Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmet Kraja: Identiteti kosovar (16)

KOSOVARIZMA KUNDREJT SHQIPTARIZMËS

 

Luhatjet identitare

 

Pikërisht, në fazën e përmbylljes së kompromiseve për pavarësi, u hodhën në qarkullim edhe idetë për identitetin kosovar, identitet ky që duhej të ‘mbulonte’ jo pavarësinë si zgjidhje të çështjes së Kosovës, por lëndimet që iu shkaktuan kësaj pavarësie. Pra, identiteti kosovar nuk u shfaq si imanencë e pavarësisë, por si surrogat i saj, ose, thënë më mirë, si argument për të minimizuar dështimet evidente. Nëse opsioni i shtetit të Kosovës ishte projekt ndërkombëtar dhe fuqitë vendimmarrëse nuk deshën që Kosova t’i bashkohej Shqipërisë për shkaqe që tashmë i kemi të njohura, atëherë ishte krejt logjike që Kosova do të bëhej shteti i dytë shqiptar në Ballkan. Çdo gjë që ndodhi pastaj, u bë për të minimizuar këtë fakt, ose, thënë më mirë, për ta degraduar këtë arritje historike të shqiptarëve. Dikush thotë se kjo u bë për shkak të koncesioneve ndaj Serbisë dhe Rusisë, dikush tjetër për shkak të mospajtimeve SHBA-BE. Ç’rëndësi ka kjo për ne? Me rëndësi është fakti i bërjes së Kosovës një shtet që nuk mund të funksionojë, sepse një Kosovë me jo plot njëmbëdhjetë mijë kilometër katrorë, e përkufizuar si shtet multuetnik, e lidhur fort përms komunave serbe me Serbinë, me një konflikt të ngrirë në veri (i lënë qëllimisht si i tillë), me mungesë të theksuar të traditës shtetërore, me potencial të papërfillshëm ekonomik, me konflikte të brendshme politike të trashëguara, e gjendur në një udhëkryq rrugësh për trafiqe e kontrabandë, e përqeshur dhe e tallur nga bashkësia ndërkombëtare, e refuzuar me arrogancë nga Europa e vjetër, me një klasë politikanësh të papërgjegjshëm, pra, ç’mund të paraqesë një Kosovë e këtillë kundruall Serbisë, e gatshme në çdo kohë për ta shantazhuar deri në pafund?

Të gjithë këta faktorë të rëndësishëm për mbijetesën e Kosovës do të ishin periferikë kundruall luhatjeve të identitetit, të cilat u imponuan pikërisht me idenë se projekti duhej të çohej deri në fund. Dikush e perceptoi pavarësinë si projekt ideal dhe çështjen identitare e konsideroi ndihmë për ta arritur sa më lehtë këtë idealitet. Por, në të vërtetë, shpejt do të vërehet se çështjet e identitetit nuk u hapën për idealizëm të atyre që u mrekulluan me pavarësinë, por për ta bërë më të lehtë shkërmoqjen e Kosovës, ose pamundësinë e bërjes së saj. E zëmë se ky është konspiracion dhe se buron nga një paranojë kolektive ose individuale e shqiptarëve të Kosovës nga Serbia. Atëherë le të themi pak më ndryshe, se “gota nuk është gjysmë e zbrazët, por është përgjysmë plot” dhe këtë “prirje mohuese” le ta kthejmë në “mendim pozitiv”. Në një rrethanë të këtillë, identiteti i rikompozuar kosovar do të ishte i vetmi garantues se Kosova e pavarur, se shteti i Kosovës nuk është zgjidhje kalimtare, por një zgjidhje e qëndrueshme, pra e përhershme. Kjo është ajo pika më e ndjeshme, aty ku Kosova reale, Kosova e sotme ballafaqohet jo më me historinë, me të shkuarën e saj iluzioniste, por me të sotmen dhe me të ardhmen. Një identitet i ndarë i Kosovës, një identitet i ribërë i Kosovës, për çfarëdo qëllimi dhe për çfarëdo motivi, mund të zëvendësojë mijëra trupa të NATO-s, për ta mbajtur Kosovën larg Shqipërisë. Një identitet i ribërë i Kosovës është e vetmja garanci se Kosova do të ketë një pozicion të ndërmjetëm, një pozitë neutral ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë.

Thënë me një fjalë, shikuar nga ky kontekst, identiteti kosovar ishte një urgjencë politike, që nuk ka asgjë të përbashkët as me historinë dhe as me teoritë për kombe të reja dhe gjepura të kësaj natyre. Bashkësisë ndërkombëtare vendimmarrëse, veçmas Europës së vjetër, i duhet qëndrueshmëria në rajon, përmes ruajtjes së baraspeshës. Shteti i Kosovës është faktor i rëndësishëm në këtë qëndrueshmëri dhe vetë ky shtet e ruan këtë qëndrueshmëri nëse në betejën ndërmjet integralizmit dhe indipedentizmit fiton ideja e indipedentizmit. Identiteti i ribërë i Kosovës, përfshirë këtu edhe bërjen eventuale të kombit kosovar, nuk është indipedentizëm vetëm si i tillë, por është një instrument në funksion të indipedentizmit dhe, në të njëjtën kohë, instrument kundër integralizmit shqiptar. Argumentet historike këtu nuk hyjnë në punë, ose, thënë më mirë, shpesh keqpërdoren ose deformohen, vetëm sa për ta përligjur pragmatizmin politik.

Ta zëmë, askund nuk gjen bazë historike bërja e kombit kosovar, sepse, sikundër e kemi thënë, Kosova ka marrë pjesë aktive në të gjitha ngjarjet që e kanë bërë kombin shqiptar, duke filluar nga Lidhja e Prizrenit e deri te shpallja e pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë proces, por edhe në zhvillimet e mëvonshme, Kosova nuk ka mundur të veprojë e ndarë, që domethënë se nuk është diferencuar në asnjë pikëpamje nga pjesa tjetër e kombit. Edhe potenciali i saj ka qenë i vogël për të bërë një diferencim të tillë. Më anë tjetër, krejt procesi historik i ndërtimit të identitetit të saj shqiptar është zhvilluar në një varshmëri të thellë nga Shqipëria dhe nga idetë integraliste që vinin andej. Vetë bërja e Kosovës së pavarur, e Kosovës së lirë nga Serbia, është rezultat i drejtpërdrejtë i identitetit të saj të fuqishëm shqiptar. Kosova nuk do të bënte luftë, po të mos ishte shqiptare. Në luftën e fundit, por edhe më herët, askush në Kosovë nuk do të vritej me idenë e kosovarizmës. Të gjithë ranë dhe u sakrifikuan me idenë e shqiptarizmës.

Të gjitha këto janë të njohura dhe të ditura, pavarësisht nëse thuhen ose jo, pavarësisht nëse theksohen ose jo. Ajo që nuk thuhet, ka qenë dhe vazhdon të mbetet një kapje peng e shqiptarëve të Kosovës ndërmjet shumë pamundësive. Ata e deshën Kosovën të bashkuar me Shqipërinë, por nuk e bënë dot. E supozojmë se, në pamundësi për ta bërë siç e deshën në fillim, ata e deshën edhe shtetin e Kosovës. Por prapë ata u ballafaquan me pamundësinë e bërjes së tij. Gënjejnë ata që thonë se Kosova e do flamurin e saj dhe nuk e do flamurin kombëtar. Flamuri i Kosovës dhe simbolet e tjera të saj, janë pamundësia e afishuar e Kosovës për t’i çuar zhvillimet politike në drejtimin që ajo e dëshironte. Pra, sipas kësaj ideje del se pavarësia është limiti maksimal i Kosovës, deri ku ajo, me ndihmën e aleatëve dhe të interesuarve të tjerë mund të arrinte, por më tej nuk bënte dot asnjë hap. Mbase pavarësia po, por jo çfarëdo pavarësie; mbase një flamur dhe himn më vete po, por jo çfarëdo himni dhe flamuri. Mbase shtet i qytetarëve të barabartë po, por jo shtet multietnik. Mbase shtet i varur nga bashkësia ndërkombëtare po, siç janë të varur shumica e shteteve në botën e sotme, por jo një varshmëri e tillë, që e bën një gjuhë të huaj gjuhë supreme, me të cilën duhet të matet saktësia e secilit kuptim. Mbase po një shtet që do të kishte marrëdhënie të mira me Serbinë, por jo duke ia detashuar Serbisë deri edhe të drejtën për ta shantazhuar shtetin dhe për ta rrënuar atë.

Pra, suaza reale e bërjes së Kosovës nuk ka qenë kjo. Suaza reale e bërjes së saj ka qenë më e avancuar, përfshirë edhe kompromiset e domosdoshme me faktorët vendimmarrës. Pakoja e Ahtisaarit në shumë pika ka mundur të korrigjohet, sikur faktori politik i Kosovës të ishte më konsistent. Decentralizimi do të bëhej, por jo duke iu dhënë status të veçantë edhe një fshati të Rahovecit me 500 banorë serbë. Flamuri ka mundur të bëhet më mirë, duke respektuar edhe veçantinë e Kosovës, por edhe identitetin e saj themelor. Himni gjithashtu. Kushtetuta e Kosovës ka mundur të bëhet më e mirë, nga kjo që është tani, një tekst evaziv, me dualizma dhe me zgjidhje që paragjykojnë sovranitetin e luhatshëm. Të gjitha këto së bashku nuk do të nxirrnin në sipërfaqe kërkesën rrënimtare për identitet të ri të Kosovës, për komb kosovar dhe ngatërresa të tilla, duke bërë që ky identitet i ri dhe ky komb kosovar të bëhet alibi për projekte shkatërruese, ose strehë për profiterët me emblemën e BE-së; për spiunët e Serbisë, të hershëm dhe të vonë; për nostalgjikët jugosllavë dhe trashëgimtarët e tyre biologjikë dhe botëkuptimorë; për kontrabandistët dhe trafikantët e të gjitha mallrave dhe të gjitha vlerave; pra, për gjithë këtë shumësi horrash, që tashmë kanë zënë vend dhe përbëjnë hierarkinë shoqërore në hapësirën e ngushtë të Kosovës.

 

Braktisja e idealeve

 

Natyrisht, do të ishte tepër e pandershme nëse nga synimi për të bërë identitetin kosovar hiqet pjesëmarrja e idealistëve, të cilët, për shkaqe dhe arsye krejtësisht të ndryshme, mund të krijohet përshtypja e gabuar se qëndrojnë në të njëjtën radhë me përfituesit e pavarësisë, të shtetit të Kosovës dhe të identitetit të mëvetësishëm kosovar, apo me proserbët ende të fshehtë ose me nostalgjikët jugosllavë gjithnjë e më të zëshëm. Është paradoksale që të tri këto kategori njerëzish në Kosovë, për shkaqe rrethanash, të gjenden në të njëjtën radhë, tashmë jo si indipedentistë të njëmendët (sepse të tillë ka më shumë), pra që i lidh ideja e përbashkët e pavarësisë së Kosovës, por më shumë si kujdestarë shpirtërorë të kësaj pavarësie. Nuk do mend, si çdoherë tjetër, idealistët janë krijesat më fatkëqija dhe tragjikët më të mëdhenj të këtij procesi të ngatërruar dhe kontradiktor. Ata vërtet e shohin ëndërr Kosovën si shtet europian, të zhvilluar ekonomikisht, me institucione demokratike, me liri dhe të drejta të njeriut, me barazi të qytetarëve, me një sundim shembullor të rendit dhe ligjit, pra një shtet ideal, që ta mbush kraharorin me ëndje, teksa e mendon.

Unë nuk them se nuk ka idealistë të këtillë dhe nuk them se në Kosovë nuk ka njerëz që besojnë sinqerisht në këto ideale. Por një pjesë e tyre, pjesa më e madhe, nuk janë krejt naivë, si të gjithë idealistët, ngase të angazhohesh për një Kosovë të tillë në rrethanat e tanishme nuk është se nuk shpaguhet. Madje, ky idealizëm ndonjëherë mund të konvertohet shumë shpejt në fonde të vjela nga BE-ja, nga Komisioni Europian ose nga dikush i ngjashëm me të. Por edhe përtej këtij idealizmi që shpaguhet, duhet besuar se ka idealistë të njëmendët, të cilët bërjen e Kosovës europiane e ndjejnë si imanencë të qenësishme, pra as gënjeshtër, as pozë, as përfitim, por ideal të njëmendët. Sado që është e tymtë, një ëndërr të tillë duhet respektuar, sepse e drejta për të ëndërruar idealën, e drejta për të synuar idealën, e drejta për të pasur qëllim idealën nuk mund t’i mohohet askujt. Madje është e këndshme dhe të bën të ndjehesh mirë, kur e di se ky idealitet lidhet me Kosovë, me ëndrrën tonë të gjithmonshme, njësoj sikundër që duhet besuar se nuk mund të ketë ndodhur që Kosovën ta ketë braktisur përfundimisht krejt soji njerëzor i idealistëve, sepse bërja e saj, që nga mbijetesa e deri te zgjidhja e fundit politike, qoftë ose jo përfundimtare, iu referohet pikërisht idealistëve. Situatën do të duhej konsideruar si një qëndrim pezull, si një ngecje të përkohshme, si një hutim të shqiptarëve të Kosovës pas mrekullisë së lirisë, e cila sikur ende i mban ata në një ëndërr të stërzgjatur, ose më keq se kaq, një mrekulli që ua ka nxitur pasionet dhe ua ka zhbërë racionalitetin.

Thënë me një fjalë, nuk duhet mohuar se idealistët, sado të paktë që mund të jenë, mund ta kenë menduar bërjen e identitetit kosovar si një rrugë që më shpejt dhe më lehtë e çon Kosovën drejt integrimeve europiane, drejt pranimit dhe faktorizimit të saj ndërkombëtar, sepse, sipas bindjes së tyre, një ndarje identitare e Kosovës nga pjesa tjetër e botës shqiptare, duke pasur edhe mbështetjen e disa fuqive vendimmarrëse, heq përfundimisht embargon mbi shqiptarët si potencial rrënimtar ose plangprishës në Ballkan dhe krijon pozicion të përshtatshëm të Kosovës për integrim të suksesshëm. Sepse, sipas bindjes së tyre, një Kosovë me identitet të diferencuar i tejkalon lehtë pengesat e trashëguara, heq dyshimet rreth fantazmës së “Shqipërisë së Madhe” dhe bëhet më e akceptueshme, madje më e përshtatshme për Serbinë e frustruar dhe aleatët e saj. Thënë ndryshe, bëhet fjalë për një opsion zbutës për Kosovën dhe shqiptarët nacionalistë, të cilët, të bashkuar ose të integruar ndërvetshëm, i frikësuakan fqinjët e tyre dhe Europën që i mbështet ata. Ky integrim i ndërvetshëm i shqiptarëve veçmas paraqitet problematik në funksionimin e bushtit tradicional ballkanik veri-jug, duke përfshirë këtu edhe interesat e Rusisë, sikundër edhe të disa fuqive evropiane, të cilat tashmë janë deklaruar se mbështesin ruajtjen e status quo-s tradicionale në këtë rajon të trazuar të Europës.

Teoritë se Kosova edhe pas vitit 1999 u gjend në vëmendje të fuqive vendimmarrëse nuk duhet injoruar në tërësi, sikundër që nuk duhet dhënë aq shumë prioritet. E vërtetë është se Kosova pat rëndësi për rikonfigurimin e Ballkanit pas luftërave të përgjakshme, por faktorët e implikuar nuk lejuan që të krijohet një drejtpeshim përmes trinitetit Serbia-Shqipëria-Kosova në mes, duke mbajtur qëndrimin se çështja e Kosovës lidhej kryekëput me Serbinë dhe nuk kishte të bënte fare me Shqipërinë. Edhe kosovarëve indipedentistë duket se iu pëlqeu një këndvështrim i këtillë, sepse, në rend të parë, ua përkëdhelte sedrën politike, duke i faktorizuar ndjeshëm dhe duke i vënë si të barabartë kundruall Serbisë. Më anë tjetër, mbështetur në një përvojë historike dhe në disa situata jo shumë fatlume, te kosovarët tashmë ishte ngulitur një mosbesim ndaj Shqipërisë në raport me Serbinë. Herën e parë, Shqipëria monarkiste e kohës së Zogut nuk e kishte pasur për gjë që, për interesa të pushtetit, ta tradhtonte Kosovën me lehtësinë e një loje fëmijësh. Këtë e kishin përsëritur, po me kaq lehtësi, edhe Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës. Nuk kishte asnjë arsye që, po ta shihnin të nevojshme, këtë mos ta bënin edhe pushtetarët e Shqipërisë demokratike. Prandaj, heqja e Shqipërisë si palë e interesuar në përballje me Serbinë u mbështet nga indipedentistët kosovarë, pavarësisht se mund të mos i kishte pyetur njeri për këtë. Mbi të gjitha, një përballje e këtillë e Kosovës vetëm për vetëm me Serbinë fuqizonte opsionin e pavarësisë së Kosovës,sikundër që, deri diku, hiqte dilemat e ndarjes së Kosovës dhe krijonte përshtypjen se mënjanimi i fantazmës së “Shqipërisë së Madhe” ua lehtësonte punën jashtëzakonisht shumë aleatëve të saj, në përballje me atë pjesë të botës që kundërshtonte pavarësinë.

Mirëpo, sikundër që do të dalë më vonë, mënjanimi i Shqipërisë nga procesi i bërjes së shtetit të Kosovës dhe lënia e Kosovës vetëm për vetëm përball Serbisë, me aleatët e besueshëm në krah, vetvetiu do të krijojë një ç’balancim politik, i cili gradualisht do të shndërrohet në dokumente dhe drafte me koncesione të mëdha ndaj Serbisë, pa një palë të tretë që do të mund të drejtpeshonte në një përballje të këtillë. Sikundër që do të shihet, mënjanimi i Shqipërisë nga i tërë procesi i bërjes së Kosovës dhe mbështetja pa rezervë e kësaj ideje nga indipedentistët kosovarë, teorikisht do ta përjashtojë idenë e ndarjes së Kosovës, por praktikisht do ta lërë të hapur këtë çështje, qoftë si kalkulim eventual politik i Serbisë, qoftë si opsion real në shumë kancelari ndërkombëtare. Së këndejmi, në këtë histori të re Shqipëria nuk u bë faktor i bërjes apo i ruajtjes së Kosovës. Kjo ia lehtësoi punën Shqipërisë, e cila tashmë ka krijuar një komoditet të panatyrshëm në raport me Kosovën, duket edhe me arsyetimin se edhe vetë kosovarët e mbështetën një rol të këtillë të Shqipërisë. Rolin e ruajtjes së tërësisë së Kosovës, në një mënyrë gati të panatyrshme, e morën dhe vazhdojnë ta mbajnë shqiptarët e Maqedonisë. Pra indipedentistët kosovarë, ose idealistët indipedentistë, t’i quajmë kështu, duke mënjanuar Shqipërinë si palë me Kosovën në përballje me Serbinë e bënë një dëm që vështirë do të riparohet ndonjëherë. Ky gabim edhe mund të falet, nëse dëmi u bë për shkak të idealizmës. Por historikisht do të jetë e pafalshme nëse idealizmi i kryehershëm tashmë është braktisur dhe ideja e pavarësisë, pra idealizmi indipedentist rrëshqet në pragmatizëm. Në të vërtetë, pavarësia e Kosovës është idealitet dhe ajo e tillë mund të mbetet, tani dhe gjithmonë. Të bësh një Kosovë të pavarur, një shtet europian, të zhvilluar dhe të denjë për jetën e njerëzve, mund të jetë një ëndërr për të gjithë. Mirëpo, nëse mbi këtë idealizëm bëhen kalkulime të tjera, idealistët kosovarë, sado të paktë që mund të jenë, i bën mashtrues dhe hipokritë të pafalshëm. Me një fjalë, ideja e bërjes së Kosovës shtet europian është ide fisnike, por nëse këtë ide duhet “plotësuar” me koncesionin e identitetit, atëherë del se idealistët realisht asnjëherë nuk kanë qenë të tillë, por kanë qenë djaj të përbindshëm, të cilët e manipuluan besimin me pamjen e tyre prej engjëjsh.

 

Separatizmi identitar

 

U morëm pak më gjatë me kategorinë e idealistëve indipedentistë, për t’i diferencuar më qartë nga kategoritë e tjera të mbështetësve të identitetit kosovar, sepse ata, me vetë faktin e të qenit idealistë dhe me faktin se bërja e Kosovës ka qenë produkt i idealistëve, e meritojnë një diferencim të këtillë. Megjithatë, sikundër e thamë, angazhimet e idealistëve, në një situatë të konfuzionit të përgjithshëm, do të ngatërrohen pa ndonjë vështirësi me paradoksin e të gjendurit në të njëjtën radhë pikërisht me ata që përbëjnë antipodin e këtij idealizmi. Në këtë mënyrë, mbështetës të flaktë të identitetit kosovar do të bëhen edhe përfituesit e ndryshëm dhe ata që i quajtëm nostalgjikë të ish-Jugosllavisë, ose, që të jemi më eksplicitë, proserbët e të gjitha angazhimeve, të fshehta dhe gjysmë publike. Të dy këto kategori duhet kundruar nga afër, për të pare prapavijën e angazhimit të tyre për identitetin kosovar dhe për t’i identifikuar qartë si kundërshtarë të mëdhenj të integralizmit shqiptar.

Në këtë kuadër, së pari duhet bërë të qartë se ideja e inegralizmit shqiptar, vetëm si e tillë, nuk është dhe nuk mund të jetë ide antieuropiane, as ide nacionaliste, aq më pak ide shoviniste. Ajo përfaqëson vazhdimësinë e identitetit shqiptar pa kufizime kohore dhe hapësinore, që domethënë një identitet shqiptar mbipolitik. Integralizmi shqiptar, pra ideja e të qenit njësh nuk është ide manipulative, është gjendje reale. Shqiptarët janë njësh jo pse ata duan të jenë të tillë, por ngase kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të tillë të shtrënguar nga rrethanat. Të qenit njësh dhe në njëfarë shkalle i diferencuar nga të tjerët nuk është zgjedhje, është imanencë, është fat historik, është fat njerëzor. Derivatet e nacionalizimit dhe të shovinizmit nuk lindin nga kjo ide. Ato lindin nga ideja e përjashtimit. Më anë tjetër, nëse një grup shqiptarësh duan të ndahen nga pjesa tjetër e shqiptarëve, për këtë ide mund të kenë tre motive: ose kanë interesa tepër specifike, ose duan të tradhtojnë, ose duan të bëhen mbikomb, pra një surrogat fashist. Sikundër që është vërejtur gjatë kësaj periudhe, në diskutimet për identitetin kosovar, nga të dyja palët, nga mbështetësit dhe nga kundërshtarët, jo rrallë janë hedhur në qarkullim edhe ide fashiste, ose ide të një shovinizmi brendashqiptar, duke i diferencuar pjesët e kombit njërën më cilësore se tjetrën. Ndërkaq, duhet pasur të qartë se identiteti nuk është vetë itegralizmi, por është komponentë themelore e tij. Në rastin tonë, diferencimet e identitetit brenda një kombi vetvetiu prodhojnë dekompozim, shpërbërje, shthurje, sepse mbajtja e kohezionit kombëtar nuk bëhet vetëm për ide patriotike ose nacionaliste, por më shumë për nevoja reale dhe interesa tokësore.

Atëherë, nëse integralizmit shqiptar ia njohim dobësitë dhe përparësitë; nëse identitetit shqiptar si përbërës fondamental i integralizimit shqiptar gjithashtu ia njohim dobësitë dhe përparësitë, nuk ka asnjë arsye që edhe për tendencat e kundërta të mos shprehemi me të njëjtën konsideratë. Bie fjala, nëse themi zëshëm se në rrethanat e Kosovës identiteti shqiptar prodhon negativitete, se prodhon nacionalizëm konfliktual, se prodhon ambicie shoviniste për “Shqipërinë e Madhe” etj., atëherë nuk kemi asnjë arsye që po kaq zëshëm të themi se, më anë tjetër, edhe stisja e identitetit kosovar ndonjëherë prodhon fashizëm brendashqiptar, herë të tjera tradhti dhe, në rastin e tretë, mercenarizëm politik, në rastin e katër diçka edhe më të zezë, e kështu me radhë. Nëse tashmë e kemi thënë zëshëm dhe e përsërisim jo rrallë se patriotizmi folklorik shqiptar është strehë e horrave dhe matrapazëve të të gjitha llojeve, atëherë nuk ka asnjë arsye të mos pohojmë gjithashtu se separatizmi identitar kosovar është keqpërdoruesi dhe shkatërruesi më i madh i idesë së shtetit të Kosovës. Sepse, nëse për kategorinë e turbo-patriotëve shqiptarë nuk mbeti asnjë shenjtëri që të mos keqpërdorej për interesa meskine, është krejt e logjikshme që edhe bërësit e identitetit kosovar e keqpërdorën deri në tradhti idealin e bërjes së Kosovës. Nuk ekziston ndonjë arsye madhore që dikush të amnistohet as në këtë rast.

Megjithatë, nga ky nivel i pasioneve, gjërat duhet zbritur në një rrafsh më real. Të provojmë të shohim tani më nga afër se cilët janë ata që e kanë prodhuar dhe që e mbështesin identitetin kosovar. Deri këtu kemi përmendur disa kategori njerëzish, kategori sociale dhe politike, të cilët për një arsye ose për një tjetër bënë përpjekje t’i diferencojnë kosovarët nga pjesa tjetër e shqiptarëve. Pra, nga njëra anë ata u paraqiten si dashës të mëdhenj të Kosovës, ndërsa nga ana tjetër u përpoqën me të gjitha mjetet të rrënonin njësinë kombëtare shqiptare. E zëmë se jo të gjithë, derisa angazhoheshin për kosovarizëm, e dinin se me këto ide janë kthyer në rrënues të tërësisë kombëtare shqiptare. Disa syresh këtë e motivonin me rrethanat ndërkombëtare, pra me kërkesat e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare, që bërja e shtetit të Kosovës të mos jetë një akt nacionalist shqiptar i tipit të bërjes së Shqipërisë në fillim të shekullit XX, por një akt modern, me referenca politike bashkëkohore. Pjesa tjetër ishin të bindur, madje disa syresh ende vazhdojnë ta ruajnë këtë bindje, se bërja e shtetit të Kosovës në mënyrë të natyrshme duhet të shoqërohet me bërjen e një kombi-shtet, i ndarë në shumë pika identitare jo vetëm nga pjesa tjetër e kombit shqiptar, por edhe nga idetë integraliste. Të tretët mendojnë se kosovarët, për shkak të historisë dhe të politikës tashmë janë diferencuar vetvetiu brenda etnisë shqiptare, se etnia është një tërësi më e gjerë, ndërsa kombi është nëndegëzim brenda kësaj etnie. Të katërtët refuzimin e Shqipërisë kundrejt Kosovës, me bazë historike, kulturore dhe politike, e panë si pengesë të pakapërcyeshme të funksionimit të tërësisë shqiptare, prandaj menduan se zgjidhja e vetme mbetej bërja identitetit kosovar dhe, gradualisht, edhe të kombit kosovar. Të pestët, nën trysninë e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare, e perceptuan Kosovën si një gjendje të ndërmjetme, një territor i ndarë dhe i diferencuar, një identitet gjithashtu i ndarë dhe i diferencuar, i cili rri diku në mes, ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, që domethënë se është etni shqiptare, por me një ndikim të fuqishëm të Serbisë brenda përbërësve të saj të identitetit, diçka si Moldavia që rrinte dhe vazhdon të rrijë ndërmjet Rumanisë dhe Rusisë. Të gjashtët, veçmas një pjesë e klasës politike e cila u popullarizua gjatë viteve ’90, e perceptoi Kosovën si një principatë mesjetare, ku princi kishte një suitë, një oborr, një pallat dhe jetonte në iluzione se tashmë e kishte bërë shtetin e Kosovës. Të shtatët, pas luftës së fundit, panë se Kosova e vogël mund t’i plotësojë kërkesat themelore të pushtetit, duke ofruar kuadër të mjaftueshëm për një pashallëk anadollak, ku mund të sundohet, ku mund të abuzohet, ku mund të bëhesh i pasur, ku mund të vidhet, ku mund të merresh me krim të organizuar, ku mund të manipulosh çdo shenjtëri për interesa meskine. Të tetët, me sensin e jashtëzakonshëm të nuhatjes së prirjeve të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare që mbështeste Serbinë dhe që kishte të ngulitur idenë se Kosova duhej të rrinte në mes, në mënyrë që të mos prishte drejtpeshimin ballkanik, bërjen e identitetit kosovar e pane si mundësi për vjelje fondesh dhe tani ata janë përfitues të mëdhenj që ua ofron kosovarizma. Të nëntët, të stigmatizuar si bashkëpunëtorë të hapur ose të fshehtë të Serbisë, ose si trashëgimtarë të damkosur të atyre që kanë bashkëpunuar me Serbinë, në identitetin kosovar gjejnë nëse jo alibinë e plotë për veprimet antikombëtare të bëra në kohë të ndryshme, atëherë gjithsesi një azil sadopak të qetë; nëse jo mundësinë për rikuperim, atëherë gjithsesi shansin jetësor për rehabilitim…

Atëherë, nëse kaq shumë kategori të qytetarëve të Kosovës kanë interesa që të konsolidohet identiteti Kosovar dhe më pas të bëhet edhe kombi me këtë paradigmë, fitohet përshtypja se ky proces jo që nuk mund të ndalet, por tashmë mund të konsiderohet i përfunduar, sepse na qenkësh vullnet pothuajse plebishitar i popullit të Kosovës. Por a është kështu? Në asnjë mënyrë, në asnjë rrethanë. Të gjitha këto kategori që i përmendëm më sipër, jo vetëm që nuk përbëjnë një shumicë në Kosovë, por numerikisht janë pakicë krejtësisht margjinale. Ata janë të identifikueshëm dhe kanë medialitet, interesat e tyre janë të tejpashme dhe nuk gëzojnë një mbështetje të gjerë në Kosovë. Në të vërtetë, në rrethanat tona duhet bërë një diferencim të qartë ndërmjet idealit kombëtar, ku tashmë është përfshirë edhe bërja e shtetit të Kosovës, dhe deformimeve politike, ideologjike, botëkuptimore dhe të tjera që e kanë përcjellë dhe vazhdojnë ta ndjekin këtë proces. Ideali i bërjes së Kosovës i ka mundur dhe i ka arsyetuar të gjitha. Ideali i bërjes së Kosovës u ka krijuar alibi edhe keqpërdoruesve më të mëdhenj të kësaj ideje dhe të këtij ideali. Liria dhe bërja e Kosovës fsheh me lehtësi edhe keqpërdoruesin e pushtetit, edhe spiunin, edhe kriminelin, sikundër që neutralizon dhe e bën të paidentifikueshëm patriotin e madh, njeriun e sakrificës, mendjen e ndritur, të gjithë këta të lënë në margjinë për shkak të zallamahisë së përgjithshme dhe mungesës së rendit të vlerave.

 

Mesazhet negative

 

Sikundër e thamë më sipër, Kosova ishte projekt i idealistëve shqiptarë, përpara se të bëhej projekt i bashkësisë ndërkombëtare. Ajo, krahas arritjeve të pamohueshme, kishte dhe vazhdon të ketë dështimet e saj. Ka qenë e pritshme që një numër deformimesh të shfaqeshin përgjatë gjithë procesit të bërjes së Kosovës, sepse vetë procesi ishte shumë i ngatërruar, shpesh kontradiktor dhe me ndërhyrje nga të gjitha anët. Vetë shqiptarët e Kosovës duhej të ishin qenie të mbinatyrshme që të mos binin pre e sfidave të llojllojshme, të ngasjeve dhe grackave të ndryshme, të shitjeve dhe blerjeve, të ofertave të leverdishme dhe mundësive pa fund për të deformuar procesin. Fazën e idealizmit e karakterizoi një homogjenizim i paparë i shqiptarëve të Kosovës. Dihej se kjo nuk mund të ishte gjendje reale, sepse çarjet do të ndodhnin, së pari në vetëdije, në kontalacionin psikologjik dhe emocional të individëve dhe të kolektivitetit, pastaj edhe në veprimet e tyre praktike. Dikush kishte vuajtur burgjeve dhe donte kompensim moral dhe material për atë që kishte bërë. Dikush kishte luftuar dhe tani donte kompensim moral dhe material për sakrificën e tij. Dikush kishte tradhtuar dhe donte të mos quhej i tillë. Dikush kishte qëndruar anash dhe kërkonte çastin e volitshëm që të futej në valle. Dikush kishte qenë i shtypur dhe te liria dhe shteti i Kosovës kërkonte status të ndryshuar social. Dikush kishte qenë i privilegjuar dhe këto privilegje kërkonte t’i ruante edhe më tej. Dikush kishte luftuar për interesa meskine, dikush për ideale, por erdh një çast kur palët u barazuan, madje kërkonin t’ia zinte vendin njëra-tjetrës. Vetë historia më e re e Kosovës kishte predispozita të jashtëzakonshme që patrioti dhe tradhtari shpesh t’i ndërronin vendet.

Mbi të gjitha, Kosova e kishte përjetuar një fazë të zgjimit dhe të ngritjes kombëtare në kohën e komunizmit, një lloj dyzimi ndërmjet nacional-komunizmit shqiptar dhe të socializmit vetëqeverisës jugosllav. Trashëgiminë e saj patriotike e pretendojnë të dyja palët, edhe ata që ishin viktima dhe ideologjinë komuniste marksiste-leniniste të Partisë së Punës së Shqipërisë e përvetësuan si alibi për bëma patriotike; sikundër edhe persekutorët e tyre, të cilët nacionalistët i luftuan me të gjitha mjetet, i dënuan, i vranë dhe i burgosën në emër të jugosllavizmës, por, më anë tjetër, bënë autonominë e Kosovës, bënë institucionet, bënë një kuadër politik, ku pat mundësi të zhvillohej integralizmi shqiptar. Tani së voni del një palë e tretë, e cila e mohon edhe njërën, edhe tjetrën, sepse të dy palët paskëshin qenë komunistë dhe se kjo ideologji në esencën e saj ishte antikombëtare. Më anë tjetër, një pjesë e  antikomunistëve shqiptarë, pra edhe ata kosovarë, kishin degraduar në fashistë. Ose mund të mos kishin qenë të tillë, por ata e kishin humbur luftën dhe për një kohë të gjatë nuk arritën të luanin asnjë rol në bërjen dhe ribërjen e Kosovës. Pra, është shumë e vështirë që të ndërtohet një Kosovë ideale mbi kontradikta të këtilla. Nuk qëndron ideja se të gjithë shqiptarët e Kosovës kanë qenë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë dhe se bërja e paqes shoqërore, duke lënë në harresë të shkuarën nuk paraqitet si opsion real i zgjidhjes së ndonjë problemi. Kjo nuk ka ndodhur askund dhe Kosova nuk përbën ndonjë përjashtim. Çështjet duhet të sqarohen, të zbardhet roli i secilit, sepse në të kundërtën, nëse vazhdohet për një kohë të gjatë të jetohet mbi kundërshti të këtilla, Kosova humb vlerën më të çmuar që ka, idealizmin. Pikërisht, idealizmi i shqiptarit të Kosovës është në krizë të madhe, për shkak të një ngatërrese që ka ndodhur në sistemin e vlerave dhe në rrafshimin ose zëvendësimin e vlerave me antipodin e tyre, pra me antivlera, ose me shkëmbim vendesh, ose me shndërrime të pamundshme. Ideja se Kosova ka jetuar mbi kontradikta të mëdha dhe, si e tillë, duhet ta tejkalojë këtë situatë me një harmoni mbihistorike nuk mund të qëndrojë, sepse lëndon shumë viktimat e një përpjekjeje të gjatë me shumë rrëfenja tragjike, sikundër që mbyll të gjitha mundësitë që dikush të ndjekë rrugën e idealizmit, pra të bërjes së një Kosove pa ngasje negative.

Në një rrethanë të këtillë të kontradiktave të mëdha, Kosova nuk mund të kthehet prapa, që ta rifillojë procesin e ribërjes, por ajo duhet të fillojë procesin e diferencimit të vlerave nga antipodet e tyre. Ajo duhet të fillojë me historinë, veçmas nga Lufta e Dytë Botërore e prapa, duke qartësuar saktësisht përparësitë dhe dështimet. Themi nga Lufta e Dytë Botërore, sepse ndodhitë e kësaj periudhe kanë pasur reflektim të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike në Kosovë. Kjo nuk bëhet për arsye akademike, por për shkak të një pragmatizmi ekzistencial. Nga kjo distancë nuk është aq e vështirë të dihet se kush çfarë bëri në këto zhvillime, kush ishte vrasësi dhe kush ishte viktima, kush i persekutuari dhe kush persekutori. Apo të arrihet një konsensus shoqëror, duke analizuar faktet, të dhënat, dokumentet, se Kosova, për shkak të specifikave, nuk mund të bëjë një diferencim të qartë të këtyre kundërshtive. Kjo vlen edhe për periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Duhet të sqarohen bëmat e të gjithëve, të nacionalistëve, të nacional-komunistëve, të komunistëve jugosllavë, të autonomistëve, të marksist-leninistëve, të spiunëve të ish-Jugosllavisë dhe të spiunëve të Shqipërisë, të atyre që e kanë pësuar për shkak të idesë së lirisë dhe të atyre që e kanë pësuar për shkak të ideologjisë. Askush nuk mund ta ruajë të paprekur e të pandotur idealin e Kosovës, kur, ta zëmë, në faqet e shtypit, ose në TV shfaqen spiunët ordinerë të UDB-së, ose edhe trashëgimtarët e tyre dhe thonë se ata patën rol të rëndësishëm në bërjen e Kosovës. Kjo, përveç që hedh baltë mbi historinë dhe fyen viktimat, e zhvlerëson idealin dhe përcjell një mesazh tepër kontradiktor, negativ, për të ardhmen e këtij vendi.

Dhe, pikërisht, janë mesazhet negative që vijnë nga të gjitha anët, të cilët e tronditën deri në themel idealin e Kosovës. Mesazhe të këtilla vijnë nga historia më e largët dhe nga historia më e afërt. Mesazhe të këtilla vijnë nga periudha e komunizmit, nga koha e socializmit jugosllav dhe nga koha e socializmit shqiptar. Vijnë edhe nga periudha e homogjenizimit të paparë të shqiptarëve të Kosovës të fundit të viteve ’80 dhe fillimi i viteve ’90, nga krejt periudha e të ashtuquajturës rezistencë paqësore, sikundër që vijnë edhe nga periudha e luftës së fundit dhe nga vitet e para pas saj. Mesazhe negative vijnë nga këto dhjetë vitet e lirisë, nga bëmat e të huajve dhe nga ata që Kosovën e kishin atdhe të vetëm, pa një vend tjetër ku mund të futnin kokën. Kjo shumë e mesazheve negative është e jashtëzakonshme, e tillë që rrezikon çdo gjë në këtë vend, përfshirë edhe vlerat morale dhe idealin.

 

 

 

 

 

 

NË MBYLLJE

Një shekull më parë, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Konicës i atribuohet se kishte thënë: Shqipëria u bë, por u bë e tillë, që t’ua plaste zemrën atyre që e donin më së shumti. Në të vërtetë, duke parë zhvillimet e asaj periudhe dhe angazhimet e vetë Konicës në planin e brendshëm dhe të jashtëm (botimin e “Albania”-s me mbështetjen e Austro-Hungarisë, më vonë të Italisë; rreshtimin një herë në krah të Nolit kundër Zogut, pastaj në krah të Zogut kundër Nolit; deklarimin kundër pushtimit italian më 1939, por dorëzimi i vulave dhe dokumenteve të legatës shqiptare asaj italiane në Uashington, kur Italia sulmoi Greqinë më 1941 etj.), duket se vetë bërësit e Shqipërisë, përfshirë edhe Konicën, ndiqeshin nga një fatalitet i përhershëm: që Shqipëria kurrë të mos i kënaqte shtetasit e saj dhe shtetasit e saj kurrë të mos e kënaqnin Shqipërinë. Kjo paradigmë e zymtë, ky një si mallkim, nuk ishte e domosdoshme ta ndiqte prapa edhe bërjen e Kosovës, sepse përsëritja e vazhdueshme e historisë te shqiptarët, në variantin më negativ, tashmë duket si lojë cinike e fatit dhe e proveniencës qiellore. Në të vërtetë, bota shqiptare, edhe në këtë çast, derisa bëjmë mbylljen e këtij libri, është e përfshirë nga zhvillime politike të nxitura dhe të shkaktuara nga fqinjët ballkanikë, të cilët nuk rreshtin së manifestuari agresivitet dhe ide shoviniste, si të mos ishte shekulli XXI, por koha e Paqes së Shën Stefanit apo e Kongresit të Berlinit, e luftërave ballkanike ose e Luftës së Parë Botërore, aq të pashembullt dhe të paskrupullt që janë në antishqiptarizmin e tyre.

Duket si një garë e fqinjëve, për të forcuar pozicionin e tyre në raport me shqiptarët, përpara se këto marrëdhënie “të ngrihen” me përfshirjen e rajonit në BE. Kështu, Serbia, me mbështetjen e hapur të Rusisë dhe të mercenarëve të saj, si dhe me mbështetjen e kamufluar të disa vendeve të Bashkimit Europian, synon t’u sigurojë serbëve të veriut të Kosovës një autonomi territoriale, përpara se zyrtarisht të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Në krahun tjetër, Greqia, që dyzet vjet anëtare e BE-së, pasi i asimiloi arvanitasit deri në atë shkallë, sa t’i detyrojë ata ta shkruajnë gjuhën e tyre me alfabet grek (një shembull i këtillë nuk gjendet në Europën e vjetër) dhe ta quajnë veten joshqiptarë; pasi deklaron dhe rideklaron se nuk ekziston asnjë çështje çame, i kthehet Shqipërisë dhe herë i kërkon ujëra territoriale, herë i kërkon Korçën dhe herë të tjera gati gjysmën e Shqipërisë. Ndonëse në krizë të rëndë financiare, po kjo Greqi, me fondet e BE-së për rimëkëmbje ekonomike, vazhdon t’u japë dhjetëra mijë shqiptarëve pensione politike, që ata të ndryshojnë kombësi dhe të deklarohen grekë. Së fundi, ajo diktoi edhe mënyrën si do të bëhet regjistrimi i popullsisë gjatë kësaj vjeshte në Shqipëri.

Po në këtë kohë, fqinji lindor i shqiptarëve, shteti pa emër zyrtar, pra Maqedonia, që nga fillimi, që nga koha kur u bë shtet, zhvillon politika antishqiptare dhe, për të qenë ironia më e madhe, të gjitha qeveritë maqedone të kësaj periudhe i realizojnë projektet e tyre antishqiptare me ndihmën e partive politike shqiptare, herë të një krahu, here të një krahu tjetër. Në vitin 2001, Maqedonia e humbi luftën me shqiptarët dhe tani, që nga Marrëveshja e Ohrit dhe prapa, duket sikur në mënyrë paradoksale shqiptarët janë ata që e ruajnë Maqedoninë nga shpërbërja, ndërsa maqedonët synojnë prishin atë një orë e më parë. Disa liderë shqiptarë të Maqedonisë pretendojnë se kanë kapacitete intelektuale të rregullojnë çështjet e mbarë botës shqiptare, ndërkohë që është e njohur botërisht se e kanë shitur lëkurën te maqedonët për dy aspra, siç thuhet zakonisht. Si shpërblim për lojalitetin e shqiptarëve, nuk kalon pothuajse asnjë ditë që maqedonët, përmes medieve, botimeve, ose deklaratave zyrtare nuk hedhin në etër nga një fyerje raciste për shqiptarët.

As fqinjët e “e matanshëm” ballkanikë, Bullgaria, Rumania dhe Turqia, nuk kanë dëshmuar se i kanë moderuar qëndrimet recidiviste ndaj shqiptarëve. Kështu Bullgaria, pasi pretendon kulturën e Voskopojës si kulturë bullgare dhe pasi e ka manipuluar minoritetin sllav në Shqipërinë juglindore, së fundi u është kthyer goranëve të Kosovës dhe të tjerëve përreth tyre, të cilëve u jep shtetësi bullgare dhe pasaporta me lehtësi lëvizjeje në shtetet e BEsë. Po këtë e ka bërë edhe Rumania me arumunët e Shqipërisë, ndërsa në Kosovë duket se nuk ka ndonjë synim tjetër, përveç se ta shfrytëzojë BE-në për ta mbështetur Serbinë me të gjitha mjetet dhe, kur t’i jepet rasti, po me emblemën e BE-së, të rikthejë në Kosovë vrasësit e kryhershëm. Turqia, ndërkaq, duke qenë investitori më i madh i jashtëm në Kosovë, këtë pozicion është duke e shfrytëzuar në mënyrë jo aq miqësore, për t’i manipuluar minoritarët turq, kudo që gjendet një i tillë. Lojaliteti i pushtetarëve të Kosovës ndaj Turqisë ka bërë që pikërisht në kohën e regjistrimit të popullsisë, në krye të dikasterit që duhej ta udhëhiqte këtë proces vendosi një pjesëtar të kombësisë turke. Ndërkohë, Ministria e Administratës Publike e Kosovës, aty ku ministër është minoritari turk, hapi zyrë të përkohshme për regjistrimin e turqve në Prizren dhe rrethinë, duke sjellë në vëmendje të kosovarëve një kohë jo edhe aq të largët, kur regjistrimi i shqiptarëve të Kosovës si turq u shoqërua me zhvillime të tjera tragjike, për të cilat as Turqia e sotme dhe as turqit e Kosovës nuk do të duhej të ndiheshin krenarë. (Si Shqipëria, si Kosova, një proces themelor për një shtet, siç është regjistrimi i popullsisë, e bëjnë me ndërhyrje të jashtme, ndërkohë që Maqedonia tashmë e ka shpallur jozyrtarisht si strategji afatgjatë zvogëlimin e numrit të shqiptarëve të atjeshëm. Është pak e çuditshme, një si marrëzi ballkanike, e cila jo rrallë përfshin edhe europianët, që të përdorën të gjitha mënyrat dhe mjetet për të zvogëluar sa të jetë e mundur numrin e shqiptarëve, kudo që janë ata, në Greqi, në Maqedoni, në Serbi, në Mal të Zi, madje edhe në Kosovë dhe Shqipëri. Ky është racizëm i hapur, që po ashtu nuk gjen një shembull të këtillë në Europë). Ndërkohë, kushtëzime kanë filluar të vijnë edhe nga Mali i Zi, i cili, pasi dëboi më shumë se gjysmën e popullsisë së vet shqiptare në Amerikë, tani, për vendosjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Kosovën, sheh si pengesë mospëfrshirjen e minoritetit malazias në Kushtetutën e Kosovës. Janë dhënë premtime se kjo do të ndodhë së shpejti, me rastin e ndryshimeve më të reja kushtetuese, ndërsa në këtë e sipër, në shembullin mëhershëm të Maqedonisë, Mali i Zi ka shtyrë kufirin për disa kilometër në brendësi të territorit të Kosovës, në Kullë dhe në Çakor, ose në zonat përreth, me idenë se të zhvatësh një copë tokë nga një shtet në bërje e sipër, është një mund që shpaguhet.

Kjo përballje negative e botës shqiptare me fqinjët ballkanikë e bën të qartë se popujt e Ballkanit në raport me shqiptarët nuk e kanë ndryshuar mendësinë e vjetër, ndërsa integrimet europiane, me gjithë ikonografinë dhe vokabularin e përdorur gjerësisht, këtu nuk përfytyrohen si ndryshime në konstalacionin botëkuptimor, por më shumë si një situatë e turbullt, e cila për disa krijon favore, kurse për disa të tjerë vazhdon të shkaktojë fatkeqësi. Shqiptarët, të përcopëzuar dhe të defaktorizuar siç paraqiten aktualisht, për shkak të obstruksioneve të vazhdueshme dhe shpërndamësisë së madhe, e kanë shumë të vështirë që këto procese t’i kthejnë në favor të tyre. Duke mbetur të fundit që do të përfshihen në BE nga rajoni i Ballkanit (nëse BE-ja, ndërkohë, do t’u qëndrojë sfidave të njëpasnjëshme), duhet pritur se kushtëzimet dhe obstruksionet e fqinjëve do të rriten dhe të shumëfishohen vazhdimisht. Sekush mund të mendojë se kjo është njëlloj ksenofobie, se ky është projeksion i errët i një realiteti që nuk është aq i zymtë, sepse bota shqiptare, realisht, asnjëherë nuk ka qenë në pozitë më të favorshme, ngase në Shqipëri vazhdojnë të ndodhin zhvillime shumë pozitive, se Kosova u bë shteti i dytë shqiptar në Ballkan dhe se shqiptarët e Maqedonisë janë faktorizuar aq sa Maqedonia nuk bën dot pa pjesëmarrjen e tyre në jetën institucionale. Mirëpo, edhe ky perceptim rozë e ka një të metë brenda: krijon një realitet jofunksional, i cili nuk i hyn në punë shumicës së shqiptarëve, përveç hedonistëve mendjelehtë, klasave politike dhe oligarkive ekonomike, apo strukturave mafioze, të cilat, për shkak të interesave meskine, të gjitha zhvillimet në botën shqiptare do t’i shohin me dioptrinë e shtrembër të atdhengrënsve. Për shkak të këtyre pjesëtarëve të deformuar të kombit apo etnisë, quajeni si të doni, ne jemi keq edhe me historinë, edhe me politikën, edhe me kulturën, edhe me identitetin, edhe me integrimet, edhe me idealet e kryehershme, edhe me atdheun, edhe me patriotizmin, edhe me shqiptarizmin, edhe me kosovarizmin, pra me të gjitha. Mbajtja në jetë e “principatave” të paintegruara shqiptare nuk mund të ketë ndonjë kuptim dhe funksion tjetër për rrethanat tona, përveç se të ushqyerit e bollshëm dhe të kënaqshëm të këtyre oligarkive lokale me politikë mediokre, me kulturë mediokre, me ekonomi informale, duke rrënuar njëkohësisht çdo sistem vlerash, të trashëguara ose bashkëkohore, dhe duke nëpërkëmbur pa asnjë konsideratë çdo shenjtëri. Në botën shqiptare të paintegruar ndërvetshëm, këto oligarki lokale jetojnë mirë, realisht ose me iluzione, pa u futur në asnjë konkurrencë. Entuziazmi dhe krekosja e kryehershme se shqiptarët në fillim të shekullit XXI arritën të bënin edhe një shtet të ri në Ballkan duket se u zvjerdh shumë shpejt, sepse këto shtete shqiptare, dy e një çerek apo sa janë tani, për shumicën e shtetasve ose të qytetarëve të tyre nuk janë duke e kryer asnjë funksion si duhet. Ato nuk ngjajnë me shtete që iu shërbejnë qytetarëve, idealeve ose pragmatizmit të tyre, por janë instrumente në duart e keqpërdoruesve. Krijohet përshtypja se Shqipëria, ta zëmë, nuk është më vend ku qytetarët e saj projektojnë ëndrrat ose të ardhmen e tyre (ëndrrat dhe të ardhmen shqiptarët i projektojnë rrugëve të botës), ndërkohë që Shqipërinë e shohin si plaçkë, si object uzurpimesh dhe tregtish të pandershme. Duket sikur Shqipërinë nuk e do më njeri, përveç ndonjë kosovari të jashtëkohshëm, i cili nuk di se çfarë të bëjë me idealet e tij të dikurshme.

Edhe me Kosovën e njëjta gjë. Kujt i hyn në punë tani një Kosovë e mashtrimit lapidar, se liria e fituar me aq sakrifica paska ndonjë kuptim për shtetasit e saj? Për kosovarin e sotëm, për kosovarin idealist ose pragmatik, kuptimi i shtetit që nuk të jep mundësi për jetë të dinjitetshme është kuptim i degraduar, kuptim i braktisur ose kuptim i pagjetur. Gënjeshtra e kryehershme se kosovarët janë patriotë, janë atdhedashës nuk ua mbush mendjen më as fëmijëve, të cilët ditë për ditë shohin prindërit e tyre sesi gënjejnë në emër të Kosovës, sesi abuzojnë në emër të Kosovës, sesi mashtrojnë në emër të Kosovës. Nga një ideal i dikurshëm, për të cilin njerëzit u sakrifikuan, për të cilin njerëzit vuajtën dhe e pësuan, Kosova është kthyer në objekt talljeje, përqeshjeje, fyerjeje, përuljeje, denigrimi. Një Kosovë e këtillë, me ose pa identitet të mëvetësishëm, iu duhet dhe iu kryen shërbime të gjithëve, përveç atyre që e duan me të vërtetë. Më anë tjetër, shqiptarët e Maqedonisë ende nuk e kanë zgjidhur çështjen elementare, nëse kanë ose jo atdhe, nëse kjo Maqedoni që i fyen, që i urren, që përpiqet t’i vrasë sa herë që mundet, arrin ta mbajë atributin e atdheut të shqiptarëve të atjeshëm. Kur ta zgjidhin këtë problem themelor, vetëm atëherë shqiptarët e Maqedonisë mund të nisin diskutimet për çështje më të holla politike ose identitare.

Ndërkohë, përveç se me sfidat e shumta të modernitetit, të integrimeve, të dinamikës së ndryshimeve që kanë përfshirë botën, shqiptarët janë duke u përballur edhe me një sërë çështjesh të mbetura pezull që një kohë të gjatë. Në radhë të parë ata duhet të hapin diskutimin për potencialin e tyre, nëse kanë kapacitete politike, intelektuale, kulturore, nëse kanë dije dhe elita politike të përgatitura për të mbajtur dy shtete dhe për të participuar në mbajtjen e një shteti të tretë. Krahas kësaj, shqiptarët do të duhej të hapnin edhe një herë diskutimin për kombin dhe atdheun, për vlerat e trashëguara dhe për ato bashkëkohore, për moralin dhe për etikën, për erozionin e brendshëm dhe për raportet me botën bashkëkohore, sikundër edhe për një sërë çështjesh të tjera civilizuese, kulturore dhe identitare. Nga një diskutim i tillë nuk mund të përjashtohet askush, jo pse këto janë çështje që iu takojnë të gjithëve, por më shumë për faktin se ridimendsionimi i shqiptarizmës (si korpus vlerash) është e pamundur të bëhet pa një pjesëmarrje të gjerë dhe pa një konsensus parimesh. Kriza e tanishme e botës shqiptare është krizë e stërzgjatur e vlerave, e kuptimit dhe e kritereve për matjen e tyre.

Problemet e identitetit, me të cilat u morëm kësaj radhe, janë vetëm disa nga këto çështje, ndoshta nga më të rëndësishmet, për shkak se ato kanë reflektim të drejtpërdrejtë në zhvillimet aktuale. Shteti i Kosovës nuk është dhe nuk duhet të jetë përmendore, tek e cila vihen kurora në një datë të caktuar. Bërja e këtij shteti, pavarësisht nëse i kënaq ose jo ambiciet e shtetasve të tij, është rezultat i idealizmit shqiptar, i patriotizmit shqiptar, i identitetit të konsoliduar shqiptar. Shteti i Kosovës nuk bëhet më i qëndrueshëm, më i dashur për shtetasit e tij, nëse identitetit shqiptar, të cilit i detyrohet, i kundërvihet me një identitet të ri, të pakonsoliduar, siç është identiteti kosovar. Perceptimi dhe afishimi i identitetit kosovar jo si identitet lokal, por si kundërvënie ndaj identitetit shqiptar shkakton ndarje, përcopëzim dhe defaktorizim të potencialit shqiptar, i cili edhe më tej duhet të mbetet i qëndrueshëm, për shkak të agresivitetit recidivist të ballkanasve dhe keqkuptimeve të përsëritura të Europës së vjetër. Më anë tjetër, bërja e shtetit të Kosovës ka hapur shumë çështje, të cilat deri më tani nuk i kemi shqyrtuar dhe diskutuar. Mbi të gjitha, nuk e kemi diskutuar nëse ky shtet ka nevojë për dashje, nderim dhe respekt të qytetarëve të tij dhe nëse ai, që të marrë dashjen, nderimin dhe respektin e merituar, ka arritur t’i përmbush sadopak ëndrrat e shqiptarëve të Kosovës. Ne gjithashtu nuk kemi thënë asgjë për fondamentin e vlerave që duhet ta sigurojnë qëndrueshmërinë e këtij shteti dhe nëse këto vlera janë të mjaftueshme për të rikrijuar idealizmin tashmë të harruar dhe të braktisur pothuajse nga të gjithë.

Ne, gjithashtu, nuk kemi hapur një diskutim as me Shqipërinë, për të drejtat dhe obligimet e saj rreth Kosovës dhe shqiptarëve të tjerë, në shtetet fqinje apo gjetiu nëpër botë. Deri tani Shqipëria është mjaftuar të luajë një “rol konstruktiv” në raport me Kosovën dhe shqiptarët e Maqedonisë, rol që nënkuptonte harmonizimin e plotë të qëndrimeve të saj me bashkësinë vendimmarrëse ndërkombëtare. Ajo vetë pothuajse asnjëherë nuk mbajti qëndrim të pavarur për ndonjë çështjeje të hapur, përveç se u përpoq të ushtronte ndikimin e saj politik në profilizimin e skenës politike në Kosovë dhe Maqedoni, sipas shembullit të vet të përçarjes së thellë dhe konfliktit të vazhdueshëm. Abstenimi i Shqipërisë nga diskutimet për integrimet shqiptare, e aq më pak mosbërja e asnjë veprimi që do t’i nxiste këto integrime, nuk mund të quhet neglizhencë e thjeshtë dhe shkujdesje e zakonshme, por më shumë bëhet fjalë për një refuzim të qartë të Shqipërisë që në çfarëdo mënyre të përfshihet në këto procese. Prandaj diskutimet e filluara në Kosovë për bashkim kombëtar ose për krijimin e një shteti të përbashkët Shqipëri-Kosovë, pa përfshirjen e Shqipërisë në këtë diskutim, përveç që reflektojnë krizë të thellë politike në të cilën është përfshirë Kosova, flasin edhe për krizën e koncepteve dhe të vizionit politik për Kosovën, e cila tashmë ka filluar ta ndjejë në çdo hap zhgënjimin e madh, krahas shtrëngesave që vijnë nga bërja e shtetit me kushtëzime të shumta. Pra, ky diskutim është i kushtëzuar nga zhvillimet negative afatshkurta dhe nuk prihet nga një vizion i qartë politik i botës shqiptare.

Ndërkaq, çdo diskutim për integrimet shqiptare ose për çfarëdo forme të bashkimin kombëtar pa përfshirjen e Shqipërisë është i paqëndrueshëm, madje joserioz, jo pse Shqipëria realisht do të duhej të mbante çelësin e këtyre zhvillimeve, por ngase mospërfshirja e saj, njësoj si qëndrimi i rezervuar ose abstenimi, përçon mesazhe jashtëzakonisht konfuze. Kosova mund të mos e pranojë paternalizmin e Shqipërisë në asnjë çështje me rëndësi të përbashkët, por duhet t’i marrë në konsideratë të gjitha përparësitë e Shqipërisë si gjendje dhe rrethanë krejt e natyrshme, e tillë që buron nga rendi logjik i gjërave. Fundja, nëse duan të bashkohen në një shtet Kosova dhe Shqipëria, emri i atij shteti kurrë nuk do të jetë Kosovë, kjo gjë është e ditur.

Ulpianë, pranverë-verë 2011.

 

Please follow and like us: