Albspirit

Media/News/Publishing

Nga Rama u quajt “tenxhere pa kapak”, kush është në të vërtetë znj.Kryemadhi?

Deri më tani nuk ekzistonte asnjë nofkë a xanxë për Monika Kryemadhin. Dhe në kulmin e fërgëllimit të një inati, e po ashtu urrejtjeje të LSI-së karshi Ramës, vjen dhe vlerësimi që ky i fundit ka për zonjën në krye të partisë së Ilir Metës, e që ka qëlluar të jetë dhe shoqja e tij e jetës me të cilën ndan shtratin, ç’prej kur vendosën të ishin bashkëshortë, veç të qënit bashkëpartiakë, në gjirin e eurosocialistëve.

Rama ofroi një cilësim shpotitës për znj. Kryemadhi, i pyetur në Studio e Hapur mbi Ilir Metën. Ndërsa këtë të fundit e quajti “politikan race”, për Kryemadhin tha se ajo është vetëm bashkëshortja e Metës; për të shtuar më pas: “një tenxhere pa kapak”… “dhe një tenxhere pa kapak, bën vetëm zhurmë”, theksoi ish-aleati i dyshes burrë e grua, në katër vitet e para të qeverisjes.

Znj.Kryemadhi ka qenë në vazhdimësi në politikë, por karriera e saj nuk shënon kulme, veç atij momental, pasi i është besuar të drejtojë partinë e themeluar dhe drejtuar deri dje nga i shoqi, si për të treguar se LSI ka në themel diçka familjare, më shumë se mirëfilltazi shoqërore.

Veç posteve në FRESH, sekretare e përgjithshme dhe nënkryetare, znj. Kryemadhi nuk ka gëzuar pozicione të larta të drejtuese, veç të qënit deputete. Dhe për aq protagonizëm politik sa ka shfaqur, asnjëherë nuk ka përbërë “lajm”.

Ka qenë hija e Ilirit që e ka mbajtur me rol periferik, apo nuk ka patur ç’të japë më tepër, falë një kapaciteti të cungët? Mundet që të dyja, të ndërthurura fatalisht, për të mos e lënë që të shkëlqejë në asgjë.

Në pozicionin e sotëm, atë të drejtueses së një partie, që për me tepër mëton të jetë dhe zëri i parë i opozitës, znj.Kryemadhi posedon vetëm fjalën si armë, si fuqi, si prezantim; por mu ajo, fjala, ligjërimi i saj, tregues i një zbrazëtie të frikshme intelektuale, i një foshnjërizmi në politikë, po e shfaq gruan e Metës si një aksident politik.

Nëse e merr në një analizë të imtësishme të gjithë batarenë e akuzave ndaj mazhorancës nga ana e saj, jo më pak dhe nga aktorë të tjerë të LSI-së, vëren me dhimbje nivelin parapolitik të artikulimit që nuk para ofron asgjë për t’u shënuar, asgjë por t’u veçuar, asgjë që mund të ngjiste në vetëdijen kolektive.

Ashpërsia e shfaqur në dinamikën e akuzave, në tempin e lartë të tyre, e po ashtu në shumëllojshmëri, ngjan më tepër me një përpëlitje në kushtet e rënies beftazi në opozitë, sesa një ligjërim i pjekur ndër vite, i cili iu përgjigjet të gjitha situatave. Dhe kur kjo ndodh mes Kryemadhit dhe Edi Ramës, dy skaje që nuk i përafron asgjë, në formim dhe artikulim, situata e LSI-së shfaqet akoma dhe më dëshpëruese. Çështja është se  znj.Kryemadhi as nuk është e as nuk mund të jetë kurrë znj.Topalli. Mjaft që kjo e dyta vlen të dëgjohet, edhe kur ia fut kot! /tesheshi.com/

Please follow and like us: