Albspirit

Media/News/Publishing

Idriz Morina: Pse do t’i fitojë zgjedhjet Vjosa Osmani dhe pse Vetëvendosja duhet të krijojë fitoren absolute?

Fotografia e Idriz Morina

Gazetari dhe publicisti Idriz Morina me ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova

 

 

Kandidimi i Vjosa Osmanit për kryeministre, po ia del të zgjojë një pjesë të ashtuquajturve votues të fjetur, i cili është vargoi më përcaktues i vetë fatit të zgjedhjeve. Përveç këtyre Vjosa Osmani po rizgjon dhe rikthen shpresën edhe tek votuesit e tërhequr, që ishin të zhgënjyer me LDK-në, e të cilët me automatizëm mund të jenë rreth 70 mijë votues, që përbën rreth 10 % të votave të përgjithshme, krahasuar me votimet e 2017-ës.

Pritjet janë që së paku 100 mijë votues, e ndoshta deri në 200 mijë votues, të marrin pjesë më shumë në këto zgjedhje, të motivuar për të ndryshuar fatin e Kosovës.

Ky eshalon i votuesve, është i vetmi që do ta sigurojë fitoren, por këtë do ta bëjë edhe duke kompensuar votuesin, që do ta krijojnë partitë që udhëheqin me krimin e organizuar në Kosovë, nëpërmjet mashtrimeve tradicionale me punësime të jashtëligjshme dhe po me favore të tjera të paligjshme, dhe deri tek tendenca e hapur që tani, e blerjes së votave, strukturave (në parti) nga rrjetet mafioze.

Kandidimi i Vjosa Osmanit, po e rikthen shpresën tek të rinjtë, jo vetëm pse ajo i përket brezit më të ri të politikanëve (vetëm 37 vjeçare), por sepse ajo ka krijuar imazhin e njeriut, që i jep fund politikanëve të inkriminuar, nga keqqeverisja deri në vrasje! Personifikim i njeriut, që edhe pse duke u shkolluar jashtë dhe duke pasur një vend pune si ligjëruese në SHBA, ka zgjedhur atdheun vendin ku të jetojë, madje me besë e shpresë për ta ndryshuar. Pra, që përcjellë mesazhin se vendi nuk duhet braktisur me asnjë kusht apo nga çfarëdo përfitimi.

Ajo ka imazhin e njeriut, jo vetëm të thjeshtë, e modest, të intelektualit, që nuk mjaftohet me shkencën, pa u bërë mirë për të tjerët, pra që e ka ndërtuar superegon (njeriut që shkrihet për të mirën e përgjithshme, para të mirës personale apo duke i braktisur të mirat personale për të zgjidhur fatin e të tjerëve), por edhe të njeriut, që e refuzon dhe lufton botën hedoniste, imazh i politikanëve të cilin, e krijuan grupi i ashtuquajtur i komandantëve apo njerëzve të luftës. Ajo vishet thjesht, me pak para, në dimër e verë, duke ruajtur normalitetin, për dallim nga Thaçi, Veseli, Ramushi… e gratë e tyre, që vetëm rrobat kur ua sheh me sy, e kalojnë vlerën e 30 mijë eurove e ndonjëherë edhe të 50 mijëve, pa llogaritur orët e shtrenjta, që mund të shkojnë në po ato shifra e në telefonat mizorisht të shtrenjtë, mos të folim për pasuritë e tyre të pafundme, në Kosovë dhe jashtë saj, në të katër anët, nga miliona e miliona deri në miliarda.

Vjosa ka përkrahje të plotë nga SHBA-të, pasi veç tjerash e sheh si një personalitet të formuar nga kultura amerikane, ku ka kryer shkollimin pasuniversitar dhe ligjëron, ndër pak rastet e rralla, që intelektualë shqiptarë kanë rastin të ligjërojnë në SHBA e të jetojnë në Kosovë, dhe ka qenë bashkëpunuese në shumë procese ku është e përfshirë SHBA-ja, përfshirë mbrojtjen e Kosovës në GJND.

Albin Kurti duke hyrë në koalicion me Vjosën, po e heq çdo hipotekë të deritashme, që i është vënë ose ka qenë prezente, se nuk e do Amerika në pushtet. Pra, me një fjalë Albini dhe VV jo që nuk humbin asgjë nga koalicioni, por plotësohen, si lideri si partia, dhe bashkëqeverisja u shërben për të rindërtuar imazhin.

Vjosa Osmani, ka një përkrahje të gjerë tek shtetet perëndimore, miqësore ndaj Kosovës, dhe mbrojtëse të sovranitetit tonë, gjë që nuk e ka këtë reputacion Albin Kurti.

Ndërsa, koalicioni e kolapson çdo përpjekje të grupimeve kriminale brenda partive të tjera, për ta marrë pushtetin pas votimeve të 6 tetorit.

Kandidimi i Vjosa Osmanit u arrit në ditëlindjen e Shën Terezës, qëllimi dhe misioni i atyre që duan këtë koalicion është paqtimi i Kosovës nga krimi i organizuar, andaj thirrja në këtë vlerë referente si Nënë Tereza, është obligim i të dyja palëve, e cila gjë duhet ti çojë në pajtim.

Prandaj, më shumë se sa si një skenar i paracaktuar, koalicioni duhet të lidhet për hirë të qëllimit, dhe mbi të gjitha misionit, që ta mundim të keqen e futur aq thellë, sa që në terma fetare, ka marrë përmasa djallëzore. Një djallëzi që duhet ndalur më në fund.

Vetëvendosje ka bërë hapjen e saj të madhe, si asnjëherë tjetër duke thithur figura të respektuara nga shoqëria civile, si Haki Abazi, nga politika si Shpejtim Bulliqi, e deri tek intelektualë, humanist e patriotë par exelancë si prof.dr.Jahja Kokaj, që ka pasur nderin të punoj si intelektualë në NASA e DARPA, institucione dhe projekte nga më të mëdhatë në botë. Me këto po bën një ndryshim tejet pozitiv, duke e ndryshuar edhe imazhin e strukturimit të saj, duke u ripërtërirë pas goditjes që ia dha tashmë, PSD-ja, por edhe duke neutralizuar imazhin, që ia jepnin elementë të majtizmit radikal, të lidhur kryesisht me Enver Hoxhën.

Këto ndryshime do të jenë inspirim për votuesit, por edhe shpresë.

Me gjithë këto ndryshime, Vetëvendosje nuk është e sigurt se mund të dal e para, madje veçmas për shkak të ndikimit të madh të Vjosa Osmanit në votuesit e papërcaktuar, votuesin e fjetur, dhe votuesin e irrituar apo të tërhequr të LDK-së. Po ashtu Vetëvendosje, para ndarjes së saj, apo rrëmbimit të pushtetit që ia bëri Shpend Ahmeti me kompani duke krijuar PSD-në, nuk ka dhënë shembull as shpresë pozitive të qeverisjes korrekte në Prishtinë, veçmas në punësime, duke përkrahur në mënyrë kategorike vetëm njerëzit e saj, e në disa raste, madje duke diskriminuar edhe të vetët, varësisht prej ‘fuqisë’ përkrahëse që siguronte në parti konkurrenti.

Më shumë se sa një kompromis Vjosa Osmani, është figurë sintetizuese, bashkuese e fragmentimit të LDK-së, që nga ndarja e saj gjatë mandatit të Fatmir Sejdiut, plasaritjes së krijuar nga Isa Mustafa, dhe të vetë opozitarizmit në LDK të ndjekur nga Vjosa Osmani, e cila e vuri disa herë në krizë edhe vetë qeverisjen e Mustafës, për shkak të mbrojtjes së parimeve kundër politikave që zhvillonte Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Ajo pa hezitim e kundërshtoi koalicionin LDK-PDK, pastaj refuzoi me një grup solid si me Anton Qunin dhe të tjerë, zgjedhjen e Kadri Veselit kryetar Kuvendi, dhe duke krijuar një bllok gati fatalist për zgjedhjen e Hashim Thaçit president.

Osmani u bë udhëheqëse e çdo iniciative legale për të mbrojtur Kosovën nga ndarja dhe copëtimi, që aq shumë buzë greminës e pat sjellur presidenti Thaçi, dhe në rast të mos rrëzimit të tij, gjë që e krijon këtë mundësi mosbërja e këtij koalicioni, mund ta rikthejë sërish në atë rrugë procesin e ndërlikuar të përmbylljes së pavarësisë së Kosovës, që nënkupton humbjen e deri në 15 % të territorit aktual, në emër të mashtrimit për krijimin e një shteti etnik shqiptar.

Vjosa është e gatshme ta mbrojë këtë shtet, më shumë se vet Albini dhe kushdo tjetër, e motivuar dhe detyruar ndaj vetë veprës së saj, përkatësisht mbrojtjes së Kosovës në GJND, si udhëheqëse e palës së juristëve tanë, edhe pse ndihmesa Amerikane, angleze, gjermane, ka qenë vendimtare, duke mos harruar edhe rolin dinjitoz të profesorit e intelektualit brilant Qerim Qerimi.

Vjosa Osmani u bë kandidate për kryeministre me zorin më të madh për të sfiduar çfarëdo aleance apo kalkulimi që mund të krijonin grupimet tjera në LDK. Ajo u bë kandidate për të krijuar shansin e artë për koalicion me Vetëvendosjen, për të krijuar fitore absolute kundër strukturave kriminale, që nënkupton se ata zëra brenda Vetëvendosjes që e pengojnë koalicionin, janë po ata zëra që e pengonin arritjen e Vjosës tek kandidimi, pra të komanduar nga jashtë partisë nga strukturat kriminale.

Albin Kurtin e kishim për opsion për kryeministër, Vjosën nuk e kishim!

Kandidimi i Vjosës po shkakton erupsion, nga interesimi, angazhimi, që vjen si një reagim i subkoshiencës për ta luftuar të keqen. Nga Albini këtë tashmë nuk mund ta kemi sepse, ai është prej kohësh në krye të VV-së dhe nga fakti që ishte kandidat. Pra, kandidimi i tij nuk jep erupsion. Nisur nga kjo ai nuk krijon situatë të re psikologjike për rritje të për qindjes së fitores, e cila pa diskutim që arrihet edhe me Albinin, si koalicion. Por, me koalicion nuk humbë asgjë VV, pasi merr më shumë në rast se nuk do të dilte e para, në sprovën e vetmisë. Egot e atyre që sot i thonë jo koalicionit, të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe pas zgjedhjeve, vetëm se kësaj here edhe duke shantazhuar!

Pse të mos bëhet koalicioni tani, që siguron fitoren, nëse ai domosdo duhet të bëhet pas zgjedhjeve, kur tani mund të sigurohet me rotacion, dhe atëherë mund të humbet shansi i rotacionit (2+2 apo 4+4)), apo  që edhe më keq, mund ta çojë në krizë vendin, të shumëpritur nga ‘ujqit e stepës’!?

Please follow and like us: