Albspirit

Media/News/Publishing

Bedri Çoku: “SITAMARTA – HAJA” 

Image result for dyrrachium

 

Tregim sipas një gojëdhëne

Qyteti… “…shumë i madh e shumë i populluar”, Dyrrahi, jetonte ditët e tij të begatshme. Nëpër rrugët e sheshet e zbukuruara, njerëzit lëviznin lirisht; grumbulloheshin ose shpërndaheshin nën tingujt muzikor të glorisave, tibieseve, hydraulisteve etj…Kjo ndodhte, zakonisht, pas betejave të ashpra e të gjata me ushtritë detare e tokësore të Romës dhe fitoreve kundra tyre. Banorët taulantë dhe një pakicë helenësh e maqedonas, bashkëqytetarë tashmë të lidhur si mishi me thoin në zjarrin e luftës, kundra armikut të përbashkët, gëzonin frytet e fitores, lirisë e begatisë… Kudo hidhej “vallja e shpatave”…
Edhe fshatrat përreth këtij qyteti – kërthizë e Adriatikut, lulëzonin: bujqit, punëtorët dhe peshkatarët anës detit merrnin prodhime të bollshme. Midis njerëzve mbretëronte ligji i të drejtave të barabarta. Ata e donin, e respektonin njeri-tjetrin. I bindeshin rreptësisht Këshillit të Lartë të Pleqve. Të rinjtë e të rejat ndiqnin me zell mësimet dhe zanatet: djemtë, përdorimin e armëve të luftës, ndërsa vajzat punët shtëpiake… Një miqësi vëllazërore, nga gjaku i njëjtë, lidhte banorët e Dyrrahut dhe qeverinë e tij me banorët dhe arkondët e Apolonisë – asokohe qytet-shtet më i zhvilluar e i përparuar. Bënin tregti e shkëmbime kulturore-sportive midis tyre, si me asnjë vend tjetër. Banorët dyrrahnian përfitonin nga arti dhe kultura e përparuar apoloniane, ngaqë të rinjtë e të rejat e atij qyteti- shtet, sidomos bijtë arkondëve, studionin jashtë vendit, kryesisht në shkollat greke e romake. Me të drejtë rinia dyrrahniane, miqësinë me të Apolonisë e quante si një “Kurorë të bukur midis dy qyteteve”… Moda dhe muzika apoloniane hynte çdo ditë e më tepër në shpirtin e rinisë së Dyrrahut. Rrugët dhe sheshet e qytetit mbusheshin çdo mbrëmje plot me të rinj e të reja veshur me lutiklavë e pretekste të qëndisura me argjend, tamam si tebët e Apolonisë. Odeonet, vendet ku jepeshin shfaqje dhe muzikë apoloniane, mbusheshin plot me njerëz të të gjitha moshave. Ndiqnin me kënaqësi grupe të ndryshëm këngëtarësh e muzikantësh nga të gjitha trevat ilire, greke e maqedonase. Ndërsa agarajet, vendet ku zhvilloheshin ceremonitë e festave fetare e kombëtare, rrinin gjithmonë të hapura, plot me njerëz… Në stadiume, herë pas here, të rinjtë matnin aftësitë dhe forcat e tyre në lloj-lloj sportesh… Kudo lulëzonte jeta…
Mirëpo, ja që një ditë prej ditësh, në këtë qytet të bukur e madhështor, kthehet nga studimet e larta një nga bijtë e tij, pinjoll i një familjeje të shquar. E pritën me lule e këngë ku oratorët thurën frazat më të sofistikuara për njeriun e parë e të ditur të Shtetit të tyre. Ky ishte Epikadi, bir i një dëshmori të luftës… i cili… qe rritur e dukej madhështor nën atë veshje ala sokratçe! Por ajo çfarë e bëri më të bujshme kthimin në tokën amtare ishte se Epikadi solli me vete edhe një kafshëz të bukur e të çuditshme. Të gjithë u habitën me qenien e panjohur, e cila s’rrinte në një vend. E gëzuar, e hareshme, sikur t’i njihte më parë banorët e atij vendi, rendte tek të gjithë, lëpihej e përqallej me ta,duke puqur fytyrën e saj me të tyren, thua se donte t’i puthte e t’u fliste vetëm fjalë dashurie…
– Po kjo kafshëz kaq e bukur dhe e dashur, si e ka emrin, mor Epikad ? – e pyeti kryeplaku i Këshillit filozofin e ri, që ndodhej aty me kënaqësi për të pritur njeriun e dashur e të ditur të së ardhmes.
– Si-ta-marr-ta-ha, or bacë ! – iu përgjigj i ai – Është e rrallë në botë. Me origjinë Perëndie. Kush ka në vatan një të këtillë, s’njeh Vuajtje, Mjerim dhe Luftë. – E kam siguruar me sakrifica të mëdha, ore bacë. Rrezikova jetën, deri sa e bëra timen… “Do t’ia çoj popullit tim”, thashë, që të mos njohë më vuajtje dhe robëri”…
– Urraaaa! – ushtoi brohoria e qytetarëve.
– Rroftë Epikadi!… Rroftë Si ta- mar- ta-haja!
E, nga skela deri në qendër të qytetit, populli e mbajti në krahë Epikadin me Sitamartahanë e bukur e çudibërëse. Atje, pastaj, kënduan e hodhën valle rreth filozofit dhe qenies së tij të jashtëzakonshme, me origjinë Perëndie. Mirëpo, plasi sherri. Në cilën shtëpi do të qëndronte Sitamartahaja? Kujt do t’i besohej kjo qenie fatsjellëse? Sepse secili dëshironte ta rriste atë në bahçen apo kopshtin e vet… Madje pati përleshje edhe me shpata e ushta…
Kaluan ditë e javë dhe jeta në Durrahi vazhdonte e qetë, e begatë… Sitamartahaja rritej e zbukurohej përditë e më shumë…Populli i këndonte dhe i thurte vargje bukurisë e madhështisë së saj. Ajo u bë simbol i lirisë e i begatisë. Njerëzit betoheshin për kokën e Sitamartahasë. Bënin kurbane… Bebet, sapo merrnin gojë, për herë të parë belbëzonin emrin e saj,..Nëpër muret e shtëpive dhe oborreve, në dorezat e shpatave, mburojave e unazave, nëpër varëset e zbukurimet e vajzave shënohej emri : Si-ta-marr-ta-ha!… Gëzimet dhe mortet fillonin e mbaronin me lutjet e brohoritma për jetëgjatësinë e Sitamartahasë…

Edhe kur pa pritur e kujtuar, disa nga qytetarë filluan të ankoheshin për zhdukjen e djemve dhe vajzave në mënyrë misterioze, fshatarët për lopët, kujt e delet një nga një, apo tufa-tufa, po aq fshehtas sa dhe njerëzit në qytet, fatkeqit rendnin pranë Kopshtin të Bukur ku jetonte Sitamartahaja dhe binin në gjunjë. Kërkonin mëshirë… kërkonin shpëtim….luteshin e përgjëroheshin që fatkeqësia të mos ishte më e madhe…
Qenia-Perëndi, që “kuptonte” fatkeqësitë dhe hallet e njerëzve, lëpihej e përqallej me ta, thua se vërtet dëshironte të pamundurën për t’i shpëtuar nga rreziku!… Ndonëse edhe pas këtyre lutjeve dhe blatimeve djemtë dhe vajzat e qytetit, çuditërisht, zhdukeshin më shumë se më parë, madje, nganjëherë edhe ndonjë grua, që fektonte ndër shoqet për bukuri e mençuri të rrallë…
Kreu i Pleqve ra në hall. Kudo u vendosën roja dhe njerëz me detyra të posaçme për të shmangur viktimat. U ngritën edhe përforcime e prita të fshehta, por asgjë… Numri i nënave e motrave me të zeza vazhdonte të rritej përditë e më shumë… U dukën njerëz që po shisnin plaçkat e shtëpisë për të mbajtur frymën gjallë…Familje të tëra fisnikësh që po rrënoheshin… Pse po ndodhte, kështu? Ç’ishte kjo mynxyrë ? A nuk kishte forcë Perëndie, Sitamartahaja, kjo qenia e Përëndisë?… Turma njerëzish të mjeruar rrinin para saj, luteshin, kërkonin ndihmë, këndonin këngët e kompozuara për të, bënin kurbane… Ndërsa ajo qante… derdhte lot për fatkeqësitë e tyre…
Tregonin se, nga dëshpërimi, rrinte ditë të tëra pa ngrënë e pa pirë…
Kudo shiheshin rrënime, vjedhje, vrasje, plaçkitje me dhunë…njerëz që iknin nga sytë këmbët të tmerruar prej stërmundimeve…E padëgjuara ndodhte pa pritur e kujtuar, si nga një forcë e mbinatyrshme, si një mallkim – Kjo i alarmonte më shumë njerëzit, u kallte lemerinë! Ngaqë s’dinin nga t’ia mbathnin, grumbulloheshin përreth kafshës së mahnitshme dhe qeshnin e këndonin për të, lavdëronin bukurinë e mençurinë e saj, si e si, ndoshta perënditë ia kthenin fuqinë qenies së tyre… Por më kot. Çdo gjë merrte tatëpjetën me vrull…Ata që vinin nga qytetet e tjera ilire, shikonin dhe iknin të çuditur se si po shkatërrohej begatia e qytetarëve të Durrahit ; habiteshin se si këta atdhetarë të flaktë, nga varfëria dhe frika e pasigurisë, po shndërroheshin në ca varfanjakë që po vrisnin e grabisnin njeri-tjetrin, për t’i bërë ballë mjerimit…ndërkohë që këndonin e kërcenin, madje dhe argëtoheshin deri sa vdisnin më emrin e Sitamartahasë në gojë. Sa çudi !
– Po mirë, xhanëm, nuk ka dalë njeri, së paku, të thotë qoftë edhe gjysmë fjale për shkakun e kësaj kërdie ?
Pyeti një nga fylarkët e Këshillit të Qytetit të Apolonisë, emri i të cilit ishte shumë i nderuar midis ilirëve për kulturën dhe fisnikërinë e tij në atë vend. Por s’mori përgjigje. Kush t’i përgjigjej ? Si t’i përgjigjej ? Nëse dikush dinte diçka, kujt ia mbante të fliste?
Kjo ua hidhëronte zemrën patriotëve dhe luftëtarëve Ilirianë kudo që ishin teksa shikonin apo dëgjonin se si shkatërrohej jeta e vëllezërve të tyre të një gjaku, të një gjuhe, pa ditur si mund t’i ndihmonin. Po pse vallë, ashtu do të rrinin ata, duar kryq, duke parë fatkeqësin e bashkombësve? Kurrën e kurrës! Gjaku Ilirian nuk bëhet ujë. Ai, më i nderuari dhe më i pasuri i qytetarëve të Apolonisë, pruri në Dyrrahi djalin dhe vajzën e vet pasi i pajisi me armët më të sofistikuara të kohës, së bashku me disa nga trimat e përzgjedhur në qytetin e madh e të bukur dhe i la të lirë të bridhnin ditë e natë nëpër Durrahi. Tadi dhe Masila e bukur, fëmijët e arkondit të Apolonisë udhëhiqnin operacionin
S’lanë rrugicë e qoshe të fshehur pa kontrolluar. U endën edhe nëpër kodrat përreth qytetit, gjatë bregdetit, por nuk gjetën gjurmë të ndonjë qenieje të çuditshme, apo fenomeni për të zbuluar shkakun e fatkeqësisë. Askush nuk i njihte dhe cilido që i shikonte, si turistë i merrte. Motra dhe vëllai, me ushtarët trima të Apolonisë, flinin pak e lëviznin shumë. Edhe pse të uritur e të rraskapitur ata kërkonin me këmbëngulje për të gjetur shkaktarin e mjerimit të vëllezërve të tyre …Takonin prindër, vëllezër e motra, fëmijë e të afërm të të zhdukurve, por s’mësonin asgjë prej tyre. Ndonëse u vinte mirë për fatkeqit që shpresonin ende tek Sitamartahaja e adhuruar…
Një natë me shi dhe erë të ftohtë, Tadi dhe Masila, si gjithmonë mes luftëtarëve trima të Apolonisë, vendosën, më në fund, të mos largoheshin nga vendi, aty, në qendër të qytetit, pikërisht ku thuhej se ishin zhdukur djemtë e vajzat më të mirë të qytetit, me një parandjenjën të çuditshme se do t’u shfaqej ndonjë nga perënditë e Tomorit për t’u treguar shkaktarin gjëmëmadh. Dhe ashtu ndodhi…
Nga mesi i natës, ata vunë re se, drejtpërdrejtë, me sytë e ndezur nga tërbimi, e kreshpëruar nga etja për gjak e mish njeriu, vinte një qenie katërkëmbëshe, me trup luani e putra ujku. Një përbindësh i vërtetë.
– Kujdes, Masila, mbrohu!- thirri i vëllai. Futu mes trimave !
I tronditur nga ç’po i shikonin sytë, ndërkohë që kafsha i afrohej gati për t’iu hedhur në trup, thirri:
– Qenka Sitamartahaja, Masila!…Kujdes!…
– Sytë e saj lëshuakan rreze drite…të verbuakan…
– Ja, kjo qenka shkaktari i rrënimit dhe i shkatërrimit të vëllezërve tanë bërtiti Tadi. Bëhuni gati! -Dhe doli në krye të trimave – Përpara, sulmoni pa mëshirë mbi këtë kafshë të bukur që u shndërruaka në përbindësh! Masila…Urraaa!
Dhe, motër e vëlla, pas tyre dhe trimat u hodhën njëherësh mbi Si-ta-marr-ta –ha-në U përgjakëm me të deri sa e grinë, e bën copa – copa….
Pas pak, edhe shiu pushoi…
Qielli u hap…Miliarda yje shndritën kupën e paanë të gjithësisë, ndërsa motër e vëlla, dora-dorës, rendën të gëzuar drejtë bashkatdhetarëve të çliruar, tashmë, nga Sitamartaha -ja e pabesë…

Që nga ajo kohë e ndër shekuj, tregon gojëdhëna, banorët e Durrahit, nuk lejuan të hynte më në qytetin e tyre, qoftë edhe një lule e huaj, sado e thjeshtë, e bukur të ishte, pa ia mësuar origjinën me dhëmbë e dhëmballë…/Gazeta Nacional/

Please follow and like us: