Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Papërgjegjshmëria politike ndaj Perëndimit Kosovës i kushton shtrenjt

 

 

 

Deklarata e Ambasadës së Amerikës, rreth demarkacionit, nuk është deklaratë e qebaptoreve dhe çajtoreve të Prishtinës. Është deklaratë e aleatit më besnik të shqiptarëve. E fuqisë kryesore të politikës botërore. Prandaj, çdo tentativë, për t’i ikur kësaj deklaratë, Kosovën rrezikon ta shpierë në rrugë pa krye. Çdo tentativë për t’i bishtnuar kësaj deklarate, dëshmon papërgjegjësi politike.

Ne, mund të mos pajtohemi me njëri-tjetrin, për parime të caktuara apo për interesa e axhenda personale. Ne, mund të bëjmë “lojëra politike” për axhenda dhe interesa personale, por nuk guxojmë asnjëherë të rrezikojmë aleancat e krijuara me mund me perëndimin.

Kosova, nuk bën të bie në kurthin e një grupimi të topitur nga ideologjia utopike, që tenton të mbjellë frymë kundërshtuese ndaj perëndimit.

Shqiptarët, kanë pasë përvoja shumë të liga me këtë frymë.

Për mua, kjo lojë është e rrezikshme dhe mund të na hakmerret keq.

Diskursi politik i viteve të fundit për “mosbindje dhe mosnënshtrim” ndaj Amerikës dhe BE-së, është i rrezikshëm. Është kurth.

Kryeministri i Kosovës, me urgjencë duhet ta nxjerrë Kosovën nga kjo lajthitje.

Duke kërkuar falje. Sepse, kërkimfalja, është punë fisnike.

Demarkacioni, qe një kauzë e rreme. Këtë dëshmon më së miri fitorja plebishitare e Gazmend Muhaxherit në Pejë; një përkrahësi të parezervë të versionit aktual të demarkacionit.

Fitorja e Gazit, është flakaresh politik kundër ish opozitës së gazit e tymit, dhe partisë që drejton sot qeverinë.

Demarkacioni është problem i stisur politik. Është i yni dhe nuk na ka sjellë BE-ja- e as Amerika. Ky problem është i yni dhe ne duhet ta gjejmë zgjidhjen për këtë.

Në fakt, nëse duam të jemi të sinqertë, duhet ta pranojmë: problemin themelor me kufijtë, e kemi në kokat tona, ku ende nuk e kemi bërë demarkacionin ndërmjet lirisë dhe robërisë. Për pasojë, kemi kaq shume debate histerike për çështje jetike. Ne vend se te ulemi dhe ta thërrasim arsyen; te pyesim ku jemi e kah po rrugëtojmë, në këtë vorbull ndryshimesh të mëdha globale, që dy vit e ma shume, sorollatemi dhe vërtitemi rreth një teme: demarkacionit.

Pa dyshim, kjo teme është e ndjeshme. Sepse, na kujton problemet tona të vjetra, kur nuk qemë të zotët t’i ruajmë kufijtë tanë. As sot, nuk jemi të zotët që të bëjmë një gjë të tillë.

Please follow and like us: