Albspirit

Media/News/Publishing

TIFF hyn në garën e çmimeve “OSCAR”

“Jemi të entuziazmuar dhe të nderuar t’ju njoftojmë se jemi miratuar si një nga festivalet kualifikuese në konkurimin zyrtar të Oscar Academy Awards, e cila është një mundësi e jashtëzakonshme për kineastët pjesëmarrës dhe fituesit e ardhshëm të Çmimit Best Short Film”.

Ky është njoftimi zyrtar që vjen nga Tirana International Film Festival nga i cili do të mund të përfitojnë kineastët dhe fituesit që do të përzgjidhen nga TIFF në edicionet e ardhshme. Akademia “Oscar” ka përzgjedhur Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë – TIFF, si një nga festivalet zyrtare te Akademisë që ka atributin e nominimit për “Oscar” për Çmimin e filmit të shkurtër.

Drejtori i këtij festivali Agron Domi, i cili sapo ka shpallur hapjen e aplikimeve për edicionin e 16-të të TIFF përveç entuziazmit për këtë lajm vlerëson potencialet që hapen për kineastet. “Nuk është një lajm që thjesht gëzon festivalin në aspektin kualitativ, por është një avantazh i madh për rajonin, për Ballkanin, Shqipërinë dhe Kosovën, apo filmat që vijnë në shqip.

Kjo është një mundësi për të penetruar në nominimet “Oskar” që është një mundësi e madhe njohjeje promocioni jo vetëm të autorit, apo autorëve, por edhe vendit nga vjen” thekson Agron Domi, Drejtor i festivalit TIFF. Ndër të tjera kjo i jep TIFF-it, si i vetmi festival ndërkombëtar i filmit në Ballkan, jo vetëm mundësinë për të sugjeruar film të shkurtër për “Oscar”, por edhe një reputacion të lartë për të shfaqur premiera të filmave Europian dhe jo vetëm.

Të njëjtën rrugë ndoqi dhe filmi i shkurtër nga Kosova “Shok” i cili u nominua për “Oscar” nga një festival i tillë. “Rasti i filmit “Shok” tregoi se çfarë jehone pati filmi vetë dhe Kosova për këtë ngjarje kaq të rëndësishme” tha zoti Domi. Janë vetëm 84 festivale të rëndësishme ndërkombëtare që fituesi i tyre në short category nominohet për “Oscar” animation, fiction ose documentary”.

Please follow and like us: