Albspirit

Media/News/Publishing

Dy letra të Martin Camajt drejtuar dom Rrok Mirditës, famullitar në New York

 

(Dy letra të Martin Camajt drejtuar dom Rrok Mirditësfamullitar në New York)

I dashun don Rrok…

Këto dy figura, tashmë në amshim, janë njohur dhe kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Sikurse shihet nga dy letrat e Martin Camajt (nuk disponojmë për momentin përgjigjet e Imzot Mirditës) faktori kulturor dhe fetar ka bashkëpunuar ngushtë për çështjen shqiptare në emigrim, por gjithmonë me vështrimin për nga vendi amë, Shqipëria. Besimi dhe kultura, të lidhura ngushta për zhvillimin e vendit dhe të çështjes shqiptare, për Imzot Mirditën dhe Martin Camajn, ishin një binom i panadarë dhe i rëndësishëm.

Për më shumë lexoni këto dy letra të Martin Camajt në shkruara përkatësisht në dhjetor 1987 si urim për Krishtlindje dhe në mars 1989.

—‐—————————————-

Dhjetor 1987

I dashun Dom Rrok,

së pari t’urojmë me Erika Këshnellat e Motin e ri 1987. Festat t’i kalosh me zemër të mirë dhe kryekreje shëndet, sa ma pak të çame krejet.

Mora vesh në Romë se do të kalosh andej pari. Pa e dijtë të dërgova andej një përshëndetje.
Kam marrë vesh se keni ndërmend me ba një shtektim në Gjenacan: ide e mrekullueshme: Zoja e Shkodrës ju ndihmoftë, por Ti si prift i din ma tepër punët se pa i trokitë nji herë në derë, vështirë se mëshirohet për ne.

Sikur ta di se kur e bani këtë shtektim, kisha me fluturue dhe unë me Erika në Romë dhe asistue në këtë Festim: ma tepër se 24 orë nuk mund të largohem në maj, pse kam semestër e ligjët e universitetit janë të rrebta dhe s’lejon largim, veç me leje të ministrisë. Të lutem më lajmo sa ta keni vendosë.

Asht gja e çuditshme, por pa u pyet a më doni apo jo, e ndiej veten si të komunitetit tuej.
KARPA u sos së shtypuni, por tash gjindet në lidhtari: del në veshje të zgjedhun si vëllimet e tjera, pak ndryshej. Sa të dalë ta nisi si dhunti që t’i kesh të gjitha vëllimet komplet. Mbesim në kontakt.

Me përqafime

Martini
——-‐——————————-

02.03.1989

I dashtun Don Rrok,

mbasi e pata shkrue letrën për Mons. Fortinon, më ra ndërmend premtimi i bamë në New York dhe se ta kisha borxh një letër. Ardhja juej në Romë, si i shikoj unë punët ka rëndësi të madhe gjithsesi, por edhe që të takohemi.
Planet e mia, si po e sheh nga letra që i nisa Mons. Fortinos, janë tejet të ngushta, sepse në Romë na mbetet të rrimë bashkë vetëm një ditë. Dëshira ime ashtë të vë në kontakt direkt me Fortinon të cilin e njoh dhe jemi miq mbi 30 vjet: ai bashkë me Lupinacci që si e di u emërua peshkop i Lungros (edhe kjo me randësi si do ta shpjegoj në Romë) ishin studenta kur edhe unë studjojsha në Romë; ishin dhe bashkëpunëtorë të revistës Shejzat dhe kemi nxanë shqipen bashkë (ata shqipen tonë dhe unë arbrishten).

Gjithë këta nuk do të ishte me randësi sikur mos të kisha njoftë edhe Ty: besoj se ju të tre, nëse mbeteni në kontakt, do të bani shumë për çështjen shqiptare në dy pika: lidhja e dy komuniteteve shqiptare në USA dhe në Italinë e Jugut dhe sqarimi i ideve në këtë kaos në botën tonë.

Si të shkrova herën e fundit unë kam fort shpresë në komunitetin e New Yorkut: bashkimi dhe vullneti i mirë do ta bajë famullinë tande nji qendër me randësi kulturore (feja e kultura unë i marr si faktor të njëjtë). Nëse nuk lidhen të dy këta faktorë, simbas traditës, ngushtë njeni me tjetrin, mos pyet për ne në të ardhmen. Arbëreshët në këtë konjukturë janë me randësi, sidomos për anën katolike.

Ti i di edhe ma mirë se unë këto rrethana, por po i qes në dukje për me të thanë se jam me gjithë zemër për çështjen e se jam gati të sakrifikohem që t’i mbërritet qëllimit. Mons Lupinaccin do ta takoj në Kalabri e do t’i flas për planet apo bashkëpunimin tuej.

Të kam nisë KARPA dhe besoj se e ke marrë.
Tonini më shkrou në lidhje me ardhjen tuej në Romë: të lutem bani të fala fort e fort: me 4 maj jam te Hoteli juej në Romë.

Gëzohem që po takohemi!
Të fala edhe nga Erika
Të mirupafshim!

Martini.

Please follow and like us: