudhës së komunizmit rigoroz, të cilët janë të gatshëm të punojnë në programet e transformimit të jetësh shqiptare nën sloganet e të ashtuquajturit “revolucioni kulturor”. Disa observues thonë se Shqipëria është kthyer në një kukull të Kinës, por kjo është e gabuar pasi ndryshe nga ngjarjet në Kinë, revolucioni në Shqipëri nuk i vendos organizatat kundër njëra-tjetrës dhe dominimi i partisë nuk vihet asnjëherë në dyshim. Ngjarjet në Shqipëri gjithashtu nuk përfshinë përdorimin e forcës pr eliminimin e zakoneve të vjetra. Gjatë goditjeve ndaj besimit fetar, qeveria po promovon atë që quan feja e re e Shqiptarisë dhe krenarisë kombëtare, bazuar në arritjet e hershme dhe trashëgiminë e vendit.

Në mars 1966 qeveria publikoi një letër të hapur për popullin ku godiste burokracinë, duke u distancuar nga shtrembërimet burokratike dhe duke fajësuar për këtë anëtarë të veçantë të partisë. Qëllimi ishte thyerja e kapjes së burokracisë ndaj makinerisë së shtetit dhe gjtihashtu të paralajmëronte zyrtarët e mesëm ndaj zbatimit të rreptë të objektivave. Pas letrës erdhi një riorganizimin e gjerë i aparatit shtetëror në nivel kombëtar dhe lokal, që solli njëfarë decentralizimi të pushteteve. Prej vitit 1966 regjimi është mbështetur në apelin ndaj ndjenjës së patriotizmit shqiptar për të frymëzuar masat ndaj programeve social-ekonomike dhe goditjeve ndaj besimit fetar. Fushata e dhunshme anti-fetare e 1967 u bazuar në citatin e Hoxhës “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Në skenën kulturore të vendit kërkoheshin vetëm shembuj frymëzimi, heroizmi e vetë-sakrifice. Në këtë periudhë regjimi komunist bëri rehabilitimin dhe celebrimin e zhurmshëm të katër eventeve historike: Lidhjen shqiptare të Prizrenit e cila nisi lëvizjen kombëtare shqiptare në 1878, Kongresin e Manastirit të Lushnjes më 1920, lindjen e shtetit modern shqiptar dhe 500 vjetorin e vdekjes së Skenderbeut. Eventet kulturore e letrare përpiqeshin të bënin paralelizma mes betejës shqiptare kundër turqve osmanë, dhe betejës aktuale të Shqipërisë për mbijetesë ndaj “imperialistëve e revizionistëve”. Duke parë linjëzimin e fuqive botërore atëherë, kjo propagandë dukej se drejtohej kundër Perëndimit dhe BRSS.

Situata ekonomike

Ndërsa zhvillimi ekonomik ka qenë i vogël, prej varësisë së krijuar nga ndihma e huaj. Marrëveshjet ekonomike me Kinën të negociuara në 1968 dhe më vonë në 1970 parashikonin përfitime të mëdha por të papublikuara në formë ndihmë për zhvillimin ekonomik nga 1969 deri në 1975. Sipas raportimeve kjo përqendrohej në rreth 30 projekte të mëdha industriale, prej hidrocentraleve deri të kombinati metalurgjik. Ndërsa në bujqësi, vazhduan politikat e reduktimit të varësisë nga shteti të fshatarëve dhe deri në 1968 ishin arritur objektivat e kolektivizimit. Megjithatë, në fund të vitit 1970 lideri Hoxha siguroi fshatarët se do të kishin një pjesë toke private. Aktualisht si industria ashtu dhe bujqësia nuk arrijnë të plotësojnë nevojat e vendit. Industria mbetet e orientuar drejt eksportimit të mineraleve dhe mallrave të papërpunuar.

Kontrolli i centralizuar i ekonomisë ka bërë që regjimi të fokusojë punën dhe kapitalin në zhvillimin intensiv të sektorëve të caktuar të ekonomisë. Punonjësit kontrollohen me anë të sindikatave dhe organizatave të tjera partiake. Puna e të dënuarve apo punë e detyruar është ende faktor në ekonomi, si dhe përdorimi në disa projekte i brigadave të të rinjve dhe i ushtrisë.

Ashtu si në vende të tjera komuniste, avantazhet e ekonomisë së centralizuar janë prishur nga përdorimi i keq ose shpërdorimi i burimeve. Burokracia e gjerë dhe vendim-marrja e ngadaltë kanë dëmtuar iniciativat lokale. Prej vitit 1966 regjimi ka shtuar ndërgjegjësimin e diskutimit publik të problemeve, por jo në masën e duhur. Për shembull Haki Toska, anëtar i këshillit të ministrave prej vitit 1966, tha në 1970 se disa ndërmarrje shtetërore duhet të vihen nën drejtimin e njerëzve vendorë, duke argumentuar se “ka ide të ndryshme mbi zgjidhjen e këtyre problemeve ekonomike”. Kjo mund të ketë qenë një arsye për këmbimin e posteve mes Toskës dhe Xhafer Spahiut.

Sigurimet shoqërore

Regjimi komunist krijoi për herë të parë në historinë e Shqipërisë programet e sigurimeve shoqërore dhe të mbulimit shëndetësor për punëtorët, pagesat e paaftësisë, lejen e lindjes dhe kopshtet e fëmijëve. Komunistët arritën gjithashtu të përmirësonin arsimin, me shkolla falas nga kopshti deri në universitet. Ndërsa ata që konsideroheshin anti-komunistë merrnin vetëm arsimin bazë. Popullsia jo-analfabete tashmë arrinte në 75 % në 1970, në kontrast të thellë me rreth 80 % analfabetë në vitin 1939. Sistemi arsimor vuan nga mungesa e mjeteve, ambienteve dhe mësuesve, por ka bërë maksimumin për popullatën në nevojë urgjentë për mësim. Në sistemin arsimor mbizotëron indoktrinimi me ideologjinë komuniste dhe besnikërinë ndaj shtetit.

Please follow and like us: