Albspirit

Media/News/Publishing

Balta e zezë greko-serbe nuk e nxin dot fajkuan e penës për Kosovë e Çamëri​

 

Nga Besnik Velaj

Në lagjen “Osman Haxhiu”, pallati Nr. 1300, në Vlorë, banon Fatos Mero Rrapaj. Mungesa e gjatë e tij në rrugë, në lagje e sidomos në familjet çame, institucionet demokratike, të dashurit e tij apo miqtë e shumtë e të ditur, që e duan Shqipërinë Etnike me Kosovë e Çamëri (deri tek tre Gurët e Zezë), me zemër të madhe si Fatos Mero Rrapaj, bisedat e ëmbla për Folklorin ku Fatosi është kompetent shkencor 65-vjeçar, pjesëmarrja nëpër takimet serioze të librave të promovuar me poezi dhe prozë të autorëve të rinj na kanë shqetësuar, merakosur, dhembur për një personalitet publik. I kemi bërë vizitë si të gjitha vizitat miqësore, por kjo e fundit na e bëri zemrën me një dhimbje të re… Fatosi është sëmurë rëndë!!!

Megjithëse i jep kurajo vetes dhe buzëqeshja publike nuk i ndahet, nga shpirti i dhimbsur për Shqipërinë e shqiptarët, struktura e tij fizike dhe gjendja e rënduar shëndetësore nuk e lejon të ngrihet në këmbë, për të lëvizur e për të mbledhur nektarin e Folklorit për Kosovë e Çamëri, në fakt, ai në këmbë është dhe vazhdon të mbledhë Folklorin për Kosovë e Çamëri dhe nektari i ëmbël e nderon sot e në jetën e pasosur të artit të madh.

Ai lëngon në një varfëri të plotë, ku muret e shtëpisë nuk kanë as suva, ku pllakat e dyshemesë lëvizin të gjitha dhe familja me një djalë të sëmurë si ai, është zhytur në skamje nga trajtimi i keq i të gjithë pushteteve, që nga 1945-a e deri më sot, më 2007! Asnjë personalitet nga ishët, të konvertuarit dhe të sotmit të Bashkisë, Prefekturës, Ministrisë, Akademisë së Shkencave (sterilë e të tredhur), nuk kanë treguar as interesimin më të vogël për të, pale të lodhin këmbët e t’i bëjnë një vizitë…! Zgjedhje pas zgjedhjesh të reja, t’u kishte vajtur në mendje deputetëve të Vlorës majtas e djathtas (përjashtuar personalitete si z. Sabri Godo e z. Rrapo Hajredin Danushi) që vdesin për reklamë tribunash, qoftë për një kokërr vezë, një thes me miell apo për “çarmatimin”, duke pyetur policinë se “a e kishte firmosur deklaratën Fatosi, nëse kishte apo jo kallash në shtëpi…”?!

Në mungesë të atij informacioni, po informoj unë, se ai ka një armë, por ajo është një lapës dhe një letër, që nuk iu nda nga dora pavarësisht nga mosha, që e radhit atë si një intelektual të madh dhe shkencëtar të vetëflijuar për Shqipërinë, apo si mik intim të Eqerem Çabejt, Ismail Kadaresë, Agim Shehut, Feim Aganit, Nexhip Allpanit, Ahmet Gashit etj.etj. Ai ka qëlluar me armën e tij patriotike dhe ka botuar këto trasta më këngë të ndaluara, të botuara:

– Tek Sheshi i Flamurit, Këngë Popullore nga Çamëria, Këngë Popullore të Labërisë, Rënkimet e Çamërisë, Fjalori Onomastik i Epirit vol. i parë, Këngë Popullore të Ndaluara, Ushtojnë Malet e Krujës dhe Lirika Popullore!

Presin ditën e botimit për mungesë fondesh dhe dashakeqësi të antikombëtarëve greko-serbë, (pushtetarëve, Vepra Madhore: Fjalori Onomastik i Epirit-vol. I, II, III, IV, V, VI, VII, si: Kur Merr Flakë Shtëpia e Fqinjit-Rrezikohet edhe Jotja, Fjalori Leksikofrazeologjik i Çamërisë, Tregime Popullore për Ali Pashë Tepelenën, Këngë Për Ali Pashë Tepelenën, 5000 Fjalë të Urta të Çamërisë, Tregime Mitike, Epikë Legjendare dhe Historike nga Kosova, Prozë Popullore nga Labëria, Prozë Popullore nga Çamëria në 5 vëllime, Doke e Zakone në Çamëri, Prozë Popullore nga Kosturi dhe Follorina, Epikë Historike nga Lirika Popullore nga Mirdita, Anekdota Shqiptare në 5 vëllime, Lojra Tradicionale Çame, Lirika Fetare Çame, Mjekësia Popullore në Çamëri, 2000 Fjalë të Urta nga Kosova e Dibra, “Minoriteti Grek me Prejardhje Shqiptare”, 7 Prill 1939 Historia e Pashkruar me Heronj dhe Dëshmorë të Pashpallur, Rënkimet e Vardarit.

Ai ka mbetur një burrë i paktë, i dobët, i verdhë si floriri, që sëmundja e paralizës e ka shtrirë në lëngatë, por nuk e ka vënë dot poshtë, dritën e jetës së tij e mban akoma gjallë forca e dashurisë për njerëzit e vërtetë patriotë si ai dhe për Shqipërinë Etnike. Ne mundohemi të na thotë ndonjë fjalë dhe ai na dhuron një nur të ëmbël si nektari që mbledh bleta, lule më lule, për të na bindur… se ai ka qenë themeli i kësaj godine të lartë me Këngë të Ndaluara për Çamërinë, Kosovën dhe Shqipërinë. E ndaluar ka qenë edhe jeta e tij, veprimtaria në shërbim të kulturës dhe artit. Ai e luftoi fashizmin, e luftoi me pushkë në krah-kënge Maje Krahu që në moshën 13 vjeçare… Në vitin 1941 la përgjysmë studimet në Itali dhe më 1942 u hodh në çetat që luftonin për liri. Diktatura e futi nëpër burgje dhe tërë jetën me porosi të teneqexhiut Koçi Xoxe etj. U arrestua duke vuajtur 7 vjet burg dhe jetës pas burgut e ndoqi pas Sigurimi i Shtetit, sepse donte Kosovë e Çamëri!!

Informojmë me dhimbje dhe krenari njëherësh se çfarë i dha Fatos Mero Rrapaj Shqipërisë Etnike, aq sa mundi maksimalisht dhe si po e bëjnë detyrën qeveritë që venë e vinë në rrathë të mbyllur…? Deri tani, as në Vlorë, as në Tiranë nuk kanë bërë asgjë. Po Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve? Asgjë edhe ajo.

Na vjen keq, por edhe Shoqata “Çamëria”, Partia “Balli Kombëtar”, Veteranët e Luftës, Shoqata e të Persekutuarve, nuk është asnjeri në derën e tij për ta ndihmuar, për të shpëtuar jetën e veprës së tij në 28 (njëzetë e tetë) vëllime, me mbi 500 faqe për çdo vëllim!

Ai është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe në bashkëpunim me shoqatat, sidomos “Çamëria” dhe “Kosova” kanë organizuar veprimtari për promovimin e librave të tij. Gjithmonë kanë qenë të pranishëm shkrimtarë, studiues, botues, veprimtarë shoqërorë. Punën kolosale, energjitë mendore e fizike të harxhuara të folkloristit kanë qenë të përmasave gjigande dhe janë të çmuara nga të gjithë me nderim atdhetar. Ato kanë vlerë jo vetëm si përmbledhje, kodifikim dhe ruajtje e Thesareve të Kulturës Folklorike të të gjitha Viseve të Shqipërisë Etnike, por edhe Karata të Larta Atdhetare. Nga korpusi gjigand shumëvëllimësh, veçojmë plagët që kullojnë akoma gjak, atë të Çamërisë, shqiptarëve të Maqedonisë e të Malit të Zi. Është gjymtyrë e trupit të Shtetit Amë që dhemb akoma(i), është pjesë e Integritetit Tokësor-Shpirtëror të Shqipërisë e ndarë akoma. Duhet të bashkohet!!! Kuadri Kulturor-Artistik-Popullor në favor të Folkloristit të Madh, është i madh gjithashtu.

Ai mban mend që i vogël me pushkën krahut, në luftën për liri, aty pas një beteje, shtrirë në rrasën e një guri të bardhë, me kokën vendosur mbi pushkën që e donte shumë, në gjumin e ëmbël pas beteje: Zoti pellazgo-ilir i foli për herë të parë për grumbullimin e Thesarit Folklorik të popullit. Me mençuri, shije të rrallë, pasion, durim, dashuri, përkushtim, filloi të hedhë në kartë fjalët e urta. Në fillimet e veprimtarisë së vet, më 1945, ai pa me sytë e vet Tragjedinë Çame, Kosovare, të përzënë nga trojet e tyre etnike erdhën këtej kufirit. I shtyrë nga nacionalizmi, patriotizmi, filloi të shkojë vatër më vatër, të takonte më të vjetrit, si: pleq të moçëm, rapsodë, këngëtarë Hed si Homeri, të trevës çame dhe kosovare. Siç thamë më lart, ai trajtohej nga Diktatura Vertikale si “armik”, duke e quajtur bashkëpunëtor të grupit të Hamdi Frashërit. Mbas viteve të burgut e internuan në Fermën Gulag të Mifolit, Vlorë, ku punoi roje stallash të lopëve për dekada. Duke parë gjenialitetin, i habitur nga ana dokumentare për këtë krijimtari popullore të mbledhur, dikush nga “Kasta e Kuqe” u bë zemërmadh dhe ia shtyti gardhin e lëvizjes më tej.

“Fajkoi”, që nuk e mbante dot kafazi i diktaturës “gjuajti” gjithë jetën, por pa të drejtë botimi. Po të mos vinte Demokracia apo demo(ta)kërcita, ai do të mbetej anonim. Ç’kemi bërë për njeriun që vlen sa për një AKADEMI të tërë, por që akademik nuk është zgjedhur? Ç’kemi bërë për Fatos Mero Rrapaj, për nderin që u ka bërë Çamërisë, Kosovës dhe Shqipërisë?

Nga zyrtarë blu, të kuq, rozë është thënë në zëra të mekur…se u diskutua propozimi, por mungesa e “kompetencave” kualitative si dikur Greko-Serbe na ka penguar…! Si për çudi propozimi mbetet në ingranazhet e vjetra, kur për mediokrit (edhe të huaj) çahen gazetat, R.T.SH.-ja. Kush i ka pasur, ka akoma në dorë kompetencat? Dihet se ata janë shqiptarë që vuajnë nga paradokset e origjinës sërbo-helene, sot për të mbajtur karriget, apo lëpirë ndonjë kockë kaciqi-shpatull derri, kur përçiten kopetë në vjeshtën e parë të mitrës sllavo-greke, për të marrë ndonjë pasaportë, pension a para të thata të ndyra. Kështu shtrohet çështja e Dashakeqësve. Ata nuk shohin kokulur punët poshtë, siç është rasti i Fatos Mero Rrapajt, por vetëm institucionin, si në kohën e Zihni Sakos, Dhimitër Shuteriqit apo sot varet nga sojsëzët e Jorgo Panajotit të Melçanit vulgar. A mund të jetë harresë e të mos mbajnë mend punonjësit e mediave në Vlorë, si “Amantia”, “6+1”, R.T.SH.-ja sa për t’i bërë present, ato, që duhen thënë për të, për të gjitha veprimtaritë? Për të njëjtat gjëra a nuk mund të intensifikohej për 17 vjet Fatos Mero Rrapaj? Zyrtarët e djeshëm, të brezit të dytë e të aktualizuar kohërisht, për hir të konjukturave pushtetore, në muajin e “Mjaltit” me Serbinë e Greqinë (diplomatike) nuk duan zëra të fuqishëm për Kosovën e Çamërinë. Ata i tremb roli aktiv i Godinës Kulturore-Artistike Fatos Mero Rrapajt nga Gumenica, të cilët me argumente shkencore u kundërvihen Kretës, Krans Montanës, politikanëve serbo-greke, si dje me plumb. Ekranizimet e “këqija”, kanë penguar të “Drejtën e Autorit” për t’u marrë vesh nga populli.

Kameramanët për 17 vjet rresht nuk kanë hedhur kurrë kamerat nga “presidiumet” ku është Fatos Mero Rrapaj! Në ato veprimtari gjithmonë televizionet na japin figurat e politikanëve si “Demka”, zërin, por jo gjuhën e Folkloristit të Madh. Memecët nxjerrin Janullatosin, Koshtunicën, Bregoviçët etj, por jo Fatos Mero Rrapajn dhe kundërshtarët e “K. Peshkopit”, si Abdi Baleta, Sali Bollati, Pandeli Koçi, Perikli Jorgoni. Po shkëpusim disa citime të tyre për autorin dhe krijimtarinë e tij, sipas rendit alfabetik për ato që nuk japin kurrë televizionet:

-”Konkretisht i pazëvendësueshëm për të mbrojtur kujtesën Historike Kombëtare”, “Akademia e Shkencave t’i japë titullin e Akademikut”, “Enciklopedoa e Jetës Çame”, “Atë që bëri Rexhep Qosja me Historinë e Letërsisë e ka bërë Fatos Mero Rrapaj me “Kulturën Folklorike”!!!

Duam të përmendim edhe një fakt si dëm i paramenduar…Mungesën e Përjetshme të punonjësve shkencorë të Institutit të Kulturës Popullore dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për të vlerësuar kontributin e Fatos Mero Rrapajt. Ata kanë pretenduar me fjalë xhelozie se puna e tij, argat i penës, këtij De Rade, Thimi Mitkoje, Bernard Palaj të kohëve moderne për t’ia bashkuar “veprimtarisë shterp” të dy institucioneve …në prapaskenë janë greko-serbët që s’e duan si Klas Ekselencë. Po në realitet? Ata kanë gënjyer ditën më diell, janë “zotuar” se për motive “shekspiriane” të kësaj krijimtarie do të “urdhërojnë” R.T.SH, por do të përdorin edhe satelitin? Radiotelevizionet nuk kanë ndihmuar kurrë që me anë të emisioneve të ngrohin zemrat e patriotëve, nacionalistëve. Brenda e jashtë Shqipërisë (kudo në Botë) me lëndë 3000-vjeçare të ATDHEUT dhe historitë e lënduara të Kosovës e Çamërisë. Ato punë janë siç kanë dashur dospoda-qirjet, sipas modës hermetike “Dy Popuj Miq”. Duhet t’u kujtojmë gospoda-qirjeve se kompetencat si lugetër të lartë nëpër radiotelevizionet që kanë mbirë si kërpudha të helmatisura në “sinoret e mia” t’i përdorin me ligjet e shtetit demokratik… jo si në Diktaturë:

– “Kosova është Sërbi”…, “Çamëria është Greqi”…! Gospodinët-qirjet nga lart-poshtë e pastërtisht poshtë e lart nuk kanë lejuar që “Individi i Madh i Antartidës së Humbur” (lexo: Kosovë e Çamëri që u marshin të keqen), të paktën për 17 vjet të fliste për Kosovën e Çamërinë.

Pse përkrahen gospodinët-qirjet ortakë…kur paralizohet veprimtaria e Bijve të Ndritur të Shqipërisë për Kosovën-kosovarët, Çamërinë-Çamët…? “Dang-dang, deri kur kështu”!

Please follow and like us: