Albspirit

Media/News/Publishing

Dashnor Kokonozi: Me Vrionin mbi Rinas

Aty nga mesi i vitit viti ‘93, pata shansin të shkoj në Paris, në shoqëri të Isuf Vrionit. Në xhep kishim një ftesë të Ministrisë franceze të Kulturës.
Në avion ai u ul nga ana dritares dhe që nga ai çast ndenjëm bashkë.
Ndërsa po fluturonim mbi Rinas, vërejta se ai u bë i heshtur. Tundte pak kokën dhe vështronte me ngulm pistën poshtë, thua se kërkonte të shquante gjësendi aty.
– Ti nuk e merr me mend për sa beton ka nevojë një pistë aviacioni, – më tha dikur.
– Shumë, – ia bëra pa i kushtuar ndonjë rëndësi, se në vetvete ajo pistë e humbiste rëndësinë për mua, me të njëjtën shpejtësi që zvogëlohej nën këmbët tona.
– Po nuk e merr me mend se sa shumë!
Ngrita supet.
– Vetë sipërfaqja e pistës është gërmuar shumë thellë, – vazhdoi ai me një shpjegim më teknik. – Pistat e aviacionit kanë nevojë për një taban solid. Që të përballojnë peshë e presion kolosal, duhet gërmuar deri sa të dalë tabani.
Pista qe zhdukur tashmë dhe ndërsa po dilnim mbi re, nuk është se më pëlqente të mendoja shumë për punët tokësore e aq më pak kisha kureshtje të dija për ato nëntokësore.
Gabim i rëndë!
Por kjo nuk më pengonte ta dëgjoja Vrionin tek më fliste me mjaft hollësi se si duhet organizuar puna për të përballuar nevojën e pangopshme të një fushe aviacioni për beton. Për krijimin e qendrave të prodhimit rrotull pistës, për punën me turne, për duart e çara nga stërmundimi edhe grryerjet që shkaktonte çimentoja, për turnet e ndërresat që rrotulloheshin pa pushim, rrethimi me tela me gjëmba dhe prozhektorët e fuqishëm ushtarakë…
– Shumë, beton, jashtëzakonisht shumë beton është derdhur aty.
Dikur, duke parë edhe ai se po e dëgjoja thjesht për respekt dhe jo se më intersonte shumë betoni, heshti.
Më i interesuar isha të dija të vërtetën e shumë historive që tregoheshin për marrëdhëniet e tij me I. Kadarenë. Madje e pyeta nëse ishte e vërtetë që një ditë ai kishte mbërritur me vonesë në një takim dhe Ismaili i kishte thënë: Po mirë o Isuf, ti disiplinën proletare nuk e njeh, por të paktën respekto etikën borgjeze.
Qeshi, por as pohoi dhe as mohoi gjë.
Kur avioni kishte marrë “vitesse de croisiere” dhe po pinim kafetë duke kundruar Alpet, m’u kujtua ajo puna e betonit të pistës së Rinasit.
– Po ju, Isuf, – e pyeta për kureshtje, – nga i dini gjithë ato hollësi teknike të një piste aviacioni?
– Po hë, pra! – ia bëri ai si i çliruar, – Këtë po pres të më pyesësh. Isha unë që e transportoja me krahë gjithë atë beton. Unë dhe të gjithë ata njerëz krejt të pafajshëm që sapo na kishin burgosur…
Vetëm atë çast kuptova mungesën e pafalshme të vëmendjes.
I kërkova ndjesë.
…………..
Ai udhëtim më ka mbetur i paharruar. Kishim prenotuar të njëjtin hotel dhe darkave pas takimeve të punës, ai më shoqëronte në të gjitha ato vende ku kishte kaluar rininë e tij, madje më tregoi edhe shtëpinë, ku kishte banuar, baret e brasseritë, ku edhe ato ditë gjenim rast e ndalonim, pour jeter un verre derrière la cravate.
Dhe ta dëgjoja të tregonte ashtu siç dinte të tregonte ai.
Please follow and like us: