Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Tema e dëshpërimit në tri poezi

Poezia “O LIRI, O VDEKJE” është shkruar pak muaj përpara se Havzi Nela (1934 – 1988) të linte internimin në fshatin Arrën. Poezia flet për vetëvrasje. Sipas Kastriot Dervishit, në kërkesën e fundit për faljen e jetës, si i dënuar me varje, Havzi Nela pohon se armën e kishte pasur për vetëvrasje, të cilën do ta kryente pasi të shihte për herë të fundit nënën.
Nuk ia arriti.

Fotografia e Sadik Bejko

O LIRI, O VDEKJE

Nuk them se jam trim, jo as frikacak,
Thellë n’afshet e shpirtit më grafllon guximi;
Vdekja për liri nuk më tremb aspak,
Si e duron robninë zemra e nji trimi?

Pse or pse t’kem frikë, frikë se mos po vdes?!
Oh, çfarë marrie, ndoshta faj për mue!
T’ecësh zvarrë si krimb, t’mos jesh kurrë serbes,
Këtë s’ia fali vetes, kjo më ban me u mendue.

Pse t’më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?
Veç me përtypë bukën, me u rropatë si kalë?
Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie,
Unë skllav i bindun, tash, kur s’jam as djalë.
Deri kur durim, deri kur me shpresë?

Jo, jo, mos m’i thoni, këto fjalë nuk i due.
Me durim e shpresë nuk due të vdes.
Si jeta dhe vdekja duhen meritue.
S’meriton asnjenën kur mbetesh gur varri

Ndaj rri e mendohem jetës me i dhanë fund.
Le të kënaqet hasmi, le të qeshë i marri!
Liria më thërret, vdekja nuk më tund.

Arrën, nandor 1987

Primo Shllaku:

Havziu ishte nji njeri i revoltuem, i revoltuem simbas Camus-së, dhe jo simbas kuptimit që i japim na rëndom kësaj fjale.
Ai ishte nji njeri që mbas nji maratone burgjesh e gjeti veten tek caqet e vetes. Pra ai mbërriti te caku i vetes dhe nji nga caqet e vetes asht dëshpërimi.
Pra ai regjim na çoi edhe ne në dëshpërim dhe për dëshpërimin ku na çoi ai regjim flitet fatkeqësisht pak. Ky burrë ktu asht vërtetimi i ktij dëshpërimi.
Cili ishte pra caku i ktij njeriu? Ai nuk po e duronte veten e tij…. Nuk e duronte ma që ai të vazhdonte me shpresue e me durue dhe kjo e çoi atë deri tek kontakti miqësor me vdekjen siç edhe doli nga vargjet (….)
Pra ai u përball me sfidën ma të vjetër, ma primitive të njerëzimit, kundërvumjes jetë-vdekje.
E gjithë diktatura ishte e mbështetur tek bindja e saj se na nuk do ta duronim këtë sfidë, por do të duronim diktaturën.
Mirpo në kohën kur dëshpërimi i ktij njeriu kishte prekë caqet e vetvetes edhe vetë diktatura kishte mbërritë tek caqet e vetvetes.
Asaj po i mbaronte vojguri në kandil, po i mbaronte bateria, dhe po e shikonte që kishte mbërritë tek stadi i fundit të saj.
( Marre nga fb te faqja e Rexhep Shahut).

***

Fotografia e Sadik Bejko

Më poshtë po sjell dy poezi të miat pothuaj me këtë temë të dëshpërimit. Si duket, në këto poezi “kundërvvumja jetë dekje, sfida ma e vjetër, ma primitive e njerzimt” zgjidhet ndryshe.
Këtu më poshtë durohet diktatura… Mbase dëshpërimi nuk i kishte prekë caqet e vetvetes si te Havziu i ndjerë.
Poezitë janë nga libri “Si vdes gruri” 1994.

Ishullari

Ke pranuar shmangien, vetizolimin,
vetburgosjen ke pranuar si jetë,
je flakur diku tej gëzim-hidhërimit-
pak e hidhur kjo, por e vërtetë.

Vetizolimi sfilitës, i ankthshëm,
vetëmbyllja në rrethin ishullor,
e përditshmja shurdhëron si rëra,
pemë që zvjerdhesh nën diellin vjeshtor.

E kështu të pëlqeu ishulli yt i thatë,
ku postë s’vjen me teleks a pëllumb:
myshku, bryma mbulojnë shkëmbinjtë,
era e shiu ia behin si në askund.

Mërguar nga koha, pa kohë fare,
qesh a qan pa të përfillur njeri
s’të hyjnë në sy veshjej, krehjet, moda,
as dashnorët e filmit më të ri.

Rob i ishullit, i zëni rob i ishullit,
fitimi as dështimi më nuk të prek.
Vrapi i reve s’të njeh, ke ngrirë në gur,
fluturimi i zogjve sytë me lot s’t’i djeg.

I huaj je në dinjitetin e zhveshur,
rebel, mbase, në veçimin si mur.
Vdekje s’do të kesh, do shkrihesh si vesa,
s’do kesh varr, sipër as shenjë, a gur.

Ishulli do të mbetet, toka e çarë, gurët,
poshtë shkëmbinj, lart qiell, më tej det.
Ofshamat e tua do t’i përcjellin dallgët,
kur shtrëngatat të përplasen në breg.

HIJE APO KUFOMË

Vullneti për të kundërshtuar të kthehet mbrapsht.
Ti vetëveten merr e merr në shenjë,
të paktën, për kaq duart i ke të lira,
të paktën, për veten duart s’t’i kanë zënë.

Vullneti për të kundërshtuar të shkërmoqet.
Kjo do të thotë, s’të takon më as vetja,
do të thotë, edhe atë ta kanë marrë,
s’të ka mbetur më as jeta, as… vdekja.

Vullneti për të kundërshtuar-baraz hiç.
Kjo do të thotë se nuk jeton, por merr frymë,
brenda rrethit të zeros vërtitesh,
plas… në daç, nxirr ahe dhe shkumë.

Vullneti për të kundërshtuar s’e njeh iluzionin.
Kufomat nuk panohen në altar,
fantazma, shajni nuk qas as sundimtari,
hijet s’ kanë shpinë për samar.

Vullneti për të kundërshtuar – zjarri i fareve –
e flak tej ishullarin e autoburgut të mjerë
ai shenjoi veten, u bë dhe shuk dhhe gur,
dhe hije me mish e kocka ndër të gjallë të tjerë.

Mëshirë për atë që mori veten në shenjë,
mori shenjë e kurrë (hijen?) s’e arriti dot:
mendoi të afërmit, mendoi të tjerët,
vuajtjet nuk desh të shtohen në botë.

Në s’e faltë shekulli, le ta falë njeriu.
hijen që nuk u shit, as shiti tjetër njeri
më mirë të ish fantazmë sesa kufomë…
e përcjelltë mëshira, mos pësofshi si ai.
Prill 1990

Please follow and like us: