Albspirit

Media/News/Publishing

Kryeministri ynë shitet si nxënës i Nolit & Konices, por duket si lolo i grekëve?

Arben LLALLA

Më 13 dhjetor 2017 kryeministri Edi Rama nënshkroi disa vendime të qeverisë së tij për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë “të vrarë” gjatë luftës italo-greke 1940-1941. Rama zyrtarizoi 28 tetorin si Ditë Homazhi në përkujtim të ushtarëve grekë. Ky është poshtërim dhe injorim ndaj kombit shqiptar, pasi grekët nuk erdhën për çlirimin e Shqipërisë, por për pushtimin e saj duke ngritur flamurin e aneksimit të jugut. Sipas logjikës së Ramës, atëherë Shqipëria duhet të shpallë ditën e nderimit të ushtarëve osmanë, serbë, bullgarë, austriakë, hungarezë, francezë, italianë, gjermanë, e kështu me radhë.Edi Rama e hodhi firmën në këtë vendim, pikërisht dy vjet pasi ai u shpall më 13 dhjetor 2015 Kalorës i Mbrojtjes së orthodoksisë greke nga Patriarku i Jeruzalemit, Teofili III. Si student i fondacionit grek, Sokratis Kokkalis për komunikim administrativ dhe shkencat politike, Edi Rama për të larguar vëmendjen nga nënshkrimi i ndërtimit të rreth 8.000 varreve greke bëri një deklaratë patriotike të zjarrtë ku na tha: “Jam nxënës i Nolit dhe Konicës, ata më kanë mësuar të flas…”.Edi Rama nuk paska lexuar hiçgjë nga shkrimet, veprat e Nolit dhe Konicës, por vetëm e paska me të dëgjuar emrat e tyre, sepse përndryshe diçka do kishte nxënë nga dy kolosët e gazetarisë, oratorisë, historisë, shqipërimit. Po të kishte ata të dy ndër mend nuk do të qe kundër Çështjes Çame, nuk do pranonte Medaljen dhe Kryqin e Kishës orthodokse greke. Rama nëse do të lexonte Nolin dhe Konicën do e dinte çfarë thonë ata për çamët dhe grekët.Kryeministri Rama të gjithë atë sallatë fjalësh që harxhoi për Çështjen Çame, e paska patur lojë me Dulen e të tjerë, sepse gishtin e ngjyer në Fondacionin Kokkalis e përdori për të firmosur varret boshe të Vorio Epirit. Pra, fjalia e mirënjohur e Ramës me Dulen: “Në s’të pëlqen çam, të them janë shqiptarë, në s’të pëlqen Çështje Çame ju them se është Çështje Shqiptare…”, mbytet në ujë, paska qenë vetëm politikë ditore.Nënshkrimi i njëanshëm për ndërtimin e varrezave greke në Shqipëri, duke mos kërkuar reciprocitet për ndërtimin e një varreze të Çamëve në Greqi nuk do të thotë zgjidhje problemi, por shtim në ekstremizëm për ekzistencën e një plage që kullon ende gjak.Askush nuk e di se çfarë befasirash na ofron e ardhmja, por një gjë është e sigurtë që marrja e statusit si kandidat për anëtarësim në BE, nuk e fal Edi Ramën dhe të tjerët nga tradhtitë kombëtare. Historia mban shënime, atë paratë e Ramës nuk e korruptojnë dot.

Please follow and like us: