Albspirit

Media/News/Publishing

Brunilda Spiro: Ktheni pasqyrën nga vetja! Larg gjuhët e liga nga vajzat e mia!

Ktheni pasqyrën nga vetja! Larg gjuhët e liga nga vajzat e mia!

Nëse do mundesha, do ju thyeja gishtat, ju gazetarëve, do ju nxirrja sytë, do ju shkurtoja gjuhën dhe kjo mizori do më falej nga e drejta e mëmësisë.

Njësoj si klloçka, që i nxjerr sytë gjithkujt, që ngacmon zogjtë e saj.

Meqë nuk mundem, po ju kërkoj falje:

Ju kërkoj falje, sepse ju lodheni shumë, duke nxirrë gjithçka dhe duke nxjerrë gjithçka.

Lodheni shumë për të kërkuar lajmin, që shpesh e rregulloni sipas oreksit të pritshmërisë publike, që ai të shesë.

Lodheni shumë për të gjetur llojin e helmit, që vret një palë dhe llojin e ushqimit, që zgjat jetën e ushtrimit të pushtetit, nga pala tjetër.

Lodheni, duke u lodhur për klikime…

Meqë nuk mundem, po ju kërkoj falje të rinjve, si vajza ime:

Ju kërkoj falje, sepse kur vajzat e mia lodheshin në punë dhe jo argëtim, siç ju dukej nga ekranet e shtëpisë apo klubeve tuaja, shumë prej jush, rehatoheshit në ndonjë kolltuk apo divan.

Ju kërkoj falje, sepse e dini të lehtë të dalësh në ekran.

Ju kërkoj falje, se kur çdo fundjavë bënin prova për të mësuar kërcimin e javes, ju flinit deri në drekë…

Ju kërkoj falje, se kur ato punonin pesë ditë të javës, me orar zyrtar, ju të shumtit, bridhnit kafeneve, apo gjoja shkolloheshit.

Ju kërkoj falje, sepse dalja në ekran, juve, ju duket shumë e lehtë dhe shpesh edhe si gazetarë apo prezantuese, jo vetëm vajzat e mia, por të gjitha i kritikoni dhe i shani si t’ ju kënaqet shpirti.

Ju kërkoj falje, sepse shumë prej jush, harroni që edhe kur çoheni para klasës dhe keni shokët tuaj përpara, mezi flisni dy fjalë.

Harroni emocionin, që të bën të harrosh edhe ato që di mirë.

Harroni, që ata që flasin shpejt apo shumë, nuk janë më të mirët, por që shpesh flasin më shumë ata, që nuk mendohen para se të flasin apo nuk e vrasin mendjen se çfarë thonë.

Ju kërkoj falje, se mbase nuk e kuptoni, që vajzat e ekranit, që i shani dhe i degjeneroni, ju japin nga shpirti, bukuria dhe buzëqeshja e tyre, shpesh e sakrifikuar, se do donin të qanin, pasi kanë dhe halle.

Askund nuk i shajnë, por i duan dhe i respektojnë, pasi në vendet e zhvilluara, edhe para një grupi të vogël të performosh, të vlerësojnë guximin, aftesinë dhe mundimin.

Ju kërkoj falje, sepse nuk e merrni dot me mend sa të forta janë, të durojnë sulmet mes tyre, sidomos nepërkave ziliqare, ngacmimet seksuale nga ndonjë drejtues, që nuk është i zoti të gjejë dashnore, pa i kërcënuar me vendin e punës, të durojnë shpifjet e mediave jo serioze, por të durojnë dhe ju që i komentoni të gjitha bukuroshet, me silikon, pa silikon, sikur i keni pjellë ju dhe i njihni qysh fëmijë.

Ju kërkoj falje ju vajzave, që megjithë ndërhyrjet, të cilat shumë prej jush i bëni dhe nuk i thoni kujt, kur nuk bëheni si ato, i shani dhe i stërshani përsëri ato, për çdo dështim tuajin.

Harroni shprehjet popullore, të cilat janë filozofia më e shkëlqyer. Ja njëra prej tyre: “Nuk ngrihesh vetë, duke ulur të tjerët”.

Ju kërkoj falje ju bashkëatdhetarë, që shani të rinjtë dhe të rejat, por harroni që, ata janë produkt i shoqërisë, juaji. Nëse ju është thyer pasqyra e shpirtit, shkoni në ndonjë pellg me ujë dhe shihuni, mbase na duhet të mbytemi të gjithë bashkë.

Ju kërkoj falje, të gjithë grave, të fejuarave dhe të dashurave, të ministrave, deputetëve, drejtuesve, policëve, etj., të cilat janë të dashuruara me ta, sepse ata janë të mirë, të bukur, inteligjentë, të pasur, shumë të pasur me pasurinë e babait apo gjyshit të tyre…

Ata nuk janë të korruptuar, nuk janë bosë droge, nuk na vodhën dhe nuk po na vjedhin, por ato gratë, të fejuarat, të dashurat i duan për atë që janë, jo për lekët e tyre.

Ju kërkoj falje grave të fshatarëve dhe fermerëve të anembanë Shqipërisë, që i duan burrat dhe të dashurit e tyre se janë bosë hashashi dhe droge.

Të kërkoj falje dhe ty Bledi, që shpesh thua të vërteta të vërteta, por ndonjëherë bën si gjahtar “shtrigash”, godet femrat dhe fëmijët e baballarëve të zhytur në krim dhe harron që të gjithë ne, edhe ti bashkë me ne, jemi fajtorë.

Migjeni jetoi shumë vite më parë, por ishte shumë më i ditur dhe kurrë nuk dënoi një femër,siç bëre me këngëtaren e njohur, duke i thënë:” Kërkoji falje k… llëkut”.

Ai as emrin nuk ia shkruante, por e përgjithësonte: “Njena nga ato…”, sepse kurrë nuk dënoi individin, por dënoi krejt shoqërinë dhe pushtetin.

Në asnjë fjali nuk shave prezantuesin mashkull, por vetëm femrën…

I kërkoj falje vajzës, që nuk mundem ta mbroj, kur e njoh shumë mirë dhe është vajza që do donte çdo nënë. E bukur natyralisht, inteligjente, e dashur dhe thjesht si gjithë njerëzit e kësaj kohe dhe bote, që po humb ekuilibrin, përpiqet të mbijetojë me punën e saj, me nder, pa u bërë pre e presioneve të asnjë drejtuesi.

I kërkoj falje që nuk ia mbroj dot dashurinë e saj, që po ia kthejnë në pazar lekësh, se dashuria e saj është dashuri.

I kërkoj falje që nuk e mbroj dot dhe nuk jam pranë saj, sot që ka nevojë dhe nuk ia fshij dot lotët.

Mjaft!

Nuk rregullohet shoqëria shqiptare me fyerje, sharje dhe mllef!

Ju kërkoj falje që keni kaq mllef për njeri- tjetrin, pasi nuk e drejtoni atë ndaj bosëve të vërtetë të nëpërkëmbjes tuaj.

I kërkoj falje dhe atyre që do më shajnë, sepse nuk kanë kohë të ndalin kohën e mllefit të brendshëm, siç e thotë një filozof shqiptar: “Tanatosin” brenda tyre, por pa kthyer sytë nga vetja, shajnë dy të rinj 28 vjeçarë dhe një nënë, që do të mbrojë fëmijën e vet deri në vdekje.

Bëhuni të zgjuar dhe mos u mashtroni ditën me diell: “Bosët e drogës, janë gazetarët që u pasuruan me shitjen e fjalës së lirë, që kanë vila disa milonë euro, policët dhe politikanët”.

 

bruna

Please follow and like us: