Albspirit

Media/News/Publishing

Mehdi GURRA: Mbi fjalorët shqipes me turqishten, përgatitur nga prof. Xhevat Lloshi

Jeta, historia, ngjarjet, i afrojnë shpesh popujt mes tyre, u imponojnë një rrugë të përbashkët, për t’i ndarë ndoshta pasi ndikimet e tyre të jenë zbehur apo zhvillime të reja t’ua kenë ftohur ndërveprimin.

Shekuj të tërë i patën sjellë pranë turqit dhe shqiptarët, të ndarë fizikisht me fundin e entitetit të përbashkët shtetëror dhe të rivënë prej tridhjetë vitesh tashmë në kontakt të fortë.

Marrëdhënia e tyre është paragjykuar, analizuar, kritikuar dhe qortuar, aq sa sot përbën një tërheqje tepër të madhe për këdo që mendon se mund të thotë diçka për të. Vështrimi ka qenë kulturor, politik, gjeopolitik, strategjik, në bazë të interesit momental, afatmesëm apo afatgjatë.

Krahas anglishtes e italishtes, dy gjuhët më të pëlqyera për shqiptarët për një kohë të gjatë, turqishtja po zë mirë vend, po dëgjohet e po kërkohet të mësohet. Dëgjimi i saj është i dendur në kanalet televizive shqiptare, nga transmetimi i një numri të madh serialesh turke, fenomenalë për mënyrën si i kanë pushtuar ekranet në mbarë globin, por dhe në rrugët e qyteteve tona, nga prania e shtuar e qytetarëve turq dhe e folësve vendas të kësaj gjuhe.

Depërtimi i turqishtes te shqiptarët, mbetja e fjalëve të saj në të folurën e përditshme të tyre, përpilimi i fjalorëve për ta ndihmuar marrëdhënien midis dy popujve, kanë qenë pandërprerë temë studimi dhe veprimi për gjuhëtarët tanë. Mbi ata që i përkisnin një epoke tani të shkuar pati ushtruar ndikim dhe ideologjia me të cilën qenë brymosur, më të hershmit kishin ideale të tjera. Dhe të huaj kanë punuar në këtë fushë, me mangësinë në zotërimin e shqipes të shprehur në gabime të dukshme kuptimore.

Çfarë ka ndodhur në këtë rrafsh, ç’është prodhuar e ç’fjalorë kanë dalë, është përmbledhur në punimin e një gjuhëtari të mirënjohur, emri i të cilit të thotë shumë paraprakisht mbi të pritshmen për t’u lexuar.

“Fjalorët e shqipes me turqishten”, botuar nga Fondacioni “ALSAR”, ka për autor Xhevat Lloshin, skrupuloz i skajshëm. Ai herë-herë merr trajtën e një noprani, aq të fortë e ka kritikën për emra dhe fjalorë të caktuar, si ndjekës me konsekuencë i parimeve të gjuhësisë; për shembull, “Është fjalori më i shëmtuar që ka botuar ndonjëherë një i huaj për shqipen” (fq. 63, për fjalorin e Francesco Rossi-t), “Kjo autore nuk është në gjendje të dallojë fjalët turke nga fjalët shqipe” (fq. 43, për fjalorin e Shpresa Hoxhës). Po ai di të tregohet i butë e të bëjë përshkrime mallëngjyese, si, “… atje kam pasur rastin ta takoja atë njeri aq të ditur, por modest dhe miqësor” (fq. 187, për Tahir Dizdarin).

Punimi studimor i gjuhëtarit me gjuhë të mprehtë ndjek një linjë kronologjike, duke renditur fjalorë dhe duke nxjerrë përfundime. Në çdonjë prej tyre është ndalur, ka bërë analizë gjuhësore fjalësh, ka hedhur poshtë pretendime, ka vënë në pah veçanti. Mes qëllimeve të hartimit të punimit, ai vetë thotë se ka qenë zmbrapsja e ngazëllimit nga padituria me huazimet orientale të shqipes (fq. 87). Kur vjen puna te turqizmat, jep konkluzionin: “Në këto rrethana, përpjekjet për zëvendësimin e turqizmave sot janë një mëtim i pakuptimtë. Ka ardhur koha që në gjuhësinë shqiptare të kapërcehet mistifikimi i shifrave me leksikun. Turqizmat nuk janë më problem i shqipes, ata përbëjnë një problematikë vetëm për gjuhëtarët.” (fq. 102-103) Kurse persizmat i quan një mit në gjuhësinë shqiptare (fq. 226).

Bashkë me një trajtesë të mirëfilltë gjuhësore të fjalorëve dhe të shumë fjalëve, gjë që e bën sigurisht punimin specifik dhe të vështirë për t’u lexuar e kuptuar nga çdokush, ndesh dhe nënvizimin që paraqitjen e parë të fjalëve të shqipes krahas me turqishten e ka bërë Evlija Çelebiu gjatë udhëtimit të dytë në trevat shqiptare (fq. 8), përcaktimin si të parin përkthim nga turqishtja në shqipen, edhe pse është një fjalor, të punës së Myslim Hoxhës, “Përshtatje eTyfhe-i Shâhidi”, në fund të shekullit të 18-të (fq. 15), gjetjen se për herë të parë pikaset një interesim i përdorimit të fjalëve shqipe edhe në ligjërimin fetar mysliman me botimin në vitin 1910 të një libri me 60 faqe, “Ferrëfenjësi i ri a Mësime myslimane”, një përkthim nga turqishtja i Josif Haxhimimës e me një fjalorth në fund shqip-turqisht (fq. 29), mendimin se “me sa duket, praninë e turqizmave krahas fjalëve shqipe dhe praninë e dygjuhësisë i pari e ka dëshmuar konkretisht Frang Bardhi” (fq. 47), e se “ndër shqiptarët duket se K. Kristoforidhi ka qenë i pari qëështë marrë posaçërisht me huazimet turke të shqipes” (fq. 105).

Do të pranojmë se turqishtja ishte për shekuj gjuha e “globalizimit osman” (fq. 150), shkruhet në punim, dhe kërkimi i gjurmëve të para të fjalorëve të shqipes me turqishten nis me Evlija Çelebiun, të cilit i njihet edhe merita e dhënies së të parit vlerësim për shqipen. Asnjë i huaj deri më 1662 nuk ishte shprehur për cilësitë e shqipes, e aq më tepër se është e këndshme, theksohet mes rreshtave (fq. 8). Por më tutje (fq. 27) vjen përfundimi se fusha e fjalorëve të shqipes me turqishten gjatë periudhës osmane mund të quhet e dështuar. Turqishtja osmane, thotë autori, përjashtuar shtresën e punonjësve të lidhur me administratën osmane, nuk zuri vend te shqiptarët dhe u largua menjëherë bashkë me atë administratë (fq. 31).

Xhevat Lloshi i përcakton vitet 1990 si periudhë të shfaqjes së kërkesës për fjalorë të mirëfilltë të shqipes me turqishten. Leksikografia kështu do ta gjente vendin e vet, shprehet ai (fq. 35). Me fjalorin e Sami Nezirit të vitit 2003, fusha leksikografike për shqipen dhe turqishten hyn në atë etapë në të cilën turqishtja shihet si të gjitha gjuhët e tjera të huaja kundrejt shqipes dhe i nënshtrohet shqyrtimit të përgjithshëm të fjalorëve në bazë të teorisë e të praktikës së sotme (fq. 40). Pasi renditen një varg fjalorësh dhe autorësh, me fjalë të mira dhe kritika, konkluzioni është se ende mbetet detyrë hartimi i një fjalori të mirë shqip-turqisht (fq. 45).

Për të huajt e marrë me shqipen dhe fjalorët, punë e parë me shumë kujdes nga gjuhëtari këtu autor,vlen të përmenden idetë se, “Shfaqet për herë të parë te F. da Leçja (Francesco Maria da Lecce) prirja e disa të huajve për të trilluar fjalë të shqipes së shkruar, të cilat asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e leksikut të gjuhës sonë” (fq. 51), “Fjalori shqip-italisht i F. Rosit përbën dukurinë më të skajshme e të paparë, të shfaqur më parë te F. Maria da Lecce, për të trilluar një shqipe të shëmtuar” (fq. 64), “Nga pikëpamja leksikografike është e pakuptueshme përse një hartues i huaj fjalori terminologjik qenka shqetësuar për turqizmat e shqipes, sikur pastërtia e shqipes paska kuptim vetëm për mënjanimin e turqizmave, ndërsa nga gjuhët e tjera mund t’u pranoka gjithçka tjetër” (fq. 74), “Tashmë e kam vërtetuar se disa autorë të huaj, në mes tyre po përmend edhe një herë Angelo Leotti-n (Fjalori shqip-italisht, 1937), janë përpjekur të trillojnë një gjuhë shqipe që nuk ekziston, deri duke i ‘shqipëruar’ turqizmat e duke sajuar fjalë të prejardhura” (fq 146).

Në“Fjalorët e shqipes me turqishten” ka kritika të drejtpërdrejta për shumë studiues e autorë, për ideologjizime, për shkelje të etikës shkencore, për redaktorë të paaftë, për etimologjitë e shqipes, siç edhe u kushtohen fjalë të mira shumë të tjerëve, mes të cilëve, siç u tha dhe më sipër, Tahir Dizdarit dhe veprës së tij, “Fjalori i orientalizmave në gjuhën shqipe”.

I vështirëështë përshkrimi përmbledhtazi i një punimi të tillë me material mjaft të ngarkuar, në labirintet e të cilit mund të humbasësh lehtë. Më lart u dhanë pak prej atyre çka bien në sy me një lexim të parë, por nuk ka diskutim se ky libër kërkon rilexim të herëpashershëm.

I ndarë në disa kapituj, ai na jep një pamje të qartë të zhvillimit të fjalorëve të shqipes me turqishten, të turqizmave, të nevojës ende për një fjalor të plotë e të një cilësie të lartë, në përputhje me intensitetin në shtim të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe turqve.

E shoh të nevojshme të jap këtu disa sugjerime i nxitur nga problematikat e ngritura nga autori i këtij libri. Ngaqë ende është i paardhur akoma një fjalor i mirë dygjuhësh, me shqipen dhe turqishten si përbërës, përpara nisjes së hartimit të tij duhen marrë në konsideratë tendencat e sotme zhvillimore të gjuhës turke.

Ndryshimet e mëdha në Turqi gjatë gati dy dekadave të fundit kanë patur ndikimin e tyre dhe mbi gjuhën. Përtëritja e kulturës osmane dhe rigjallërimi i jetës fetare janë shoqëruar me prirjen për pasurimin e fjalorit dhe të së folurës në përputhje me tendencat e mësipërme. Ripasurimi i turqishtes së sotme është dukuri e pamohueshme. Në ligjërimin e udhëheqësve të vendit, por dhe në gjuhën e letrave të administratës, ka hyrë përdorimi i fjalëve të papërdorura për një kohë mjaft të gjatë nga popullata të turqishtes së vjetër. Për turkun e pamësuar me një gjuhë tëtillëështë e vështirë shpesh përthithja e idesë së një fjalimi apo dhe kuptimi i një shkrese, për të mos folur për vështirësitë e një të huaji në të kuptuar, edhe nëse është i shkolluar në Turqi.

Pranëvendosja e natyrshme e kulturës osmane me kulturën islame e ka patur dhe e ka reflektimin e saj në leksikun e gjuhës turke, në të cilin gjenden shumë fjalë me origjinë dhe ngjyrim fetar. Kësaj i duhet shtuar fakti se vetë osmanishtja ka brenda elemente të arabishtes, persishtes dhe kurdishtesh.

Turkologëve tek ne u bie kështu barra e qëmtimit mirë të turqizmave dhe e identifikimit të fjalëve në turqisht me origjinë nga gjuhë të tjera. Njëherazi, hartimi i një fjalori të termave fetarë, mungesa e të cilit ka sjellë përkthime pa cilësinë e dëshiruar, do t’i ndihmonte shumë përpiluesit e një fjalori të mirë dygjuhësh.

Në hartimin e një fjalori të vlefshëm të shqipes dhe turqishtes, që t’u përgjigjet kërkesave të kohës dhe që të mos ketë aq boshllëqe sa të bëhet i papërdorshëm, duhen angazhuar leksikografë të përgatitur si duhet, që të kenë njohje të gjerë të turqishtes, të kenë studiuar në Turqi, dhe tëjenë tëpajisur njëkohësisht dhe me njohuri fetare.

Për të gjitha këto, Fondacioni “ALSAR” është i gatshëm të bashkëpunojë dhe të investojë mund e kohë për nxjerrjen e fjalorëve me vlerë, ndihmuese për çdokënd në nevojë për to. Siç botoi veprën e gjuhëtarit Xhevat Lloshi, “ALSAR”-i jo vetëm është i hapur për botime të tjera të tilla, por dhe për një përfshirje të drejtpërdrejtë në hartimin e fjalorëve të shqipes dhe turqishtes, e të fjalorëve të termave fetarë, në veçanti.

Please follow and like us: