Albspirit

Media/News/Publishing

Kazani që s’ta lan dot llumin dhe zullumin ku je zhytur

Dritan Laci

Duke i përmendur fjalën kazan medias aq më shumë fillon e kupton se çfarë llumi përban cektësia e enës së qeverisë Rama. Kazan burrash të ndyer deri në fyt apo edhe grash që buzëkuqi dhe trukimi i mëngjesit nuk ua fsheh dot idhtësinë që rron prej muajsh si lepur i frikësuar në bark në shpirtin e tyre të shitur çupllak te aferat më të pista që ka njohur ndonjëherë shteti shqiptar në 100 e ca vite krijim.

Aq sa nuk ka melhem që ti shpëtojë nga të pabërat me të cilat janë kthyer në fashikujt më të zi të dosjeve kriminale. Për të parë se sa i madh është lepuri në barkun e qeverisë Rama, na u desh sot të honepsim edhe një zonjë grua me ofiqin e lartë të zv/ministres që nuk është se na habiti me përçmimin e saj ndaj medias.

Them kështu sepse ofiqarët e qeverisë nuk kanë gjuhë të re. Aq më pak dyshoj që të kenë mendime të tyre. Për të mos folur për integritetin të cilin e kanë lënë në makinën e mafias. Kështu që nuk ka përse të na bëjë përshtypje një etiketim kazan më shumë për median, sa kohë llumi dhe zullumi janë tashmë binomi dhe hija e keqe që ndjek nga pas kudo që vete qeverinë Rama.

Gjuha e papërshtatshme se si zonja zv/ministre ju kthye një gazetare duke iu drejtuar me tonin kërcënues; “Moj ti vajzë…” ndërkohë që vetë kërkojnë ta respektojnë me të drejtë si një zonjë grua, tregon se përtej solidaritetit femëror që duhet të ketë në kësi rastesh brenda gjinisë, znj. Ministre ka humbur edhe parimet e etikës. Por a do e shpëtojë zonjën Gjebrea hakërrimi ndaj medias nga pagjumësia që e shoqëron prej muajsh? Sepse deri tani të gjithë ata që i kanë cilësuar lajmet për të zezat e tyre si media e kazanit, duke filluar nga shefi i madh në qeveri i zonjës Gjebrea, kanë dalë që kanë qenë lajme të verteta. Apo edhe zonja Gjebrea do të na dalë një ditë dhe të na thotë; “Nuk e di kush më futi në makinën e Moisiut”…jo Moisiut të biblës, por Moisiut krimit.

Please follow and like us: