Albspirit

Media/News/Publishing

Stefan Pinguli: Politikat Ekonomike në Fokusin e Biznesit (1)

Kolonat Ekonomike të Shtetit Shqiptar

Kolonat ekonomike ku shteti duhet të përqendrojë vëmendjen afatshkurtër dhe afatgjatë, mbështetur në një filozofi të qartë ekonomiko-juridike, si dhe të sektorëve shkencorë tekniko-profesionalë, janë:
karburantet, mineralet, energjia ujore, turizmi dhe bujqësia.

Te këta sektorë, sa fitimprurës aq edhe punëdhënës, nga format shtetërore piramidale të viteve të kaluara, ndeshim papërgjegjshmëri, jolegjitimitet, të prejardhura nga egoizmi dhe antidemokracia partiake, ku prevalon mungesa e plotë e transparencës financiare dhe juridike si nga pushtetet e majta dhe ato të djathta.

Le të analizojmë shkurtimisht mundësitë e shfrytëzimit të këtyre kolonave energjetike shqiptare.

KARBURANTET
– Për karburantet paraqiten këto lloj mundësish:
a) Nxjerrja e hidrokarbureve si naftë, gaz, bitum.
b) Përpunimi i hidrokarbureve të naftës në benzinë, solare, vajra lubrifikante etj.
c) Përpunimi i metodave fiskale në importet e karburanteve (naftë, gaz, solar dhe vajra).

Sot, për nxjerrjen e hidrokarbureve, nuk kemi një studim përfundimtar për rezervat, nivelet dhe gjendjen kimiko–teknike të tyre, nuk kemi gjithashtu një institut që merret me këto studime; pra na duhet një bashkim forcash shkencore dhe financiare për të vepruar sipas normativave europiane të formave të njohjes dhe përpunimit të këtij realiteti. Duke parë gjendjen e këtyre marrëdhënieve, konstatojmë se financat tona dhe sektori i punës, përfitojnë pak në këtë fushë. Mendojmë se, së paku në kuadrin administrativ-ekonomik, duhen parë ose ribërë kontratat me investitorët, nga njerëz kompetentë dhe të përkushtuar në fushën tekniko-juridiko-ekonomike. Një mundësi është rikapitalizimi i tyre si fazë e parë dhe krijimi i një tenderi strategjik, ku me anë të koncesioneve dhe jo të shitjeve, të lidhen kontrata me interes ekonomik. Nuk duhet lejuar shfrytëzimi i pjesshëm, qoftë dhe familjar, pasi, jo vetëm dëmtojnë rezervat, por sjellin dhe defekte sa ekonomike aq dhe mjedisore.

Përpunimi i hidrokarbureve, si hallkë e dytë e këtij procesi, duhet të nxisë teknicienët dhe ekonomistët, të cilët, sipas një plani të vëmendshëm ekonomiko-organizativ, të vazhdojnë procesin e përpunimit të lëndës bruto nafte, duke e çuar në dy porta, atë të konsumit vendës dhe, pse jo, edhe për eksport. Përpunimi i naftës është mbështetur në një lloj industrie që duhet studiuar dhe planifikuar për investime të mëtejshme me koncesione. Shteti ose dhe investitorë të lirë, me një kontratë inteligjente, me përfitim reciprok, të vënë në linjë përpunimin e kësaj industrie aq fitimprurëse. E njëjta gjë duhet menduar dhe vepruar dhe për nevojat e vajrave lubrifikante, për përdorim vendi ose dhe më gjerë. Rivlerësim duhet bërë dhe për gazin, shkallën e përdorimit, të shfrytëzimit dhe përpunimit të mundshëm volumetrik. Duhet t’u japim rëndësi dhe bitumeve, ku me një punë studiuese dhe planifikuese, duhet të gjejmë përgjigje pozitive për futjen e tyre në shfrytëzim si në ndërtim, ashtu dhe në energjetikë.

Në analizë duhet marrë dhe importi i karburanteve, si forma e tretë e mundësisë së riaktivizimit pozitiv të sektorit ekonomiko–fiskal, duke vënë disa norma rregulluese. Këto bëjnë që të fitohet nga fiskaliteti i produktit të importuar, dhe të përdoret me zgjuarsi ky fiskalitet duke nxitur prodhimin e brendshëm. Së pari, të bëhet diferencimi i elementeve fiskale, për të nxitur prodhimin e brendshëm; së dyti, çdo element importi i futur në linjën e prodhimit të brendshëm të zhvishet që në hyrje në doganë, nga fiskaliteti rimbursues, për të lehtësuar raportet e vështira të krijuara deri më sot në proceset e rimbursimeve dhe me politizimin e tyre. Së fundi, rritja e vëmendjes mbi këto resurse, jo vetëm do të vitalizojë financat buxhetore, por do të rritë edhe forcat e punës dhe do të përmirësojë raportet buxhetore.

MINERALET
Mineralet janë një burim mjaft i vlefshëm i të ardhurave buxhetore. Mirëmenaxhimi i tyre kërkon një rivlerësim të të gjitha studimeve të bëra deri në vitet 90 dhe rikolaudimin e tyre me interesat e rinj të investimeve dhe të tregjeve. Pas kalimit të fazës transitive të shtetit, buxheti duhet të alokojë fonde për studimin e mundësive të shfrytëzimit, pasi në shumë raste minierat janë bërë të papërdorshme. Është e domosdoshme që të hiqet dorë nga përpjekjet individuale të cilat me mundësitë minimale dhe dëshirën e madhe për të bërë tregti, jo vetëm nuk po organizojnë punën nxjerrëse (pale studiuese aspak), por po shkatërrojnë dhe mënyrën efektive të shfrytëzimit të tyre.

Në këtë fazë shteti duhet të ndërhyjë për rivlerësim dhe rikapitalizim të tyre, dhe me forcën e tij marketuese e bashkëpunuese, nëpërmjet institucioneve ndërkombëtare, të rivlerësojë shtetet me të cilat kemi bërë tregti në mënyrë tradicionale (siç janë Kina etj). Të shikohen vende si India dhe Afrika e Jugut, që mund të jenë të interesuara, duke i ftuar për investime në këta sektorë strategjikë, për të hyrë në bashkëpunim afatgjatë. Duhen riparë mundësitë për rivlerësimin e disa mineraleve që janë zhdukur nga listat e prodhimit, si xeherorët, mineralet me ngjyrë, bakri dhe boksitet, deri te qymyret, të cilat të vlerësohen në fushën e përpunimit të brendshëm si nga metalurgjia etj. Të rivlerësohet ideja e përpunimit të tyre dhe për qymyret, e pasurimit të tyre në rrugë industriale. Të bëhet dhe të përpunohen mineralet në rrugë metalurgjike; e hekurit, nikelit dhe mineraleve të rralla. Në këtë rast pse mos të studiohet ideja e përdorimit të kombinatit metalurgjik, që punon në mënyrë të pjesshme, si dhe ideja e përdorimit të qymyreve antracit duke shkuar deri te koksifikimi i tyre?

Pra, siç shihet, ka vend për të hyrë në një rrugë pak të vështirë investimesh dhe bashkëpunimesh, por që mund ta diversifikojë llojin e të marrurit me biznes. Në këtë fushë të rrisë punësimin, të ardhurat brenda vendit, si dhe të rrisë nivelin e eksporteve, të përmirësojë nivelin e import–eksportit, duke përmirësuar kështu strukturën e të ardhurave në buxhet, dhe së fundi, duke siguruar një fond buxhetor të konsiderueshëm.

HIDROENERGJIA
Kolona e tretë mbi të cilën duhet të hedhin vështrimin të ardhurat buxhetore është hidroenergjitika, ku më shumë se kurrë duhet t’i thërrasim eksperiencës shkencore–ekonomike të pluhurosur nga koha, gjithashtu duhet të heqim dorë nga metodat ekstreme të lirisë së tregut dhe të përqendrohemi në dy aspekte:
• Në rivlerësimin e kaskadave hidroenergjetike ujore të lumenjve, nga Drini deri te Vjosa, nga pikëpamja elektrike dhe shfrytëzimi i ujërave për shërbime komunale, si ujitjet bujqësore, përdorimi i ujit të pijshëm. Shfrytëzimi, mundësisht, për turizëm dhe peshkim i baseneve ujëmbledhëse është në vetvete një mundësi e madhe ekonomike e pashfrytëzuar mirë. I njëjti rivlerësim duhet bërë dhe për minikaskadat e përrenjve dhe të lumenjve të vegjël, të cilët kanë prurje të qëndrueshme dhe prevalence të shfytëzueshme të potencialit ujor.
• Duhet të marrin pjesë të gjithë faktorët e mundshëm, objektivë dhe subjektivë për një studim të thellë ekonomiko–teknikë me institucione të specializuara, gjithashtu të nxiten investitorë vendës dhe të huaj për investime të tipit blerje pronësie ose me koncesione. Të para në aspektin ekonomik dhe strategjik, këto investime, në fakt, janë burime financiare buxhetore, që rrisin pavarësinë për energji elektrike, përmirësojnë strukturën buxhetore import–eksport, krijojnë mundësi të mëdha për shërbime publike, krijojnë kushte për zhvillimin e turizmit, u japin vlerë tregtare zonave malore e kodrinore, rivlerësojnë zonat arkeologjike rreth baseneve ujore dhe zhvillojnë transportin ujor në mes të kaskadave ujëmbajtëse.

 

*President i Akademisë “Rrënjët Tona”

Please follow and like us: