Albspirit

Media/News/Publishing

Arnida Çapi: Nga bojkoti në suprimim mandati, nuk janë akte politike por anarkike

 

 

Një akt politik i paprecedent ka si shkak një arsye të paprecedent.

Dorëzimi i mandatit politik i cili buron drejtpërdrejt nga qytetarët si e drejta e tyre kushtetuese për të zgjedhur dhe për të qenë të përfaqësuar, nuk është akt politik sepse nuk ka arsye politike, përkundrazi, asnjë arsye që ka të bëjë me politikën nuk i detyron këta opozitarë të dalin jashtë mandatit kushtetues. Kjo zhveshje politike në “djegje” mandatesh është antiligjore, sepse ajo është bërë për arsye jo legjitime dhe është në shpërdorim të detyrës funksionale te deputetit.

E drejta për të hequr dorë nga kjo kontratë nuk është kaq e njëanshme dhe nuk i përket vetëm palës së mandatuar, por përmban dy komponent: të drejtën për t’u zgjedhur dhe të drejtën për të zgjedhur e për t’u përfaqësuar. Nëse një parti vendos të suprimohet juridikisht, kjo nuk mund të prek në asnjë moment të drejtën e qytetarëve për t’u përfaqësuar në parlament, me apo pa sigel. Ky është pikërisht thelbi i demokracisë: jo te shumica, por te e drejta për t’u përfaqësuar e çdo qytetari dhe këtu qëndron detyrimi dhe respekti ligjor ndaj mandatit parlamentar.

Kjo është dhe arsyeja pse nga kjo situatë e paprecedent parlamenti do të dukej qesharak. Dhe sigurisht që një situatë qesharake buron nga një situatë joligjore.

Pushteti nuk është e njëjta gjë me politikën, sepse ka politikë dhe atëhere kur nuk ka pushtet dhe kjo quhet opozitë parlamentare, por kjo opozitë nëpërmjet bojkotit dhe dorëzimit të mandatit parlamentar për arsye jo legjitime ka bërë veçse apolitike. Ajo nuk po godet politikën, sepse nuk po e bën politikisht dhe as krimin, sepse nuk po e bën ligjërisht, por kërkon dhe po godet pushetin shtetëror.

Partitë politike, nga vetë kuptimi i fjalës parlament, krijohen për të shprehur e mbrojtur idetë e tyre politike nëpërmjet verbit në parlament. Aty është tempulli ligjbërës, aty ndërrohen, aty rrëzohen pushtetet në legjitimitetin funksional demokratik. Dalja institucionale dhe zhveshja politike nuk është akt politik, por akt apolitik që ka si synim veçse destabilizim shtetëror, Kjo është arsyeja e paprecedent, ndërsa shkaku vijon konstant po i njëjtë me atë të cadrës për të mos votuar reformën në drejtësi, po i njëjtë me përpjekjet për të penguar procesin e vettingut, po i njëjtë me frikën për afrimin e SPAK-ut; shkaku për destabilizim qëndron i njëjtë me frikën nga reforma në drejtësi.

Asnjë nga këto nuk do të ishte, nëse në fjalimet e protestave do të dëgjoja orator të besueshëm që ngrihen kundër rendit të pushtetit mëkatar, nëse ata që flasin vet nuk do të kishin mëkatuar.

Të humburit do të humbin dhe Reforma në Drejtësi nuk do të ndalet.

Please follow and like us: