Albspirit

Media/News/Publishing

Emri i Bashkim Finos që po i prish qetësinë Armand Dukës

Fatjon Baze

Kur kanë mbetur rreth katër muaj deri në zgjedhjet për kreun e ri të Federatës Shqiptare të Futbollit, presidenti aktual Armand Duka për herë të parë gjatë gjithë “mbretërimit” të tij në atë karrige po ndihet i rrezikuar.

Në 16 vite që ai drejton institucionin e Federatës Shqiptare të Futbollit për herë të parë ai ndihet i rrezikuar që mund ta humbasë këtë pushtet për shkak se këtë rradhë mund të ketë një rival të denjë përballë ku pritet që të zhvillohet një garë e fortë dhe shpresojmë të ndershme, ndryshe nga ato që Duka ka zhvilluar çdo katër vite, kur herë nxirrte vetë ndonjë kandidat dhe herë dilte i vetëm duke e kthyer atë institucion dhe ato zgjedhje në qesharake.

Nga burimet tona “TemA TV” ka qenë e para që ka nxjerrë në skenë emrin e deputetit të Partisë Socialiste, Bashkim Fino, si një kandidat i mundshëm që mund të rivalizojë denjësisht Armand Dukën për kreun e ri të FSHF-së, edhe pse deri tani Fino nuk e ka pohuar por as nuk e ka mohur diçka të tillë nëse do e pranoj ose jo që të kandidojë për këtë post.

Por, pse Armand Duka i frikësohet emrit të Finos që ende nuk e ka zyrtarizuar kandidimin e tij?

Nëse Bashkim Fino do të kandidojë ai do të ishte një nga emrat e duhur që mund të drejtojë futbollin shqiptar, i cili gjatë drejtimit të Dukës nuk ka pasur asnjë ecuri pozitive. Është e vërtetë që shumë futbolldashës kërkojnë që rivalë të Dukës të jenë emra të njohur që kanë lënë gjurmë në fubollin shqiptar siç është p.sh Igli Tare, i cili para pak javës i dha një shuplakë të drejtëpërdrejtë kreut të FSHF-së duke i’a thënë hapur që energjitë e tij kanë mbaruar dhe duhen emra të rinj.

Por, që deri më tani asnjë nga këta nuk e ka në plan që të rikthehet për të kandidatur pasi janë duke bërë historinë në postet që ata kanë jashtë vendit dhe shpresojmë që rikthimi i tyre të jetë sa më i shpejtë për të dhënë kontributin e tyre në futbollin shqiptar që ka më shumë se kurrë nevojë për eksperiencën dhe profesionalizmin e tyre. Prandaj në këtë mënyrë i vetmi emër që ka dalë në skenë është ai i Bashkim Finos që mund të rivalizojë Dukën në zgjedhjet e marsit.

Ai dje në emisionin “Top Story” u përpoq të na bënte dhe ironikun duke thekuar se “Bashkimin e respektoj si njeri dhe e kam mik. Nëse ka projekte pse jo. Fakti që është pjesë e një partie është diçka që duhet ta gjykoj ai,  nëse partia do ta kandidoj do ishte mirë ta kandidonte nga selia e partisë. Që të jetë kandidat i zyrtarizuar i Partise Socialiste“, duke treguar qartë që emri i Bashkim Finos e frikëson dhe jo për nga mbështetja politike që ka, por nga popullariteti i tij si një dashamirës i madh i futbollit dhe si një figurë e pastër që e tremb pa u zyrtarizuar ende.

Ai u përpoq që ta indentifikonte kandidaturën e mundshme të Bashkim Finos si të një partie, por që e vërteta është se Fino nuk ka nevojë aspak që të ketë mbështetjen as të Partisë Socialiste, as të Edi Ramës, as të Gaz Demit, pasi është një person që ka një personalitet të fortë që as nuk do ta pranonte që të komandohej.

Fino e ka treguar se ka drejtuar gjithmonë i vetëm si shtetin shqiptar si kryeministër, ashtu dhe shumë qarqe ku ka kandiduar dhe ka triumfuar gjithënjë bindshëm, dhe ka një simpati të lartë në opinonin publik.

Dhe ky fakt e ka vënë në panik Armand Dukën, i cili i trembet një rivaliteti të tillë, pasi është mësuar që gjithnjë të zgjidhet në krye të FSHF-së pa kandidat dhe të bëjë me zgjedhjet çfarëdo që ai dëshiron të bëjë.

Ai po përpiqet që me portalet e tij që po i shton dita ditës në numër, po synojnë që emrin e ish-kryeministrit Bashkim Fino, ta konsiderojnë si një tentativë të politikës për të futur duart në futboll edhe pse ai ende nuk e ka shpallur kandidaturën e tij.

Ne të gjithë e dimë se si Armand Duka, e ka kthyer në qesharak institucionin e FSHF-së për interesa politke duke marrë pjesë në Konventën e Partisë Agrare Ambientaliste së bashku me sekretarin e Përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku, menaxherin e ekipit Kombëtar në atë kohë, Alban Bushi dhe anëtarin e Komitetin Ekzekutiv, Arben Dervishaj.

Po ashtu dhe angazhimi i tij i turpshëm si president i FSHF-së në zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Ersekës për të mbështetur kandidatin e Partisë Agrare Ambientaliste, parti që ka për kryetar vëllain e tij Agron Dukën, duke shkelur hapur statutin e FSHF-së që thotë: “Federata është asnjëanëse në çështjet politike dhe fetare”

Një fakt i tillë që është denoncuar me foto nga portali i njohur sportiv “Vipsport.al”. (http://www.vipsport.al/2017/10/skandal-ja-si-duka-e-ka-perdorur-fshf-ne-per-interesa-politika/)

Në këtë mënyrë ideja e tij që politika po fut duart bie poshtë pasi ai vetë e ka përdorur insitucionin e FSHF-së që t’i shërbejë një partie politike duke përfshirë në këtë skandal dhe njerëz me poste të rëndësishme në atë institucion.

Ajo që është e qartë është fakti që Duka nuk kërkon të lëshojë atë karrigje që e mban prej 16 vitesh dhe që nuk i ka sjell asnjë të mirë futbollit shqiptar.

Askush si ai nuk ka qeverisuar kaq gjatë në një institucion futbolli, biles dhe ata që kanë qeverisuar që Duka i ka miq, janë të gjithë të arrestuar siç është presidenti i Federates së Spanjës, Angel Maria Vilar, që u arrestua për abuzimet me fondet, që në FSHF-në tonë janë të shumta të tilla abuzime ku spiakat Fondi i Solidaritetit apo projekti “Grassrots” etj.

Nuk ka në asnjë vend një president Federate që nuk gëzon simpatinë e futbolldashësve sa Armand Duka i cili ka një mos pëlqim ekstrem nga ana e publikut shqiptar.

Ai mund të rizgjidhet sërish në krye të FSHF-së pasi ka një pushtet që e ka shtrirë fort, por fakti që këto zgedhje i sheh të vështira po i prishin terezinë dhe kjo po e shqetëson, që nëse do të largohej do të ishte fat për futbollin shqiptar, nëse jo një fatkeqsi e madhe.

Please follow and like us: