Albspirit

Media/News/Publishing

+16/Ekskluzive me Arben Brahimaj: Kur artisti gjen vehten është në gjendje të imponohet

Intervistë për albspirit me piktorin e njohur Arben Brahimaj

 

Sabina Darova

 

 

Më kujtohet që në vizitën time të parë, para shumë vitesh në Paris, rastësia më dhuroi mundësinë të shihja dhe të shijoja një ekspozitë me punimet e një nga mjeshtrit më të mëdhenj të Surrealizmit në artin Pamor, atë të piktorit, skulptorit, shkrimtarit, fotografit, kineastit dhe skenaristit të shquar spanjoll, Dalí. Kjo rrymë arti që pati fillimet e saj në fillimin e shekullit të kaluar, i deklaroi luftë diktaturës së arsyes dhe e shtyu spektatorin që të shkojë përtej asaj që syri sheh dhe të vërejë një realitet ndryshe nga ai ekzistuesi. Franca, Parisi, Montmartre, toka ku u krijua dhe hodhi shtat kjo rrymë arti, më ofroi në formë spektakolare të shijoja nga afër veprat e artistit Dali. Impakti ishte shumë i fortë dhe mbresëlënës.

Vite më vonë, po rastësia më vendosi në rrugë virtuale përpara punimeve të ekspozuara në faqen e FB-së, të një piktori të panjohur për mua, që quhet Arben Brahimaj. Më tërhoqën vemëndjen dhe instiktivisht ndjeva që më kthyen në kujtesë të madhin Dali. Pra, u gjenda përballë një piktori shqiptar që përfaqësonte surrealizmin. Ky artist, me një eksperiencë dhjetravjeçare, sot është një nga piktorët më në zë në Hollandë për fuqinë e tij shprehëse. Brahimaj është një artist që nuk rresht së kërkuari brenda vetëvetes dhe duke mbetur fëmijë ndaj botës, eksperimenton për të ngopur kureshtjen e tij. Aplikimet e tij janë në fushën e muzikës (kitara), në letërsi dhe së fundi, po zbulon dhe pikturën në porcelan.

Duke vazhduar rrugën time të njohjes së artistëve shqiptarë në Diasporë, vendosa t’ia prezantoj publikut të Alb Spirit, si gjithmonë, me një intervistë eskluzive të parë në Shqipëri.

 

Pyetja e parë, ndoshta më e “mërzitshmja “ për një artist, por që shërben si fletëhyrje për publikun, e paevitueshme do të thoja: Kush ishte Arben Brahimaj dje dhe cili është sot?

 

Dje kam punuar për të ndërtuar vitrinën ku mund të etalohet personaliteti im si artist. Sot jam në periudhën që përfitoj nga ky konstruksion.

I ardhur nga një formim klasik në bankat e shkollës së artit të realizmit socialist, si arritët të vini tek rryma e artit Surreal e ta bënit të tuajin atë? 

 

Kur mbaruam Akademinë në Tiranë në vitin 1990, të gjithë studentët e asaj kohe ishim shume të intriguar nga idea e braktisjes së çdo gjëje realiste dhe klasike dhe kthimin tonë brenda nates në artistë formash moderne. Realiteti na ndihmoi të gjithëve të relativizonim dhe të mësonim se jo të gjitha dëshirat janë esenciale. Dëshira për modernizmin rezultoi në shumicën e rasteve një dëshirë e momentit.

Procesi im këtu ishte me dy kurba të dallueshme. Deri në vitin 1994 braktisje e çdo gjëje klasike dhe transformimin e njohurive  mbi realizmin në një ekspresionizëm të egër dhe shpesh në kufijtë e abstraktes. Realizova dy ekspozita njëra pas tjetrës në Gjermani dhe zbulova kitarën. Ndalova së pikturuari për gati një dekadë dhe u mora vetëm me muzikë. Gjatë gjithë kësaj periudhe pa art figurativ, çdo perceptim që vinte tek unë në ato që shihja realisht, ishte klasike dhe realiste. Gjithashtu, kur rastësisht shikoja ndonjë pikturë, ajo më emociononte kur ishte klasike dhe realiste. Një vizitë që e organizoi ish e dashura ime në atë kohë, për mua, në Figueras, teatri i kthyer në demonstrim surrealist nga Dali, (vitet 2000 ndërkohë kishin ardhur), la mbresa direkte dhe shumë të forta tek unë. Aty është një pikturë shumë e vogël në format, “Tristan dhe Isolde”. E pashë shumë gjate dhe u mahnita nga përdorimi virtuoz i penelit të Dali në sipërfaqen e telajos së vogël. Pas vizitës duke pritur trenin, qëndruam në një park të vogël me skulptura peshqish afër stacionit në Figueas. I kërkova të dashurës se ndoshta kishte laps dhe letër. Letër kishte, pak me vonë gjeti dhe nje laps të trashë, Fillova të vizatoja shpinën e saj dhe peshqit. Megjithëse ishte e veshur e vizatoja lakuriq. Që nga ky moment mu duk se kisha gjetur atë që kerkoja. Ky ishte surrealizmi.

Jetoni prej shumë vitesh në emigrim, në tokën e artistëve të mëdhenj që kanë lenë gjurmë në historinë e arteve pamore, në Hollandë. Gjithashtu edhe Vlora, qyteti juaj i lindjes, shquhet si djep i arteve pamore  në Shqipëri. A keni gjetur diçka të përbashkët midis këtyre vendeve, që ju ka ngacmuar, duke krijuar urë në veprimtarinë tuaj?

 

Unë nuk jetoj në një vend dhe nuk i përkas gjithashtu emocionalisht asnjë vendi. Gjithashtu dhe nuk shikoj ndonjë ndryshim shumë të madh midis njerëzve në vende të ndryshme. Esenca tek njerëzit mbetet e njëjtë. Nuk jam historian arti dhe as studiues historie dhe sociologjie. Observimet e mia janë të rastësishme dhe private. Ato nuk kanë qëllim të krijojnë definicione, pasi mund të  jenë shumë larg të vertetes shkencore. Në Hollande arti i madh që unë kam takuar i takon së shkuarës. Ajo që kam parë nga e sotmja është, se është një vend i mbushur me artdashës, por jo me artistë. Në fakt kushdo mund ta quaj vehten artist, por unë konsideroj artist atë që më emocionon mua. Në Hollandë nuk kam takuar asnjë person që pikturon nga vepra e të cilit ose të cilës të emocionohem. Mbi të gjitha, ajo që më shqetëson më shumë në Hollandë, është se artisti që nuk di të vizatojë, eshtë shumë korrekt politikisht. Artisti që nuk di të krijojë formë, por që është i angazhuar në  jetën sociale. Është një krijesë ku arti është si maskë për të funksionuar në jetën sociale dhe ku jeta sociale eshtë si maskë për të justifikuar mungesën e artistit. Në Hollandë kam njohur shkrimtarë dhe muzikantë shumë më të mëdhenj se artistë të sotëm figurativë që ka Hollanda. Megjithatë mund të permend tre emra që më pëlqejnë shumë. Dy janë shkrimtarë dhe një muzikant. Nga të tre, dy kanë lidhje me artin figurativ, ndërsa i treti me të qenit i huaj në një vend. Në  fakt që të tre nuk kanë qenë asnjëherë vendas askund. Jan Wolker, skulptor dhe shkrimtar, jetoi në një ishull në veriperëndim të Hollandës. Shkruajti libra të tmerrshëm antimoralist dhe ngiste një xhip të ushtrisë. Herman Brood, babai i rock and rroll në Hollandë. Gjithashtu i droguari i parë zyrtar i Hollandes dhe përveç muzikës fantastike që krijoi, gjithashtu krijoi një formë shumë origjinale pikture moderne të inspiruar nga arti i rrugës. Vdiq në mënyrë spektakolare. U hodh nga tarraca e hotelit ‘Hilton’ në Amsterdam. Kader Abdellah, u arratis nga Irani në vitet ’80 dhe tani është nga shkrimtarët më të mëdhenj të Hollandes dhe me famë botërore. Flet çuditërisht shumë keq hollandisht. Nga ana gjuhësore, ka ngritur kufizimet e tij gjuhësore në art.

Vlora është një histori tjetër. Gjatë komunizmit nuk arrinte të më tërhiqte shumë vëmendjen si qytet megjithese jetoja atje. Për mua piktorët vlonjatë kanë dhënë një kontribut shumë të madh në pjesën më ekspresive dhe moderne të artit të realizmit socialist. Gjithashtu një nga njerëzit që më ka mësuar më shumë per artin, është Hilmi Bani. Një artist i kompletuar si në nivelin artistik dhe në njohuritë e tij shkencore mbi artin. Nga të paktët artistë që kanë punuar dhe studime kritike mbi artin. Gjithashtu, kam patur shansin të jetoj kohën e artistëve të mëdhenj vlonjatë të asaj kohe, si Agron Dine dhe dy artistë tepër unikë të asaj kohe, Skënder Kamberi dhe Nestor Jonuzi. Mosha dhe njohuritë e mia nuk më lejuan të krijoja një përjetim konkret me veprën e tyre. Nuk e kisha mendjen tek realizmi socialist. Isha shumë i zënë me vehten time; unë, bota që më rrethonte, femrat që akoma nuk i njihja as si anatomi, as si intimitet dhe as si psikologji. Muzika rock and rroll që e dëgjoja fshehurazi si të gjithë dhe ëndrra për të ikur një ditë në botën e madhe. Të tjerat nuk kishin rëndësi. Në vitin 2002 jetova 1 vit të plotë në Vlorë dhe njohuritë e mia mbi artistët vlonjatë u rinovuan. Natyrisht emri më i madh që ndesha ishte ai i Agim Sulës, një artist për të cilin kam shumë admirim. Më vonë zbulova Roland Runaj, ateliete i kemi jo shumë larg njeri-tjetrit. Rizbulova edhe Edi Kojanin. Njoha romantiken e artistëve të këtij qyteti në rrugën e krijimit të artit funksional. Është një dinamikë e  pjesë e se cilës unë nuk jam, por që është shumë e bukur dhe aventuroze për mua.

Ndërsa Vlora më ka dhënë dinamikë dhe aventurën, Hollanda më ka dhënë ndergjegjen financiare për të funksionuar si artist.

Çfarë mendoni për të bukurën dhe çfarë rëndësie ka ajo në riedukimin estetik të brezit të ‘njeriut të ri’?

 

Mendoj se brezi i ri ka formuar një formë të vetën të së bukurës. Një bukuri brutale, e drejtpërdrejtë dhe e përqëndruar në esencën e gjërave. Mendoj se një bukuri e tillë mund të lëri një gjurmën e vet në historinë njerëzore.Sidoqoftë kjo bukuri kërcënonet nga fantazmat, të cilat e bëjnë të ardhmen e këtij kulti bukurie të diskutueshme. Fantazma më e madhe është hipokrizia; nga një anë brezi i ri shprehet brutalisht në kultin e bukurisë së tij, por nga ana tjetër trajnohet nëpër shkolla dhe vende pune ku e mësojnë sesi të jetë i disiplinuar dhe i bindur. Nga një anë në artin që krijon brezi i ri synon te drejtpërdrejtën dhe esencën, nga ana tjetër angazhohet pa u menduar shumë nëpër çdo eveniment social dhe politik që i sugjeron brezi i shkuar nga maja e karrikes së tij administrative. Të shikojmë se si do të mbarojë aventura e këtij kulti të së bukurës.

Në punimet e juaja spikasin ngjyrat. Cili është raporti yt me to?

 

Ngjyrat janë diçka që kanë lidhje me Mesdheun dhe Jugun e Europës. Kam zbuluar se ngjyrat mund të më krijojnë mundësinë për të krijuar një realitet paralel dhe për t’u kthyer në një gjuhë prezantuese e këtij realiteti. Nëpërmjet ngjyrave përpiqem të realizoj atë që është dhe ideali im i funksionimit artist: T’i tregoj publikut se kush jam unë dhe jo vetëm sesi pikturoj unë.

Keni hapur shumë ekspozita, Hollandë, Gjermani, Itali, Greqi, Shqipëri. Cili është mendimi juaj në përgjithësi për artistët, galeristët dhe Institucionet? Çfarë mendon për sistemin e artit bashkëkohor në vendin tonë, në Shqipëri?

 

Arti ndahet si gjithmonë në zyrtar dhe jo zyrtar. Shpesh vendosen ura bashkuese midis të dy aspekteve dhe shpesh humnera ndarëse. Galeristët dhe institucionet artistike janë shumë të ngadaltë dhe burokratikë për të kuptuar këto zhvillime. Artisti dhe publiku janë gjithmonë një hap më përpara se galeritë, fondacionet, ministritë e kulturës etj. Tani po jetojmë një moment të mprehtë në artin bashkëkohor: galeritë që janë futur në një rrugë pa krye dhe që jetojnë me të kaluaren, institucionet e artit të cilat nëpërmjet artistit të sponsorizuar mundohen të influencojnë artin politikisht dhe ta kthejnë atë në shërbim të temave të mëdha sociale dhe politike të kohës; artisti i pavarur nga të gjitha këto vendos mënyrën e tij të shprehjes mbi gjithçka tjetër. Secili zhvillim ka avantazhet dhe disavantazhet e tij. Personalisht mendoj se në fund të këtij eksperimenti epoka jonë do të jetë në gjendje të kujtohet me të njëjtën lavdi sesi kujtohet arti modern i para Luftës së Dytë Botërore, i mishëruar në emrat e mëdhenj si Modigliani, Picasso, Dali etj. Artistët në Shqipëri kanë krijuar një ide shumë romantike mbi artin e sponsorizuar nga shteti. Mund të kenë dhe të drejtë, megjithëse kjo ide na afron me konceptin e Marksit ku ‘artisti duhet të ketë për të ngrënë dhe se po pati për të ngrënë, mund të krijojë art’. Koha ka treguar se artin e madh e kanë krijuar ata që kanë aspiruar bukën e gojës dhe jo ata që e kanë patur bukën. Mozarti nuk ishte djalë i ndonjë mbreti. Nga ana tjeter artisti shqiptar është i tmerruar dhe demoralizuar nga deviza kapitaliste; po nuk sigurove vetë bukën, vdis për bukë.

Për mua të dy fantazmat janë jashtë kohës sonë. Sot artisti në Shqipëri me dedikim dhe fantazi mund të krijojë një ekzistencë të bukur, pa qenë nevoja të varet nga sponsorizimet e shtetit dhe pa qenë nevoja t’i ofrojë shërbimet e tij ‘kapitalizmit’ për një copë bukë. Artisti duhet të gjejë vehten. Po ia arriti ketë është në gjendje të imponohet.

 

 

Një artist që e vlerësoni shumë në të shkuarën dhe në të tashmen?

 

Rembrandt në të shkuarën, Gëzim Zoto dhe Marios Tzavelas në  të tashmen.

Ju kam njohur në rrjetet sociale dhe kam vënë re, që në kohën e lirë siç e quani ju, lëvroni edhe shkrimin dhe muzikën (skicën humoristike dhe kitarën si instrument). Si janë qasur tek ju këto dy gjini dhe si plotësohen me njëra-tjetrën?

 

Synimi im funksional është të gjej gjuhën për të folur me publikun. Këtë gjuhë nuk mund ta marr borxh, pra duhet ta kërkoj tek vetja. Sa herë që e kërkoj tek vetja këtë gjuhë, gjej humorin mbi atë që na rrethon dhe muzikën e asaj që përjetojmë.  Rastësisht kam zbuluar kitarën dhe të shkruarin. Kitarën e kisha zbuluar përpara pikturës, por nuk mundja ta shprehja dot. Mësova në Hollandë sesi ta shprehja. Të shkruarin e kam mësuar në shkollën fillore. Në vitin 1993 në një fshat zviceran komplet të izoluar nga bora dhe në mungesën e diçkaje për t’u marrë, fillova të shkruaja diçka që u kthye në një novelë tepër vogël. Në vitin 2003 një kënga ime në një festival në Shqipëri filloi të jepej në radio. Kjo më krijoi idenë se edhe muzikën mund ta publikoj ashtu si pikturën. Do të jetë një moment shumë i bukur për mua kur të jem në gjendje t’i publikoj zyrtarisht të gjitha.

 

Si është përqasja e nudizmit mashkullor dhe femëror në artin tuaj? A vazhdon të mbetet ende një tabu?

 

Nudizmi për mua nuk ka qenë asnjëherë tabu. Njeriun e parë lakuriq e kam vizatuar në shkollë të mesme. Ishte mashkull dhe ishte në kuadrin e programit shkollor. Ne i thoshim lakuriq, por në fakt kishte rroba banje. Më vonë erdhi një model lakuriq me rroba banjo femër. Megjithatë, përjetimi i trupit lakuriq nga ana ime ishte tepër teknik dhe i destinuar për të mësuar të vizatoja. Përjetimin e vërtetë se çfarë shkakton një trup lakuriq, e kam patur kur pata shans të zbuloja intimitetin me një person special dhe ku gishtat e mi nuk mundoheshin të memorizonin ndonjë mësim vizatimi, por mundoheshin të mesonin të prodhonin kënaqësi. Në  Hollandë përfundova në një vend ku lakuriqesia nuk ishte tabu. Një herë në mungesë të modelit, gjatë një workshop që drejtoja unë, kam pozuar si model lakuriq.

A e imagjinoni piktorin Arben Brahimaj se çfarë do të bëhet i madh? Cilat janë projektet e së ardhmes?

 

Ju e keni thënë vetë; projekti maksimal është që kur të vdes të le prapa vehten time të përkthyer në formë artistike. Më pëlqen planeti Tokë shumë dhe dua të vërtitem këtu edhe pas vdekjes në formën e një fantazme artistike. Në të ardhmen e afërme do rikthehem në rrugë. Më pëlqen shumë arti i rrugës dhe dua të rizbuloj funksionalizmin tim artistik atje.

Please follow and like us: