Albspirit

Media/News/Publishing

Vjen për herë të parë në shqip ANTONIO MUÑOZ MOLINA

Një nga shkrimtarët me të mëdhenj bashkëkohorë spanjolle me veprën   “ASGJË E JASHTËZAKONSHME”, Përkthyer nga spanjishtja nga Bashkim Shehu 

 

Titulli: Asgjë e jashtëzakonshme

Autori: Antonio Muñoz Molina

Përktheu: Bashkim Shehu

Numri i faqeve:  280 fq

Çmimi: 800 lekë

Botues: Botimet IDK

ISBN:  978-9928-136-76-3

 

Me rrugëtimin e një shkrimtari drejt një destinacioni ku do të jetë dëshmitar ngjarjesh të çuditshme fillon përmbledhja e plotë e prozës së shkurtër të Antonio Muñoz Molina-s… Tek Asgjë e jashtëzakonshme zbulohet një Antonio Muñoz Molina zbavitës, vetëkritik dhe i pazakontë. Një humor i mprehtë kullon përmes këtyre tregimeve tmerri, dashurie dhe vdekjeje, në të cilat shfaqja e papritur e skenave në stilin më të pastër të zhanrit fantastik ngërthen vetinë e mbajtjes pezull, të magjepsjes së lexuesit dhe të shumëfishimit të leximeve të rrëfimit.​

Antonio Muñoz Molina (1956) është një ndër autorët më të njohur e më të përkthyer të letërsisë së sotme spanjolle. Autor i mëse dhjetë romanesh, ai është fitues i mjaft  prej çmimeve të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare. Në vitin 2013, u shpall fitues i Çmimit të Princit të Asturias për Letërsinë. Në vitin 1996, Antonio Muñoz Molina u zgjodh anëtar i Akademisë Mbretërore të Spanjës. Jeton mes Madridit dhe Nju Jorkut. Ky është libri i tij i parë që përkthehet në shqip.

 

—————————————

ASGJË E JASHTËZAKONSHME

 

 

 

 

Pardje i pashë, pashë Huana Rozën dhe Funesin, të ndalur kundruall meje, gati për të kapërcyer të njëjtin kalim këmbësorësh sikurse unë, aty nga mesdita, në bulevardin “Constitución”, dhe gjatë një sekonde paniku mendova se më kishin parë dhe se do të prisja i palëvizur e i magjepsur që të më afroheshin, të zbehur, të përzemërt, mes nxitimit dhe indiferencës së njerëzve dhe zhurmës së makinave, po unë bëra prapakthehu në kohën e duhur dhe më ngjan se ika duke vrapuar, pa guxuar të ktheja kokën, nga frika se mos shihja që po më ndiqnin, përndryshe sytë e mi do takoheshin me të tyret dhe nuk do kisha më rrugëdalje. Bëra prapakthehu mu atëherë kur u ndez e gjelbra e semaforit, u përplasa me dikë, nuk i kërkova ndjesë, më ngjau se, midis shumëfishimit të asaj morie hapash, po shquaja kumbimin e atyre të Huana Rozës dhe të Funesit, hyra në një bar, në të parin që më zu syri, të madh e të mbushur me tym, zhurma e drita automatësh për të luajtur me para, u fsheha përgjysmë prapa njërit prej tyre dhe vetëm atëherë guxova të vështroja në drejtim të rrugës, duke përfytyruar Huana Rozën dhe Funesin të ndalur matanë xhamit, si të ishin duke vështruar brendësinë e një akuariumi, të vrenjtur e të vetmuar, të vëmendshëm, duke më pikasur në fshehësirën time të padobishme, një nga ato bare apo sallone lojërash fati ku hyjnë paraditeve gra në moshë të mesme, që shtrëngojnë fort nën sqetull çantën e pazarit dhe me një përhumbje fanatizmi fusin monedha në vrimën e automatit. Sapo kishte kaluar ora dymbëdhjetë dhe dielli i këtij nëntori kaq të ngrohtë përshkonte diçka si mjegull të kaltër, shumë të bukur nën kurorat e pemëve, dhe më dukej e pamundur që mes atyre njerëzve të zënë me punë, të zakonshëm, që kishin pushtuar trotuaret – grupe nxënësish të një gjimnazi që ishte afër, funksionarë, shitës ambulantë bizhuterish të lira – mund të shfaqeshin Huana Roza dhe Funesi, që do të ishin në të njëjtën botë dhe në të njëjtën epokë me mua, në këtë qytet ku kanë munguar për një kohë shumë të gjatë: gjithsesi, goxha më pak nga sa mund të duket prej mënyrës së të veshurit, prej lëvizjeve, prej krehjes, madje edhe prej të folurit, ndonëse dje për fat nuk ua dëgjova zërat. Thuajse u qetësova kur nuk i pashë, porosita në banak një kafe me qumësht, sa për të porositur diçka, vura re se më dridhej dora tek mbaja lugën dhe më feksi ideja absurde për të kërkuar një konjak, po qysh në gllënjkën e parë, madje edhe më shpejt, me ta afruar gotën te hunda, më erdhi për të përzier dhe m’u desh ta lija.

Tani s’isha i sigurt që i kisha parë. Druaja se kisha pasur një halucinacion, një nga ato vegimet fluturake që të përfton një ngjashmëri kalimtare tek ecën përhumbtazi në rrugë dhe pandeh se ke parë një mik që jeton në një vend të huaj, ose një familjar të vdekur. Veçse, po aq e rrezikshme se të kesh halucinacione, do të ishte në ato çaste mashtrimi i vetvetes dhe, po ta mendoj me pak gjakftohtësi, po t’i mbyll sytë që më dhembin nga nata pa gjumë dhe nga fosforeshenca e kompjuterit tim portativ, një nga sendet e pakta që kam marrë me vete në hotel, sërishmi mund t’i shoh me po atë qartësi që i pashë dje paradite, aty te vijat e bardha midis degës së Tatimores dhe kopshteve të Triumfit, të zbehur, të ngjashëm, me atë ngjashmëri që tekefundit u përftohet ndoca çifteve mbas shumë vitesh monotonie të përbashkët, të përbetuar në anakronizmin e tyre, si të mbyllur në një flluskë jashtë kohës, të një kohe tjetër, të pesëmbëdhjetë vjetëve më parë: Huana Roza me flokët e lëmuar e të krehur me vizë në mes dhe me ponçon supeve, si ndonjë këngëtare jugamerikane nga ato që dëgjonim asokohe, Violeta Parra apo Mersedes Sosa, pak më e shëndoshur, veçse jo shumë, dhe sigurisht jo shumë më e shëmtuar se asokohe, me po atë lloj shëmtie të qëllimtë dhe disi rivendikuese që shfaqte dikur; Funesi, përbri saj, i vëmendshëm ndaj saj, i thinjur disi, a thua i kishin hedhur pak hi nëpër flokë dhe mjekër dhe mbi supe, hi ose zbokth, ashtu si pesëmbëdhjetë vjet më parë, a thua çdonjëra prej ditëve që kishte kaluar pranë saj ndërkohë, domethënë të gjitha ditët, ngaqë s’ishin shqitur nga njëri-tjetri as edhe një herë, çka të përfton njëfarë ankthi veç ta mendosh: miku im Funes, që pushoi së qeni për t’u bërë bashkëshort, ndihmës dhe shërbesëtar i një gruaje që me siguri nuk i ka pëlqyer kurrë, duke i vënë krahun mbi supe me një shprehje mbrojtëse disa sekonda para se të kalojnë te semafori dhe të takohen me mua nëse nuk arrij të iki pikërisht në çastin që i dallova. Ende e shoh ponçon alpuharras ose keçua të Huana Rozës, flokët e gafruar të mikut tim, tashmë të zbardhur në tëmtha, mjekrrën shumë të dredhur, me një cufël të bardhë në mes, me një pamje të hutuar që i është bërë më e theksuar Funesit vitet e fundit dhe që më kujton Moisiun duke zbritur nga Mali i Sinait në filmin Dhjetë Urdhëresat, xhaketa prej kadifeje, madje edhe njëfarë çante e tipit ushtarak ose njëfarë traste prej lëkure, me togëza, nga ato që mbajnë disa militantë të së Majtës së Bashkuar. Kështu i pashë, kompaktë, jorealë, të ndalur te semafori si ndonjë çift fshatarësh që sapo ka mbërritur në qytet nga provinca me një autobus pirat, madje edhe më bujqësorë, si të sapodalë nga komuna punëshumë e viteve shtatëdhjetë, si një çift fermerësh mormonë, Funesi me çorape të trasha e me sandale, me një melankoli prej frati lypsar çlirimit, Huana Roza me po ato çizme fshatarake që më tërhoqën vëmendjen kur e pashë për herë të parë, ndonëse asokohe s’ishin aq të rralla sa tani, sepse ishte një tip femre që i pëlqente t’i përdorte, madje shpesh edhe femra të admirueshme që sikur donin ashtu të kërkonin falje për gjatësinë dhe bukurinë e këmbëve të tyre, duke i shëmtuar me çizme të tilla, në vend që të përdornin geta të errëta e këpucë me taka. Segarrase i quanin, ose çiruka, ishin çizme vjelësi ullinjsh ose metalurgu, prej kanavace të errët, të kuqërremtë, me lidhëse shumë të trasha e me tabanë kauçuku. Huana Roza, besoj se për ta kurorëzuar efektin, i kombinonte me ca çorape qimegjata me xhufka dhe me një fund që i varej nga ijet po aq të ulëta sa një tavolinë mesi…

 

Nuk e fsheh, nuk ia kam fshehur askujt ndonjëherë, përveç Funesit, me takt, për të mos e mërzitur, ose për ndonjë arsye më meskine dhe tekefundit të kotë, që të mos më linte pa miqësinë e tij: gjithmonë e kam urryer Huana Rozën, qysh ditën e parë, ndonëse, ç’është e vërteta, u vonova pak për ta vënë re praninë e saj, sepse në atë rast fatal u paraqit e shoqëruar nga një vajzë për të cilën isha tepër i interesuar, ose tmerrësisht i interesuar, për ta thënë njëfarësoj, nga Inma, që e kisha shoqe, thuajse e dashura ime në atë kohë dhe ish-e dashura pak kohë më pas, teksa midis njërës gjendje dhe tjetrës nuk pati ndonjë kapërcyell të rëndësishëm, vetëm njëfarë zbrazëtie të turbullt nga e cila më kanë mbetur pamje të copëzuara që nuk dua t’i vë në rend, për të mos i shndërruar në kujtime qesharake. Ish-e dashura ime, ish-mikesha ime, shoqja e dikurshme e bankës, e blloqeve me shënime dhe e kafeve në barin e fakultetit, Inma, e papërlyera Inma[1], që për një kohë aq të shkurtër më lejoi ta prekja, që u shfaq dhe u zhduk në mënyrë të atillë sikur misioni i vetëm i saj në jetën tonë, timen dhe të Funesit, ishte që të linte pas vetes praninë e Huana Rozës, duke na e lënë të ulur në divanin prej meshini, në apartamentin ku banonim të dy asokohe, dhe pastaj të ikte me po aq nxitim sa postieri pasi ka dorëzuar një certifikatë.

Në njëfarë mënyre, nëpërmjet Inmës dhe dashurisë sime të ethshme e të shkurtër për të – po të gjitha dashuritë e mia asokohe ishin të ethshme e të shkurtra, – unë e kam fajin që Huana Roza e kapi Funesin, mikun tim, dhe që më vonë, si ndëshkim për ndërmjetësinë time, u vu me mish e me shpirt për ta shkëputur nga unë, nga të gjithë miqtë dhe të gjitha baret e tij, duke e zhveshur dita-ditës nga çdonjëri prej virtyteve të tij më të mira dhe nga çdonjëri prej veseve të tij më të mira, duke e mbështjellë në një cergë merimange, në një fshikëz qimegjatë mbrojtëse, të bërë nga i njëjti material bashkëshortor dhe mbytës me të cilin janë bërë pantoflat prej shajaku ose prej pelushi, duke e konvertuar në atë fe të rreptë dhe antipatike në të cilën ajo vetë, Huana Roza, ishte hyjnia dhe priftëresha, për ta shndërruar, brenda pak muajsh, në një ithtar disi idiotesk të lumturisë së menjëhershme bashkëshortore, me atë sëmbim prej mungese ose lobotomie që ndiejnë disa ish-narkomanë kur shiringën e kanë zëvendësuar me substanca biologjike ose me lutje të rruzares. E di, ose e marr me mend, që po e teproj, e pamundur që miku im Funes të ishte bërë krejtësisht budalla brenda një kohe aq të shkurtër, është mllefi im për Huana Rozën – dhe për Funesin, sigurisht – çka më shtyn të mendoj këto tmerre, madje t’i ndaj me disa miq të përbashkët, që jo gjithmonë janë dakord me mua. Midis miqve të asaj kohe u rrënjos se Huana Roza e kishte shpëtuar Funesin, gjë që vetë Funesi ma tha një herë, ndonëse askush, madje as ai vetë, nuk arriti kurrë ta përcaktonte qartë natyrën e atij shpëtimi. Para se ta njihja Huana Rozën, kur ndanim sëbashku apartamentin ku tekefundit mbetën ata të dy, Funesi pinte shumë alkool, harxhonte më shumë se një paketë cigare “Ducados” në ditë, jepte mësime frëngjishteje mbrëmjeve në një shkollë gjuhësh, regjistrohej rregullisht në të tre apo katër provimet që i mbeteshin për ta mbaruar fakultetin, veçse i vinte turp që i kishte kapërcyer të tridhjetat pa i marrë ende ato provime dhe, siç thoshte, kish mbetur pa zanat dhe pa fitime, kështu që nuk shkonte në fakultet dhe zakonisht nuk paraqitej as në provime, ndërsa, kur paraqitej në ndonjërin prej tyre, kthehej në shtëpi mbas disa orësh me supe më të rëna se rëndom dhe me një flakëz të vogël konjaku që i rëndonte frymëmarrjen dhe i xixëllonte në sy.

– Ore, po si mund ta kalosh provimin kur shkon pa studiuar!

– Nuk është puna aty. Puna është se ulem në bankë dhe dukem si babai i atyre që do japin provim, edhe i profesorit madje, që ndoshta i filloi studimet kur unë isha në vitin e pestë… Me çfarë morali mund ta lë veten që të më marrë në provim një qimepadirsur?

Betohej se do ndryshonte, se kishte ardhur koha që të shtrohej dhe të kërkonte një të ardhme. Shushunja që drejtonte shkollën e gjuhëve e paguante aq pak saqë të ardhurat e tij s’ishin shumë më të larta se të miat, gjë që për Funesin ishte gjithsesi poshtëruese, duke qenë se unë isha student me bursë dhe dhjetë vjet më i ri se ai. Pastronte dhomën e vet, ndërronte çarçafët, zbrazte hirnoren e komodinës, më kërkonte që t’ia fshihja letrat e pokerit aty ku ai të mos i gjente dot, bleu llambë të re me mbajtëse të përkulshme, një skedar me shumë ndarje dhe me etiketa shkronjash të alfabetit, që të ruante shënimet për çdonjërin nga provimet që sidoqoftë do t’i merrte, rrinte katër a pesë mbrëmje pa dalë, të gjashtën unë kthehesha në tre të natës dhe, kur hyja në dhomën e tij, e gjeja të kërrusur virtytshëm përmbi tryezë, me llambën e tryezës të ndezur, me skedarin të hapur, me një sërë fletoresh të renditura nga më e madhja te më e vogla dhe me dy-tre libra konsultimi aty pranë, me letrat e bixhozit shpalosur përpara për një lojë vetmitare…

– Pash Zotin, Funes!

– Ti e ke fajin. S’i fshehe letrat. Si të shkoi nata?

– Si të më shkonte! Beterr!

– Po sikur ta provojmë prapë?

E provonim dhe nata përsëri ishte beterr. Ishte fati ynë, i Funesit dhe imi, edhe i të gjithë të njohurve tanë, sadoqë asokohe qarkullonin fjalë për shtretër të rrumbullaktë dhe orgji të politizuara me vajza të ekstremit të majtë, ku nuk mungonte LSD-ja dhe as hashashi. Tani mendoj se ishin legjenda, po aq të parëndësishme dhe po aq të dëmshme sa ajo e Eldorados apo ajo e Njeriut të Dëborës. Për ne, mbrëmjet ishin gjithmonë një mungesë mbytëse marrëdhëniesh seksuale dhe sa vinin e bëheshin më të shëmtuara dhe një çikë si të ndyra dora-dorës që rrëkëllenim rum, që ishte pija jonë asokohe, dhe shkonim nga një bar në tjetrin rrugëve të pijetoreve duke u hedhur femrave shikime përherë e më të uritura dhe përherë e më të dehura, duke u rrëmbyer nga zjarrmia poetike që u vishnim asokohe zdërhalljeve, dhe kjo mbaronte nga ora pesë e gjysmë, gjashtë, në mes të të ftohtit të mëngjesit, kur përshkonim qytetin e errët dhe të zbrazët duke kërkuar baret që hapeshin më herët: barin “Fútbol” në sheshin “Mariana Pineda”, barin “Holandés” pranë stacionit të autobusëve dhe, më të mirin nga të gjithë, barin “San Agustín”, i cili ishte gjithashtu i pari që hapej, ngaqë aty shkonin fshesarët, hamejtë, shitësit e ushqimoreve, sikurse edhe ndoca çunakë të dyshimtë dhe qejflinj me pamje zotërinjsh dhe të shoqëruar me kurva e me flamenko. Pinim kafe me qumësht që të na e ngrohte stomakun e trishtuar e të na e zbuste fytin dhe, kur dilnim, ndoshta ishte duke gdhirë dhe krejt entuziazmi ynë kishte avulluar, por jo dehja jonë, të cilën e bartnim rrugës për në shtëpi si ndonjë barrë shumë e bezdisshme që nuk e braktisnim dot.

Nuk kam asnjë pikë nostalgjie për atë kohë. Bënim një jetë boheme idioteske e të varfër, me litra rumi, me duhan të zi dhe me apartamente me qira, të pajisura me postera zyrash turizmi dhe me mobilie të prishura që siguroheshin nga pronaret grabitqare. Unë dhe Funesi ktheheshim në apartamentin tonë duke u kalamendur dhe të nesërmen çoheshim në ora një, me dhimbje koke, me mushkëritë si të shtypura nga tepria e tymit të duhanit dhe me gojën të baltuar nga rumi. Madje, arritëm gjer atje sa të pinim një përzierje të tmerrshme, të quajtur “Lumumba”, që bëhej me brumë çokollate dhe me konjak “Soberano”… Brenda asaj province asfiksuese, ne banonim në një provincë të brendshme edhe më klaustrofobike: në atë të bareve me sanduiçe dhe të gjellëtoreve të lira, të shkollave të natës, të vendosura në apartamente të mëdha e të mugëta, të pensioneve me dhoma pa dritare dhe me dryna për telefonin dhe frigoriferin.

 

Po nuk e kam thënë gjithë të vërtetën. Për diçka, po, kam nostalgji. Të dielave, në dimër, mëngjeseve të ftohta e të praruara të shkurtit, Funesi mbyllej në kuzhinë dhe përgatiste një gjellë sipas mënyrës së fshatit të tij, me mish të zier, ose ragu me patate dhe me mish derri, ose thjerrëza të verdha, që nuk mungonin asnjëherë në pakot që i dërgonte e ëma, vejane e kamur dhe pronare e një dyqani erëzash. Ftonim ca miq, zbrisnim për të blerë shishe litërshe birre dhe verë të hapur dhe hanim e pinim në një bollëk ipeshkvor. Në një nga ato të diela, e rregullova që të vinte të hante drekë me ne shoqja ime Inma. Le të themi që kisha një plan dhe që Funesi pranoi të më mbështeste: ai duhej të përgatiste ragunë dhe të largohej kur të vinte Inma, duke nxjerrë çfarëdolloj preteksti, duke lënë kësisoj në dispozicionin tim jo vetëm drekën e shkëlqyer dhe një shishe premtuese vere “Rioja”, po edhe gjithë apartamentin, të cilin pikërisht atë mëngjes e kishim pastruar, me aq zell nga ana ime saqë madje ndërrova çasrçafët e shtratit tim. Preteksti për vizitën e Inmës ishte raguja e famshme e Funesit: joshjes gastronomike mendoja t’i shtoja joshjen letrare, ngase Inma kishte kohë që më kërkonte t’i tregoja disa nga gjërat që shkruaja. Do ishte shumë tërheqëse që, pas dreke, me kafe, me cigare dhe pak konjak (sapo më kishin paguar një nga këstet e bursës dhe kisha blerë, njëkohësisht me verën, një shishe “Carlos III”), të nxirrja me një pamje disi të mistershme dosjen ku mbaja ato katër a pesë tregime që kisha shkruar gjer atëherë dhe t’ia jepja ndonjërin për ta lexuar, duke u përkulur në drejtim të saj për ta bashkëndarë leximin, duke u afruar një çikë më shumë për të kapur provat e saj të pashmangshme të emocionit apo të entuziazmit, sidomos kur të lexonte atë tregimin që ka një erotizëm të guximshëm dhe ku, me qartësinë më të madhe, ndonëse jo pa imagjinatë, portretizohet ajo. Po si do ishte më mirë, ta lexonte ajo, apo ta lexoja unë me zë, duke i administruar siç duhej intonacionet, vështrimet, heshtjet? Dhe në cilën pikë do kalonim butësisht nga letërsia te përkëdheljet, nëse nuk do ngecnim tërë pasditen tek e para, siç më kish ndodhur mëse një herë, dhe jo vetëm me Inmën?

E kishim lënë të takoheshim në ora një e gjysmë. Asokohe, shenjat që dallonin mashkullin kavalier nuk respektoheshin fare; madje, duheshin kthyer përmbys, kështu që, në vend që të shkoja ta merrja unë ose ta prisja diku, ajo erdhi drejt e në shtëpinë time. Erdhi në ora një e tridhjetë e një minuta, sepse përpikëria e saj ishte po aq e përkryer sa mjeshtëria e saj për të kopjuar shënimet ose po aq sa mënyra sesi m’i shtrëngoi kofshët një herë që më shkau dora në kinema tek po shihnim filmin Porcile, të Pier Paolo Pazolinit, në origjinal dhe me përkthimin poshtë. Qysh përpara orës një, përherë e më nervoz, isha vërtitur në tërë shtëpinë pa gjetur dot qetësi, duke ia mërzitur shpirtin Funesit, që i kish hyrë punës në kuzhinë për të përgatitur një ragu që nuk do ta hante, vështroja nën shtretër se mos kishin mbetur toptha pluhuri, shqyrtoja pastërtinë e bidesë dhe të WC-së, shqyrtoja veten time, këpucët e llustruara, këmishën akull të pastër, me majat e jakës jashtë pulovrit, erën e gojës, mjekrën, sepse edhe unë mbaja mjekër, ishte pasion kombëtar, pasion i majtë, dhe ca më tepër ndër ata që e quanin veten asokohe forcat e kulturës, forca ku edhe unë, pa u këshillluar me njeri, e përfshija veten, jo vetëm me cilësinë e studentit, për më tepër me bursë, po edhe, sidomos, të shkrimtarit, ndonëse s’kisha botuar asnjë tregim e asnjë vjershë dhe as ishte shfaqur ndonjëra nga tre komeditë avangardiste dhe brehtiane që kisha shkruar gjer atëherë. Po ja, e humba fillin, jam nervozuar dhe duket sikur gishtat e mi shumëfishohen mbi tastierë më një shqetësim të ethshëm, pushoj së shkruari vetëm kur dëgjoj anshensorin të ngjitet ose hapa që kumbojnë, po sakaq harroj ku ndodhem dhe pse po vazhdoj të shkruaj me një shpejtësi pothuaj të barabartë me mendimet e mia, duke kujtuar Funesin, Huana Rozën, Inmën, asaj të diele ndoshta të vitit 1976, ose 77, kur në thellësi të korridorit të mugët të apartamentit që bashkëndaja me Funesin kumboi gumëzhima e ziles së shkallës dhe mua më pushoi zemra dhe mbeta aq i trullosur e i frikësuar saqë harrova ta hapja derën dhe Inmës iu desh t’i binte ziles edhe një herë – sepse me siguri ajo ishte dhe m’u bë se në tingullin e ziles që po binte sërishmi ndieva zemërimin e zërit të saj – dhe, kur iu përgjigja më së fundi dhe e dëgjova të thoshte emrin tim, hapa derën e apartamentit dhe dola që ta prisja te sheshi i shkallëve, duke u tronditur sërishmi teksa u vu në lëvizje mekanizmi i ashensorit që po ngjitej sakaq drejt meje.

Te hyrja ishte një pasqyrë: e studiova veten sërishmi në të gjatë kohës që ashensori ngjitej, i mora erë pulovrit, i mblodha pëllëmbët e duarve duke i bashkuar dhe i vura para gojës që të ndieja erën e saj, ndieva kundërmimin që vinte nga kuzhina dhe fshihte erën stërgjyshore të duhanit, të çarçafëve të papastër dhe të vajit të skuqur të lulediellit dhe, ende pa arritur të ktheja kokën, pashë, në po atë pasqyrë ku po bëja gjeste dhe nojma qesharake, shoqen time të kursit dhe thuajse të dashurën time Inmën, mu në vigjilje të shndërrimit të saj në ish-të dashur, tek po dilte nga ashensori, e rreptë dhe e shndritshme në dritën e mekët të sheshit të shkallëve, dhe po matesha t’i bëja vetes në sy të saj po atë pyetje që e kisha bërë çdo ditë kur isha vetëm – domethënë, a do ishte më mirë ta puthja drejt e në buzë, apo të tregohesha i kujdesshëm dhe t’i jepja ato dy puthjet në faqe sipas zakonit – kur pashë se pranë saj, një çikë më prapa se ajo, se Inma e pamëshirshme, e pabesë, mashtruese, për të mos përdorur këtu ndonjë fjalë shumë më të saktë, po edhe shumë më harbute, ishte edhe një femër tjetër, e cila po më buzëqeshte me një fytyrë të thartuar, me një shprehje afrie dhe qesëndie të paturpshme, po edhe qortimi njëkohësisht, një femër që, me atë fytyrë të gjerë, me ata flokë të zinj e të lëmuar, me atë ponço, i ngjante një këngëtareje jugamerikane, Mersedes Sosës apo Violeta Parrës…

– Kjo është shoqja ime Huana Roza, a të kujtohet që të kam folur për të, ajo që studion për Mjekësi. Mendova se nuk do ju prishte punë po të vinim të dyja për drekë.

E si mund të më prishte punë, thashë, duke u përkulur që ta puthja Huana Rozën, duke u përkulur shumë, përnjëmend, ngaqë, ndonëse nuk dua të lë të kuptohet që është xhuxhe, nuk besoj të jetë më shumë se një e pesëdhjetë. Inma i largoi buzët mu në çastin që po matesha t’ia puthja, kështu që buzët e mia u hapën paksa në mënyrë idioteske në boshllëk dhe u ndieva aq i poshtëruar, aq i dërrmuar, aq i mbaruar saqë për pak sa s’qava mu aty, në korridorin e gjatë e të mugët të apartamentit tim studentor, teksa era e çarçafëve dhe e vajit të lulediellit qe fshirë nga era e ragusë që po përfundonte Funesi në kuzhinë dhe nga parfumi i Inmës, rravën e të cilit po e ndiqja, ashtu si të një anijeje që po më linte pas tek po mbytesha, duke i përudhur ato në sallën e ndenjjes, duke i pyetur nëse donin të pinin ndonjë gjë, duke vënë re fundin dhe çizmet e Huana Rozës, pastaj hyra në kuzhinë për t’iu lutur Funesit me dëshpërim që të mos më linte vetëm, që, për çka kishte më të shtrenjtë, të rrinte për të ngrënë drekë me ne, sepse, po të ikte ai, nuk do ishim dy, po tre dhe, veç asaj, buzëqesha unë, vajza që kishte ardhur me Inmën s’ishte keq dhe, ku ta dish, ndoshta ai, Funesi, mund të ndërtonte ndonjë plan atë pasdite dhe mund të mbyllte kësisoj një periudhë shumë të gjatë përkorjeje seksuale prej eremiti, të zbutur veç me soditjen e ndoca revistave që po fillonin të shumoheshin asokohe dhe që, siç e zbulova një pasdite pa u marrë vesh prej tij, Funesi i koleksiononte fshehtas. (Po, edhe nga kjo e shpëtoi Huana Roza, jo vetëm nga jeta boheme: edhe nga onanizmi dhe pornografia, madje edhe nga vështrimi mbi femrën si të ishte thjesht objekt seksual).

Dola bashkë me të nga kuzhina që t’ua prezantoja vajzave. Ajo skenë më kujtohet si ta kisha para syve tani, po aq saktësisht sa ç’më kujtohen Huana Roza dhe Funesi të ndalur dje ndanë semaforit. Në sallonin e mugët, me bufenë për faqe të zezë, me sa duket pjesë e pajës së pronares sonë, me një poster të Pasionares dhe një tjetër të Xhenovezes pa korniza, por të ngjitura me zamkë në letrën e mureve, me raftin prej formike, tip multimobilie, siç na kish thënë ai maskarai i agjencisë kur po na e tregonte apartamentin, me libra të mitë dhe të Funesit dhe me dosjet tona të shënimeve, me tavolinën aerodinamike që e meritonte prej vitesh të hidhej në plehra, me gazetat, revistat dhe hirnoret mbi të (gazeta e revista të përzgjedhura e të renditura për të krijuar përshtypje të mirë; hirnore të pastra për herë të parë mbas kaq muajsh), vendosur kundruall një televizori arkeologjik, me divanin me tapiceri e jastëkë prej lëkure të imituar – edhe këtë na e tha ai tipi i agjencisë, – ku ishin ulur tani Inma dhe shoqja e saj Huana Roza, të cilat nuk u çuan për ta përshëndetur Funesin dhe as nuk shprehën ndonjë falënderim apo entuziazëm për birrat dhe pjatëzat me kikirika, as për atë ragu madhështore që u servirëm disa minuta më vonë të dy në pjatancët tonë duraleks ngjyrë karameleje, çka është përherë, nuk e di pse, ngjyra e enëve në apartamentet që merren me qira me gjithë mobilie, ngjyrë të ngrëni në vetmi, divorci të sapondodhur, kanaçesh me fasule të konservuara për t’u ngrohur në banjomari.

[1]. “Inma” është shkurtimi i emrit “Inmaculada” që do të thotë “e papërlyer” (shënim i përkthyesit).

 

Please follow and like us: