Albspirit

Media/News/Publishing

Ministri slloven, Zdravko Poçivalshek viziton Shqipërinë

Në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe dhe të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjisë i Sllovenisë, z. Zdravko Poçivalshek pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tiranë, ditën e hënë, datë 6 nëntor 2017, me ftesë të homologut të tij shqiptar, Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, z. Arben Ahmetaj.

Ministri Slloven Poçivalshek do të shoqërohet nga Drejtori i Agjencisë Publike të Sllovenisë për Sipërmarrjen, Ndërkombëtarizimin, Investimet e Huaja dhe Teknologjisë (SPIRIT), z. Gorazd Miheliç, Drejtore e Fondit Slloven për Sipërmarrjen, znj. Maja Tomaniç-Vidoviç, Drejtori Ekzekutiv i Bankës Sllovene të Eksportit dhe Zhvillimit SID, z. Roman Rojc, përfaqësues të lartë të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Slloveni, si edhe rreth 30 investitorë dhe përfaqësues të kompanive më të fuqishme sllovene në fushën e turizmit, energjitikës, industrisë së drurit, sistemeve elektronike të komunikimit etj.

Gjatë vizitës së tij dy ditore, Ministri Slloven i Ekonomisë Poçivalshek pritet të zhvillojë takime me Zëvendëskryeministren, znj, Senida Mesi, Ministrin e Financave dhe Ekonomisë, z. Arben Ahmetaj, Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Damian Gjiknuri, Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, z. Blendi Klosi, si edhe me përfaqësues të lartë të komunitetit të biznesit në Shqipëri.

Vizita e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjisë së Sllovenisë dhe e komunitetit të biznesit slloven që e shoqëron ka si qëllim prezantimin e mundësive për forcimin e bashkëpunimit ekonomik me Shqipërinë në sektorët prioritarë, shkëmbimin e eksperiencës në fusha të ndryshme, si edhe ofrimin e mëtejshëm të mbështetjes teknike, ekonomike dhe politike përintegrimin e Shqipërisënë BE.

Me rastin e vizitës së Ministrit Poçivalshek në Shqipëri, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë do të zhvillojë ditën e hënë Forumin e Biznesit Shqipëri-Slloveni si një hap të mëtejshëm në forcimin e partneritetit ekonomik mes dyvendeve, në kuadër të të cilit Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve të Huaja (AIDA) dhe Agjencia Publike e  Sllovenisë për Sipërmarrjen, Ndërkombëtarizimin, Investimet e Huaja dhe Teknologjisë (SPIRIT) do të nënshkruajnë një Memorandum Bashkëpunimi për të krijuar mundësi më të mëdha për investime direkte dhe për promovimin e tregtisë në përmjet investimeve.

Sipas të dhënave të Regjistrit Tregtar të QKB-së për vitin 2017 ekzistojnë rreth 53 kompani sllovene apo me kapital të përbashkët shqiptaro-slloven në aktivitetet e turizmit, tregtisë, asistencës teknike të përqendruara kryesisht nëTiranë, Shkodër, Durrës, Berat dhe Fier.

Shqipëria është një treg me potencial të lartë për Slloveninë, veçanërisht në fushën e mjedisit, turizmit dhe bujqësisë, çka e tregone dhe rritja e eksporteve me 21% në vitin 2016 dhe rritja e importeve në masën 4% po në këtë vit.

Please follow and like us: