Albspirit

Media/News/Publishing

Zbulim arkeologjik i paleolitit të hershëm në Zvërnec të Vlorës

Besnik Velaj

Në perëndim të qytetit të Vlorës, pak kilometra larg tij, ndodhet një nga peizazhet më të bukura të bregdetit shqiptar. Laguna e Nartës, prej 6500 hektarësh, Ishulli i Manastirit, kodrat të gjelbëruara të Zvërnecit, plazhet e mrekullueshme dhe bota e florës dhe faunës i kanë dhënë këtij mjedisi gjeografik statusin ”Zonë e peizazheve të mbrojtura”. Ky territor administrohet, varet nga komuna Qendër, Vlorë. Të dhënat morfologjike të kësaj treve dëshmojnë se ky territor bën pjesë në zonat neotektonike, që përfundon në periudhën e Pleistocenit dhe Kuaterrnarit. Sot, kjo ultësirë, e cila bën pjesë në njësinë gjeografike të Myzeqesë së Vogël, përfaqëson një mbivendosje me origjinë olivionale. Në formimin e relievit të saj kanë ndikuar prurjet e lumit të Vjosës, të cilat llogariten në 997 tonë për kilometër katror në vit, forcat dinamike të detit Adriatik, lëvizjet tektonike të tokës dhe ndërhyrjet e njeriut në mjediset e saj. Në vijën bregdetare, nga derdhja e lumit të Vjosës e deri në vendin e quajtur ”Pllakë” në kodrat e Triportit, krijohen procese shumë të fuqishme që çojnë në ndryshime të shpejta e në përmasa të mëdha në reliev dhe në brigjet e detit. Aktualisht, këtu kemi të bëjmë me avancimin e detit në drejtim të tokës”. E gjithë kjo zonë dallohet për gjetjet arkeologjike, vlerat historike, etnografike dhe monumentale.

Gërmimet

Gërmimet e para në kodrat e Triportit që u bënë në vitet 1975-1976 përcaktuan gjurmët e një vendbanimi të hershëm, i cili i ka fillimet në Periudhën e Paraurbane, shekullit të XI-X para Krishtit. Në shekujt IV-III para Krishtit, ky vendbanim u shndërrua në një qytet të fortifikuar, që shërbeu si një port i rëndësishëm i Ilirisë së Jugut. Qytetet si ai i Apolonisë, Bylisit, Amantias e Olimpit e kryenin veprimtarinë portuale nëpërmjet kësaj skele. Gjurmët e këtij qyteti shuhen gjatë shekullit të II-të pas Krishtit, pikërisht në kohën kur për herë të parë është përmendur AULONA, si një qytet-skelë, sipas gjeografit të njohur PTOLEMEU. Edhe në zona të tjera të lagunës së Nartës dhe për rreth saj gjatë punimeve të tokës bujqësore e ato bonifikuese jemi ndeshur në gjurmë arkeologjike, të cilat na kanë dëshmuar vazhdimësinë e jetës këtu që nga periudha e Bronxit. Në këta vitet e fundit, 2011-2013, në vargun e kodrave që ndajnë lagunën e Nartës me ujërat e detit Adriatik kam mundur të grumbulloj mijëra objekte litike, fragmente qeramike e kocka, të cilat përforcojnë bindjen për ekzistencën e vendbanimeve prehistorike në këtë trevë. Pas thellimit në studimet e deritanishme që bëjnë fjalë për këtë kohë të largët në vendin tonë në rajon dhe pas konsultimeve me specialistët e fushës , akademikun MUZAFER KORKUTIN E PROF. ASS. DR. ILIR GJIPALI, u përcaktua qartë se materiali i grumbulluar në këtë zonë i takon një periudhe të gjatë kohore, nga PALEOLITI i HERSHËM, deri në Periudhën e Bronzit. Paraprakisht mendohet se kemi të bëjmë me 4 vendbanime prehistorike, të cilat për efekt studimi janë emërtuar Zvërneci A\B\C\D. Zvërneci A ndodhet midis kodrave të Triportit dhe të Kulës, në një sipërfaqe pothuajse horizontale, me gjatësi 300 metra dhe gjerësi 150 metra dhe lartësi mbi nivelin e detit 7 metra, që përfshihen në një vijë bregdetare të thyer 500 metra linear. Banorët e Zvërnecit dhe të Nartës e kanë quajtur këtë vend të sheshtë Putanja, që do të thotë lum i vogël. Nisur nga morfometria e saj nënkuptohet fakti që sa herë që laguna e Nartës fryhet nga ujërat e lumit të Vjosës apo nga rrjedhjet e dendura, shkarkimi bëhet nëpërmjet kësaj ultësire. Objektet e këtij vendbanimi të hapur janë gjetur në sipërfaqe, në profilet shkresore e që ndryshojnë vazhdimisht nga gërryerjet e dallgëve të detit. Gjatë një zbatice në ecje e sipër marrin me vete shumë materiale të ngurta. Midis tyre në sipërfaqen e rërës dhe në cekëtinën e detit kemi gjetur objekte stralli, si vegla, ashkla. zeje të testuar dhe nuklonese. Deri tani kemi mundur të grumbullojmë 624 vegla pune të plota stralli, një sasi të vogël qeramike, bronzi si dhe material kockor. Zvërneci B ndodhet pas kodrës së Kulës dhe asaj të Protonovës, në vendin e quajtur DIHTARIA. Në vitet 1960 në këtë territor ndërmarrja e Peshkimit, çeli një kanal që të krijonte Dalanin e Ri për të shërbyer si afluent për furnizimin e kësaj pjese të lagunës me ujëra nga deti. Nga ky veprim dëmtoi gjurmët e një pjese jo të vogël të këtij vendbanimi. Por gjetjet litike që u gjetën aty ndihmuan për të vërtetuar se janë të ngjashme me ato të Zvërnecit A.

Materialet

E veçanta është se në këtë rast arritëm të grumbullojmë një sasi të madhe të materialeve litike të kockave, më shumë qeramikë. vendbanimi i Zvërnecit C, që ndodhet midis kodrës së Protonovës dhe Pusit të Kroatit(Pus nafte i shpuar vonë nga një firmë kroate, B. V), nga përmasat e sipërfaqes e shtrirja e gjetjeve arkeologjike në të, rezulton të jetë më i vogël se dy të parët.  Në përfundim të kodrave të Zvërnecit, pothuajse në gjithë vijën bregdetare, gjenden të lagura nga ujërat e detit formacione shtufore të modeluara në formën e vaskave të mëdha. në këtë sipërfaqe në kohën e zbaticave janë gjetur dhe ruajtur dhjetëra vegla litike, si sëpata dhe hanxharë dore, kruajtëse në formë disku dhe ovale të punuara me material shtufor të ngjeshur me ngjyrë okër.  Këto lloj veglash janë punuar në mënyrën më primitive dhe kanë përmasa më të mëdha se ato që janë gjetur prej stralli.

Teknika e punimet, veglat 250 mijë-vjeçare

Nisur nga përmasat makrolitike, teknika e punimit (Pobble tolls, (vegla zejesh), gjykohet se këto objekte e takojnë periudhës së Paleolitit të Hershëm, që daton edhe më parë se 250 mijë vjetësh. Në Evropë gjurmë të kësaj periudhe janë zbuluar edhe më herët në Atapuerka të Spanjës, Abievili të Francës, Klokton të Anglisë, Shpellën e Kaprionit të Kroacisë e diku gjetkë. Nga studimet paraprake të gjetjeve arkeologjike në trevën e Zvërnecit është arritur në përfundimin se këtu kemi të bëjmë me disa vendbanime prehistorike, që kanë fillimet në periudhën Paleolitike. Mijëra objekte litike, fragmente qeramike, kocke e bronzi që tashmë janë të trajtuara e të sistemuara, dëshmojnë se banorët e hershëm të këtushëm, kishin arritur përsosmërinë e mundshme në punimin e veglave litike e të poçerisë, duke i kthyer këto zeje në atelie të vërteta, prodhimet e të cilave plotësonin jo vetëm nevojat e veta, por dhe tregtoheshin në bashkësitë përqark.  E veçanta e gjetjeve arkeologjike të Zvërnecit dëshmon për vazhdimësinë e pandërprerë të jetës shoqërore aty që nga PALEOLITI e deri në Antikitetin e Vonë. Gjurmë historike, prehistorike të vendbanimeve paleolitike janë zbuluar edhe në Gajtan të Shkodrës, në Spile të Himarës, në Xarë të Sarandës, së fundi në Durrës dhe Apoloni, por dua të theksoj se vendbanimi i zbuluar ne Zvërnec të Vlorës është më i hershmi prehistorik në vendin tonë dhe dëshmon shtrirjen e vendbanimeve prehistorike përgjatë vijës bregdetare shqiptare. Konkluzionet përfundimtare për gjetjet arkeologjike të kësaj treve do të dalin mbas analizave të kryera me metoda bashkëkohore, organizimi i ekspeditave arkeologjike për shtimin e gjurmëve dhe objekteve të reja si dhe kryerja e thellimi i studimeve për gjetjen të dhënave të jetës sociale e kulturore e materiale të banorëve që u përkasin këtyre periudhave historike.

Ekspeditë arkeologësh të rinj në Ksamil

Një ekspeditë arkeologësh të rinj në “shkretëtirë” u zhvillua me një grup fëmijësh në një nga plazhet e Ksamilit. Fëmijëve j’u improvizua një seksion i vogël kuadrati gërmimi, i cili jepte përshtypjen e kërkimit arkeologjik në shkretëtirë. Ata u informuan mbi punën e një arkeologu përmes lojës interaktive në kërkim të thesarit dhe objekteve arkeologjike. Argëtimi i tyre tërhoqi vëmendjen edhe të prindërve të cilët nuk e perceptonin dot entuziazmin e fëmijëve pasi më herët këto aktivitete zhvilloheshin në prezencën e mësuesve. Ky aktivitet u zhvillua si pjesë e programit “Edukimi përmes Kulturës”, ku fokusi i tij ishte njohja e brezit të ri me punën e një arkeologu si dhe me vlerat e objekteve tona të trashëgimisë kulturore.

Turistë të huaj në parqet arkeologjike të jugut

Parqet arkeologjike në vendin tonë kanë zgjuar interesin e turistëve të huaj dhe vendas gjatë gjashtë mujorit të parë të 2019. Këto parqe në Shqipëri kanë pritur 130.785 vizitorë gjatë periudhës janar-qershor 2019. Pra mbi 10 mijë vizitorë më shumë se një vit më parë. Shqipëri ka një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia, etj., ndërsa nga kalatë përmendim kalanë e Gjirokastrës, atë të Lëkurësit në Sarandë, kalanë e Krujës, të Beratit, Elbasanit, kalaja e Petrelës në Tiranë, ajo e Ali Pashës në Tepelenë, kalaja e Rozafës në Shkodër etj. Ndërsa nga muzetë përmendim Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeun Etnografik në Berat, muzetë arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeun e armëve dhe atë Etnografik në Gjirokastër, Muzeu Etnografik në Sarandë, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeu Arkeologjik, Tiranë, Muzeu Historik, Shkodër etj. Këto parqe kanë interes pasi tregojnë historinë dhe kulturën si dhe janë dëshmi e gjurmëve që ka lënë historia në to.

 

Please follow and like us: