Albspirit

Media/News/Publishing

Maqedonia miraton projektligjin për gjuhën shqipe

Parlamenti në Maqedoni ka miratuar paraprakisht projektligjin për zgjerimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në të gjithë vendin. Në leximin e parë, ligjvënësit votuan 66 me 41 në favor të projektligjit, që ka për qëllim lehtësimin e komunikimit të komunitetit shqiptarë në Maqedoni, me institucionet, komuna, spitale, gjykata. Para votimit, ligjvënësi Ilija Dimovski, nga partia opozitare VMRO-DPMNE e ka përshkruar tekstin si jokushtetues dhe diskriminues ndaj gjuhës maqedonase dhe gjuhëve tjera. Projektligji i propozuar duhet të kalojë më shumë lexime në legjislacion përpara se t’i dërgohet për nënshkrim presidentit, Gjorge Ivanov. Kryeministri Zoran Zaev e premtoi këtë ligj kur formoi koalicionin me partitë shqiptare. Një veprim i tillë ka nxitur kritika nga VMRO DPMNE dhe të tjerët, që e kanë akuzuar Zaevin për tradhti të interesave kombëtare të Maqedonisë. Ligji i tanishëm për gjuhët, e definon gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, por ajo mban këtë status vetëm në vendet ku komuniteti shqiptar përbën mbi 20 përqind të popullsisë. Shqiptarët përbëjnë një të katërtën e popullsisë së Maqedonisë, me 2.1 milionë banorë, shumica e të cilëve jetojnë në jugperëndim, afër kufirit me Kosovën dhe Shqipërinë.

Please follow and like us: