Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Shteti i ngritur nga hiçi

Kur mendojmë për 28 Nëntorin e vitit 1912, na shfaqet menjëherë fotografia e Ismail Qemalit në ballkonin e Vlorës, një pamje solemne, e cila në të vërtetë u shkrep një vit më vonë, sepse atë ditë, mjerisht, në qytet nuk kishte as fotograf. Ndoshta pikërisht kjo mungesë e tregon më së miri se si u bë pavarësia, pa përgatitje dhe pa shkëlqimin që zakonisht shoqëron lindjen e një shteti.
Në Vlorën e atyre ditëve gjithçka u bë me nxitim, sepse ushtritë fqinje po afroheshin nga çasti në çast. Edhe flamuri që u ngrit në ballkon u mor nga muri i shtëpisë së Eqrem Bej Vlorës, ndërsa Marigo Posio dhe gratë vlonjate punonin pa u lodhur për të qëndisur flamujt e tjerë dhe për të sistemuar delegatët që vinin nga larg. Vetë Deklarata e Pavarësisë u hartua nën presionin e kohës dhe u nënshkrua me një stilograf të huazuar, ndërsa Isa Boletini me vullnetarët e Kosovës mbërriti një ditë më vonë, i lodhur nga rruga e vështirë, por në kohë për t’i dhënë peshë dhe mbrojtje Shqipërisë që sapo ishte shpallur.
Por sfida më e vështirë nisi të nesërmen. Qeveria e Vlorës nuk kishte as arkë shteti, as ushtri të rregullt dhe as lidhje me botën, ndërsa ushtronte pushtet vetëm në një rrip të vogël toke rreth Vlorës, Beratit dhe Lushnjës. Ndërsa në ato kohë mungonin edhe ushqimet, fati i kufijve po vendosej në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ku delegatët shqiptarë nuk u lejuan as të hynin brenda sallës. Aty, Fuqitë e Mëdha e njohën Shqipërinë më shumë për të ruajtur ekuilibrat mes tyre sesa nga respekti për të drejtën e shqiptarëve, dhe kjo u pagua shtrenjtë, duke lënë jashtë shtetit Kosovën, Çamërinë dhe gjysmën e trojeve tona.
Sot, më shumë se një shekull më vonë, 28 Nëntori mbetet një kujtesë e guximit të atyre personaliteteve që ngritën shtetin nga hiçi, por edhe e copëtimit të Shqipërisë, duke mbetur Kosova në sundimin e barbarisë serbe.
Shqipëria lindi në Vlorë dhe mbeti në këmbë nga vendosmëria e atyre që nuk u dorëzuan kurrë. Dhe kjo qëndresë nuk u ndal as në luftën e fundshekullit XX, duke bërë që edhe Kosova të shpallej shtet i pavarur dhe sovran, mbështetur në fuqinë e SHBA-së!