Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Shira: Lufta e klasave më mohoi të drejtën e studimit

INTERVISTA/ Flet piktori Arben Shira: Lufta e klasave më mohoi të drejtën e studimit

 

 

Shkrimtari i talentuar Anastas Kondo më ndihmoi për shkollë, Tefta Cami më preu krahët

 Në moshën 10- vjeçare hapa një ekspozitë në shkollë ku midis të tjerave bëra një portret të  Skënderbeun në baltë

Albert Z. ZHOLI

Është rritur në fermën e Xhafzotaj mes  Shijakut dhe Durrësit në një ambient punëtorësh bujqësie, njerëz të punës dhe të natyrës së bukur  dhe çiltërsisë fëminore . Qysh në moshën 4-vjeç gjyshja e tij duke duke parë dëshirën e tij për të vizatuar i jepte çdo ditë letra, lapsa dhe libra për të pikturuar. Ky pasion dhe dëshirë e tij u konkretizua në moshën 10- vjeçare kur hapi një ekspozitë në shkollën e tij ku midis të tjerave dhe një portret të  Skënderbeun në baltë. Kjo ndoshta shënon dhe kurorëzimin e tij si një piktor të ardhshëm të suksesshëm.

 

Si vazhdoi më tej rruga juaj drejt pikturës?

Duke parë talentin tim prindërit e mi u interesuan shumë që unë të vazhdoja pasionin që kisha. Ata shkuan tek piktori i mirënjohur Agim Faja dhe i thanë dëshirën e tyre. Ai u tregua shumë zemërgjerë dhe më dha ndihmën e tij pa asnjë kursim. Por një  ndihë të madhe më dha regjistrimi në rrethin e pikturës në Shtëpinë e Pionierit në Durrës. Aty jepte mësim një piktor i mirë dhe i dashur Agim Shami. Vizatoja pafundësisht dhe ja bëja prezent mësuesit. Ai më bënte dhe kritika dhe më jepte kurajë. Isha marrosur pas pikturës dhe dëshira ime e vetme ishte të vazhdoja Liceun.

 

–          A u realizua ëndrra, a konkurrove për Lice?

–          Me mbarimin e klasës së tetë (ashtu ishte atëherë sistem 8-vjeçar) po përgatitesha të shkoja për konkurrim për në Lice. Sigurisht duhej një konkurrim serioz. Por ndodhi ajo që nuk pritej dhe që unë në atë moshë as nuk e doja çfarë ishte dhe as nuk e mendoja. Nuk më lanë për të konkurruar pasi njerëzit e partisë në fshat më thanë je familje e persekutuar, ke biografi të keqe,. Nuk e merrja me mend se çfarë ishin këto yçkla. Kjo më bëri që të punoj më shumë në drejtim të pikturës, të punoja më me forcë dhe pasion.  Punoja në çdo kohë, ndiqja çdo ekspozitë që hapej në zonë, shkoja nëpër studio e piktorëve të mëdhenj në Shijak dhe Durrës. Ndërkohë fillova gjimnazin e Shijakut. Nuk doja në asnjë mënyrë të hiqja dorë nga shkolla, aty shikoja të ardhmen.

Por ndërkohë a  mundoheshit të futeshit në ekspozita të ndryshme?

Po. Gjithmonë kërkoja të isha pjesë e ndonjë ekspozite pasi kisha shumë punë dhe kisha shumë eksperienca nga vizitat në ekspozita të ndryshme. Me shumë përpjekje dhe ndërhyrje mora pjesë në një ekspozitë në Durrës dhe më vonë në Tiranë, Kisha bërë një pikturë vaji portretin e një vajze punëtore  që punonte në bujqësi. Kritika e vlerësoi shumë. U ndjeva mirë. Më ishte hapur një dritare e re pasi isha në fund të gjimnazit. Këtë pikturë ma kërkoi një admirues i imi të cilën ja dhashë.

 

Po pas gjimnazit a konkurrove në akademinë e Arteve?

 

Edhe pas gjimnazit kur doja të konkurroja për në Akademi më doli sërish para problemi i biografisë. O zot! Çmenduri. Ku dija unë se çfarë sajesash ishin këto. Unë dija që kisha talent dhe pasion për pikturë dhe duhej të vazhdoja studimet e larta. Por këtë radhë babai im nuk e la me kaq. Lëvizi kudo. Shkuam në ministri të arsimit tek ministrja Tefta Cami. Shkuam disa herë. Në fund gjetëm një mbështetje nga shkrimtari i talentuar Anastas Kondo. Por edhe këtu nuk çamë dot. Dy komunistë në fshat kishin më shumë zë tek Ministrja Cami. Përsëri mërzitje por pikturën dhe librat nuk i lashë. Njëkohësisht në Durrës ndiqja dhe sportin e atletikës  me ekipin e Durrësit  Kudo që shkoja do kisha me vete librat dhe dosjen e pikturës . Sporti i atletikës më dha shumë  kënaqësi sepse më hiqte mërzitjen nga shumë problem. Isha i ri doja të studioja, Kisha ëndrra për pikturën. Edhe sporti mu kthye në hob.

Kjo do të thotë që meqenëse nuk shkove në shkollë sigurisht shkuat ushtar? Si e kujton ushtrinë e atij sistemi?

Ishte ushtri me shumë kërkesa dhe disiplinë të madhe. Por shoqëria ushtarake nuk harrohet. Edhe në ushtri pikturën nuk e ndava kurrë, përkundrazi shtova kërkesat ndaj vetes,  Me mbarimin e ushtrisë mendova të shkoj sërishmi të konkurroja në Akademi në Tiranë.  Por s’ishte e thënë.

 

-Kur dhe si emigruat në Itali?

 

Duke parë se nuk po më pranonin në shkollë vazhdoja të mbaja lidhje me piktorët por dhe duke shkuar në ekspozita. Trokitën vitet e demokracisë. Vitin 1990 e përjetova si çlirim për jetën time. Vendosa të emigroj në Itali. E bisedova me të gjithë familjen dhe vendosëm të largoheshim. Ishte vendim i mirëdiskutuar.  Sigurisht dëshira ishte të studioja për pikturë. Konkurrova dhe fitova të drejtën e studimeve në Bari në Akademinë e Arteve.  Ëndrra u realizua. Nuk e di por qaja nga gëzimi. Atë që nuk munda ta siguroj në vendin tim e sigurova në dhe të huaj. Fitore e madhe në jetën time.

A ndjetë racizëm në Itali, po mbështetje?

Në Itali gjeta mbështetës dhe afrimitet nga shumë dashamirës të artit dhe të pikturës. Mendova të hap ekspozitën e parë. E realizova në vitin 1994. Ishte një ekspozitë që tërhoqi vëmendjen e kritikës. Gazetat lokale shkruan shumë. Për këtë ekspozitë Bashkia e Qytetit  më dha medaljen “Mirënjohja e qytetit”. Rruga ime tashmë ishte hapur. Pas kësaj ekspozite kam hapur disa ekspozita vetjake dhe disa kolektive ku kam marrë shumë vlerësime dhe medalje të ndryshme.  Por jo vetëm në këtë zonë, më vonë hapa ekspozita dhe në vende të ndryshme dhe kam marrë pjesë në shumë ekspozita të përbashkëta kolektive në disa qytete të mëdha të Italisë. Kjo bëri që të njihem me shumë piktorë të shquar të Italisë me të cilët mbaj lidhje të vazhdueshme. Pyetët a kam ndjerë racizëm? Jo. Arti e përjashton këtë. Jam ndjerë mirë kudo dhe me të gjithë. Arti i bashkon njerëzit.

A mund të jetosh me pikturë me art në Itali?

Të jetosh me pikturë  pra piktura si mjet fitimi është diçka donkishoteske, sipërmarrje e çmendur për këdo në Europë dhe ndoshta unë jam një nga këta donkishotistë në këtë drejtim. Sipërmarrje e rëndë, e vështirë, por mendoj se ja kam dalë mbanë. Në shoqëritë e sotme  të një kapitalizmi konsumist dhe larg vëmendjes për vlerat. janë të rrallë piktorët që jetojnë me artin e tyre. Ajo që mund të quhet tegeti në art sot është labirint i rremë. Problemet e artit janë shumë komplekse dhe për tu analizuar tjetër herë, paçka politikave topalle kudo njeriu mundohet të shprehë artin që ka brenda .

 

 Si e kujton Shqipërinë sot nga Italia?

E kujtoj me nostalgji, pavarësisht se ai regjim më persekutoi duke lënë mënjanë anën politike them se në diktaturë ka pasur jetë të pasur artistike. Kishte shumë aktivitete.  Populli ynë është një popull artdashës duke mos qëndruar pas asnjë populli tjetër.

 

Po kur flasim për teknikat e tua në pikturë dhe preferenca sipas gjinive

Akuareli ka qenë teknika e parë në pikturë që kam praktikuar sepse s’kishte ngjyra vaji ato. Ato ishin për piktorët që shkonin në shkolle. Kur bëhet fjalë për pikurën me temë, temat e mia në pikturë janë jeta ime që kam jetuar duke u nisur nga përvoja personale .Në pikturë ka disa gjini, mund të them në katër gjini, peizazh, natyrë të qetë, kompozim dhe portret. Personalisht i kam lëvruar të katër gjinitë e pikturës, por unë kam një raport të veçantë me natyrën, pasi jam lindur dhe rritur në fshat dhe kjo ka bërë që unë ta dua natyrën. Spektakli më i bukur, shfaqja më e bukur për mua është natyra. Të shohësh natyrën, të vërtetën është fantastike. Gjithë krijimtaria ime, edhe vetë peizazhet e stilizuara që kam, janë bërë gjithmonë nga natyra, paçka se ndonjëherë vijnë të risjella ndryshe. Peizazhi, është ajo fusha, kodra, mali, me ngjyrat e jetës, që mua më ngacmojnë deri në detaj që më frymëzojnë aq mrekullisht dhe ku shpirti im e gjen kënaqësinë në hedhjen në letër, apo në beze, pra në pikturë.
Mund të them se ka afërsi shumë me peizazhin, por ka dhe ndryshimin. Njeriu ka gjithmonë një raport me objektin, ku rreth teje mund të kesh një tavolinë, një lugë, një pjatë, një lule, një karrige, një piano, një kitarë, një pjatancë, një shishe verë. Pra, ka shumë gjëra që të rrethojnë në ambientin familjar dhe njeriu ka një raport specifik me këtë ambient, me këto sende. Me thënë të drejtën të gjitha këto natyra të qeta janë pjesë e këtyre sendeve pjesë e jetës, të cilat vendosin raporte krejt të natyrshme mes tyre në jetën tonë, në ambientin tonë familjar, por dhe më gjerë.

Please follow and like us: