Albspirit

Media/News/Publishing

Virion Graçi: Vjollcë e vogël, o shpirt

 

 

Vjollcë e vogël, o shpirt, janë fjalë të Frederik Rreshpjes, është vargu i fundit i një poezie, por kam filluar ta pëshpëris si refren sa herë marr në duar librin me poezitë e tij të zgjedhura “Në vetmi”, 2004. Tani mund të flasim lirshëm për Rreshpjen. Ka pak kohë që ka shkuar te etrit e tij letrarë, Bogdani, Fishta, Mjeda, Migjeni. Ka shkuar në altarin e fjalës shqipe, atje mund t’i gjesh bashkë. “Ata enden në ajër – thotë poeti – se varret jua kanë prishur”. Edhe në rrugën e Rreshpjes, të njëjtat duar kanë prishur mjaft shenja, kanë sajuar mjaft pusira, prita, gremina.
“Po gjithmonë ka mes këngës një mesnatë si palmë/ që s’më lë të bëhem Saharë”
Një jetë e ngarkuar me vuajtje, burgje, sëmundje, varfëri. Një shpirt i kulluar derdhur në një poezi brilante, nga të rrallat në letërsinë shqipe. Ndërgjegjja e tij është ndërgjegje e origjinës, e etnisë. Provoi prangat në duar, provoi lirinë e të qënurit poet. Me pak fjalë, një jetë e shpëtuar, e zhburgosur nga magjia e flijimit artistik. Është e vështirë të shkëputësh vargje prej tij, janë të pandashme si një përshpirtje shekullore, dalë nga një shpirt i qëruar, ardhur nga purgatori i dashurisë njerëzore. Ka ndjekur lëvizjet e zogjve në qiell, është ngazëllyer e mallëngjyer për ta, ka soditur lëvizjet e fëmijëve në rrugë, është lumturuar për ta dhe është kujtuar për veten: “Pashë fëmijët në rrugë/ Të qeshur, të bukur dhe delikatë /si vazot e çmuara ku nënat fshehin ëndrrat e tyre/ Më panë dhe u trishtuan/ E kuptuan që unë nuk kam qënë kurrë fëmijë”
Përbuzës i bizneseve me vuajtjet dhe martirizimin e të tjerëve, Rreshpja nuk ka heshtur, edhe kur heshtja kish pllakosur gjithandej. E sulmonin për majtizmin e tij, ata që mburreshin dhe garantonin ardhmërinë me plagët dhe eshtrat e viktimave të tyre. Ka parë të vrarët e dy prillit në Shkodër dhe ka shkruar, si asnjë tjetër:
“Të vrarët i rreshtuan në sheshin DEMOKRACIA / mbështjellë me çarçafët e dhëndërrisë/ Po shtypi tha se zgjedhjet qenë të ndershme/ Të lira dhe korrekte/ Ashtu dhe TV-të/ Pastaj lanë gjakun/ te ullishtja me drurët e përdredhur nga dhimbja/ Eh! Ullinjtë e Shqipërisë dhe paqja juaj e mallkuar”
Pata fatin të njihesha me të, ende pa e lexuar. E shikoja me kureshtje atë burrë të zeshkët e të mplakur para kohe. Salla e lidhjes së shkrimtarëve ishte hapur më në fund dhe mirëpriste të gjitha moshat dhe speciet, sidomos pijanecët. Disa herë isha ulur, midis të tjerëve, në tavolinën e tij ku kish vetëm një tavëll cigaresh. Nuk fliste. Pasthirrma të shpeshta, aprovuese a kundërshtuese, shprehje të fytyrës, pa fjalime dhe këshilla të rastit, e çuditërisht, pa rrëfyer asnjë kujtim vetjak. “Kam hequr aq shumë në jetë – thotë një shprehje popullore në Labëri – sa vetëm varrit mund t’ia tregoj.” Po ndoshta Rreshpja nuk heshtte se priste rastin e përshtatshëm sipas shprehjes së urtë. Ndoshta e mbërthente gojëkyçur fati i të rinjve që e rrethonin me dashuri dhe respekt. Shikonte me padurim, mbase me keqardhje. I kish provuar të gjitha ëndrrat që kishin tani këta të rinj optimistë, i kish kapërcyer të gjitha netët dhe dimrat që do vijnë mbi brezat e tjerë plot ambicje dhe projekte, i kish jetuar të gjitha skëterrat sociale, të gjitha mrekullitë ideologjike… Prej këtej buronte, me siguri, heshtja e tij enigmatike por domethënëse: “Çudi me këtë pemë që furshullin me duar lakuriq/ çudi me mua që nuk të thashë lamtumirë”, – shkruan diku ai.
Arti i Rreshpjes është shenjtërues: nga shembujt e urrejtjes çnjerëzore nxjerr mësime dashurie, nga hedhurinat e zhgjënjimeve ngre në qiell iluzione të reja, të fisme. Tek “At Fishtës, i zhvarrosur, i hedhur në Drin” shkruan: “Ah, po duart e tua/ u tretën nën rrënjët e lumenjve!/ Mbi sytë e tu kaloi Drini dhe ra në det”.
Tek “Vetvetes”: “Unë kam qënë trishtimi i botës/ O ajër i mbrëmjes, mbështillmë,/ erdhi ora të vdes përsëri!” Rreshpjen e bën të barabartë me etërit e tij letrarë harmonia e rrallë dhe torturuese midis asaj që jetoi dhe asaj që shkroi. Poezia e tij i ka shtyrë në harrim dekoratat e horrave butaforikë, nga dafinat e thara të realizmit socialist deri te lëmoshat reciproke të ditëve tona. Kombinati i medaljeve dhe industria jonë e vipave (vipa pa kurrfarë pune e vepre) edhe në vitin 2005 pati mjaft prodhime, zbulime e fitues. As vjet, (2005), në prag të lamtumirës përfundimtare, Rreshpjes nuk iu dha ndonjë mirënjohje nga organet përkatëse. (Kujtojmë se përmendorja e tij poetike “Në vetmi”, u botua në vitin 2004).
“Atje larg te ishujt e kaltër / pashë portretin tënd në horizont, /ç’bën atje larg dhe pse u bëre re ?/ Unë do të mbetem në këtë tokë që quhet Shqipëri./ Atë ditë ti zbrit dhe sillmë një trëndafil prej shiu”.
Ashtu ndodhi, profecia dhe dëshira u bashkuan për poetin. Megjithatë, ajo ditë erdhi më shpejt se ç’duhej. Rreshpja iku pa thënë asnjë fjalë për veten e tij, iku me çantën që i rrëshqiste shpesh nga supi, me bastunin besnik, me kapelën dhe melankolinë karakteristike. “Na gjeti mëngjesi përsëri në rrugë, moj kapelja ime e vjetër”. Nuk di se kush shkoi ta përcillte atë ditë djalin e artë të lirikës shqipe. Di se natyra qau për të, me një shi të shtruar, të butë, përkëdhelës.

22/05/2006

 

Please follow and like us: