Albspirit

Media/News/Publishing

Mero Baze: Mos e lini pakicën greke në dorë të Agimit të Artë!

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u përballën dje dhe sot në Dropull me disa fraksione nacionaliste të “Agimit të Artë” në Greqi, që po tentojnë të faktorizohen tek pakica greke në Shqipëri për shkak të disa kontesteve sociale në Shqipëri. Në raste të tilla nuk vlen shumë retorika, se Shqipëria e respekton pakicën greke dhe është model në rajon për minoritetet. Kjo është e vërtetë, por nuk është e mjaftueshme t’i ikësh manipulimit të pakicave.

Porblemet që ka një pakicë etnike në një vend si Shqipëria, nuk janë thjesht barazia me qytetarët shqiptarë, por shmangia e incidenteve dhe shuarja e shanseve për të prodhuar problem, sidomos me një vend që është anëtar i Bashkimit Europian.

Në rastin konkret, pakica greke në Shqipëri, jo vetëm që nuk është e diskriminuar politikisht, por për shkak të profilit të saj, është dhe një pakicë e tejrespektuar në Shqipëri, pasi shumë pjestarë të pakicës greke përbëjnë ajkën e inteligjencës së shoqërisë shqiptare. Tirana është e mbushur me profesorë, inxhinerë, pse jo dhe poetë, shkrimtarë e gazetarë të shquar të pakicës greke. I vetmi vend ku nuk ka asnjë intelektual grek, asnjë profesor apo shkencëtar grek që jeton në Shqipëri, është PBDNJ, ose siç njihet, “partia e Vangjel Dules”. Aty ka mbetur zoti Dule dhe njerëz nën mesatar, që nuk përfaqësojnë më askund pakicën greke, ndaj dhe ajo nuk përfaqësohet më politikisht.

Për të tejkaluar këtë problem, PBDNJ kërkon të faktorizohet jo përmes pakicës greke dhe intelektualëve të saj, por përmes ekstremistëve të “Agimit të Artë”, që janë problem edhe për vetë Greqinë.

Kjo që po ndodh në Himarë është qesharake, ku disa zaptuesve të tokave të himariotëve dhe delenxhinjve që janë në gjyq dhe me familjet e tyre, u janë bashkuar ekstremistë të “Agimit të Artë” dhe idiotë të PD si puna e Flamurit.

Në Dropull është e njëjta situatë. Në mungesë të PBDNJ-së klasike, ku më e madhe se ajo është dhe LSI e Vangjel Tavos, tani kemi një parti pa elektorat në Shqipëri dhe një frymë ekstremiste, që kërkon të mbushë boshllëkun e ngelur nga mungesa e përfaqësimit politik të tyre. Vetëm në Partinë Socialiste sot ka 7 politikanë me origjine greke, që fare mirë mund të ishin në PBDNJ, por nuk e gjejnë veten në një parti private. LSI dhe PS në Dropull kanë po ashtu të dyja më vete më shumë vota se PBDNJ. Në Sarandë dhe Vlorë po ashtu.

Kësisoj, ky boshllëk në përfaqësim po mbushet nga “Agimi i Artë” dhe tani problem grek në Shqipëri nuk quhen më problemet e qytetarëve grekë në Shqipëri, por problemet e  krerëve politikë të pakicës greke, që kanë mbetur pa elektorat dhe importojnë sherrxhinj nga Greqia.

Për ta tejkaluar këtë situatë, qeveria shqiptare jo vetëm që duhet të ruajë qetësinë, por nuk duhet të ndjehet e turpëruar, nëse respekton pakicën greke më shumë se dhe vetë shqiptarët. Nuk është asnjë mëkat që t’i bëjë ata të ndjehen më mirë me qeverinë shqiptare se sa me idiotë të “Agimit të Artë” që vijnë të shpëtojnë Dulen, Nerënxin dhe Bollanon, e jo ata.

Diskriminimi pozitiv i pakicës greke në Shqipëri, është një nga mënyrat për t’i nxjerrë nga loja këta desantë të fashizmit grek, që vijnë këtu të shpëtojnë investimet e tyre të dështuara në përfaqësimin politik të pakicës greke në Shqipëri.

Sot pakica greke në Shqipëri është më shumë e përfaqësuar në partitë shqiptare, se sa në partinë e pakicës greke. Por kjo nuk duhet të na bëjë zevzekë dhe t’u themi boll u respektuam. Njeriu që e ka rrudhur më shumë se kushdo tjeter pakicën greke në Shqipëri, është Vangjel Dule. Po të jetë për të, ai merr vetëm 7 mijë vota dhe pjeston me dhjetë numrin e votuesve aktivë grekë në Shqipëri. Po ne nuk duhet t’i masim grekët në Shqipëri me kutin e tij dhe as t’i barazojmë me të.  Është mire qe grekët në Shqipëri t’i bëjmë të ndjehen më shumë se vëllezër me ne, që ata vetë t’i kenë bezdi këta plehra, që hidhen matan gardhit për të na ndotur shtëpinë.

Please follow and like us: