Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: Përtej një fotoje me profesorët e kritikës, Nebi Islami dhe Josif Papagjoni 

I habitshëm ky urim që më erdhi sot, me një foto trishe, për tre persona një merren (fatkeqësisht!) me kritikën, me dy profesorët Nebi Islami, Josif Papagjoni dhe Miho Gjini, që jam unë. I veçantë sepse dihet që askush nuk i do ata, se të gjithë presin fjalë të mira e me ‘lulka’, se nuk duhen ‘trazuar ujrat’ në asnjë lloj mënyre, se nuk duhet prishur imazhi i festivaleve teatrore, sido që të jenë ato, qofshin edhe ‘bërnut’ fare, se sidoqoftë roli i kujtdo aktori duhet ngritur ‘në qiell’ dhe të tjera si këto që prishin qejfe e shkaktojnë mërira, të vogëla e të mëdha!

Pra, ështe krijuar mendimi se, pa këta ‘sherrxhinj’ dita eshtë më e qetë, shfaqja e teatrit më e ‘bukur’ e festivali më i mirë dhe se ka ‘shënuar një hap më përpara'(!), pa le të jetë disa ‘hapa mbrapa’! Ndofta edhe ata që janë më lartë e që drejtojnë shtetin, bash për këtë punë, nuk kane hapur kurrë një shkollë a një fakultet për ‘xhinsin’ e këtyre personave, që të merren me hulumtime e studime për artin, letërsinë e kulturën, për të bërë analiza të veçanta, për të shkruar libra me kritika e zhvilluar në nivele profesioniste e shkencore sesione shkencore, për arritjet në keto ‘fusha djerrë’…

Rrallë herë ndodhë që nëpër festivale prestigjioze jashtë shtetit apo evente të tilla, të dërgohen për asistencë ata, të papërfillshmit e kritikës, që kanë mbetur fare pak e që po shkojnë drejt ‘tkurrjes’ e zhdukjes, thuajse si të ishin ‘specie’ të dëmshme! S’ka më të bezdisur se ata që merren me kritikë, thuhet nën zë e me zë, edhe pse ata e kanë këtë ‘vlerë të shtuar’, si ta themi, nga pasioni i tyre vetiak dhe që mundohen hera-herës, të sjellin në shoqëri njëfarë kontributi të mirë, qoftë edhe ‘të ndajnë shapin nga sheqeri’ në ‘lëmin’ e tyre, të shprehen në median e shkruar e të folur, nëpër tryeza festivalesh (harruar qysh kurrë!), të hedhin në gazetë fjalën e tyre, që të mos shpërndahen vetëm ‘sheqerka’ e të mos dalin ndër faqet e gazetave ‘hedhës dafinash e lule-shtrydhe, pa hesap’!).

Ruajna Zot(!) nga ‘sheqerxhinjtë’ dhe hedhësit e ‘fishekzjarreve’! Po edhe kur kritikun duket sikur e ftojnë në ‘mexhilis’, kjo bëhet sa për t’i ‘ndrequr mjekrën’ atij e asgjë tjetër, veçse të hajë bukë e të ketë një krevat për të fjetur (diçka më mirë se në luftë”!), sikundër ndodhi në një ‘Projekt të madh!’ për nje sesion-shkencor ku na thirrën e pastaj na përcollën me ‘mjekra të rruara”! Medet për ne kritikët, që megjithatë na shihni edhe duke buzëqeshur! Jo pak herë mbushim edhe faqe gazetash, pa u pagur asnjëherë, si ta kishim një detyrim e aq. Dhe kur vajta tek një pronar gazete, ku kisha botuar mbi njëqind shkrime analitike për krijmtarinë artistike e letrare, ai më pë vëngër, sikur të qe varfanjaku më i madh i globit! As duhen përmendur fare honoraret, të cilat, (të mos e dëgjojë njeri këtë: në sistemin e vjetër paguheshin (!), deri sa doli andej nga vitet e fundi të Diktaturës, një i çmendur që nuk shkruante fare dhe tha se: “nuk kemi nevojë për honorare, si në vendet borgjezo-kapitaliste”! Kaq duhej dhe ato u prenë!

Po tani, që jemi në sistemin tjetër, atë kapitalistin, kush i ‘preu’ ato?! Po ashtu, edhe kur na ftojnë nëpër festivale, për të bërë analiza e për të thënë fjalën tonë, jo të gjithë organizatorët paguajnë, madje edhe kur përmenden para perdes financuesit e ndryshëm (nga shteti e privati), e që nganjëherë dalin aty edhe ministra, për ta thënë këtë! Ç’bëhet vallë mëtëposhtë?! E kjo ndodh vetëm në vendin tonë. Një studjuese e nderuar e jona, e mërguar në Itali, (pasi më dëgjoi mospërfilljen e mosnjohjen!) më shkruante, se njeri nga kritikët e atij vendi njihet, si njeriu më i paguar aty.

Në një shfaqje teatri në Athinë, nuk do hapej perdja, pa u ulur akoma, në rreshtin e parë, kritiku i teatrit, personi më i paguar!… Ndërsa në një festival kombëtar në vendin tonë, njeri nga ne te tre, që i ‘varën këmborën’ të kritikonte e të bënte analiza, pasi drejtoi një javë me rradhë tryezën e kritikës e u ‘prish’ me gjysmën e festivalistëve, duke bërë analiza e kritika për çdo shfaqje, pas mbylljes së perdes së festivalit, u përcoll prej “organizatorit” (të fshehur pas perdes), vetëm me një fanellë të festivalit, që ia dorëzoi atij, njëra nga pastrueset e sallës, pa e falenderuar askush, qoftë edhe me një fjalë, ndërkohë që aty qenë hedhur shumë para e shumë ‘fjalë në erë’, që nga Ministria e Kulturës, drejtori e me radhë…! Si në një komedi, kur në vend që të qeshësh, duhet të qash me lotë të hidhur!… Ja sepse m’u duk i ‘veçantë’ ky postim i një të panjohure të quajtur Zarife Berisha!

Please follow and like us: