Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: NJË URIM PËR TRI FESTAT E BRIKENËS…

16 Dhjetor 2020
Vendosa të bëj një urim të veçantë për një vajzë që ka lindur midis shtatë ditëve, nga kremtimi i Krishtlindjeve deri në çastet e ndërrimit të viteve, e cila, si i themi ne nga Jugu, i “krreu këmbët në mesin e dimrit” dhe që e kam njohur si emigrante në mesin e Athinës, 23 vite më parë, pikërisht në “Sheshin e Shqiptarëve” (siç i thonë këtu Sheshit “Omonia”), ku mblidheshin mërgimtarët tanë të parë, pas eksodit të madh, për tri gjëra: për të “shitur krahët”, për të pirë një kafe a një gotë raki dhe e treta, për të folur e kënduar shqip. Në njërin nga këto grumbullime, u njoha me një vajzë të re tip djali, tek bëhej një “Festival i Fjalës Shqipe”, nga shoqata “Vëllazërimi” (nga të parat shoqata që u krijuan këtu). Unë u ula në nje sallë goxha të madhe, me cilësinë e Kryetarit të Jurisë e ajo në skenë, ku do të recitonte një poezi. Po e thoshte thjeshtë e bukur, me diksion e temperament, gati me zjarr, përkrah edhe disa aktorëve profesionistë, që kishin ardhur aty po për të njëtën gjë: për të shpëtuar nga e keqja që i kishte zënë, si edhe për t’u rimëkëmbur. Po gjithsesi shpirti i tyre mbetet tek fjala shqip e te kënga. Disa syresh, amator si Alma Zekollari e Festim Zaçe, do t’i njihja më vonë, ndërsa të tjerë aktorë që interpretuan me profesionalizm, i kisha shokë shkolle dhe disa studenta e nxënës të mi, sikundër qenë Nikolla Llambro , Karafil Shena, Merita Dabulla, Lefter Simoni, Laert Vasili dhe Anastas Kozdine. Kurse Brikena Qama, Festim Zaçe, Alma Zekollari e me rradhë, qenë amatorë nga më të zellshmit.
Që aty e njoha “shejtanen me brirë” Brikena dhe nga që ishte e plotë në të folur, shpuzë, e shkathët në paraqitje, gati “e prapë”, si edhe “e zjarrtë” nga shpirti, e ftuam të bëjmë teatrin e parë shqip bashkë me Lefter Simonin, Meritën, Tason dhe me Luftar Pajën që vinte e ikte aty, me një këmbë këtu e me tjetrën atje. Gjetëm një komedi greke me pesë personazhe dhe, meqënëse nuk kishim ku t’i bënim provat, Brikena na ftoi në shtëpinë e saj. Aty bënim provat sa e ngritëm në këmbë, për të ndërtuar mizanskenën dhe që, më pastajë, ishim të detyruar ta linim përgjysmë punën tonë, pasionin e parrëfyer tonin, se nuk kishim para të paguanim një sallë a një skenë. Qe koha kur disa qarqe raciste të këtushme shpikën “operacionin fshesa” kundër nesh, si edhe disa policë në sheshin “Omonia”, përmbysën tezgën me librat tona shqip të bashkëshortes së poetit tonë Vasil Dede. Deri këtu mbërritëm me këta njerëz që e dashurojnë teatrin, deri në marrëzi dha pastaj u shpërndamë nëpër udhët e jetës që kishte ruajtur emigracioni për ne të “pafatët”. Na erdhi keq, por s’kishim ç’të bënim, në atë muaj kaq të bukur, kur Brikena, bile u bë ato ditë në shtëpinë e saj bujare, me dy mamara, njëra qe mamaja e saj nga Skrapari e tjetra, aktorja Merita Dabulla nga Dibra. E i thërriste “Mama”, asaj të vërtetës e “Mama” edhe Meritës së teatrit tonë ilegal. E kurdoherë paskëtaj, ajo do te ishte si mamaja e dytë për të.
Disa vite më vonë, kur edhe në Athinë e gjetkë, ndyshoi për më mirë klima, shqiptarët e mërguar nisën që të bëjnë edhe prokopi, të kenë banesat, kafenetë, entet e tyre, si edhe të bëjnë shoqata, nisën edhe të grinden, si në “Klubin e Selanikut” të Çajupit se, kush e kush do t’i drejtonte ato, apo kush do qe “i pari i fshatit” dhe do të vinte koha që kjo Brikena, që e kishte në shpirt fjalën shqip e aktrimin , u afrua me “Liter-Art”-in tonë (Lidhja e Sjkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ne Greqi), të cilën e krijuam nga vetë përbërja që u krijua në komunitetin e madh të shqiptarëve të mërguar, ku numëroheshin me dhjetra artistë e shkrimtarë e kur në vëndin e tyre, pas katastrofës së përgjithshme i’u vu dryni edhe “Lidhjes së Shkrimtarëve e Artisteve” në Tiranë. Ndërsa tek ne , kjo vajzë me emrin Brikena, do të ishte prezantuesja e parë e aktiviteteve tona të para: festivaleve, promovimeve e diskutimeve të librave të para që i shkruam këtu e i botuam në Shqipëri, koncerteve të fjalës e të këngës shqiptare, si edhe me instrumentistët e mëdhenj në numër që erdhën befas (shumicën e të cilëve i “rrëmbeu” Megalo Muziqi e Athinës), apo në përvjetore festash kombëtare , në evente shoqërore, me ditëlindje në mbasdite e mbrëmje vallëzimi, ku përsëri Brikena do të ishte një “shpirt i ndezur” dhe i kudondodhur.
Dhe kështu, si i themi nga anët tona “Sheh rrushi rrushin dhe piqet”: Brikena që e kishte mbaruar gjimnazin dhe që koha e rrëmujës përmbysëse nuk e la që të bëjë mëtëlartë, (vetëm pas disa vitesh kur kreu shkollën për laburante) nisi të shkruajë edhe ajo poezi, që i recitonte vetë para nesh dhe që, më mbrapa, i mblodhi në librin e saj të parë, të cilin e pagëzoi me emrin “Pëshpërimat brenda meje”, që ishte edhe kryetitulli i tre librave që erdhën më pasë: “Bota poshtë takave”, “Titulli i kujtimeve të mia” dhe “Dëshirat e mia perëndojnë çdo mbrëmje”. Nuk është tani rasti të flasim për to, sepse kemi bërë promovime e diskurtime të gjera, po ajo që duhet thënë eshtë kjo: Brikena Qama nuk do të ishte më e para, amatorja që “rrezikonte” Lidhjen tonë, por një poete e formuar nga përvoja e jetës, me aftësitë vëzhguese të talentit vetiak. Se, nganjëherë, e merr me të “dredhur” kë shkollë të duash, apo “mbaron” edhe nje a dy shkolla të larta, por mbetesh “gdhë” gjithë jetën tënde. Talentin ose e ke, ose jo brenda teje, ndoshta “ta jepë” edhe Perëndia, por edhe ai akumulim i gjithhershëm i dijes, kulturës universale të thesarit letrar e artistik të njerëzimit. Se ndryshe nuk do të kishim në librat e Brikenës atë frymëzim kaq spontan poetik, gjetje jetësore, figuracione e metafora që të befasojnë.
Dhe befas bie një tërmet i fuqishm në vendin tonë. U tronditëm edhe ne këtu. Se njerëzit atje, mbetën pa shtëpi e jo pak familje, të moshuar, djem, vajza dhe fëmijë jetonin nëpër çadra. Brikenës i lindi një ide humanitare, gati e “çmendur”: të bënte një panair libri në Athinë, kur jeta andej kishte ngelur befas në zero dhe, me sado para që të mblidheshin t’i shpinim aty, nëpër çadrat e të lënduarve e të mbetur pa strehë. Le të ishte edhe një gjest fare i vogël. Askujt nuk do t’i shkonte mendja se ajo do ta realizonte këtë në veç dy javë kohë, që të grumbullonte aq libra dhe t’i shiste ato që me thirrjen e parë që bëri, sa të siguronte 1250 euro dhe t’i shpinte ato vetë në zonën e Durrësit, që nga Ishmi deri në Kepin e Rodonit, me nje grupim gazetarësh prej pesë personash, nga ne dhe Lidhja e Gazetarëve Shqiptarë, duke e pasqyruar gjestin fisnik edhe në emisionet e TVSH.
Ç’mund t’i urosh kësaj Brikene, kaq energjike, nga më aktivet në Komunitetin Shqiptarë në Greqi, të pa epur në udhët e saj të ngjitjes e të formimit të personalitetit njerëzor, të zhvillimit të talentit e të zgjerimit të botës shpirtërore? Me kontribute të përhershme, tashmë si figurë publike, në disa shoqata e forume dhe kurdoherë me ide të reja, sikundër ka tani, nëpër duar, në mendje e në shpirt, idenë e shkëlqyer “Dhuroni një buzëqeshje”, një nismë humanitare për institucionet që kanë në mbrojtje fëmijë me aftësi ndryshe dhe e drejtuar nga bota e fëmijve tashmë, në një tjetër aktivitet me moton: “Merr një varg dhe eja”, së toku me poeten Elona Gjergon e Aina Hotin ftojnë fëmijët e emigrantëve shqiptarë, kudo që janë, të ndërgjegjësohen, të flasin e të shkruajnë shqip, të krijojnë e këndojnë në gjuhën e prindërve të tyre, kundër atij kërcënimi asimilues e harrese që i pret parreshtur. Brikena Qama nuk është kurrë e qetë e do të jetë përherë në rradhët e para të këtyre veprimtarive, me bagazhin e vetë të formuar tashmë. E mëvetshme dhe energjike, me sedër e kapriçio të jashtzakonshme, kundër meftësisë, mediokriteteve, mendjeshitësve, ziliqarëve e të prapambeturve, pa e kursyer ngadonjëherë edhe fjalën e fundit me ata që krekosen e i kundërvihen, pa asnjë të drejtë morale, ndaj të clëve matet tek edhe u thotë, përmes vargjeve të saja poetike: “Do donit të më shoqëroni salloneve, ku mendoni se shkoj/ por do t’i zëmëroheshit (për dreq) /shijes time kapriçioze/ që zgjedh të mbyll derën/me takën e këpucës”.
E asnjëherë nuk tërhiqet! Disa herë është zgjedhur në Kryesinë e “Liter-Art”-it , po edhe në Kryesinë e Federatës Shqiptare të Emigrantëve, apo edhe në shoata të tjera kulturore. E papërtuar, e palodhur. Duke qenë e mëvteshme, për kontributin e vetë aktiv, në kohë e periudha të ndryshme dhe të ndërmjetme, zhvillon edhe takime letrare, sipas mides dhe preferencave të saj, me shoqet e veta, provon aftësitë, idetë e origjinalitetin e vetë. Dhe unë nuk ia marr për keq kur i vete ndër to e më prezanton si “shokun e saj të klasës”. Se s’ështe e paktë një miqësi e bukur, prej dy dekadash e gysmë! Prandaj edhe unë ia mblodha bashkë të tria urimet që i takojnë asaj, Brikena Qamës, nga Skrapari: Krishtlindjet që afrojnë pas pesë ditësh, 29 dhjetorin kur ka “kërryer këmbët “e paudhja” si edhe festës së natë-ditës së Vitit të Ri që e gëzon gjithë dynjaja, jo vetëm “Briarta” jonë, siç i them unë me shaka, edhe pse na i futi “këmbët në një këpucë kjo “CORONAJO-JA” e mallkuar,-si i thonë grekët këtu e, si te ishte pak, edhe një “LOC DAWN” nga Miçotaqi!
 
Please follow and like us: