Mehmet Kraja: Identiteti kosovar
MEHMET KRAJA: IDENTITETI KOSOVAR
(Publicistikë)
PEN Qendra e Kosovës
Prishtinë, 2011
Redaktor: Ali Podrimja
Përgatitja grafike: Valon Fetahu
Copyright (©) Mehmet Kraja
Pen Qendra e Kosovës, Prishtinë
Botimin e ndihmuan: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Kosovës dhe Departamenti për Arsim dhe Kulturë i Komunës së Prishtinës.
—————
Libri “Identiteti kosovar” u shkrua dy-tri vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në kohën kur në opinionin shqiptar u shtruan për diskutim disa çështje të patrajtuara më parë, si çështja e kombit, e shtetit, e raporteve historike Kosovë-Shqipëri dhe e perspektivave të zhvillimeve të ardhshme politike në botën shqiptare. Në dukje të parë ishte ky një rast i mirë të trajtoheshin një sërë temash të pashqyrtuara më parë, mirëpo diskutimi nuk mori atë rrjedhë dhe më shumë u përdor si shkas për të aktualizuar disa dilema të paqena, me synimin që shqyrtimet e këtilla ta nxirrnin Kosovën si amalgamë politike të paqëndrueshme, me një identitet të luhatshëm, e cila pak nga pak do të shkërmoqej nën trysninë e zhvillimeve rajonale dhe në procesin dinamik të integrimeve evropiane.
—————
PARAFJALË
Në ditët kur u soll nga Tirana dhe u vendos në qendër të Prishtinës shtatorja e Skënderbeut, ende pa u fashitur entuziazmi i kosovarëve, një historian zviceran-austriak tha se ardhja e Skënderbeut në Kosovë ishte një gjest i pastër politik dhe nuk kishte të bënte fare me historinë e kësaj pjese të botës shqiptare. Sipas tij, ky ishte një lloj përvetësimi i një simboli, ose një zhvendosje krejtësisht artificiale e një miti historik nga një hapësirë në tjetrën, sepse Kosovën, sipas tij, nuk e lidhte asgjë me Skënderbeun, as origjina, as bëmat, as luftërat, pra asgjë.
Në të vërtetë, atë ditë që u soll në Prishtinë shtatorja e Skënderbeut, ndërsa i shihje kosovarët që u ngritën i madh e i vogël dhe u dyndën ta shoqëronin Heroin Kombëtar në krejt rrugëtimin e tij, nuk kishe si të mos mendoje se në këtë entuziazëm, në këtë eufori masash kishte diçka irracionale, që nuk shpjegohet lehtë me parametra empirikë. Këto parametra bien ndesh me “anën e errët”, të pazbuluar dhe të pashpjegueshme të shpirtit, të frymës, të besimit dhe të një mori përbërësish gati mitologjikë të identitetit. Teoritë mbi kombin dhe identitetin ngatërrohen pikërisht në këtë pikë, në përpjekjen gati të dëshpëruar për të shpjeguar të pashpjegueshmen, nga se kombi dhe identiteti vazhdojnë të qëndrojnë diku në zonën asnjënëse, ndërmjet botës materiale dhe jomateriale, ndërmjet racionales dhe irracionales.
Por, derisa këto teori vazhdojnë të mbushin faqe librash, gazetash e revistash dhe derisa shumë njerëzish të planetit sakrifikojnë rehatinë mendore për të gjetur shpjegime të mbështetura dhe të pranueshme, një shumicë kosovarësh merrte fëmijët e vegjël në krah dhe, me fytyra të qeshura, bënte fotografi para shtatores së Skënderbeut në qendër të Prishtinës. Ndonëse isha i vetëdijshëm se një situatë e këtillë kishte shpjegime kryesisht të pafavorshme për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi (popull i vonuar, ringjallje e miteve të mesjetës, eufori nacional-romantike etj.), edhe përkundër të gjithave, ato ditë ndihesha disi i përplotësuar, sikur me magji kisha arritur gati të pamundshmen: paqen me veten dhe me të tjerët.
Pra, kisha rënë në grackën e njëjtësimit me turmën, situatë kjo që në përgjithësi përçmohet nga njerëzit që vërtiten në botën e mendimit dhe ideve. Nuk e mohoj, ndoshta do të më kishte hije më shumë një qëndrim disi i rezervuar, në të cilin do të përzihej pak skepticizëm dhe pak modernitet, pak pozë dhe pak mendjemadhësi. Madje, nëse jo publikisht, me vete mund të thosha: Ç’na duhet tani Skënderbeu me shpatë dhe me kalë në mes të Prishtinës? Kujt i shërben ai? Çfarë mesazhesh përcjell ai në fillim të shekullit XXI? Ç’janë këto hije të mesjetës që ende na sillën mbi kokë? Këto pyetje nuk i bëra atëherë dhe nuk i bëj as tani, së paku jo në kontekst të Skënderbeut, vetëm se thënia e historianit zviceran-austriak se Kosovën nuk e lidh asgjë me Gjergj Kastriotin, m’u ngulit në tru dhe më mbeti në mendje për një kohë më të gjatë.
Në të vërtetë, për të dhënë një shpjegim sadopak të vlefshëm, gjërat nuk do parë vetëm në anën e tyre të errët dhe të shëmtuar. Prapavija e thënies së historianit të huaj mund të kishte disa kuptime.
E para, se Kosova, duke u bërë shtet më vete, duhet të bëhet edhe komb më vete, jo sipas kuptimit tradicional, por atij modern dhe, që të bëhet komb, duhet të ketë historinë e saj, simbolet e saj, mitet e saj, gjuhën e saj, pra një identitet të mëvetësishëm, që e dallon nga të tjerët.
E dyta, se Kosova është bërë ose mund të bëhet shtet me vendim politik në rrethana të caktuara dhe se ajo nuk ka bazë historike që të jetë e tillë.
E treta, se Kosova, në mungesë të një identiteti, nuk mund të jetë shtet i qëndrueshëm, por duhet t’i bashkëngjitet ose Shqipërisë, ose Serbisë. Se këtu nuk kemi të bëjmë me hamendësime të thjeshta, do ta dëshmojnë zhvillimet që erdhën pastaj, ndërkohë që mitologjia mesjetare, me krejt arsenalin e saj, do të vazhdojë t’i sillet Kosovës përreth si një kope ujqish, duke rrezikuar ta shqyejnë të tërën ose ndonjë pjesë të saj.
Nuk e kisha menduar se, në njëfarë mënyre, kështu do të fillonte te ne diskutimi për identitetin, me një transport të një shtatoreje prej bronzi, e cila në pikëpamje artistike kishte mangësitë e saj, ndërsa në pikëpamje të simbolikës, në vitin 2000, për shqiptarët merrte kuptime të shumta. Kuptimi më i drejtpërdrejtë dhe më i qartë ishte një: Kosova përfundimisht ishte çliruar nga Serbia. Kuptime të tërthorta kishte shumë. Kosova kishte dalë nga një luftë e gjatë, ajo kishte shumë plagë, kishte shumë dhembje, por kishte edhe krenari dhe dinjitet. Ndonjë gjë krejt e saktë për të ardhmen e saj ndoshta nuk mund të thuhej, por çdokush e dinte se ajo kurrë më nuk do të kthehej atje ku kishte qenë një herë. Përveç kësaj, dilemat dhe paqartësitë mund të ishin të shumëllojshme, mirëpo në pikëpamje të identitetit ajo kurrë më nuk do të shfaqej e dyzuar. Ishte pikërisht siguria e identitetit shqiptar ajo që e kishte bërë Kosovën të qëndrueshme dhe krejt të veçantë në historinë e saj. Me një fjalë, po të kishte dilema dhe paqartësi rreth kësaj çështjeje, Kosova nuk do ta kishte këtë histori. Po të ishte e luhatshme rreth këtij identiteti, Kosova mund të merrte secilën kthesë përgjatë historisë, por më së paku do të kishte gjasë të merrte këtë që mori. Fundja, ç’mund të ishte Kosova pa identitetin e saj shqiptar, në fund të një lufte planetare për të drejtat e saj, një luftë që nuk do të ketë shembull të ngjashëm në krejt historinë e përbotshme…?
Pra, pyetjet nuk ishin retorike dhe dilemat nuk mund të quhen artificiale. Sepse, si mund të ndodhte që Kosova rishtas të përballej me problemet e identitetit, në fund të një epoke dhe të një mijëvjeçari dhe në fillim të një epoke të re dhe të një mijëvjeçari të ri, pas ngjarjesh që morën simbolikë universale, të cilat e vunë këtë vend të vogël në maje të botës? A mund të thuhet, pra, se kjo situatë rreth Kosovës u shpik për arsye politike, të cilat erdhën si pasojë e ndërhyrjes ndërkombëtare “në çështjen e saj”, apo kishte diçka që ishte mbajtur e fjetur për një kohë më të gjatë, ndërsa tani ishin krijuar rrethanat që të dilte në sipërfaqe? Dhe, përse çështja e parë identitare që shtrohej kishte të bënte pikërisht me Skënderbeun, Heroin Kombëtar, të cilin Kosova e kishte pranuar si simbol shumë kohë përpara se shtatorja e tij të vinte në Prishtinë…?
Përse, pra, Skënderbeu duhej të ishte kontestimi i parë rreth identitetit të Kosovës? Natyrisht, ky ishte një kontestim ndryshe, që nuk vinte nga matanë, nga Serbia apo nga provenienca e saj shkencore ose pseudoshkencore. Ky kontestim dukej sikur vinte nga brenda, nga një shqetësim disi legjitim i njerëzve, të cilët tani, pa ngarkesën e Serbisë dhe të historicizmit mitologjik, kërkonin shpjegime të arsyeshme për të gjitha çështjet e mbetura pezull. Shqiptarët në përgjithësi, por Kosova në mënyrë të veçantë, kishin kaluar periudha të vështira, përgjatë të cilave nuk kishin pasur aq komoditet dhe as qetësi elementare për t’i shqyrtuar një sërë problemesh. Tani që historia kishte krijuar qartësi, kishte krijuar rrethana më të favorshme dhe tani që e nesërmja mund të kërkonte përgjigje më eksplicite për shumë çështje të mbetura pa shpjegim adekuat, ishte krejt e natyrshme që këto shpjegime të kërkoheshin pa paragjykime.
Por, më anë tjetër, Kosova kishte një situatë krejtësisht të paqartë rreth statusit politik dhe administrimi i saj ndërkombëtar kishte prodhuar kriza të njëpasnjëshme. Gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme supozonte pavarësinë, ose ndonjë modalitet që mund të ishte i afërt me të, gjë që një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare e refuzonte me këmbëngulje. Ngjarjet e marsit të vitit 2004, ndër të tjera, kishin bërë të qartë se Kosova, e tillë siç ishte, me status të pazgjidhur dhe me një të ardhme të mjegullt mund të prodhonte kriza serike, pafundësisht.
Me një fjalë, bota kishte ndërhyrë në Kosovë në vitin 1999 dhe tani çështjen e kishte lënë disi “ad acta”, madje ishte gati ta harronte diku, të arkivuar në dosjet gjigante dhe konfuze të OKB-së. Afate eksplicite për zgjidhjen e statusit të Kosovës nuk kishte pasur, por edhe një i tillë që ishte përmendur shkarazi në dokumentin e Rambujesë dhe në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së nuk obligonte askënd. Duket se në këtë meskohë, e nxitur nga urgjenca për t’i dhënë një zgjidhje çështjes së Kosovës, duhet të ketë lindur edhe ideja e diskutimit të identitetit kosovar, pra, në përgjithësi, në një situatë krize për Kosovën dhe me imponime të fuqishme politike nga faktorët vendimmarrës. Po të ishte se Kosova vetë do të kishte nevojë ta hapte këtë çështje, gjërat do të shkonin sipas një radhe tjetër: së pari do të zgjidheshin urgjencat politike, pastaj do të krijohej një atmosferë qetësie dhe i fundit do të vinte debati për çështjet e identitetit.
Megjithatë, me ose pa vullnetin e kosovarëve, me ose pa dëshirën e tyre, çështja e identitetit kosovar u hap, në fillim si e imponuar, me paraqitje publike shpesh skandaloze dhe pa etikë të debatit publik, pastaj sikur u harrua dhe u la në heshtje, herë pas here u rishfaq, diku si primitivizëm agresiv, diku edhe si frymë qytetare, e denjë që të respektohet si mendim alternativ, ndonjëherë edhe si kundërvënie identitetit shqiptar. Pavarësisht se nga kush u imponua fillimisht; pavarësisht se si u zhvillua ky debat në ambientin kosovar; pavarësisht se ndonjëherë debati mori konotacion të zhveshur politik dhe herë të tjera konotacion kulturor, gjuhësor, medial etj., e vërteta është se njëlloj debati tashmë ekziston brenda vetë shoqërisë kosovare, ndonjëherë i mbyllur, ndonjëherë i hapur, në familje, në medie, në rrethe shoqërore, në ambiente kulturore, më shpesh si refuzim i vetë debatit për identitetin kosovar se sa si analizë e qëndrueshme.
Mënyra jokompetente dhe agresiviteti me të cilin është diskutuar në fillim kjo çështje, shumë njerëz i ka bërë nevrikë, madje refuzues që ta pranojnë vetë debatin për identitetin, e jo më ta konsiderojnë si të mundshëm një identitet të mëvetësishëm kosovar. Ishte një shërbim i keq që iu bë trajtimit serioz dhe të matur të një çështjeje shumë të rëndësishme, e para, për shkak se vetë çështjet e identitetit janë të tilla, që nuk përjashtojnë askënd nga diskutimi; dhe, e dyta, për shkak se që në fillim ishte krijuar përshtypja se në debatin për këtë problem ishin përzier edhe sponsorë të dyshimtë. Jo pse ndaj këtyre sponsorëve ekziston ndonjë kompleks recidivist, por thjeshtë për faktin se gjatë dhjetë viteve të shkuara në Kosovë po këta sponsorë më së shumti para kishin dhënë për projektet që e çonin Kosovën në drejtim të Beogradit.
Pikërisht, në sensin e promovimit të ideve identitare, sekush nga të huajt e pa të dobishme për demokratizimin e shoqërisë kosovare, për tolerancën ndëretnike etj., ndarjen e Kosovës nga trungu i vjetër shqiptar dhe vendosjen e saj në një zonë të ndërmjetme, në një zonë pa gravitet. Sipas tyre, ky ishte kompromisi që duhej të bënin kosovarët, për të fituar të drejtën e shtetit. Në një mënyrë, kjo edhe ndodhi. Është e vërtetë se kosovarët kanë qenë në gjendje të bëjnë shumë kompromise për shtetin dhe pavarësinë, por ata edhe përgjatë historisë më të re kanë ditur dhe kanë mundur të jetojnë pa shtet, por asnjëherë pa identitet. Prandaj, beteja kosovare për identitetin sa ka konotacion historik që lidhet me të shkuarën, po aq ka edhe konotacion politik, që lidhet me të tashmen dhe me të ardhmen e Kosovës. Beteja sapo ka filluar dhe fundi nuk shihet krejt i qartë.
Ndërkohë, debati për identitetin kosovar do të vazhdojë, një debat që nuk do të duhej të ishte pronë intelektuale e asnjë grupi njerëzish dhe asnjë provenience politike ose kulturore. Ai mund të përfshijë shtresa të gjera të shoqërisë kosovare dhe të shtrihet edhe në diakroni, deri në skutat më të errëta të historisë. Debati nuk mund të përqendrohet në një çështje të vetme, sepse çështjet identitare implikojnë edhe politikën edhe politikëbërjen, edhe historinë edhe historiografinë, sikundër që implikojnë edhe kulturën dhe fushat e ndryshme të krijimtarisë, gjuhën, artin, letërsinë, të gjitha pa përjashtim.
http://www.mehmetkraja.com/wp-content/uploads/2020/06/Mehmet-Kraja_IDENTITETI-KOSOVAR1.pdf