Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Vata: Reminishencat e diktaturës sollën sërish diktatorin

Edhe në 73 vjetorin e çlirimit nuk nguroi të vinte vetë diktatori, kalaruar në shpinën e disa idhtarëve të mbetur ende pas 27 viteve, tollovi demokratike.

Në varrezat e dëshmorëve mbërritën politikanë e zyrtarë të lartë të shtetit dhe bashkë me to edhe mbështetësit e diktatorit, që vinin nga pas si për t’i përndjekur të ardhmen, me të shkuarën e errët të regjimit. Ndërsa politikanët përkuleshin para dëshmorëve, Enveri shaluar mbi disa mbështetës që i ka kursyer koha vjen si gjithmonë me vonesë, por ama të gjithë e panë madje dhe mbarë opinioni publik. Opozita nuk ishte këtë ditë, sepse i është rikthyer ritit të dasisë së historisë (me të drejtë), por për diktatorin te varrezat e dëshmorëve nuk tha një fjalë sepse fundja këto 27 vite është bashkëfajtore me politikën e majtë për dekomunistizimin e vendit dhe si e tillë, heshti edhe sot, ndërsa panë Enverin të “ringjallur”…!

Diktatura na është shpërfaqur përgjatë 27 viteve sikur të ishte vetë regjimi komunist, sepse ndërsa vitet kalojnë dhe mbahet e izoluar e vërteta e krimeve të diktaturës, reminishencat e saj shfaqen dhe përshfaqen shpesh, madje vitet e fundit, diktatori kalaruar në supet e disave, vërvitet në qytete të Shqipërisë dhe shpesh në Tiranë, madje çdo vit radhazi në varrezat e dëshmorëve, si dhe këtë 29 nëntor në Tiranë.

Demokracia e formatuar gjirizeve të Bllokut, e ardhur me skaletë të përgatitur, jo natyrshëm solli një lloj pushteti të pahasur më parë në vendet ish-komuniste apo dhe në mbarë botën sepse në Shqipëri nuk erdhi demokracia, por u mboll një pushtet hibrit, i diktuar nga diktatori i fundit komunist dhe i zbatuar nga shërbëtorët e regjimit, që janë ende ushtarë të paçavures pushtet. Transparenca me të shkuarën s’u bë kurrë, krimet e regjimit ende mbahen të fshehura dhe pritet deklasifikimi i të gjithë dokumentave sekrete të diktaturës për të fshirë një herë e mirë nga historia krimin më të madh njerëzor të bërë ndonjëherë në Shqipëri nga regjimi komunist. Dosjet e spiunëve të Sigurimit të Shtetit s’u hapën kurrë dhe ligji i fundit për dosjet e spiunëve ishte formal, i paplotë, madje ishte vula përfundimtare për të mbyllur këtë kapitull për nxjerrjen në dritë të krimeve të diktaturës, sepse dhe sot këtij ligji i mungon lustracioni.

Asgjë s’u bë për hetimin e krimeve të komunizmit, ndonëse Kodi Penal shqiptar nuk e fal këtë kategori krimesh, (Neni 67- Mosparashkrimi i ndjekjes penale- Nuk i nënshtrohen parashkrimit të ndjekjes penale krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit. KP). Pra neodiktatura shkel ligjet me këmbë për të mbrojtur regjimin komunist, sepse ky pushtet është vazhdimësi e pushtetit të djeshëm që me demagogji kërkon të shurdhërojë veshët e qytetarëve se regjimi ka rënë dhe jetojmë në demokraci, por në fakt jemi po në ato ujra të pushtetit të djeshëm me po ata njerëz që dje persekutonin dhe sot predikojnë demokracinë. Asgjë s’u bë për gjetjen e 7200 të të ekzekutuarve nga Sigurimi i Shtetit në kohë të diktaturës që u vranë pa faj, tinëz, natën dhe të çnjerëzuar, duke i varrosur përrenjve dhe honeve të Shqipërisë dhe 27 vite pas kalimit të pushtetit nga diktatura në neo-diktaturë nuk është bërë dhe përpjekja më e vogël për të gjetur varret e të ekzekutuarve të regjimit, ndërsa trashëgimtarët e tyre s’kanë as mundësinë më të vogël t’i qajnë te varri apo t’u vendosin lule, martirëve të vërtetë të demokracisë, të afërmve të tyre. Nuk është bërë asgjë për dekomunistizimin, ndonëse vitet e fundit u shënuan disa përpjekje, por e shkuara është varrosur, kurimi i të shkuarës nuk ka nisur, e vërteta po groposet dhe më thellë e kësisoj reminishencat e diktaturës do të vazhdojnë të përndjekin shqiptarët edhe për disa dekada deri sa një ditë parlamenti shqiptar të miratojë kthimin e regjimit komunist.

Edhe sot po të propozohet një lloj regjimi i tillë, shumica në parlament do të votonte me pa mëdyshje regjimin diktatorial se janë po ata të djeshmit në parlament, në mos vetë ata që vranë fëmijët e tyre dhe fundja për ta nuk ndryshon asgjë si atëherë në kohë të regjimit, por shqiptarët janë ata që vuajnë. Prandaj, regjimi despotik diktatura komuniste po na përndjek demokracinë, lirinë me reminishencat e saj të diktaturës, me vrasësit e vërtetë të baballarëve dhe të afërmve, dhe më keq akoma po na provokojnë kur ne i falëm për krimet që bënë dhe ende janë aq të pashpirt sa duan të hakmerren dhe më keq akoma të mos kërkojnë as falje!

Please follow and like us: