Albspirit

Media/News/Publishing

Poema e Ismail Kadaresë “Tirana në dimër”…

Zyrafete Ramadani-Shala

* * *
Në përzgjedhjen poetike të Kaderesë “Pa formë është qielli”, veç tjerash, përfshihet edhe poema ‘Tirana në dimër’ në të cilën autori synon të paraqesë realitetin e vrazhdët të shoqërisë shqiptare postkomuniste. Për të arritur deri tek kthinat më të thella semantike të poemës, ajo duhet analizuar në të gjitha shtresat e saj, të cilat autori i mpleks në një mënyrë të tillë që secila prej tyre të përcjellë mesazhin poetik.

Endjet nëpër motivet e fushat tematike, ndërthurjet me tekstet paraprake të letërsisë botërore, rikujtimi i momenteve të rëndësishme nga e kaluara kombëtare, por edhe pasojat e tyre, konfuziteti aktual i gjetjes së rrugëve drejt prosperitetit dhe shkatërrimi i sistemit të vlerave, janë mjetet që përdoren për ndërtimin e idesë themelore që e përshkon fund e krye poemën, e që në këtë rast nuk është fare optimiste. E përjetojmë edhe njëherë atë dimrin e njohur kadarean qoftë të një vetmie, në kuptimin e arritjeve kulturore, qoftë të një koncerti që më tepër u ngjan orgjive, por që as njëri as tjetri nuk kanë të bëjnë me fundin, edhe pse autori bashkë me lexuesit dëshirojnë që ky dimër të jetë epilogu i dimrave të mëparshëm.

Poema na shfaqet edhe si një akuzë kundër realitetit, kur me gjithë krijimin e mundësive për të ndryshuar kahen e rrugëtimit kombëtar, i vetmi shteg nëpër të cilin endet shoqëria shqiptare është një labirint, ku për fat të keq nuk gjendet as një fije e Arianës që do të ndihmonte daljen prej aty… Dhe ecjet, përpjekjet, molepsjet nëpër kthinat e këtij labirinti në fund i mbulon errësira që nuk jep edhe më të voglën shpresë për ndryshim.
* * *
Qysh me titullin, poema na sugjeron edhe këndvështrimin që poeti ka zgjedhur për të vështruar Tiranën, që në të vërtetë këtu bëhet sinonim i tërë atdheut të tij, Tirana këtu është Shqipëria e mbledhur në një qytet, madje është ajka e saj. Dimri i Tiranës është dimër që shtrihet nëpër të gjitha sferat e jetës shqiptare, duke filluar nga funksionimi i organeve shtetërore, Parlamenti e Gjykata, e deri tek organizimi i jetës nga njerëzit e thjeshtë, që zhyten në tema ku bëhet nëpërkëmbja e historisë dhe simboleve kombëtare, bastardimi i gjuhës si shtyllë e identitetit kombëtar, vuajnë nga absurditeti i të kuptuarit të pozitës në të cilën ndodhen, e ngrenë kafenenë mbi të gjitha institucionet dhe e shndërrojnë atë në një “institucion universal” ku gjen tribunën shkencore ku flitet për Nobelin, tregun e shitblerjes së pronave, bodrumin ku porositen vrasje, tribunën religjioze ku rishikohet misioni i Krishtit etj. Edhe dritaret e kafenesë, që janë i vetmi shteg nga ku mund të shihet bota, janë të mbuluara nga ngrica, nuk lejojnë të shikohen pamjet e qarta por vetëm përhitjet që shfaqen nga ndërgjegjet e rënduara apo nga ndikimi i avujve të alkoolit.
Një dimër i tillë ndihmon në krijimin e atmosferës danteske që autori na e sugjeron fillimisht me vargun:
Vërtiten gjethet dantealigershëm
por edhe me rrathët e ferrit në vargjet e mëvonshme. Krijohet kështu një kaos ku secili bën përpjekje për t’i ikur përgjegjësisë për veprat e kryera në të kaluarën, e në pamundësi të arritjes së qëllimit, i dëshpëruar tërheqë pas vetes edhe të tjerë për ta vuajtur bashkë ndëshkimin, një kaos ku urrejtja më e thjeshtë përfundon me vrasje që nuk kushton shumë, ku dëshira për ndërrimin e pozitës në shoqëri realizohet gjithashtu me pak lekë, një kaos që doemos na e kujton ferrin dhe purgatorin dantesk…

Dhe ashtu si Dante që bën gjyqin e njerëzimit, Kadare e ndjen të nevojshme të bëjë gjyqin e kësaj epoke, që do të mbajë një barrë të rëndë të përgjegjësisë përpara historisë dhe brezave të ardhshëm. Lidhje intertekstuale përveç me Komedinë Hyjnore të Dantes, poema ka edhe me tragjeditë e Shekspirit, madje autori përmend një nga personazhet më makabre të tij, zonjën Makbeth e cila për fat të keq e ka edhe një prototip në botën shqiptare, është kjo madona e zezë për të cilën vendi që ruhet në ferr është zgjidhja e duhur. Veprat e kësaj madone, që bashkë bashkëshortin dhe rrethin e tij, kryen për më se 45 vjet mbi një popull të tërë, autori i sheh si gjenerator të kësaj çoroditje, një dhunë e ushtruar për vite me radhë mbi elementet më njerëzore, të menduarit dhe të folurit, doemos që do të rezultonte me krijimin e një gjeni të veçantë, mutant. Njerëzit me një gen të tillë së pari mendojnë për hakmarrjen, ndaj atyre që u skëterrosën jetën, por assesi nuk janë në gjendje të shohin më larg, kundërshtojnë çdo gjë, madje edhe gjërat që shihen dhe konsiderojnë vlera gjërat që në të vërtetë janë të pavlera:
Pse gjethet befas prarim kurore marrin,
Tek shtrohen si qilim në bulevard?…
Përveç rrënimit të dhimbshëm shpirtëror dhe emocional, poema na asocion edhe në një “profeci” që kishte parashikuar këtë rrënim shumë vite më parë…
Tërë këto motive që hyjnë në poemë i ndërtojnë fushat tematike, atë sociale dhe psikologjike, që janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën. Derisa motivet që i ndërtojnë temat sociale janë më të qarta, më të dallueshme meqë shfaqen me një ligjërim të drejtpërdrejtë:
Përballë tyre, zyrtarë të pashpirt
Në varg veturash rendin, s’dihet ku

motivet e fushës psikologjike shfaqen në mënyrë më diskrete:

Të zësh një kënd m’u te qelqnaja e ngrirë
Dhe mendjen mundësisht ta çosh në off

Vargu i fundit më së miri e paraqet gjendjen shpirtërore të shqiptarit të shekullin XXI, shqiptarit të frustruar nga jeta, kur preokupimi për çfarëdo çështje duket punë e kotë, ngaqë energjitë e tij janë të shteruara. Ndërsa vargjet në vijim flasin për enigmën psikologjike të kolektivit:

Një makth i dalë nga një gjumë i marrë
Më i zbërthyeshëm se ky komb do të qe

ose
Po ç’është ky popull që në gropë i shtrirë
Kujton aq krenarisht se është në majë?
Dhe kur përkundër, nga gropa del i lirë,
Jam i rrëzuar! Klith me thirravaj?
Por si përjetohet kjo gjendje nga subjekti lirik, nga poeti që gjithashtu është pjesë e këtij kolektiviteti? Si na shfaqet ai në poemë dhe në çfarë marrëdhënie qëndron në raport me botën që e rrethon?
Edhe pse në katër pjesët e para të poemës çdo gjë na shfaqet nga një subjekt i paidentifikuar, në pjesën e pestë të poemës subjekti lirik fillon të flasë në vetën e parë. Ai e sheh veten pjesë të këtij kaosi, ose nëse jo pjesë, vëzhgues gjithsesi. Por, ai ndjen edhe përgjegjësi për këtë gjendje dhe kjo duket sa ka të bëjë me mendimin e Lasgushit se poetët janë përgjegjës për çdo gjë. Gruaja që matanë qelqnajës ia kujton premtimin e dhënë, duket të jetë vetë Shqipëria që kërkon diçka nga poeti, prandaj edhe janë shumë drithëruese vargjet në të cilat ajo i drejtohet subjektit lirik:
Në qoftë se ti, siç thua, je i vdekur,
atëherë mua ç’më mbetet që të jem?
Këto vargje përforcohen edhe më tepër nga shprehja KUNDASKUND me të cilën subjekti lirik e emërton vendndodhjen e papërcaktuar të tij.
Poema është e realizuar mirë edhe në aspektin stilistik ku shquhen figurat tipike kadareane si p.sh. mesdita krahasohet me një grua të dehur tapë, shqiptarët me trumba zogjsh me curle e celularë, mbretëreshat e vdekura me mjellma të humbura, por nuk mungojnë as fjalët e reja me të cilat autori e pasuron edhe më shumë tekstin poetik duke ia ngritur vlerën edhe shtresës leksikore të poemës, përveç fjalës qelqnajë që e hasim edhe në vepra të tjera të tij, këtu përdoren edhe shprehje si: dantealigershëm – që nënkupton një veprim që kryehet sipas mënyrës së Dantes, Politbyro – quhet Byroja e famshme Politike, ndërsa komunistët i quan ish-korba, një emër mjaft domethënës. Përveç në rrafshin stilistik dhe leksikor, këto figura dhe shprehje e pasurojnë poemën edhe në planin semantik.

Realiteti në poemë komentohet në mënyrë të kombinuar mes objektivitetit dhe subjektivitetit. Të gjitha ato situata, momente, shembuj të përdhosjes së gjuhës, deformimi i historisë, janë evidente në realitetin shqiptar, por autori këtu i paraqet sipas mënyrës se si ai vetë e përjeton apo percepton atë realitet. Ndërsa, koha si dimension i ligjërimit poetik realizohet në të tashmen e subjektit lirik, por gjithnjë duke vënë paralele me kohën e Mesjetës dhe periudhën e diktaturës, e para shembull i njohur i shkeljes së të drejtave njerëzore në historinë botërore dhe e dyta shembull i tillë i historisë kombëtare, por që të dyja reflektohen në të tashmen si përvoja të hidhura të njerëzimit dhe kombit.
Nga ana formale poema përbëhet nga 35 strofa katërshe (katrena) me vargje dhjetërrokëshe, njëmbëdhjetërrokëshe dhe të tjerë, ndërsa rimat janë të alternuara të tipit ABAB.
Për gjithçka flitet, pronat, asgjëkundin,
Çmimin Nobel a një veturë të re,
Për zgjedhjet dhe dekretet krejt të fundit
Të zotit president me emër hebre.
Nëse si faktorë të organizimit ritmik paraqiten zgjedhja e veçantë e fjalëve, rendi i tyre, përsëritja, figurat dhe në fund të gjitha këto janë në unitet me kuptimin e fjalëve, atëherë mund të themi se tek poema Tirana në dimër ka një ritëm që është sinkronik me ritmin e këtij fillimshekulli në Shqipëri.

* * *
Dhe në fund, çfarë mund të thuhet për këtë poemë, çfarë sugjeron ajo? A është qëllimi i autorit vetëm t’i bëj të njohura prapësitë që e kanë vërshuar vendin e tij, apo është i prirë nga logjika që “për t’a luftuar të keqen së pari duhet identifikuar atë”? Periudha të tilla nuk mund të kalojnë pa u ndier në veprën e një krijuesi, e aq më tepër të një krijuesi që ka frymuar me të kaluarën dhe aktualitetin e popullit të tij, që çdo moment i rëndësishëm i historisë kombëtare i ka shërbyer si bazament i krijimit të një vepër. Ai ka menduar një rrugë tjetër për popullin e tij, një rrugë më të dinjitetshme pas vuajtjeve të diktaturës, por assesi nuk mund të pajtohet me dehjen nga “qejfi dhe marrja e hakut” që pothuajse janë kthyer në moto të jetës. Prandaj, në një realitet të tillë, poema tingëllon si thirrje drejtuar bashkëkombësve që të vetëdijesohen për gjendjen në të cilën ndodhen, vetëdijesim ky që është shumë i dhimbshëm, po në të njëjtën kohë edhe zgjidhja e vetme për një popull që dëshiron të pushtojë hapësirat e lirisë dhe të dinjitetit njerëzor.

Ismail Kadare: TIRANA NË DIMËR

Please follow and like us: