Albspirit

Media/News/Publishing

Yzedin Hima: Zhveshje e gjuhës, apo shpëlarje e trurit?!

 
Ndihmesa e organizatave joqeveritare që kanë vepruar dhe veprojnë në Shqipëri është dhe ka qënë e madhe në rrugën nga diktatura në demokraci. Nëpërmjet trainimeve, seminareve, ndihmave materiale, bisedave me qytetarët këto organizata e kanë lehtësuar disi udhën e mundimshme në këtë tranzicion. Natyrisht ka patur dhe ka mjaft shembuj të deformimit të funksionit të këtyre shoqatave, kur ato janë kthyer në ndërmarrje që u kanë shërbyer dhe u shërbejnë vetëm drejtuesve të tyre, duke devijuar në këtë mynyrë ndihmesën e taksapaguesve të Europës dhe Amerikës.
Sidoqoftë nuk është ky synimi i këtij shkrimi, por fenomeni qesharak, por edhe tragjik njëherësh që vërehet te disa pjestarë , drejtues, apo edhe ndjekës të OJQ-ve.
Në një emision televiziv u prezantua një vajzë e vogël, vetëm 14 vjeç, e cila rezultoi drejtuese e një OJQ-je për të rinj. Kur ajo nisi të fliste, të gjithë ata që e kanë ndjekur këtë emision do të kenë vënë re se gjuha e saj nuk ishte gjuha e një fëmije 14 vjeç, nuk ishte gjuha e një vajzë në klasën e shtatë të shkollës 9-vjeçare, nuk ishte as gjuha e një nxënësi mesatar, as gjuha e një nxënësi të shkëlqyer në mësime. Ishte një gjuhë pa moshë, e pavarur nga shkolla, pa nivel kulture, pa ngjyrë, pa kohë. Ishte një gjuhë e ftohtë llamarinë, e çmineralizuar nga çdo pasuri leksikore, e çmineralizuar nga çdo formë tingullore dhe sintaksore. Ishte një ligjërim që të kallte datën për nga mungesa e njerëzores, nga mungesa e gabimeve të natyrshme të moshës dhe shkallës së njohjes, një ligjërim prej roboti që nuk përcillte asnjë kumt njerëzor, një gjuhë uniforme prej luftëtarësh. (Fëmija 14 vjeç kishte marrë përsipër të emanciponte politikën dhe gjithë jetën shoqërore në vend, mesa mundëm të kuptonim nga fjalët e saj) Një shformim të tillë, të denjë për t’u shfaqur vetëm në një emision plot gjetje të kësaj natyre si Zonë e Lirë, e ndeshim edhe në workshope, konferenca, takime dhe biseda që zhvillojnë çdo ditë OJQ të ndryshme. Djem dhe vajza, burra e gra, të shkolluar dhe të paarsimuar flasin të njëjtën gjuhë të zhveshur dru, të njëjtën gjuhë të çmineralizuar, pa emocion, pa ndrojtje, pa individualitet si kokrriza e rërës. Një gjuhë uniformë, ku kodet e saj janë reduktuar në mënyrë të frikshme, ku fjalët janë si gurë të rrumbullaktë pa anë e pa qoshe, një gjuhë lej fenësh, që kur e dëgjon të lind dëshira të veshësh kapotën e ushtarit dhe të futesh në rresht. Kur e dëgjon këtë mënyrë të artikuluari (as që bëhët fjalë për një formë të menduari), pyetja e parë që të lind është : Në cilën OJQ bëni pjesë zonjushë, zonjë a zotëri i nderuar?
Edhe më e dukshme dhe më e dëmshme bëhet kjo dukuri kur zyrtarë të shtetit , ardhur nga përvoja të gjata OJQ-sh komunikojnë me qytetarët me këtë gjuhë të kara-kumit. Qytetari që bie në kontakt me këto specie, i hutuar nga moskuptimi tund kokën dhe bëlbëzon: ncë, ncë, ncë, ncë…! Sa i ditur që është! Foli një orë të tërë pa ndalim dhe unë i mjeri nuk kuptova asgjë!
Kur dëgjon këtë gjuhë qukapikësh vëren se shplarja e trurit, djerrina e shpirtit nuk ndodh vetëm në diktaturë, por edhe në tranzicionin e saj për në demokraci. Kjo dukuri nëse do të përhapet dhe do të bëhet mbizotëruese, do t’i sjellë një dëm të pallogaritshëm gjuhës si mjet komunikimi dhe identitetit individual dhe kombëtar, formuar gjatë shekujve, do t’i sjellë një dëm të madh vazhdimësisë intelektuale dhe shpirtërore të qytetarëve të ketij vendi.

Please follow and like us: