Albspirit

Media/News/Publishing

Bruno Perini: Daja im, Adriano Çelentano (11)

2000/”L’editto bulgaro” dhe çështja De Gasperi

“Mungojnë vetëm shtatë ditë nga 14 shtatori, data në të cilën Rocco Barnabei do të ekzekutohet në burgun e Virginia-s për përdhunimin dhe vrasjen (kështu thonë) e ish të fejuarës së tij Sarah Wisnowsky. Dhe çdo ditë që kalon, ajo datë afrohet pak nga pak e edhe unë ndjej sikur po vdes. Megjithatë çuditërisht, gjëja që më terrorizon më tepër se gjithçka nuk është karrikja elektrike apo injeksioni vdekjeprurës, por «e djathta» dhe «e majta», republikanët dhe demokratët, ata që bëjnë haje për të çmendur lopët, ushqime «transgjenike», ata që kanë si pikësynim të fitojnë shumë të holla duke punuar sa më pak që të jetë e mundur; e pastaj, ç’rëndësi ka që më 14, në orën 21 do të vrasin një njeri tridhjetetrevjeçar… Do të ekzekutohet, thonë të djallëzuarit, jo nga drejtësia, por nga fuqia, nga pushteti, nga ata që janë vrastarët e vërtetë, tipat si George Bush dhe si guvernatori i Virginia-s, Jim Gilmore; nga ata, që e lodhin kot veten duke përdorur fjalën: «i ekzekutuar», një fjalë që, sipas bindjes sime, do të duhet të fshihet nga fjalori. As Zoti vetë, Ai që është i vetmi vërtet i Drejtë, nuk e ka përdorur kurrë,. Dhe atëherë pyes veten, pse krimineli që ka vrarë dhe djegur atë fëmijën tetëvjeçare, do të duhej të kishte më shumëvrasje ndërgjegjeje se një Shtet vrasës, që me vdekjen bën deri shfaqje popullore, me vende në rreshtin e parë për të eturit për pushtet, të gatshëm që të hedhin shuma të hollash për votat që fitojnë në çdo shfaqje të vdekjes? Sigurisht nuk mund të mos kuptohet zemërimi i nënës së mjerë të Andria-s, kur thotë se dëshiron ta vrasë me duart e veta vrasësin e bijës së saj. Megjithëse nuk do ta bëja, edhe unë do ta mendoja: Dhembja, e di, është e papërshkrueshme. Por nuk ndërtohet dashuria për një botë më të mirë duke u mbështetur mbi hakmarrjen dhe, po ashtu, as duke u mbështetur mbi moskokëçarjen e një farë drejtësije, e cila le të lirë, siç ndodh shpesh tashmë, këtë tip vrasësish, që për krimet e tyre, krejt përkundrazi, meritojnë të veçohen plotësisht nga shoqërija me qëllim që, koha e shlyerjes së fajit, edhe kur ajo nënkupton burgimin e përjetshëm, të mos jetë vetëm një dënim, por edhe shpresë për një shëlbim, për një shpëtim të shpirtit. Por deri kur do të ketë njerëz si Pivetti, të cilët jetojnë në kundërshtinë katastrofike të të qënit njëkohësisht besimtarë dhe përkrahës të dënimit me vdekje, bota, besoj, nuk mund të përmirësohet kurrë. Vdekja nuk bën gjë tjetër, veçse thërret vdekje tjetër. Popujt do të duhej të mos u zinin besë dhe të mos zgjidhnin këta vrastarë, që duke paraqitur si shkak sigurinë e njerëzve, vënë në jetë dënimin me vdekje. Pikërisht me këta vrastarë ndjehen të shoqëruar pedofilët dhe ata që vrasin fëmijët”.
Me këtë letër tepër të fortë, të furishme në “Corriere della Sera”-n e datës 7 shtator 2000, Adriano-ja përuron mijëvjeçarin e dytë me një sulm kundër dënimit me vdekje, me një ndjeshmëri përherë në rritje për temat politike. Duhet të kalonte edhe një vit që të transmetohej “125 milionë budallallëqe”, programi që u dha më 2001, i ndjekur nga polemikat e mërzitshme nën tituj tepër të rëndomtë. Duke filluar nga kjo kohë, daja im u përkufizua nga kritikët “më politiku i jopolitikëve”. Ai nuk hiqte dorë kurrë nga të qënit këngëtar dhe goditës i mjeteve televizive, madje “team”-i (angl. në tekst; sh.p.) Celentano-Bella-Mogol vazhdonte të korrte suksese, megjithëse në këtë kohë ndodhën disa gjëra që do të ndryshojnë mënyrën e tij të mendimit. Në vitin 2000, bashkë me të njëjtën “team”, botoi “Esco di rado e parlo ancora meno” (“Dal rrallë dhe flas edhe më pak”), një shpërthim shitjesh prej një milionë e tetëqindmijë kopjesh. Albumi përmbante edhe një këngë të shkruar nga Ivano Fossati me titull “Io sono un uomo libero” (“Unë jam një njeri i lirë”), që dukej si të qe një manifest politik i Adriano-s në kohën e mijëvjeçarit të ri. Temat shoqërore janë gjithmonë e më tepër pasioni i tij. Kur ngrihet në mëngjez, ha sillën me kafenë e zakonshme e bukën e thekur, një lëng portokallesh dhe kos, pastaj gërmon “Corriere della Sera”-n nga faqja e parë deri tek e fundit. Dora dorës që niveli i tij kulturor ngrihet, sheh me sy të ndryshëm nga e shkuara, atë që ndodh në botë. Nuk heq dorë nga këngët e dashurisë të përgatitura për të nga Gianni Bella, me tekst të Mogol-it, por interesimi i tij në rritje është për temat shoqërore, aq sa miqtë e tij të vjetër, të lidhurit me pamjen pak të plakur të “djalit të rrugës Gluck”, rrudhin hundën kur ai fillon të flasë për politikën ose të komentojë “talk show”-n (angl. në tekst; sh.p.) e fundit televiziv. E pra, daja im “i llojit mijëvjeçari i ri” është më i zënë me punë se ai i të shkuarës. Nuk bëhet fjalë për ta takuar më shpesh se më parë dhe sa herë qëllon ta takoj ai është i interesuar të dijë ç’gjë është duke ndodhur në politikë, në ekonomi ose në ngjarjet e kronikës. Gjatë transmetimit të “125 milioni di cazzate”, vuri bashkë, rrotull një tryeze (që iu përkiste atyre të bujtinave të vjetra) këngë të nëntëdhjetës të Enzo Jannacci-t, Antonio Albanese-s, Dario Fo-së, Giorgio Gaber-it (në daljen e tij të fundit në televizion) dhe hapi në TV një proçes vërtet gazmor. Kritikët e quajtën “një copë e bukur e televizionit”; ishte në rrjedhën e një kritike që kishte nisur më 1987 me “Fantastico”-n. I pari që foli ishte Dario Fo-ja: “Më falni, por unë kam një problem me televizorin: Në qoftë se nuk është i hapur, nuk më zë gjumi dhe kur kujtohem që është i mbyllur, më vijnë ankthe. Mund të ma shpjegoni pse?”
Gaber: “Unë, përkundrazi, rri dhe e shoh; dua të shoh deri në ç’pikë arrijnë, por brënda më rritet shqetësimi”. Fo-ja: “Pastaj nuk fle kurrë, sepse ata nuk kanë kufij. Unë kam pasur një fat të madh: mbas dy vjetësh më dëbuan dhe për gjashtëmbëdhjetë vjet kam pushuar”. Albanse: “Be’, kjo është një goditje në prapanicë”. Adriano-ja: “A e di ti Dario pse të ndodhi ajo gjë pikërisht në atë kohë? Sepse atëherë nuk ishte në RAI një njeri si Roberto Zaccaria. Po të kishte qënë ai, ti do të kishe ecur përpara”.
Gaberi vuri duart në kokë e bëri një zhurmë me gjuhë. Adriano-ja u përgjegj: “Jo, nuk është një lëpirje, një llustër. Ne të katër nuk do të ishim këtu, po të mos na kishte mbrojtur Zaccaria. Ai nuk ka mbrojtur transmetimin, por lirinë e mendimit. Falemnderit Zaccaria; jam krenar për ty!” Me këtë thënie, Adriano-ja preku një pikë shumë të dhembëshme dhe pa dashje hershoi një temë që do të jetë në qendër të ndeshjes politike në vitin 2002 e në vitet e mëpasme, atë të lirisë së kritikës ndaj njeriut që do të bëhet në këto ditë, për herë të dytë Kryetar i Këshillit të Ministrave: Silvio Berlusconi. Zaccaria nuk qëndroi gjatë i parë i RAI-t, sepse pikërisht më 2001 gjendja politike italiane ndryshoi rrënjësisht, duke sjellë me vete një ndryshim të rregullit, të përgatitjeve politike edhe në “majat” e RAI-t.
Zgjedhjet e 2001 kishin si përfundim fitoren e “Casa della Liberta”-së (“Shtëpisë së Lirisë”), “koalicionit” (lidhjes) së menduar e të themeluar nga Silvio Berlusconi dhe që përfshinte, përveç “Forca Italia”-s, partitë kryesore të qendrës së djathtë (e edhe “Lega Nord”-in). Për Berlusconi-n ishte një fitore e bujshme. Gjatë fushatës zgjedhore “Il Cavaliere” nënshkruajti (në transmetimin “Porta a Porta” të Bruno Vespa-s) të ashtuquajturën “Kontratë me italianët”: një marrëveshje midis tij dhe zgjedhësve të tij të fuqishëm, ku merrej përsipër, në rast fitoreje, të kryheshin lehtësime shumë të mëdha të tatimeve e taksave, të përgjysmohej papunësia, të filloheshin qindra vepra shtetërore, të rriteshin pensionet e vogla dhe të pakësohej numuri i krimeve; merrej përsipër po ashtu, të mos kandidohej në zgjedhjet e ardhëshme në rast se të paktën katër nga pesë pikat kryesore të marrëveshjes nuk do të mbaheshin. Më 11 gusht, Berlusconi u emërtua për të dytën herë Kryetar i Këshillit të Ministrave dhe nisi formimin e qeverisë së dytë Berlusconi. Qysh nga ky moment, politika diktoi rendin e ditës të programeve të RAI-t. Ndryshe nga viti 1994, kur ende ishte pa përvojë dhe pak i rrahur me jetën politike, kryetari i qeverisë nuk kishte ndër mend të qëndronte i amullt, i fjetur duke parë transmetimet satirike që qëllonin mbi të dhe qeverinë e tij. Dhe kështu arriti data 18 prill 2002, në të cilën u shpall nga Kryeministri ajo që hyri në histori si “l’editto bulgaro” (“edikti bulgar”):
“Përdorimi që Biagi, si quhet ai tjetri…? Santoro, po tjetri… Luttazzi, i kanë bërë televizionit shtetëror, të paguar me të hollat e të gjithëve, është një përdorim kriminal. Dhe unë besoj se, është detyrë e përpiktë e udhëheqjes së re, të mos lejohet më që të ndodhë një gjë e tillë”. Sipas Treccani-t, krijimi e mbarësia e shprehjes, apo më mirë, e emërtimit, ka rrjedhur edhe nga fakti që, në gjuhën gazetareske, mbiemri “bulgaro” (“bullgar’), përveç lidhjes me vendin ku u shpall shkëmbimi i mendimeve përkatëse, ka edhe një vlerë semantike rikujtimore të kohërave më të errta të mungesës së demokracisë në Bullgarinë e kohëve të “Perdes së hekurt”.
Më kujtohet që, i ashtuquajturi “l’editto bulgaro” ngjalli një skeptiçzëm të fortë te Adriano-ja. Në atë periudhë nuk mori ndonjë qëndrim zyrtar, por tre vite më vonë ftoi Michele Santoro-n e Sabrina Guzzanti-n në “Rockpolitik”, në më politikun e gjithë transmetimeve të tij: Një program që arriti lartësinë e vet më të madhe në “momentin historik” kur gjashtëmbëdhjetëmilionë italianë ishin ngjeshur para TV dhe ai filloi “show”-n (angl. në tekst; sh.p.) bashkë me Roberto Benignin.
Nga 2001-shi deri në 2005-ën (në vitin kur u transmetua tërmeti politiko-televiziv “Rockpolitik”) Adriano-ja u mor pak me televizionin. Dukej sikur “l’editto bulgaro” nuk kishte lënë shenjë në mënyrën e tij të mendimit, por nuk ishte kështu. Ai ishte i zënë me punë për të bërë të qëndrueshme arritjen e tij si këngëtar dhe për të përforcuar “team”-in Celentamo-Bella-Mogol; në RAI ishte një klimë shumë e paqetë: mosmarrëveshje, përplasje, grindje dhe as që mund të mendohej një transmetim programi “premierë” me të pakontrollueshmin Celentano.
Në këtë periudhë kohe, mes të tjerash, jeta vetjake e Adrianos u ngrys nga një tjetër vaj: Në muajin korrik të vitit 2003 vdiq më e moshuara nga motrat e tij, Rosa, nëna e Gino-s dhe Evelina Santercoles, vdiq ajo që quhej nga të gjithë “më kokëkrisura e familjes” e që të kujtonte personazhin e interpretuar nga Stefania Sandrelli në filmin “La prima cosa bella” (“Gjëja e parë e bukur”) të Paolo Virzì-t. Ikja përgjithmonë e Rosa-s la një zbrazëtirë. Për Adriano-n ishte sikur t’i kishte vdekur një nënë e dytë. Rosa kishte lindur më 1917 dhe kur lindi Adriano-ja, më 1938, kishte arritur moshën njëzetvjeçare. Një grua gjithë jetë, që nuk lodhej kurrë duke u dëfryer, duke vallëzuar, duke kënduar në prani të të gjithëve, duke futur nën dhe mërzitë, brengat, zymtitë e jetës me gëzimin e të jetuarit. Adriano-ja ka qënë shumë zemërgjerë me motrën e tij Rosa: Kurdo që ajo kërkonte diçka për shtëpinë ose dëshironte të bënte ndonjë udhëtim për kënaqësi, ai ishte gati t’ia plotësonte qejfin. Në të vërtetë, Adriano-ja ka qënë e është shumë zemërgjerë me të gjithë familjen. Ndoshta, sepse Adriano-ja nuk i ka harruar kurrë vitet e varfërisë, vitet kur Rosa i jepte fshehurazi mama Giudotta-s të hollat e tramvait për të shkruar në rrugën Gluck e për t’u kthyer në shtëpi, kur familja Celentano ishte mbartur në rrugën Cesare Correnti, në qendër të Milanos. Vdekja e Rosas, veç të tjerash, forcoi në një farë kuptimi, lidhjen e Adrianos me motrën Maria, nënën time. Kur ishte i vogël, ai qe përkëdhelur nga motrat si të ishte biri i tyre. Ai e ka mbajtur mend, më pas e ka quajtur të drejtë t’ua shpërblente me dashuri dhe, në rast vështirësie, me një ndihmë financiare. Ka qënë një kohë kur familja e madhe Celentano jetonte e gjitha bashkë. Rosa ishte ajo që, më tepër se nëna ime, pëlqente të bënte festa në prani të Adrianos, për të bërë që të iknin tutje tregimet e asaj kohe. Një mbrëmje, gjatë njërës nga këto festat e zhurmëshme të familjes u krijua një skenë gazmore: Muzika buçiste me të gjithë volumin, të ftuarit flisnin me zë të lartë dhe fqinjët filluan, si zakonisht, të humbisnin durimin. Në një farë kohe, tingëlloi zilja e derës së shtëpisë dhe Rosa shkoi ta hapte. Adriano-ja po dëgjonte provën e një kënge. Ishte rreth 11 e natës. Zonja e katit poshtë, me sy të pëgjumur i tha tezes sime: “Zonja Rosa, unë nuk mundem të fle…”. Dhe tezja ime iu përgjegj: “Më vjen keq që vuani nga pagjumësia. Po të dëshironi të merrni pjesë në festën tonë, urdhëroni, madje hajde të të paraqes vëllanë tim Adriano”. Pra, në qoftë se në këto vite, Adriano-ja ishte i hutuar nga dhembjet vetjake dhe nga zelli diskografik, fati e donte që rruga e ndeshjes me RAI-n të shkonte në një zonë anësore, në të cilën Adriano-ja qe një shikues. Kishte të bënte me dramën televizive mbi Alcide De Gasperi, të krijuar nga Claudia Mori. Është një histori e gjatë, e mbetur nën hije për mjaft kohë, por që pastaj doli në dritën e diellit për të ndriçuar një nga parregullsitë e politikës italiane.
Në fillim ishte një ngjarje si shumë të tjera. Claudia, e dhënë qysh prej vitesh mbas krijimit e prodhimit të “fiction”-eve (angl. në tekst; sh.p.) të një niveli të mirë kulturor, i propozoi RAI-t të prodhonte një dramë televizive mbi një personazh kyç të Italisë bashkëkohore dhe në veçanti, të pasluftës: Alcide De Gasperi. Nisën fjalosjet e lodhëshme me RAI-n dhe me Agostino Saccà-në, drejtorin e “Rai Fiction”-it në ato vite. Në takimet e para, Claudia-s iu parashtrua një konditë thelbësore: Miratimi i dramës televizive nga bija e shtetarit, Maria Romana De Gasperi. Claudia-n nuk e lëshoi zemra dhe brenda një kohe të shkurtër arriti të fitonte bashkëpunimin e bijës së De Gasperi-t. Drama televizive, pra, mund të fillonte, ose kështu dukej. Claudia zgjodhi si regjizore, një heroinë kryesore të madhe të kinematografisë italiane: Liliana Cavanin. Puna për filmin ishte gati të fillonte, por, mbas disa javësh, kur tashmë ishte bërë edhe një konferencë shtypi për ta paraqitur, projekti u ndal pikërisht nga drejtori i “fiction”-eve, Agostino Saccà. Zyrtarisht për arsye të karakterit ekonomik, por “rumors”-ët (angl. në tekst; shqip: “thashethemet”, “fjalët”; sh.p.) e asaj kohe murmurisnin se, ndoshta vetë Kryeministri, Silvio Berlusconi nuk e donte Liliana Cavani-n. Ngjarja mbeti në heshtje, sepse gazetat pëlqyen të mbanin veshët ngrehur mbi ngjarjen e brishtë, por pastaj veprimi i shëmtuar çau murin e heshtjes.
E përditshmja “la Republica”, gjithmonë në kundëvënie ndaj qeverive Berlusconi, preku pikat më të dhembëshme të ngjarjes. Në një shërbim të të përditshmes, të drejtuar nga Ezio Mauro, lexohet kjo deklaratë e Claudia-s: “Mbi prodhimin e këtij «fiction»-i ka vepruar rëndë një «censurë», që ngatëron Liliana Cavani-n dhe, siç duket, edhe mua. Ndoshta nuk e quajnë veten të përkulshëm ndaj këshillave të një natyre pak të ndryshme: Në fillim dëshironin edhe të hiqja nga drama televizive burgimin e De Gasperit. Natyrisht, nuk pranova. Kjo ngjarje është një «censurë» e mirëfilltë”.
2003-05/Midis Sanremos dhe “Rockpolitik”-ës

Por më 2004 u paraqit një rastësi e çuditshme: Në marsin e po atij viti, në të cilin Claudia dhe RAI ishin në luftë për “fiction”-in mbi De Gasperin, daja im u thirr nga miku i vjetër Tony Renis dhe nga drejtori i përgjithshëm i RAI-t, Flavio Cattaneo për të shpëtuar Festivalin e Sanremos, që, në mbrëmjen e parafundit, kishte regjistruar një “flop” (angl. në tekst; në shqip: “dështim”; sh.p.) shumë të madh me dëgjuesit. Flitej për gjashtë milion teleshikues: një katastrofë. Në orët e mëparëshme të serisë së fundit, daja im u thërrit disa herë nga Tony Renisi dhe, më në fund, duke e ditur që ishte “mbreti i audiencës” (“i publikut”), vendosi t’i dhuronte prirjet e zotësitë e veta mikut “amerikan”. Unë e këshillova të mos e ndihmonte RAI-n e asaj kohe, i thashë edhe se Tony Renis kishte lidhur miqësi të dyshimta ne Shtetet e Bashkuara, por ai, si përherë, bëri me kokën e tij dhe, nga pikpamja e “audiencës” (“e publikut”) ishte një sukses i papritur.
Më kujtohet ende ajo mbrëmje: Agjencia ANSA njoftoi praninë e Adrianos në Festivalin e Sanremos në orën 20. TG-të e ridhanë lajmin, por askush nuk do ta kishte marë me mend që, prania e dajës tim pranë Tony Renisit e Simona Venturas do të kishte shtuar “audiencën” me gjashtëmilionë teleshikues mbi atë të mbrëmjes së shkuar, pra deri në pesëmbëdhjetëmilionë, me një mesatare prej dymbëdhjetëmilionësh. Një shpëtim i plotë, që ishte aq vendimtar për festivalin, saqë disa gojë të këqija thanë se, mbas ndërhyrjes së dajës tim, Flavio Cattaneo, për mirënjohje, theu qëndresën politike dhe bëri të miratohet nga “Këshilli” drama televizive mbi De Gasperi-n.
Prania e Adriano-s në “Festivalin e Sanremos” krijoi, megjithatë, pështjellim, rrumujë dhe një varg të pafundëm polemikash. Ai nuk u pagua asnjë lirë për këtë shfaqje të pesëmbëdhjetë milionë teleshikuesave, por iu dha e drejta që të kishte kartë të bardhë mbi monologët dhe rrethanimet. Pra, megjithëse daja im nxitoi të shpëtonte Sanremon, polemikat nuk heshtën dhe “rumors”-et (angl. në tekst; në shqip: “zhurmat”, “thashethemet”; sh.p.) e kohës tregonin që përsëri i pakontrollueshmi Adriano po i prishte punë dikujt, po i ngatërronte llogaritë dikujt; sepse dukej që në mbasditen e serisë së fundit u bënë mjaft telefonata të përfaqësuesve qeveritarë që këshillonin të tregoheshin ushtarët tanë gjatë Festivalit. Askuash nuk mund të hamendësonte se Adriano-ja do të prekte pikërisht këtë temë. Më 9 mars, vetë Adriano-ja u mbrojt nga fajësimet e rënda në “Corriere della Sera” :
“Ende nuk ka kaluar as një gjysmëore që kur, mbi skenën e Ariston-it thashë se mbas gjysmëore do të fillojnë polemikat. U gabova: ato kanë filluar menjëherë. Cirku i konformizmit ka rihapur dyert dhe figurantët arritën të shumtë në numur… si zakonisht.
Çfarë kam thënë në Sanremo për sa u takon lidhjeve me ushtarët tanë jashtë Italisë? Unë i dua shumë, ndjej mirënjohje ndaj tyre edhe për punën e vështirë që kryejnë dhe, prandaj, pikërisht për këtë, nuk kuptova ç’punë kishin këto lidhje me «Festivalin e Sanremos», por figurantët bënin sikur nuk e kuptonin gjuhën me të cilën po iu flisja, duke mos njohur me qëllim mbështetjen time në atë që është gramatika e shfaqjes, e cila urdhëron pashmangësisht një farë mbajtje kohe në çdo shprehje të saj, pra, në çdo zgjedhje të saj, qoftë të karakterit tragjik, qoftë të atij komik (s’ka rëndësi), mjaft që të kujdesesh me të vërtetë për kuptimin e veçantë të atyre, që më pas do të jenë (qoftë edhe nëpërmjet një lidhjeje) heronjtë e mirëfilltë kryesorë të gjithçka paraqesin.
Në rastin e veçantë, në qoftë se unë dua të paraqes Armën e Karabinierëve për të nderuar sjelljen e tyre (të them të drejtën, pak heroike) në «betejën e vështirë për paqen», duhet ta bëj në një mënyrë që të mos humbasë ajo që është forca e therroria e tyre. E gjithë kjo ka nevojë për një kohë, që nuk ka të bëjë me zgjatjen e ndërlidhjes (që mund të arrijë edhe dy orë) por me një kohë ritmike që nuk fal: Një kohë që duhet ta kemi krejt të qartë të gjithë, jo vetëm në shfaqje, por në çdo moment të jetës sonë të përditshme, ndryshe do të jemi jashtë kohës; ashtu si janë jashtë kohe figurantët e mjerë, që sot ngulmojnë të shkruajnë të kundërtën e asaj, që gazetat e tyre kanë thënë gjatë muajsh të tërë duke sulmuar misionet tona jashtë shtetit. Por ky është cirku i konformizmit, ku ka vend për të gjithë dhe të gjithë vrapojnë të dalin para publikut, të duken. Për vite me radhë tashmë, sa herë më takon të them atë që mendoj, në mëngjezin pasues është gjithmonë dikush që përpiqet të më kujtojë se «nuk duhet të flas për gjëra që nuk mundem t’i arrij, nuk kam aftësi për t’i kapur, për t’i kuptuar». Kush e di pse, megjithatë, kjo gërshetohet përherë me atë që unë kam thënë: Në qoftë se i pëlqen të majtës, atëhere janë gazetat dhe televizionet e të djathtës që më rikujtojnë se bëhet fjalë për tema që «nuk jam i aftë për t’i kapur»; në qoftë se, përkundrazi, ajo që kam thënë i pëlqen të djathtës, ndodh e kundërta… por ndoshta edhe zotësia për të kritikuar e disa të ashtuquajturve intelektualë punon me rrymë elektrike të alternuar dhe shuhet sa herë iu pëlqen pronarëve të tyre”.
Në rast se, më 2004, fjalëshkëmbimi i përballtë i Adriano-s ishte ende ai i “më politikut të jopolitikëve”, më 2005 (viti kur filloi “Rockpolitik”-a) politika mori epërsinë dhe qysh nga kjo kohë, daja im hyri në listën e zezë të Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Silvio Berlusconi. Nëse deri atëherë, themeluesi i “Forza Italia”-s e quante dajën tim Adriano: një mik jo shumë të besueshëm dhe të pakontrollueshëm, por megjithatë gjithmonë një mik; më 20 tetor 2005, kur u transmetua seria e parë e “Rockpolitik”-ës, Silvio Berlusconi kuptoi se kishte humbur, ndoshta përgjithmonë, simpatinë për “ish djalin e rrugës Gluck”. Pjata që Adriano-ja kishte përgatitur për serinë e parë ishte e patretshme për kreun e qeverisë.
Silvio Berlusconi qeveriste tashmë qysh prej katër vjetësh, duhej të kalonte edhe vetëm një vit deri në zgjedhjet politike të 2006-ës dhe Kryetari i Këshillit të Ministrave do të pëlqente të mos riflitej për përjashtimin nga RAI të Enzo Biagit, Michele Santoros e Daniele Luttazzit, mbi të gjitha në një transmetim “premiere” (transmetim “për herë të parë”) e që parashikonte ndjekës të shumtë. Por Adriano-ja ishte i vendosur që të përdorte magnetizmin dhe aftësinë e tij të krijimit të “audiencës”, për të rihapur kutinë e zezë të 18 prillit 2002.
Në ekranin e vogël rrëshqiti gjatë një farë kohe letra e shkruar nga Enzo Biagi për Adriano-n në “Corriere della Sera”-n e 16 tetorit 2005, me të cilën gazetari (ai vdiq më 6 nëntor 2007) nuk pranon ftesën për të marë pjesë në “Rockpolitik”: “I dashur Celentano, ju duhet të kuptoni që unë nuk mund të rikthehem në rrjetin e “anijes admirale” të RAI-t për sa kohë janë në të ende njerëzit, që kanë mbyllur programin tim dhe kanë ndaluar të punohet sipas përpunimit tim”. Menjëherë mbas letrës së Enzo Biagit u transmetuan dy deklarata me të njëjtin ton të Beppe Grillo-s dhe Daniele Luttazzi-t, ndërsa në sfond u dëgjua zëri i Adrianos: “Gjithçka filloi më 18 prill 2002…”. Kur Adriano-ja vuri gishtin mbi plagë përpara katërmbëdhjetë milionë dëgjuesave, në ekran kalonin të dhëna mbi lirinë e shtypit në Itali të mara nga “Freedom House” (angl. në tekst; shqip: “Shtëpia e Lirisë”; sh.p.); “që çuditërisht”, vë në dukje Adriano-ja, “i njofton Shtëpia e Lirisë”. Në vendin e 79-të, Italia gjendej më poshtë edhe sesa Bullgaria. Menjëferë mbas klasifikimit, u shfaq në gjysmëhije Michele Santoroja, i ftuar i veçantë i serisë së parë. Daja im ngazëlleu dhe e mbylli takimin me Santoro-n, me një tabelë, ku Italia papritmas ishte vendosur në vendin e parë për lirinë e shtypit. Meritën për këtë e mori të gjithë vetë Adrianoja: “Këtë mbrëmje jemi të parët në klasifikimin e radhës për lirinë e shtypit”.
Të nesërmen, gazetat mbartën ngjarjen televizive në faqet e para. Stuhia politike kishte filluar dhe kryetari i qeverisë e mori shumë për keq. Në qoftë se mbrëmja e parë ishte një nxitje për t’u ndeshur, apo ngucje për të matur forcat, skeçi me Roberto Belignin, e ftuar në serinë e dytë të “Rockpolitik”-ës, përveç se ishte një pjesë e jashtëzakonshme televizive, ishte edhe një goditje në zemër. Porsa hyri Benigni, publiku e priti me duartrokitje e brohorima dhe komiku nuk e bëri veten t’i luteshin, por si një ciklon iu vërsul Kryeministrit për njëzet minuta radhazi me një breshëri goditjesh me fjalë të zgjedhura. Adriano-ja vendosi t’i bëhej krah dhe ai, Roberto Benigni, filloi një monolog të gjatë e gazmor: “Po ç’është gjithë ky pështjellim për një të pamend si Celentano-ja?
Dëshiron të shohësh se e kanë me gjithë mend? Dhe këto lista proskricionesh (nxjerrjesh jashë ligji) çfarë janë?
Berlusconi, ku je? Silvio… ti e di që ne të duam shumë. Kur një komik vë në lojë një politik, e ndihmon… Dhe unë dua të të ndihmoj. Silvio, ti ke të drejtë kur thua: «Pse vetëm mua?».
E mirë; këtë vit kritikojmë përfaqësuesit e qeverisë dhe në vitin e ardhshëm, ata të opozitës… Eh, është e vërtetë, nuk ka si bëhet ndryshe, sepse në vitin e ardhëshëm në opozitë do të jetë gjithmonë Silvio-ja”.
Të qeshura të forta në sallë. Adriano-ja e përmbajti veten.
Përsëri Benigni: “E kuptoj që je i zemëruar, por në qoftë se bën që të pushojnë së punuari të gjithë ata që thonë fjalë me vend mbi ty, në Itali do të rritet papunësia. Të duam, por mos shkruaj emra, ki kujdes”. Ai i hodhi një shikim Adriano-s, që sillej nëpër studio dhe, pastaj, lëshoi një breshëri tjetër: “Përplasje interesash? Po ç’është kjo? Interesa, po; por asnjë përplasje… Shiko Silvio se «Shtëpia e Lirisë» është këtu! Pse nuk ndërron mjeshtërì dhe shpëton kënaqësinë për të thënë atë që dëshiron? Mund të thuash edhe që Prodi të ngjall neveri. Po të vish këtu dhe të vihesh në rolin e komikut, do të mund të thoshe të gjithë atë që dëshiron: mund të thuash të nëntëdhjetenëntat për dikë, mund të veshësh «bandana» -n (nga angl.: «ban-danna»; shqip: shall koke me ngjyra të ndezura, kryesisht të kuqe e të verdhë; sh.p.) … “. Pastaj Benigni iu kthye Adriano-s dhe i dha jetë një skenëze, që do të hyjë në historinë e televizionit dhe që me mënyrën e paraqitjes të kujtonte si nëpër mjegull letrën e shkruar nga Totò-ja e De Filippo-ja në “Totò, Peppino e la malafemmina” (“Totò-ja, Peppino-ja dhe gruaja e keqe”). “I dashur Adriano”, sulmoi Benigni, “ti je futur në një ngatërresë dhe tashti duhet t’i kërkosh ndjesë Silvio-s. Shkruaji një letër, po ta them unë këtë” . Adrianoja u ul në një bangë shkolle dhe shkruajti: “Ti i dashuri Selviuccio ke bërë shumë gjëra të bukura, si…”. Ndërprerje. Adrianoja dhe Benigni vështruan njëri tjetrin, njëri i dha krahun tjetrit, u sollën rrotull studios televizive mes të qeshurave të njerëzve dhe filluan të mendoheshin mbi gjërat e bukura që kishte bërë qeveria, por nuk iu vinte në mend asgjë.
“Adriano! Duhet të shkruash ndonjë gjë. Do na marë kohën që duam, por do të shkruajmë diçka; nëse jo, këtu do të ketë kokëçarje, do të ketë sherr… “. Një tjetër ndërprerje, pastaj Benigni rimori fjalën: “Më ka ardhur një mendim: thërrasim një mikun tim të «Froza Italia»-s; ai, me siguri, do na ndihmojë. Është një që di gjithshka te Berlusconi-t. «Ciao Gianfranco, po sheh TV-në? Unë jam në shtëpi. Po! Ky transmetimi i Celentano-s është shumë i shëmtuar. Dëgjo! Të telefonova, sepse desha të të pyes nëse mund të më ndihmosh: a mund të më thuash ndonjë gjë të mirë që ka bërë Berlusconi? Jo për vete, por për italianët… Po… e drejtë. Ah, falemnderit!»”. Kur e përfundoi telefonatën, Adrianoja vështroi Benignin:
“Të tha ndonjë gjë?” “Jo! Më tha se do bëjë një të sjellur përqark me telefon nëpër miqtë e tij dhe nesër do të më telefonojë”. Publiku shpërtheu me duartrokitje të stuhishme. Në këtë kohë, “audienca” (“publiku”, numuri i dëgjuesave) preku kalimthi pesëmbëdhjetëmilionëshin. Skeçi u mbyll me Benigni-n e pandalshëm të veshur si grua, që në fillim vallëzoi me Adrianon “La coppia più bella del mondo”-n dhe pastaj përfundoi paraqitjen e tij duke përmendur Voltairen: “Unë nuk jam në një mendje me atë që thua ti, por do të jepja jetën që ti të mund ta thuash”. Tërmeti “Rockpolitik” zgjati katër javë pa iu ndarë rekordit të dëgjuesve për çdo seri dhe kësaj radhe, Berlusconi u zemërua me të vërtetë me Adrianon; aq sa, kur u kritikua, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2006, sepse kishte qënë shumë i pranishëm në televizion, u përgjegj me një fjali të thatë: “Duhej të shpëtoja nga gjërat që u thanë kundër meje nga Celentano-ja gjatë «Rockpolitik»-ës dhe që goditën pesëmbëdhjetëmilionë dëgjues”.
Në një rast tjetër, gjatë paraqitjes së një libri të Bruno Vespas, u rikthye mbi po këtë temë: Ajo e “Rockpolitik”-ës, “është vetëm ngjarja e fundit e një sistemi të ndërlidhjes televizive, por edhe shtypi, që, nga viti 2001 ka sulmuar sistematikisht qëndimin e qeverisë dhe Kryetarin e Këshillit të Ministrave”. Dhe, lidhur me klasifikimin, që, për sa i përket lirisë, e vendoste Italinë në të njëjtën shkallë me Bullgarinë: “Nuk ishte nevoja e Adriano Celentanos që të bënte të frynte era e vrullshme e lirisë në televizion”, vërejti me frymë polemike Berlusconi duke e drejtuar gishtin tregues mbi disa nga personazhet më popullore të satirës televizive, “mjafton të shihen kanalet e RAI-t për të parë fjali kundër Kryetarit të Këshillit të Ministrave nga ana e Serena Dandinit dhe Sabina Guzzantit, Gene Gnocchi dhe Enrico Bertolinos, Dario Vergassolas, Corrado Guzzantit e të tjerëve, që dua të mos i mbaj mend. Më tepër e më qartë, në «Rockpolitik»… Më fajësojnë për kontrollin e gjashtë rrjeteve kryesore kombëtare, ndërsa e vërteta është para syve të të gjithëve: e gjithë kolona e gjashtë e Rai-t Tre është e drejtuar kundër Kryeministrit dhe kundër qeverisë, në lajmet e “Canale 5″ i jepet përherë më tepër hapësirë gjykimeve të opozitës sesa tonave, ndërsa TG 1 e TG 2 janë mjaft të barazpeshuara. Vetëm TG 4 është nga ana jonë, me Emilio Feden, që megjithatë nuk ka fyer kurrë asnjë të opozitës”.
“Il Cavaliere” e kishte, mbi të gjitha, me transmetimet jo gazetaresk, që jepnin satira mbi qeverinë: “Janë, mbi të gjitha, transmetimet e çmërzitjes, e zbavitjes, që kur merren me probleme shoqërore e politike, përmbajnë më tepër kritika sesa mirënjohje ndaj qeverisë, për të mos folur më për shtypin e përditshëm”. Berlusconi ka shpallur se nuk e donte një sistem lajmesh, që ta mburrte, “por kallëzoj fallcifikimet e opozitës mbi punën tonë, që paraqiten si të vërteta të pakundërshtueshme”.

Please follow and like us: