Albspirit

Media/News/Publishing

“Koha e pelikulës”, Shanaj sjell të gjallë Xhanfise Kekon përmes filmit

Në 22 dhjetor u mbushën dhjetë vjet nga ikja e regjisores ikonike të filmit shqiptar, veçanërisht asaj për fëmijë, Xhanfise Keko. Në prag të kësaj date, regjisori Mevlan Shanaj shfaqi premierë filmin e tij dokumentar “Koha e pelikulës”-Xhanfise Keko. Por, nuk e parashikonim se do të merrnim aq emocion e kënaqësi. Mevlan Shanaj e Natasha Lako, si gjithnjë, bashkë në jetë e art, hynë mbrëmjen e ftohtë të 20 dhjetorit në sallën e kinema “Milenium”, të mbushur plot me miq e dashamirës të kinemasë shqiptare, modestish, për të dalë prej saj triumfalisht.

“Madona e filmit shqiptar”, Xhanfise Keko, në dhjetëvjetorin e ikjes, kthehet në ekran, në një rrëfim të udhës së saj krijuese. Në një rrëfim të organizuar fillimisht në letër nga skenaristja Natasha Lako e më pas në celuloid nga regjisori Mevlan Shanaj. Për 60 minuta mes kërshërisë përzier me nostalgji, në heshtje të plotë, ndoqëm copëza intervistash të shkëlqyera të regjisores Xhanfise Keko në vite e të montuara mjeshtërisht nga regjisori Mevlan Shanaj, që bënin një të tërë rrëfimin për jetën dhe punën, sekuenca të njohura nga filmat e saj në vite, pamje të rralla e krejtësisht të panjohura nga sheshet e xhirimeve, filmime mbresëlënëse nga jeta familjare, prononcime të kolegëve e bashkëpunëtorëve, mendime estetike dhe vlerësime maksimale të disa figurave të njohura të kinemasë europiane e amerikane për talentin dhe personalitetin artistik të Xhanfise Kekos që, jo vetëm ridimensionojnë në sytë tanë regjisoren, por i bëjnë nder gjithë kinemasë shqiptare.

Dhe, kur u ndezën dritat e duartrokitjet e gjata ua lanë vendin urimeve, regjisori Shanaj, i emocionuar, i rrethuar prej kamerave të shumta të televizioneve e diktofonëve të gazetarëve, arriti të thotë vetëm kaq: “Falënderoj pjesëmarrësit për emocionet e mbrëmjes së shfaqjes së dokumentarit “Koha e pelikulës”, Xhanfise Keko. Një fund viti të bukur për secilin. Kënaqësi dhe emocion. Jam i tronditur nga shtangia e sallës pas rrëfimit prej 60 min të jetës së Xhanfise Kekos. Një befasi e pandodhur më parë”. Më pas, të gjithë do të donin t’i shtrëngonin dorën e t’i thoshin fjalë urimi e falënderimi, që solli sërish ndër ne atë grua të vogël të madhe dhe bashkë me të, në fëmijërinë e gjithsecilit, kur filmat e Xhanfize Kekos ishin më të ndjekurit.

Eleni Laperi, Skënder Jasa, Suela Bako, Arta Marku, Ilir Çumani, Herion Mustafaraj e shumë të tjerë që u ndodhën në sallë apo që ndoqën për së largu emocionet që dhuroi ky film, i thonë faleminderit çiftit të krijuesve, Natasha Lakos dhe Mevlan Shanaj, për atë ëndërr të bukur që ndanë me të gjithë. Miq të regjisores, kolegë e bashkëpunëtorë të dikurshëm, asokohe të vegjël e tani të mëdhenj, ndajnë emocionet për filmin, por edhe kujtimet me kineasten.

EVIS ALKYZ CERGA

Bën ftohtë, por kjo nuk më pengon të ngrohem nga entuziazmi për të parë dokumentarin e Mevlan Shanajt për Xhanfise Kekon. “Koha e Pelikulës” është pa asnjë mëdyshje, dokumentari që duhej të mbyllte vitin. Për mua ishte kartolina më e bukur e Vitit të Ri. Në një dokumentar e gjithë fëmijëria jonë, që teta Xhano, siç e quanin fëmijët, e kishte mbledhur si bleta mjaltin. “Kam parë katër mijë fëmijë për rolin e Benit (te ‘Beni ecën vetë’) derisa e gjeta”.

Copëza filmash, histori e një pasioni të jashtëzakonshëm dhe e fatit që nuk pyet në vjen nga një familje me tetë fëmijë, apo nëse je i biri i furrxhiut, kur je destinuar për gjëra të mëdha, ato do të bëhen doemos realitet. Për një orë mbeta e ngërthyer në karrigen e kinemasë, pa frymë, teksa shihja si vërshonte në pelikulë jeta e Xhanfisesë, e fëmijëve të roleve të saj dhe imja njëkohë- sisht. Sa emocione, sa trazime, kur në ekran shfaqet Dori… Më kujtohet kur, mes ca miqsh të përbashkët, u prezantuam dhe u bëmë miq dhe sa herë më shihte me fytyrën e vrenjtur, më thoshte: Po pse mërzitesh moj pëllumbeshë?”.

Dori vdiq pak muaj pas mamasë sime. E mbaj mend mirë fare sepse dhimbjes iu shtua trishtimi. Xhanfiseja ishte një grua që mesa duket e njohkemi pak, për të mos thënë aspak. E kisha parë, por zërin nuk ia kisha dëgjuar dhe m’u duk sikur ajo ishte edhe gjyshja ime. Skenat e familjes, me kafe, me qilima, me libra, ishin si skenat e jetës sime të atyre viteve. Më pëlqeu aq shumë dokumentari, sa e mësova përmendsh dhe mund edhe ta kujtoj skenë për skenë, por nuk kam këtë qëllim. Shquhem për emocione të parenditura dhe këto të tilla janë, por vërtet i jam mirënjohëse Natasha Lakos dhe Mevlan Shanajt për këtë “kartolinë” në prag të festave. Teta Xhana e zuri vendin( një ndër të tjerë).

XHELIL ALIU

Ndoqa dokumentarin e Mevlan Shanaj për regjisoren e madhe Xhanfise Keko. Më detyroi që të mos e shkëpus vë- mendjen nga ekrani për asnjë çast. Jo vetëm për realizimin, që nga skenari, regjia, xhirimet montazhi, muzika ilustruese etj., por, sidomos për madhështinë e një gruaje të veçantë, e një regjisoreje të madhe siç ishte Xhana. Dhe duke dalë nga salla, m’u krijua bindja se ne shqiptarët ende nuk e kemi marrë vesh tamam madhështinë e një kinoregjisoreje si ajo. Do të na duhen ende kohë që të kuptojmë vlerat e saj, për atë çka ajo bëri me filmin për fëmijë.

Më bënë përshtypje intervistat e mara nga disa të huaj, të cilët dukej që nuk ishin shikues të thjeshtë të filmave, por dinin dhe kuptonin mirë sekretin e punës me ta. Vlerësimet e tyre ishin mbresëlënëse dhe jo me të padrejtë. Ndoshta ishin edhe ata që më bindën të dal në konkluzionin e mësipërm. Sepse Xhana, vërtet punoi me fëmijët, por ajo përcolli mesazhe shumë të rëndësishme për të rriturit.

Kush ka punuar me fëmijët, besoj se mund ta dijë se sa e vështirë është një gjë e tillë. Dhe të arrish atë vërtetësi e natyrshmëri që ka arritur Xhana me të gjithë personazhet fëmijë, duket gati si e pabesueshme. Kjo nuk arrihet me fjalë, as me slogane të mësuara nëpër libra, por duke u ulur konkretisht me të voglin, duke i krijuar atij ngrohtësi e besim, për ta bërë për vete, ashtu siç bënte ajo artiste e madhe. Xhana ishte montazhiere, nuk ishte regjisore, por dëshira për punë, talenti dhe aftësia për të eksploruar e zbuluar edhe atje ku askush tjetër nuk e bënte dot, e bënë atë një emër, me të cilin kanë të drejtë të krenohen kineastët shqiptarë, por pse jo edhe ata botërorë, ku, siç u shpreh dikush në film, Xhana nuk e ka zënë ende vendin që i takon. Urime realizuesve të dokumentarit për punën dinjitoze! Qoftë e paharruar kinoregjisorja e madhe, Xhanfise Keko.

EDI SHUKRIU

Urime Natasha e Mevlan! Xhanfisen e njoha vetëm përmes filmave që realizoi, madje që nga koha kur në Kosovë ishin të ndaluar edhe filmat nga Shqipëria. Xhanfisja ka vend të merituar dhe në botimet e mia, “Gra të shquara shqiptare” (2000, 2003), “Eminentne albanske zene” (2011, në gjuhën malazeze), “Distunguished Albanian Women” (2012), “Istaknute Albanske Zene” (2017, në gjuhën kroate).

PËRPARIM KABO

Vepra e Xhanos është një kontribut arti, por dhe një institucion… të afrohesh apo t’i qëndrosh larg asaj, është çështje kulture… dhe kur hymë në këtë fushë… është më e lehtë të bësh atë që s’di… Ju lumtë për atë që keni bërë!

VERA KURTI

Pasi pashë dokumentarin “Koha e pelikulës”, kushtuar të madhërishmes Xhanfise Keko, shkova pranë pasqyrës dhe i thashë vetes: “Dhe guxon dhe e quan veten grua e suksesshme”… Pastaj, para pasqyrës, m’u shfaqën të tjera gra të kohës sime, të “suksesshme”… edhe ato, ashtu më ngjanë, të vogla, të kërrusura, të tkurrura, mbështjellë me një mushama bërë prej një pëlhure, që s’mbulon dot as lëkurën… Xhanfise Keko na bëre të fshihemi pas së pasmes perde… Faleminderit Mevlan Shanaj për dhuratën e bukur “Koha e pelikulës”, që na dhuruat në prag të ndërrimit të viteve…

ANASTAS KOSTANDINI (TASO)

Urime mjeshtër Shanaj. Një memorie madhështore për një botë unike të filmit shqiptar, përmes portretit aq fisnik të regjisores Keko. E paharrueshme do të mbetet dhe përmes vështrimit tënd artistik. Imazhet ritmike të jetës së saj, nën muzikën e Moxartit, u mbyllën në hapësirën ëndërrimtare dhe magjike të liqenit lasgushian.

Please follow and like us: