Albspirit

Media/News/Publishing

Fjalimi i Metës tek “Santa Quaranta”, dëshmi e hapur e lidhjeve të tij me baronin e drogës

Ndodh vetëm në Shqipëri. Presidenti i Republikës Ilir Meta ka mbajtur një fjalim të rrallë për hotelin “Santa Quaranta” të baronit më të madh të drogës në Ballkan. Më pas, kur baroni i drogës zbulohet nga DEA amerikane, Presidenti aktual, në atë kohë Kryetar i Kuvendit, e zhduku fjalimin nga arkiva e Kuvendit, për të mjegulluar lidhjet me Klement Balilin, i konsideruar si “Eskobari i Ballkanit”.

Ilir Meta dhe Arben Ahmetajn, aleatë të hershëm dhe të lidhur me interesa të errëta, kanë përuruar hotelin e “Eskobarit të Ballkanit”, si një investim shumë të rëndësishëm dhe strategjik në Sarandë.

Nëse Ilir Meta nuk do të angazhohej për të zhdukur fjalimin dhe fshirë çdo gjurmë të prezencës së tij në inaugurimin e hotelit, nuk do të krijoheshin dyshime për një lidhje të fortë me Klement Balilin, i emëruar si njeri i Lëvizjes Socialiste për Integrim drejtor i Transporteve në Sarandë.

Kuvendi i Shqipëri, pasqyroi pjesëmarrjen e Ilir Metës në inaugurimin e resorit politik, si çdo aktivitet tjetër të zakonshëm, por sapo Balili u demaskua nga DEA amerikane si baroni më i madh i drogës në Ballkan, Ilir Meta zhduku gjithçka rreth ceremonisë nga arkivi i Kuvendit. Nga verifikimet e kryera, në arkivin e Kuvendit, është zhdukur gjithçka rreth asaj ceremonie.

Lidhjet politike të “Eskobarit të Ballkanit” me partinë e Ilir Metës dhe të Monika Kryemadhit janë të shumëfishta edhe për faktin se vëllai i Balilit, Rigels Balili është zgjedhur në krye të Bashkisë së Delvinës me propozimin e LSI. Nuk ka më dyshime se Balilajt janë një bazë e fortë politike dhe ekonomike e partisë së çiftit Meta në Sarandë, por lidhjet mund të jenë edhe më të thella, duke parë jo vetëm prezencën fizike, por edhe fjalimin e përgatitur nga Ilir Meta për hotelin e Balilit, i sekuestruar ditët e fundit nga prokuroria dhe policia, si produkt i parave të drogës.

Një tjetër lëvizje e Metës që shton dyshimet ishte kërkesa e tij për të mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për t’u treguar amerikanëve se ishte i shqetësuar se pse nuk po kapej Balili. Lëvizja reflektonte makthin e tij përballë ekspozimit me Balilin në sytë e amerikanëve.

Në fjalën e tij për resorin turistik “Santa Quaranta”, në 21 gusht 2017, Ilir Meta i ka dhënë një mesazh të koduar Klement Balilit. Meta deklaroi se ndërtimi i këtij hoteli, siç rezultoi më pas me para droge, i ftonte për të bashkëpunuar, “për t’i marrë maksimumin turizmit”.

Ilir Meta, në krah të Balilit tha:

“E gjitha kjo është një ngjarje që na fton për të bashkëpunuar të gjithë në mënyrë që t’i marrim maksimumin turizmin tonë dhe këtë mund ta realizojmë vetëm përmes investimesh të tilla kaq cilësore, kaq domethënëse si ky që jemi mbledhur sot për të inauguruar për të festuar”.

Ilir Meta e quajti hotelin e Balilit një investim të mrekullueshëm, e cili e bënte Sarandën më të bukur.

“Ky investim i mrekullueshëm i sjell Sarandës dhe gjithë bregdetit tonë të mrekullueshëm një perlë që e kërkonte prej kohësh. Sepse ky resort është një investim i jashtëzakonshëm që ia shton bukuritë Sarandës dhe gjithë bregdetit të Jonit, pasi ofron shërbime të standardeve më të larta për të gjithë turistët vendas dhe turistët e huaj. Natyrisht që besoj se përmes këtij investimi Saranda duket edhe më e bukur seç ishte deri tani por është edhe një mundësi më e mirë për të qenë më e prekshme, më e dashur për të gjithë pushuesit, për të gjithë turistët dhe unë do të doja t’ju uroja udhë të mbarë dhe gjithë atyre që përmes saj do ta prekin Sarandën dhe do duan atë gjithë e më shumë në të ardhmen”./syri.net/

Fjalimi i Ilir Metës tek “Santa Quaranta” dëshmi e hapur e lidhjeve të tij me baronin e drogës Klement Balili

Please follow and like us: